Shënime udhëtimi/ Plazhi i Durrësit, makthi i një masakre urbane

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Një fundjavë shkurti me diell, bëri që destinacioni për një kafe të mundshme, të mos ishte më si zakonisht në 15 vitet e fundit, diku pas Shkëmbit të Kavajës e në vazhdim, por të ndalesha në afërsi të vendit ku ndodhet pista Iliria, aty ku ndërtesa e dikurshme e hotelerisë njihej me emërtimin “Kampi i Punëtorëve”…

…E gjithë struktura e Plazhit të Durrësit ekziston në kujtesën time vetëm sipas formatit të vjetër, për shkak se pas viteve 2000, në makth e sipër kam preferuar të shpërngulem prej vendit fort mbresëlënës të rinisë time, për të shkuar më larg se kaq.

Ishte koha kur në tokat e këtij plazhi, ato krejt të lira dhe ato me pronar, nisën të hapeshin themele e të ndërtoheshin pallate shumëkatëshe, gjë që e ktheu të gjithë zonën me jetë sezonale në zonë urbane. Tanimë, plazhi i dikurshëm, – që nëse do të udhëtoje me tren do të zbrisje tek stacioni i Shkozetit, – është një shtojcë kaotike e Durrësit. Dhomat e dikurshme që jepeshin me qira, – ku futeshin për përdorim dyjavor çadra me copën e dalë boje, fshesa dhe një legen plastik, – nuk administroheshin më nga ndërmarrja komunale, e për më tepër mbi territori “free” të rërës ishin vendosur shezlongët për të cilat kishte një tarifë të lëvizshme.

Plazhi i Durrësit tanimë është kthyer në një masakër urbane

Prologu

Në Durrësin-plazh prej vitesh janë zhdukur gjurmët e së kaluarës së varfër. Nuk gjen më as për muze, një kabinë nga ato që kanë mbetur në kujtesë nga komedia e Teodor Laços “Shi në plazh”.

-Aaaa, të lutem shumë presor, se jemi në plazh ta marrë e mira ta marrë. Një kompensatë na ndan. Veç të zëmë veshët me pambuk.

Nisem të dal nga rruga kryesore për të gjetur pistën e madhe Iliria. Sepse në fakt ekziston edhe një pistë tjetër, po me të njëjtin emër, por më e vogël dhe vetëm pak metra nga bregu, e ndërtuar disa vite më parë se e madhja, e cila futet në thellësi të detit të paktën 250 metra nga bregu.

E vështirë për të dalë deri tek rëra, pasi e gjithë hapësira dikur bosh, – me lulishte dhe ambiente të tjera të shitoreve mbushur me orendi plazhi, – tanimë ishin kthyer në truall ndërtimi me pallate shumëkatëshe, e ca të tjera në ndërtim e sipër.

Kjo donte të thoshte se veç ngarkesës së madhe që ka marrë e gjithë zona, ajo do të vazhdojë të mbipopullohet, me apartamente të reja fillimisht e më pas me më shumë pushues, apo dhe qytetarë të tjerë që preferojnë të jetojnë aty si rezidentë të përhershëm.

Reminishenca

Nëse do të duash të shijosh një ditë pushimi, në fakt plazhi i Durrësit nuk është më vend i duhur.

Parë nga bregu, padyshim nuk do të gjesh asnjë hapësirë boshe, gjë që do të bëjë të mundur komunikimin me pjesën tjetër të vendbanimit. Në këtë mënyrë dashur-padashur, është vënë në zbatim ajo çfarë kërkonte të bënte Enver Hoxha 50 vite më parë, ta kthente bregdetin në një fortifikatë të pakalueshme nga Flota e 6-të amerikane që vërtitej nëpër Mesdhe dhe që syrin e kishte nga Shqipëria, apo dhe flota sovjetike e Detit të Zi, – ku vërtitej dhe aeroplanmbajtësja “Admiral Kuznetsov”, – luftanijet e së cilës herë pas here ankoroheshin në portet e ish-Jugosllavisë për t’u furnizuar me ndonjë pikë nafte në hambarët e karburantit.

Por duket se bunkerët betonarme të Enverit vendosur gjatë bregut të detit nuk do mund t’i bënin ballë fuqisë së Flotës së Gjashtë me në krye aeroplanmbajtësen “USS Dwight D. Eisenhower” në përbërje të së cilës ishin nja 40 anije të formateve të ndryshme, të paktën 175 avionë si dhe më shumë se 20 mijë njerëz me uniformë ushtarake.

Ndërsa në kushtet aktuale, ëndrra e Enver Hoxhës është bërë realitet. Mes ndërtesave të plazhit, jo gjyle topi por as një plumb pistolete nuk e gjen dot hapësirën për të shkuar përtej. Kështu që vendi mbetet i mbrojtur dhe i pakalueshëm.

Me këtë rast ndërtesat shumëkatëshe të vijës “Durrësi” ua kaluan bunkerëve dhe trasheve të vijës “Mazhino” ndërtuar nga francezët për të përballuar trupat gjermane në Luftën e Parë Botërore, vija “Monerheim” ndërtuar në kufirin Ruso-Finlandez, apo vija “Zigfrid” e ndërtuar nga gjermanet në malet Karpatë të Rumanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në fakt këto të dhëna taktiko-teknike zor se i hyjnë në punë njeriu, përderisa në kushtet e sotme, lufta për të marrë një brez të fortifikuar, ka rënë kryekëput e nuk vlen dy lek.

Aktualitet

Po t’i referohesh Enciklopedisë ajo të mëson se Plazhi i Durrësit shtrihet përgjatë gjithë bregut të Gjirit të Durrësit, nga Ura e Dajlanit në Veri e deri te gryka e përroit të Darçit (Karpen) në Jug. E gjithë vija bregdetare ka një gjatësi prej rreth 12 km, e gjerësi diku 100 e diku 200 metra nga buza e detit.

Struktura e plazhit në Durrës ka ndryshuar rrënjësisht. Vërtet nuk ka më kabina dërrase, por betonizimi i plazhit mbetet një plagë më e madhe. Për më tepër që ndërtesat janë afruar më pranë bregut duke lënë më pak metra në dispozicion të rripit të rërës.

Nëse ke parkuar në anësore të rrugës kryesore që të nxjerr në plepa, që të dalësh në plazh do të të duhet të bësh shumë zigzage. Përballja me plazhin, nuk është se të surprizon, përkundrazi të zhgënjen. Sepse në tërësinë e tij plazhi i Durrësit e ka humbur rëndësinë që ka pasur në vitet ‘80-të të shekullit të kaluar.

Lexo edhe :  Kryeministri Edi Rama prezanton një tjetër projekt të realizuar në Tushemisht

Në ndërtesat e plazhit të Durrësit ende vihen re dëmtimet e tërmetit të nëntorit 2019.

Dal në zonën e rërës. E pandryshuar ka mbetur panorama përballë, ku në sfondin e largët disa anije transporti qëndrojnë në rade me spirancë të hedhur, në pritje për t’u futur në port e për të shkarkuar mallin e kontraktuar.

Pistat Iliria janë në të majtë dhe në të djathtën time.

Sepse janë dy pista që mbajnë emrin “Iliria”, ajo e vogël, funksionale dhe atraktive dhe pista e madhe “Iliria” e lënë pas dore, e mbushur me goma makinash dhe e amortizuar deri ne thyerrjen e kunjave prej betoni që mbanin të varura gadinat prej hekuri.

***

Çfarë na kujton kjo pistë?

Dikur zihej radhë për të zënë një tavolinë tek pista e madhe Iliria. Ata që arrinin ta zinin këtë tavolinë nuk e lëshonin për qamet derisa të mbyllej lokali, rreth mesnatës.

Tek filmi “Të mos heshtësh”, një prodhim i vitit 1985. Me regji të Spartak Pecanit e skenar të Nexhati Tafës, xhirimet e filmit përkojnë me ndërtimin e pistës. Aty ka një skenë mes Matilda Makoçit në rolin e Silvit dhe Ndriçim Xhepës në rolin e Ardit.

-Ardi, erdha të të marr… Kam konstatuar një gjë shumë shqetësuese në dokumentat e borderove të disa viteve të kaluara.

-Eja ulemi diku, pimë një kafe pastaj bisedojmë.

-Po lëre kafen se është e rëndësishme kjo që po të them.

Ndërsa punëtorët me materiale në duar lëviznin në mizanskenë.

Ndërsa filmi “Zëvendësi i Grave”, i regjisorit Fehmi Oshafi, një prodhim i vitit 1987, pista ishte funksionale dhe aty ka një sekuencë filmike mes Karafil Shenës në rolin e kamerierit me emrin Met dhe Mirush Kabashit si Maku që piu 12 shishe birre, 5 i kishte tek këmbët, e 7-të tjerat mbi tavolinë, e kishte shkundur një me verë të kuqe si dhe raki nga ajo e Kombinatit Ushqimor të shoqëruara me 4 pjata mezesh nga të Ushqimit Social.

-Limonatë?

-Jo. Një dopio raki.

-Ouuu, që kur kështu ti Maku.

Në sfond orkestra luan muzikën e një kënge festivali të kënduar nga Ema Qazimi.

Por pista Iliria është përdorur për një bisedë babë e bijë mes aktorëve Sheri Mita dhe Anila Karaj tek filmi “Familja ime” të regjisorit Albert Xholi.

Nostalgji

Gjithsesi plazhi i Durrësit mbetet nostalgjik për shumëkënd. Me gjithë kufizimet e mëdha që kishte sërish ishte një vend argëtimi e pushimi, madje dhe kur ato bëheshin në kushtet tepër modeste të kabinave të dërrasës. Ai shtrihej në një gjatësi prej 3,4 kilometrash nga stacioni “Teuta” deri në “Iliria”.

Sektori “Iliria” njihej më së shumti për restorant “Breshka”, vendtakimin e rinisë së kryeqytetit. Ishte nga vendet e rralla ku mund të hyje me rroba banjoje. Iliria njihej si sektori që kishte një mori kabinash dërrase kryesisht për klasën punëtore, pasi kuadrot ishin të shpërndara në tre sektorët e tjerë ku ishin ndërtuar kabina, por diçka më cilësore, pasi ato ishin prej tulle e betoni. Ndërsa për njerëzit më me pozitë, për 15-ditëshin e pushimeve verore viheshin në dispozicion vilat e dikurshme të borgjezëve, të cilat ishin shtetëzuar që pas instalimit të sistemit të ri komunist në vend.

Por ndërtesa që binte më shumë në sy ishte ndërtesa e hotel Adriatikut, ekskluzivisht për turistët e huaj dhe diplomatët që ishin atashuar në Tiranë. “Adriatiku” i projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri u ndërtua në vitin 1957. Por Adriatiku ishte i shoqëruar dhe nga disa hotele të tjerë të degës së Turizmit si “Durrësi”, “Apolonia”, “Kruja” dhe “Butrinti”.

Dikur sektorët e plazhit të Durrësit ndaheshin në “Teuta” që ishte dhe sektori i parë që vinte pas Urës së Dajlanit , “Apolonia” e “Hekurudha”, e me një emër mitik, i katërti në radhë vinte “Iliria”. Por për nga rëndësia Iliria mbetej i pari, sepse aty ndodhej restorant “Breshka”, emri më i përdorur në këtë plazh e që kish mbetur si simbol nga ndërtuesi i saj Rexhep Çakrri, i cili njihej dhe si Rexhep Breshka.

Dhe në fund të sektorit “Iliria” kishte një gardh telash me gjemba që ndante Popullin e Thjeshtë nga pjesa tjetër e nomenklaturës së lartë të Partisë së Punës që e bënin plazhin në sektorin Very Important Person.

Me plazhin e udhëheqjes kufizohej ai i Ministrisë së Brendshme. Pas tij vinte kampi i Pionierëve “Qemal Stafa” dhe e mbyllte plazhin konvaleshenca ushtarake. Një përrua që sillte ujëra të bardha e të zeza bashkë ndante plazhin e Durrësit me atë të Golemit që niste me vendin e quajtur Shkëmbi i Kavajës, një vend i mbushur me pisha që përdorej më së shumti nga pushuesit ditorë.

Epilogu

Plazhi i Durrësit e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Po kjo nuk do të thotë në mënyrë kategorike se ky shkëlqim nuk do ketë asnjë shans për të ardhur sërish. Sepse propabiliteti ekziston, qoftë edhe një në njëqindmijë. Ndaj në mend më vijnë edhe më shpesh fjalët e një mikut tim arkitekt e urbanist: Të gjitha godinat e këtij plazhi duhen shembur krejt, dhe mbi hapësirën e krijuar të ketë një koncept të ri e të mirëorganizuar.

Por ndoshta një gjë e tillë do të ndodhë shumë kohë më vonë… sepse nuk mund të themi që: nuk ka për të ndodhur kurrë!

Të fundit

Nëse keni probleme me gjumin, ju mund të vuani nga këto 5 çrregullime

A e keni vënë re sesa keq ndiheni të nesërmen, pasi keni fjetur keq një natë më parë? Djersë...

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e “Opinion” në Tv Klan. 3 elementë...

“Në Tiranë, 40% e trafikut shkaktohet nga…”/Shefi i qarkullimit zbulon shkaqet e kaosit

Rreth 40% e trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara në rrugë. Kështu u shpreh, shefi i qarkullimit rrugor, Besmir Qibni në një...

Përpjekjet për të justifikuar ‘marrëveshjen’ që shuajti revolucionin

Nga Mero Baze Për të identifikuar personat të cilët donin të fitonin besimin tek Berisha kur ai po përpiqej të rikthej në pushtet në vitet...

Ledjona tregon për të atin pas daljes nga “BBV3”: Ka pasur probleme shëndetësore

Në një intervistë të dhënë në “Ftesë në 5”, Ledjona ka folur për herë të parë për familjen e saj dhe mënyrën sesi ata...

Lajme të tjera

Web TV