test

Diskutimi “sekret” i Enverit në Byro: “Na tregoni letrën që shoku Hysni ia ka dërguar Mehmet Shehut në 1975, ku i thotë për Kadrinë…”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Publikohen disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë.

Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al

Dokumenti me proçes-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, mbajtur në datën 20 shtator 1982

Tepër sekret

MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982

 

 

Kjo mbledhje u thirr nga shoku Enver, ku u ftuan edhe shokët Adil Çarçani e Hekuran Isai për të analizuar gabimet e rënda të anëtarit të Byrosë Politike, Kadri Hazbiu, të kryera gjatë periudhës që ka qenë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si zëvendësministër e pastaj ministër.

SHOKU ENVER HOXHA: Ç’thua tani ti Kadri, për këtë gjëra?

SHOKU KADRI HAZBIU: Kështu janë këto, shoku Komandant…! Në Ministri, siç dihet, ne kishim këshilltarët sovjetikë në çdo degë, duke përfshirë edhe Sigurimin e Ushtrisë edhe Zbulimin.

SHOKU ENVER HOXHA: E di ti që këshilltar sovjetik kishte dhe nafta, kishin edhe sektorë të tjerë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Flas për Ministrinë e Punëve të Brendshme unë, ku çdo sektor kishte këshilltarin e vet dhe këta te ne kanë marrë çdo gjë.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë kanë marrë ç’kanë dashur?

SHOKU KADRI HAZBIU: Ashtu është, asnjë sekret nuk u mbahej.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, ishte e drejtë kjo praktikë?

SHOKU KADRI HAZBIU: E drejtë nuk ishte, shoku Enver, po ne kështu kemi vepruar.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse të vepronit kështu? Këshilltari është për të dhënë një këshillë kur i kërkohet, jo për të marrë gjithë aktet dhe dokumentet që ekzistojnë në Ministri.

SHOKU KADRI HAZBIU: Për t’u këshilluar, shoku Enver, ata këshilloheshin me dosjen, po kjo i ka të gjitha të dhënat brenda. Ne u kemi dhënë atyre edhe agjentë nga të Zbulimit tonë që ishin dërguar në vende të ndryshme. Rusët i dinë të gjitha këto.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, edhe mund të mos i dinin, dhe aspak s’duhet t’i dinin.

SHOKU KADRI HAZBIU: Që nuk duhet t’i dinin, shoku Enver, kjo është e qartë, po ju, aty nga viti 1959 a 1960, më kini thënë mua, t’ua mbyllnim rubinetin sovjetikëve. Këtë porosi e mbaj mënd mirë që ju ma keni dhënë në atë kohë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po u është mbyllur rubineti atyre në atë kohë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Nga fundi i vitit 1959 apo 1960, rubineti atyre u është mbyllur për Zbulimin. Në atë kohë, shoku Enver, kështu e kemi konsideruar, çdo gjë ata e dinin, që nga dosjet, nga agjentët e gjithçka tjetër që u interesonte.

Përsa i përket degës së Sigurimit të Ushtrisë, tek ne ka pasur edhe kjo këshilltarët e vetë sovjetikë, të cilët interesoheshin që të mos shkonte ndonjë kuadër nga tanët i dyshimtë, në akademitë ose në shkollat ushtarake sovjetike.

“Kush do të jetë agjentura që do të kini, për këtë do t’u themi që këta ta bashkërendojnë punën me shokët tanë atje”, na thoshin. Kështu ka qenë praktika që kemi pasur.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse nuk e kishit vënë ju në dijeni Komitetin Qendror për këtë praktikë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë e di, shoku Enver, që me lejen e Komitetit Qendror i kemi bërë këto punë.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, me lejen e Komitetit Qendror, këtë veprime nuk janë bërë aspak.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë kështu e di, që me lejen e Komitetit Qendror i kemi bërë.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, nuk janë bërë me lejen e Komitetit Qendror. Le të marrim letrën e shokut Hysni që e ka shkruar, bile me dorë. Po këndoje një çikë këtë shoku Haxhi, se kjo vërteton atë që në Komitetin Qendror s’ka asnjë dokument, për këtë praktikë dhe tregon se në Komitetin Qendror nuk është pyetur asnjeri. Këtë letër Hysniu i’a drejton Mehmet Shehut, Këndoje shoku Haxhi.

Lexo edhe :  “Ditët në koma, shihja një dritë”, Bujar Qamili rrëfen betejën për jetën

SHOKU HAXHI KROI: (Lexon letrën).

“Shokut Mehmet, Kadriu më dërgoi këtë raport që bën fjalë mbi disa kuadro tanët, kur mësonin në Bashkimin Sovjetik, që ishin bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit t’onë, por për këta kishte dijeni edhe Sigurimi Sovjetik, bile me disa prej tyre mbante lidhje.

Kadriu më dha edhe një informacion të veçantë për Malo Hashorvën, të cilën i’a ktheva për të vepruar ashtu sikurse ramë dakord bashkë, kur fola në telefon. Ai më tha se ua ka dërguar edhe juve.

E thirra Kadrinë dhe i kërkova shpjegime mbi këta kuadro që kanë qenë bashkëpunëtorë, kur ishin në shkollat e Bashkimit Sovjetik. Ai më tregoi se Sigurimin Sovjetik, e kanë vënë në dijeni që këtej, nga Ministria, në bazë të lidhjeve që kishin në atë kohë.

Kur studentët tanë u kthyen, pas 1960-ës, kur u prishëm me sovjetikët, më tha Kadriu, të gjithë këta kuadro janë thirrur nga shokët përgjegjës në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe u është folur që të mos kenë asnjë shqetësim, për faktin se kanë pasur lidhje me Sigurimin Sovjetik, pse ato rekomandime kanë qenë dhënë që këtej.

Kështu këto kuadro u sqaruan, u qetësuan dhe ne, tha Kadriu, nuk kemi patur më punë me ta si bashkëpunëtorë. Dokumente që kishim, u asgjësuan.

E porosita Kadrinë, që të kemi kujdes për këta kuadro, që ja si na del çështja e Malo Hashorvës, prandaj i dërgoni ku duhet të punojnë, të mbahet mirë parasysh.

Këtu, në aparat të Komitetit Qendror, nuk ka pasur ndonjë dokument që të vërtetojë që këta kanë qenë ngarkuar me një detyrë të tillë nga organet e Brendshme.

Në se ju keni ndonjë mendim ose vërejtje, më thoni, materialin do t’ia kthejë prap Kadriut”. (Mbaron leximi i letrës).

SHOKU ENVER HOXHA: Shikon pra, ç’të shkruan ai? Jepja ta shikoj Kadriu shkrimin e Hysniut.

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk ka nevojë ta shoh shkrimin, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirëpo Hysniu deri më 13.1.1975, nuk e di që kanë ekzistuar këtë njerëz të lidhur me Sigurimin Sovjetik dhe thotë se në Komitetin Qendror, nuk ka asnjë dokument për këtë çështje. Kjo pra është e qartë se, në qoftë se do të ishte ndryshe, ai do ta thoshte.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, shoku Enver, nuk e diskutoj unë atë.

SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë se ju, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, deri më 1975, kur ishin prerë kokat me sovjetikët, nuk kishit vënë në dijeni Komitetin Qendror, kurse duhesh ta kishit vënë medoemos në dijeni, bile që kur u fillua kjo praktikë, për të cilën dokumentet këtu nuk ekzistojnë.

Por ju nuk e vutë në dijeni Komitetin Qendror, as kur ne zbuluam punën armiqësore të grupit të Beqir Ballukut e të gjithë satelitëve që këtij i vinin rrotull. Këtë çështje ju nuk e kuptuat dhe të na thoshit: Dale, shokë, se këtu ka punuar sovjetiku deri në këtë shkallë, ne kemi pasur vënë në dispozicionin të tyre, këta dhe këta njerëz.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë e di që ne e kemi bërë këtë gjë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po nuk e keni bërë, se po ta kishit bërë, duhet të figuronin diku këto veprime.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po ja, me datë është kjo letër e shokut Hysni, shkruar në janar-shkurt 1975.

SHOKU ENVER HOXHA: Posi, me data janë këto.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mirë mirë, dakord jam dhe unë, që me data janë, po unë e di se atje mund të ketë, janë gjallë shokët. Ne sa u prishëm me sovjetikët, më kujtohet që kemi nxjerrë listën e atyre që ishin bashkëpunëtorë me ta.

SHOKU ENVER HOXHA: Lista ekziston, po kjo është dhënë në 1975. Edhe Hysni Kapoja këtë thotë, që nuk kemi asnjë dokument për to. Është habitur pra Hysniu, me këtë praktikë që kishit vënë ju në zbatim, duke bashkëpunuar kaq ngushtë me sovjetikët.

SHOKU KADRI HAZBIU: Një minutë të shpjegoj unë, se po e kujtoj tani, shoku Enver. Ne, sa u prishëm me sovjetikët, kemi dhënë porosi që t’i rishikonim komplet marrëdhëniet, që kishim me ta. Puna e parë që kemi bërë, me sa di unë, kemi një listë me emra, nuk e di saktësisht sa kanë qenë këta, 80 a 70 veta, se nuk më kujtohet mirë dhe i kam dërguar këtu.

Po kujt ja kam dërguar në Komitetin Qendror, nuk më kujtohet dhe për këtë gjë do më falni, po me atë listë kam treguar se cilët ishin bashkëpunëtorët që kanë pasur rusët në lidhje, ose këta të tjerët.

SHOKU ENVER HOXHA: Komiteti Qendror nuk ka nga këto që thua ti dhe e vërteton letra e shokut Hysni Kapos.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kadri, unë kisha një pyetje për ty. Të marrim tani këtë realitet që kemi dosje, të gjykojmë mbi këtë material. Sovjetikëve, ju jo vetëm u keni dhënë bashkëpunëtorët, po u keni dhënë edhe të gjitha të dhënat karakteristike të studentëve tanë dhe të oficerëve tanë, me dobësitë dhe të metat e tyre, që ata “t’i kishin kujdes” dhe kjo sot është e qartë për ne. Tani ta merr mëndja ty që sovjetikët të mos kenë punuar me këtë njerëz?

SHOKU KADRI HAZBIU: Me siguri kanë punuar./ Memorie.al

Të fundit

Protagonisti absolut i Kroaci – Shqipëri/ Gjasula hyn në historinë e futbollit botëror

Klaus Gjasula hyri në fushën e lojës si zëvendësues, shënoi autogolin që i dha avantazhin kroatëve e më pas...

Si ndikojnë temperaturat e larta në humbjen e peshës në verë, sipas ekspertëve

Teksa termometri duket se është “çmendur” dhe temperaturat jashtë janë tepër të larta, me siguri që edhe ju jeni nga ata persona që po...

Dënohet me burg ish-ministri i njohur, ja për çfarë akuzohet (Emri)

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me tre muaj burgim me kusht dhe me 1.000 euro gjobë ish-ministrin në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç,...

Barazimi i ndeshjes Shqipëri-Kroaci/ Reagon Rama: Kjo quhet krenari, bëni më të mirën!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbas barazimit qe beri kombetarja jone ne ndeshjen e forte me Kroacine. Shqipëria barazoi 2-2 ndaj Kroacisë,duke krijuar një atmosferë...

Turizmi, të huajt “vërshojnë” drejt Shqipërisë, netqëndrimet në hotele u rritën mbi 74.5%

Të huajt kanë vijuar të shfaqin interes për Shqipërinë turistike me një tendencë edhe më të theksuar në prill. Të dhënat e strukturave akomoduese të...

Lajme të tjera

Web TV