Më 3 mars 1878, u nënshkrua në Shën-Stefan Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane
Pas luftimeve të ashpra, që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse arritën në fshatin Shën Stefan, rreth 17 km larg Stambollit. Traktati i nënshkruar me këtë rast shkaktoi zemërim të thellë në Shqipëri. Fuqitë e Mëdha, ndonëse e kundërshtuan këtë Traktat, përsëri nuk ishin të prirura të merrnin parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë…
…I konsideruar si Traktati i Paqes, i cili i dha fund Luftës Ruso-Turke që pat shpërthyer më 24 Prill 1877 Traktati i Shën Stefanit u nënshkrua më 3 mars të vitit 1878. Kjo situatë erdhi një muaj pas armëpushimit të Edrenesë. Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 % të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik.
Nënshkrimi i Traktatit
Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, konti Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, Ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat.
Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi shumë me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit.
Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë.
Serbia zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37, 7 mijë km2 në 52, 7 mijë km2. Edhe Mali i Zi rritej nga 4, 7 mijë km2 në 15,7 mijë km2. Sipas këtij traktati, brenda kufijve të Malit të Zi hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë. Territoret e Bullgarisë zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit. Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë.
Tkurrja e Shqipërisë
Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj. Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.
Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë.
Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.
Lëvizja kombëtare
Kundërshtimi i vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit shënon një nga momentet ku filloi të merrte hov lëvizja kombëtare shqiptare.
Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë traktati e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria. Për këtë arsye, u vendos që traktati të rishikohej nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha. Flitet për Kongresin e Berlinit, që u mbajt më 13 qershor 1878.
Në prag të kongresit, atdhetarët shqiptarë – 300 përfaqësues të të gjitha krahinave shqiptare – themeluan Lidhjen e Prizrenit për të dalë me një zë të përbashkët me kërkesat e tyre; Çështja ishte se shumë prej trojeve që i merreshin perandorisë osmane u përkisnin shqiptarëve, dhe kjo çështje as që u përfill nga Kongresi i Berlinit, ku kancelari Bismark është cituar të ketë thënë “Shqipëria është shprehje gjeografike”.
Pas kësaj Lidhja e Prizrenit u hodh në luftë të armatosur për mbrojtjen e trojeve shqiptare, deri sa u shtyp me dhunë nga Perandoria Osmane më 1881.