ADN-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në 1-vjetorin e vdekjes dhe 81-vjetorin e lindjes të shkrimtarit

 

Nga Halil Rama

 

Në një shtëpi karakteristike, të lagjes Spahikorre, të qytetit të Elbasanit, 81 vjet më parë lindi, mori shkollimin bazë dhe nisi rrugëtimin e jetës Shefki Karadaku, i cili ndër vite do të bënte emër si një nga poetët e prozatorët më të mirë në rang kombëtar.. Këtë lagje, si dhe gjithë Elbasanin ai e konsideronte ADN-në e tij të pandryshuar. Në memorien e tij, sa qe gjallë, ruhej Spahikorrja e fëmijërisë, për të cilën me të drejtë pikëllohej kur e shihte se si është dëmtuar…, ruheshin banesat e traditës, të mbetura ende tashmë, si një dëshmi që dënon dhe akuzon! I zhytur në nostalgjinë e kohës, ish – mësuesi dhe shkrimtari i talentuar rrëfente mjeshtërisht:

“Ne, në Spahikorre i adhuronim pemët, veçanërisht ullinjtë; unë si poet, ca më shumë dhe, si të isha një druid i vërtetë. I kam kushtuar edhe një vjershë të veçantë njërit prej ullinjve të Spahikorres. Pale pastaj, shelgjeve dhe karakfteve hijerënda, apo shtegtimit magjepsës të shpendëve!”. Mjafton qoftë dhe ky rrëfim i çiltër për të konkluduar se Shefki Karadaku, megjithëse një familjar i rregullt dhe përgjithmonë i obliguar, shpirtin e kishte prej bohemi të çliruar dhe të papërmbajtur. Siç shkruan bashkëkohësi i tij Enver Kushi, brenda korpusit letrar, Shefki Karadaku ka sendërtuar shtëpinë e shpirtit të tij buzë Shkumbinit, atje ku “ylberi ka rënë mbi brigjet e trishtuara”. Dhe kjo shtëpi e shpirtit të poetit, ka mbledhur brenda stinët dhe qiejt e Elbasanit, shirat zemërak, çeljen e karakafteve, zërat njerëzor, jehonat e largëta të fëminisë, këngët e Isuf Myzyrit, kuajt e hazdisur, kopshtijet e vendlindjes, nënën dhe babain, Nadiren dhe mallin për Çamërinë, Dorianin dhe Albanën, fëmijët e tij.

 

Shtëpia e shpirtit të tij…

Në këtë shtëpi të shpirtit të tij vijnë erërat e vjeshtës “të m’i krehë flokët kaçurrelë” apo ulen dhe ngrihen lejlekët. Përqark saj “qielli plot me re i leckosur vjen”. Dhe kur heq çatinë e kësaj shtëpie shpirti, poeti sheh“qiellin plot me re që i leckosur vjen përqark…” Dhe, kur hap dritaret e kësaj shtëpie, shpirti, bashkë me valët e Shkumbinit që “përplas jehonën e planetit”, vjen Nadirja që i “sjell erën çame si bukuroshe magjishme” dhe “gëzimet misterioze të një atdheu të braktisur”. Në laboratorin krijues të Shefki Karadakut gjen një arsenal veprash krijuese. Nga “Kënga e karrove të drithit” te “TORAKS”, ky krijues brilant prodhon emocione të freskëta, me origjinalitet të këndshëm e të besueshëm që gjelbërojnë humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore. Karrierës së tij krijuese prej pesë dekadash, i shtohen gjithashtu edhe disa muaj të paharrueshëm që i kaloi në një fshat të humbur të rrethit të Elbasanit, kur jepte mësim në një shkollë fillore. Studjuesi dhe analisti i zellshëm i veprës së tij letrare, Bardhyl Ajazi, në monografinë: “Elbasan, i bukur Elbasan” (me syrin e poetit Shefki Karadaku), ndër të tjera shkruan: “…Shefki Karadaku i pårkiste një familjeje të mirëfilltë intelektuale. Babai i Shefkiut Xhaferr Karadaku ishte një arsimtar, që pasi mbaroi atë të bekuar Normale gjithë jetën ia kushtoi mësuesisë. Nëna e Shefkiut Adile ishte një grua e kulturuar dhe arsimdashëse. Ajo bëri shumë sakrifica për shkollimin e fëmijëve të saj. Vëllai i Shefkiut, Astriti mbaroi studimet për gazetari dhe punoi për shumë vite në organet kryesore të shtypit. Motra e Shefkiut, Natasha, mbaroi studimet për mësuesi dhe punoi për shumë vite në arsim. Pra, Shefkiu, në detyrën e arsimtarit ishte në fushën e vet, ishte në botën e librave. Janë ato vite kur ndjeu shijet e para të kënaqësisë së heshtur krijuese, nga skicat, tregimet, reportazhet, monografitë historiko-letrare, për të vijuar pastaj për 20 vite në revistën prestigjioze “Ylli”, si një nga zërat më të spikatur dhe si mbështetësi real e kurajoz i letrarëve të rinj nga i gjithë vendi.

Të mëdhenjtë e letrave për Karadakun…

Shefki Karadaku me korpusin e tij letrar, ka hyrë denjësisht në historinë e letërsisë shqipe. Një bilanc më konkret e gjejmë tek libri “Absurdi Mbretëror” – (Shënime kritike, ese, këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut), në të cilin autori i 35 veprave letrare në prozë e në poezi, portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës së tij. Gjejmë në këtë libër kolosët e letrave shqipe: Dritëro Agolli, Llazar Siliqi, Petro Marko, Adriatik Kallulli, por dhe personalitete të njohura të letrave shqipe, si: Moikom Zeqo, Roland Gjoza, Riza Lahi, Petraq Risto, Agim Cerga, Milianov Kallupi, Dr.Lutfi Turkeshi, Faruk Myrtaj, Sazan Goliku, Halil Rama e Sakip Cami, të cilët vlerësojnë maksimalisht veprën letrare të Shefki Karadakut ndër vite. Në librin “Absurdi mbretëror”, botuar në 75-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Bardhyl Ajazi ka përmbledhur artikuj kritikë- Ese. Këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut. Dhe nëse patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli vlerëson konceptimin popullor të realitetit në përmbledhjen “Meloditë e Shkumbinit” të Shefki Karadakut, ku evidenton gjuhën e pasur të vargjeve të tij të ngjashme me motivet popullore, si “Vajza e mullixhiut”, “Nata e fundit e aksionit” e të tjera…, Kallulli shprehet për pleksjen bukur e me forcë të ngjyrave, e heroikes me tragjiken, të fëlligështisë e dobësisë morale të armiqve të egër. Adriatik Kallulli për një nga poezitë më të njohura shkruan se poezia e Shefki Karadakut është në shumë raste një poezi pikturë, ai e ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë që të parafytyrojë me kthjelltësi atë që ka parë njëherë poeti. Shembulli tipik për këtë është poezia “Kënga e karrove të drithit”, ku gëzimi për korrjen, për bollëkun e grurit shprehet me një kuadër plot lëvizje:

“Kur të fillojë të bredhë nesër dielli,/Në largësinë e fushës, si lejlek,/Atëherë, pas karrove të drithit,/Udhën e kaltër të arave do ndjek…..”

Po ashtu, poeti ynë Llazar Siliqi do të shprehej: “kur më 1967 Shefki Karadaku doli me vëllimin e tij të parë, ‘Këngën e karrove të drithit’, ne u gëzuem që radhët e poetëve shqiptarë u shtuan me një poet të ri, me një lirik të qetë e të ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit”.

Ndërsa shkrimtari i madh Petro Marko, pasi ka lexuar novelën e Shefki Karadakut, të titulluar “Rrugët e para” shprehet: “Sikur ta kishte këtë botim në vargje dhe ta kishte pagëzuar po me këtë emër, ne përnjëherësh do të thoshim: poeti, pasi njeh rrugët e para të jetës, ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri….”

Dr.Lutfi Turkeshi, gazetar&studjues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”. Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohej jetës edhe pse e vuante atë…

“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”… I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm… Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “… me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë…”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: ‘Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik…’, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun floride të përqeshë…’. Si të përfundojmë?! Shkurt, poezi e veçantë, e jashtëzakonshme, e bukur… Është e tillë poezia e poetit Shefki Karadaku… Është shumë refleksive, sa më shpesh ta lexosh dhe rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë”, -shkruan Dr. Lutfi Turkeshi-Gazetar, studiues (“Identiteti si katarzë” – Gazeta “Fakti”, 8 mars 2001, Shkup).

Lexo edhe :  Me konkurrentë nga e gjithë bota/ Tirana Film Office përzgjidhet në 5 më të mirët

Petraq Risto si redaktor i romanit “Puthja e ngrirë” vlerëson ndërthurjen plot dritë dhe hije, si një afresk bardh e zi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë….

Edhe Moikom Zeqo nuk e ka të vështirë për të deklaruar se Shefki Karadaku është një poet nga të spikaturit në lirikën shqiptare. Shefki Karadaku portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës. Karadaku është një nga përfaqësuesit më të spikatur për gjininë e lirikës ku absorbohen përvojat e poetikave tradicionale me ato moderne e avangardiste evropiane dhe realizohet kundërvënia ndaj traditës letrare. Tipare të futurizmit, ekspresionizmit, surrealizmit, madje dhe krepuskolarizmit janë përthithur dhe pasqyruar në poetikat e këtij autori.

Koorpusi letrar i Sh.Karadakut përbën një thesar të çmuar…

Teksa lexon veprën e Shefki Karadakut, vetëtimthi të kujtohet krijimtaria letrare mjaft cilësore e këtij poeti dhe prozatori që shkruan prej pesë dekadash, si romanet: “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, si dhe disa novela e vëllime me poezi. Koorpusi letrar i Sh.Karadakut përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Gjetjet metaforike, forca krijuese, gjuha e pasur e shpesh poetike, përdorimi mjeshtëror i fakteve, kronikat, përshkrimi i heronjve, legjendat dhe episodet e bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari. Rrallë gjen në historinë e letërsisë shqipe një autor si Shefki Karadaku, të vlerësuar nga pena të spikatura si: Agim Cerga, Perikli Jorgoni, Milianov Kallupi, Riza Lahi, Jusuf Shahini, Faruk Myrtaj, Mujë Buçpapaj, Ramazan Vozga, Namik Selmani, Sazan Goliku, Sakip Cami, Neritan Dragoti, Ahmet Banushi, Ermir Hoxha, Kostandin Dhamo, Tomor Jolldashi, Mihal Disho etj. Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11 ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN. Para pak kohësh, me kontributin e familjes u botua në anglisht romani i Shefki Karadakut “PUTHJA E NGRIRE”, nga një kopje e të cilit ju dhurua selive te huaja diplomatike në Tiranë. Dhe menjëherë vjen vlerësimi i ambasadorit gjerman Peter ZINGRAF për këtë roman tejet të arrirë që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar në botën letrare të kryeqytetit. Nuk është rastësi që poeti e prozatori Shefki Karadaku mirërpritej e botohej kudo në trevat shqipfolëse, si në Prishtinë, Dibër të Madhe, Ulqin, Strugë etj. Madje në vitet ‘73-74 gazeta prestigjioze “RILINDJA” e Prishtinës botoi në 6 numra radhazi novelën e tij “Kur kërcasin boçet e pishave”

Trashëgimia letare që na la Shefki Karadaku me 13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela, që të gjithë me subjekt të zgjedhur e të arrirë nuk është pak. Ato janë një kontribut i çmuar për të sotmen dhe për të nesërmen që të mos ketë “Puthje të ngrirë”, që fjala e lirë të rrjedhë si “Ujëvarë”, që “Gjergj Elez Alia” t’u transmetohet brezave si njeri trim dhe i besës, si njeri i zgjuar dhe i ditur, që respekton njerëzit e tij, por edhe vizitorët e huaj të rajonit e të botës, që “Shkumbini” të mos shkatërrojë tokat, por të përmirësojë ekologjinë tonë, që “Elbasani i bukur” të çlirohet nga ndotja dhe të shndërrohet në turizmin tradicional shekullor. Ky është mesazhi që përcjell vepra e Shefki Karadakut.

Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit. N’asnjë libër poetik, të cilët ai i krijoi dhe i botoi njeri pas tjetrit, dhe sidomos tek më i fundit me titullin sinjifikativ “TORAKS”, nuk mungon Elbasani; Karadaku është ajo kumria që s’e tradhtoi kurrë… Madje siç shkruan Kostandin Dhame:  Ky libër, këtë herë, përveç teksit poetik, ngërthen midis faqesh edhe disa fotografi dhe vizatime, të hedhura gjithë fantazi fine nga vetë Shefki Karadaku. Këto vizatime së bashku me fotografitë, shpërfaqin jetën e tij midis shtëpisë së lindjes, brigjeve të Shkumbinit, tek kundron kumrien n’ajër, Bezistanin gumëzhitës, Kalanë, Sahatin, shelgun e pikëlluar që shkrehet mbi ujëra, dritaret pas pemëve të redaksisë së Revistës Ylli, Rrugën e Elbasani, e çnuk tjetër…

Shefki Karadaku, nga Elbasani i kumries, kësaj embleme n’ajër, nga Elbasani i Kalasë me çezmat te porta që rrjedhin e rrjedhin si mikpritja, dhe shtëpitë përbrenda me lule dhe vajza të bukura, nga Elbasani i Ditës së Verës, i Ballokumeve të ëmbla, i Shkumbinit shkumëzues, përgjatë brigjeve të të cilit stinët ndërrohen si dekore; nga Elbasani i Kristoforidhit, Isuf Myzyrit, Dhaskal Todrit, Vëllezërve Shpataraku, Bezistanit, Rrapit të Vojvodës, me poezinë dhe prozën e tij me vlera kombëtare, i dhuroi këtij qyteti një identitet të ri, Elbasani i Shefki Karadakut. Bashkëshortja e tij, Nadirja pohon se: “Shefkiu nuk e programonte kohën kur shkruante. Shkruante në shtëpi, në parqe e lulishte, kudo ku gjelbëronte muza e tij… Kishte ditë që ulej para tavolinës dhe shkruante për 10 orë rresht. Shpesh çohej edhe nga gjumi dhe shkruante për disa orë edhe natën… Nuk kishte regjim të caktuar, por pas viteve ‘’90 ai shkroi me shumë temp dhe botoi shumë libra, ndërkohë qå la në dorëshkrim disa vepra tjera letrare”.

Më 16 mars 2021, familja Karadaku humbi njeriun e saj të dashur dhe që e bënte të ndjehej krenare. Ndërsa letërsia dhe kultura kombëtare humbën një nga autorët e saj më të shquar, kur mund t’i jepte akoma vepra të tjera, edhe më cilësore artistikisht dhe më të pasura emocionalsht. Shefkiu u shua vetëm fiziksht. Emri, veprat e shumta e me nivel të padiskutueshëm artistik, i kanë dhënë me kohë të drejtën e denjë të pavdekësisë dhe të prehjes në Parajsë!

Të fundit

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor,...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Rritet numri i pensionistëve më 2023, por jo përfitimet!

Rritja e numrit të pensioneve të pleqërisë u përshpejtua në vitin 2023, me ritmet më të larta të gjashtë viteve të fundit. Sipas të dhënave...

Jeta triumfon: Erdhi në jetë 1750 gramë, fiton betejën Raina e vogël

Pas disa ditëve në terapi intensive, Raina e vogël e cila erdhi në jetë vetëm 1750 gramë ia doli të fitojë betejën për jetën....

Lajme të tjera

Web TV