Koha, paraja dhe identiteti kuantik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Florjan Bombaj 

Koha: një imazh i lëvizshëm i Përjetësisë së palëvizshme” (Platon, 428-348 para erës sonë). Një ndër konceptet më të mistershme për shoqërinë njerëzore ka qenë dhe mbetet “Koha” pasi ajo strukturon të menduarit dhe jetën tonë të përditshme, deri në atë pikë sa saktësia e matjes së saj ka qenë gjithmonë një sfidë shkencore.

Në ditët e sotme “Koha” matet duke përdorur atomin e ceziumit, me një saktësi të rendit prej 16 shifrash pas presjes dhjetore të një sekonde. “Koha” është kudo, është pjesë e përditshmërisë sonë, e megjithatë ne nuk dimë shumë për të. Çdo njeri ka një marrëdhënie të ndryshme me kohën, ku ndërsa disa i “kronometrojnë” të gjitha veprimet e tyre, disa të tjerë mund të jetojnë edhe pa Orë.

Konceptimet e para për kohën u shfaqën tek grekët e lashtë të cilët përcaktuan 3 lloje të kohës: “Chronos” ose koha fizike. “Kairos” ose koha metafizike, dhe “Aion” ose koha ciklike. Në librin të titulluar “Régimes d’historicité. Présentismes et expériences du temps” botuar në  vitin 2003, profesori dhe historiani i njohur francez François Hartog ndër të tjera dallon mënyra të ndryshme të përjetimit të kohës.

Ai analizon atë të Kristianëve që presin ngjarjen e “Gjykimit të Fundit”, atë të idhtarëve të progresit që besojnë në një të ardhme më të mirë, dhe atë të shoqërive “Oksidentale” të mbërthyera tek një e tashme e gjithëpranishme, e cila i pengon ato të projektohen në të ardhmen ose të bëjnë një hap prapa nga e kaluara. Autori i referohet figurave mitologjike si “Chronos”, “Kairos” dhe “Krisis” që për shekuj me radhë kanë qenë në qendër të mënyrës njerëzore për t’a parë dhe përjetuar kohën.

Sipas tij, në kulturën kristiane e reja e mposht të vjetrën pasi e tashmja ngrin midis “Mishërimit” dhe “Gjykimit të Fundit”. Kështu, “Chronos” bëhet koha që mbetet, kohëzgjatja e së cilës ende nuk dihet dhe që është çështje vetëm e Hyjnit. Duke mbizotëruar gjatë Mesjetës, ky konceptim i kohës do të pësojë lakime dhe kontradikta deri në fund të shekullit të 18-të dhe mesit të shekullit të 19-të. Gjatë dhe pas kësaj periudhe “Chronos” bëhet koha e “Natyrës” dhe “Progresit” duke ngritur debatin nëse ai eliminoi “Kairos” dhe “Krisis”.

Periudha aktuale antropocene “origjinal anglisht: Anthropocene” prezanton një regjim historik të paprecedentë që shqetëson ekonomizimin tonë të kohës, jo vetëm sepse fillon t’i shpëtojë kontrollit tonë, por sepse shënohet nga rifutja e një perspektive të së ardhmes në formën e një katastrofe të paralajmëruar. Katastrofa antropocenike hap një reflektim të ri afatgjatë mbi evolucionin dhe zgjedhjet tona shoqërore. Lind natyrshëm kurioziteti nëse “Chronos” dominon debatin e sotëm të shoqërisë njerëzore mbi të ardhmen.

Koha

Qytetërimet antike duhet të kenë qenë të vetëdijshëm, megjithëse në mënyrë të pavetëdijshme, se “Koha” nuk është e barabartë me kohë. Kjo është arsyeja pse ata kishin tre Hyjni për të përshkruar këtë fenomen: Chronos, Kairos dhe Aion. Në mitologjinë greke, “Chronos” ishte Hyjni që përfaqësonte personifikimin e kohës, dhe në veçanti të dymbëdhjetë orëve të ditës ose natës. “Chronos” është ajo që ne të gjithë e njohim, është koha fizike e cila është sasiore dhe lineare. “Kairos” është kohë metafizike dhe vendimtare, me nocionin para dhe pas, pra ku ndodh diçka e veçantë.

Në  ndryshim nga “Chronos” koha “Kairos” është jomateriale, jolineare dhe nuk mund të matet. “Aion” ishte Hyjni e lidhur me kohën ciklike, si stinët, frymëmarrjet, gjumin, etj. “Aion” nuk ka kufij dhe mund të nënkuptojë gjithashtu fatin, moshën, brezin ose përjetësinë. Ne gjejmë veçanërisht termin “Aion” tek ndarjet kryesore të kohës në historinë gjeologjike dhe paleontologjike të Tokës. Mendimi se njeriu është i përkohshëm në rrugëtimin e tij jetësor përbën thelbin e filozofisë antike. Sipas filozofit dhe botanistit të  njohur të  antikitetit Theόphrastos (371-287 para erës sonë), koha është gjëja më e vlefshme që një njeri mund të shpenzojë.

Në librin titulluar “Avoir le temps. Essai de chronosophie” botuar në vitin 2021, autori Pascal Chabot vendos në diskutim faktin se pse koha, kjo rrjedhë universale dhe e njëjtë për të gjithë, po i mungon gjithmonë e më shumë njerut. Në narracionin e tij filozofik ai rrëfen se “Koha” nuk është koha objektive e fizikantëve, në të cilën askush nuk ka jetuar ndonjëherë. Ajo është koha së cilës njeriu i imponon imagjinatën, dëshirat dhe obsesionet e tij.

Obsesioni aktual i njeriut duket sikur është ajo që identifikohet si “Hiperkoha” ose “Koha” e kudogjendur që shfaqet në telefonat dhe kompjuterët tanë. Është një kohë e numëruar dhe jo e jetuar, një kohë sasiore, me anë të së cilës të gjitha ditët tona zhvillohen në një kalendar të ngushtë oraresh dhe afatesh. Pra, është një kohë e menjëhershme, një e tashme e përjetshme, e cila mendon vetëm në moment dhe për momentin, dhe ku njeriu jeton me ritmin e lajmeve dhe rrjeteve sociale duke harruar shpejt gjërat e tjera.

Duket sikur “Koha” ka vetëm një realitet, atë të çastit duke qenë ky një realitet i kufizuar tek momenti dhe i pezulluar tek hiçi. Koha pa dyshim që është në gjendje të rilindë, por së pari do të duhet të vdesë. Ajo është në gjendje t’a transportojë qenien e saj nga një moment në tjetrin për t’a bërë këtë lëvizje një kohëzgjatje. Duket sikur momenti është vetmia në vlerën e saj më të zhveshur metafizike. Koha e kufizuar tek momenti na izolon jo vetëm nga të tjerët, por edhe nga vetvetja, pasi shkëputet nga e kaluara jonë.

Në veprën monumentale të tij të titulluar “Le règne de la quantité et les signes des temps” botuar në vitin 1945, filozofi francez René Guénon (1886-1951) ndër të tjera rrëfen se ajo që matet në të vërtetë nuk është kurrë një kohëzgjatje, por është hapësira e përshkuar gjatë kësaj kohëzgjatjeje në një lëvizje të caktuar të së cilës ne njohim ligjin fizik, duke qenë se ky ligj paraqitet si një raport ndërmjet kohës dhe hapësirës.

Pra, kur dimë madhësinë e hapësirës së përshkuar mund të nxjerrim prej saj atë të kohës së përdorur për t’a përshkuar atë. Ai ka pikëpamjen e kundërt të fizikës mekanike, duke i dhënë një dimension cilësor hapësirës dhe kohës të integruar në një vizion global të ekzistencës së njeriut. Hapësira nuk është e pafundme dhe nuk është vetëm ajo në të cilën lëvizin trupat. Hapësira ka veti (drejtime) cilësore dhe kjo është edhe më e vërtetë për kohën, e cila nuk mund të jetë lineare dhe universale sepse ka disa kohë që i korrespondon universeve dhe cikleve të ndryshme.

Në librin të titulluar “L’ordre du temps” botuar në vitin 1984, autori Krzysztof Pomian ndër të tjera rrëfen se koha sasiore është ajo e orëve, pra uniforme, e ndashme në njësi të qëndrueshme dhe praktikisht pakufizuar. Ndërsa koha cilësore është ajo e objekteve natyrore dhe para së gjithash ajo e Diellit, e identifikuar nga qytetërimet antike me kohën në përgjithësi. Ajo ka një fillim dhe një fund, dhe njësitë e tij janë me gjatësi të ndryshme.

Përhapja e kohës sasiore është e pandashme nga vendosja e kapitalizmit pasi ajo është njëkohësisht efekti dhe kushti i tij i mundësisë. Sepse shfaqja e kohës sasiore uniforme bën të mundur idenë e një procesi që nuk është më ciklik, por kumulativ, dhe për rrjedhojë vetë idenë e progresit linear dhe të pakufizuar.

Për të përdorur analizat e sociologut Max Weber, menaxhimi i kohës është në zemër të etikës protestante dhe disiplinës kapitaliste. “Nuk do ta humbisni kohën tuaj”, “Hyjni ju ka dhënë kohë për t’a përdorur atë në mënyrë efektive dhe krijuese”. Kështu, kapitalizmi imponon kohë sasiore mbi ofruesit e fuqisë punëtore dhe ku koha e punës nuk kufizohet më nga detyra që duhet kryer, por matet me tingujt e lëvizjes së akrepave të orës. Por nëse sistemi ekonomik dominant trumbeton këtë tirani të kronometrit, a është paraja partitura e kësaj muzike lineare?

Paraja

Kur Benjamin Franklin, në 1748, përjetësoi fjalinë e famshme “Koha është para” ai krijoi për herë të parë një lidhje themelore midis kohës dhe parasë që më pas shfaqen si dy nocione të zëvendësueshme. Që nga fillimi i historisë së mendimit njerëzor, kur Njeriu bëhet i vetëdijshëm për fundin e tij dhe rolin e tij kalimtar në dinamikën e botës materiale, “Koha” ka qenë në qendër të pyetjeve të tij kryesore filozofike. “Chronos” doli nga kaosi i errët për të sjellë në jetë botën materiale duke simbolizuar kalimin e kohës dhe jetën tonë.

Lexo edhe :  Me kufje

Përparimet në kërkimin dhe kujdesin shëndetësor kanë zgjatur jetëgjatësinë, dhe njerëzimi ende po përpiqet të vonojë efektet e kalimit të kohës dhe të ëndërrojë për përjetësinë. Edhe pse në kohërat moderne njerëzit jetojnë më gjatë ata gjithashtu vuajnë më shpesh nga sëmundje kronike. Gjithsesi njerëzit gjithmonë e më shume ndjejnë se nuk kanë kohë të mjaftueshme.

Koncepti i menaxhimit të kohës është gjithnjë e më i rëndësishëm në botën e sotme, ku kronometrat gjurmojnë çdo sekondë të jetës sonë dhe njerëzit ankohen që “koha gllabëron fëmijët e saj”. Koha, për shkak të rëndësisë që ka në kuptimin e gjendjes njerëzore, është një ndër konceptet me të cilën ekonomistët janë marrë shumë me të. Ekonomisti amerikan Irving Fisher (1867-1947) në veprën e tij të titulluar “Theory of Interest” botuar në vitin 1930, është i pari që e konsideron kohën si një variabël që merret parasysh nga agjentët ekonomikë në zgjedhjet e tyre të konsumit.

Duke e projektuar veten e tyre në të ardhmen, individët ftohen të maksimizojnë dobinë ndërkohore të veprimeve të tyre dhe për këtë arsye të shmangin konsumimin e të gjitha të ardhurave të tyre gjatë një periudhe të caktuar. Pra, përdorimi i kursimeve pasqyron konsideratën dhe ndikimin e kohës në zgjedhjet ekonomike të individit, veçanërisht pasi e ardhmja shoqërohet shpesh me pasiguri në ndërgjegjen kolektive.

Koha tanimë konsiderohet plotësisht edhe si një burim ekonomik më vete, pasi shfaqet si një element që strukturon momentet e ndryshme të jetës si dhe aktivitetet e ndryshme të individëve.

Të analizosh se si individët e ndajnë kohën e tyre do të thotë të kuptosh marrëdhënien e tyre intime me universin ekonomik. Një vend të rëndësishëm nga ekonomistët i është dhënë pyetjes nëse ne mund të matim në mënyrë legjitime një “vlerë monetare” të kohës.

Në artikullin e tij të titulluar “A Theory of the Allocation of Time” botuar në vitin 1965, nobelisti Gary Becker, është i pari që zhvilloi një “kosto oportune të kohës” bazuar në faktin se vlera e kohës (e një ore të fituar ose të humbur) korrespondon me normën neto të pagës së tregut të individit. Bazuar në këtë postulat, studimet e kryera në Francë, Kanada dhe Sh.B.A tregojnë se vlera e kohës korrespondon afërsisht me gjysmën e pagës neto që individët marrin në treg.

Megjithatë, vlera e kohës varet nga karakteristikat e ndryshme të individëve pasi ato më së shpeshti pasqyrojnë zgjedhje subjektive dhe mbi të gjitha një kënaqësi që varion sipas kritereve të ndryshme. Aktualisht, koha e disponueshme e individëve duket se është zvogëluar në masë të madhe.

Gjatë tridhjetë viteve të fundit, koha është zvogëluar nga përhapja e aktiviteteve individuale, veçanërisht në sfera të tjera përveç punës. Prandaj, “liria e kohës” e shkaktuar nga një reduktim i përgjithshëm i kohës së punës ka çuar, në mënyrë paradoksale në pamje të parë, në një reduktim të kohës në dispozicion.

Për më tepër, kjo paradigmë lidhet edhe me faktin se literatura ekonomike merr gjithnjë e më shumë parasysh aktivitetet jo-tregtare në shqyrtimin e kohës në dispozicion. Puna shtëpiake, koha e përkushtuar për rritjen e fëmijëve, madje edhe koha e gjumit konsiderohen tanimë plotësisht si të dhëna që kontribuojnë në nevojat themelore të individëve dhe kapacitetin e tyre brenda sistemit prodhues.

Prandaj, shprehja “koha është para” domosdoshmërisht çon në vënien në dyshim të vlerës monetare dhe filozofike që një individ i vendos kohës dhe ndikimin e saj në zgjedhjet e tij brenda universit ekonomik.

Në librin të titulluar “The Order of Time” botuar në vitin 2018, fizikanti italian Carlo Rovelli rrëfen se koha është një iluzion. Ai pohon se realiteti është vetëm një rrjet kompleks ngjarjesh mbi të cilat ne projektojmë sekuenca të së shkuarës, të së tashmes dhe të së ardhmes. Por nëse koha është një iluzion, a është kuantizmi instrumenti i ri i një partiture të vjetër ?

Identiteti kuantik

Në artikullin shkencor të titulluar “The quantum theory of time, the block universe, and human experience” botuar në vitin 2018, profesoresha australiane Joan Vaccaro ndër të tjera rrëfen se gjendja e një sistemi fizik me kalimin e kohës jepet nga një bashkësi e gjendjeve të kushtëzuara, ku çdo gjendje e kushtëzuar përfaqëson sistemin në një vlerë specifike të kohës fizike të matur. Sipas saj, teoria kuantike e kohës është në përputhje me teorinë e universit bllok (teori e cila pranon që universi është një bllok gjigant i të gjitha gjërave që ndodhin ndonjëherë në çdo kohë dhe në çdo vend).

Pra teoria kuantike e kohës pranon atë që gjendjet e kushtëzuara janë të fiksuara nga evolucioni unitar dhe se asnjë gjendje e kushtëzuar nuk mund të veçohet si përfaqësuese e së tashmes dhe të ndajë gjendjet e tjera të kushtëzuara në grupe që përfaqësojnë të kaluarën dhe të ardhmen.

Në artikullin e saj ajo pranon se bashkësia e gjendjeve të kushtëzuara mund të paraqesë një njeri në çdo orë fizike që ka perceptimin subjektiv të momentit të tanishëm me kujtesën e së kaluarës dhe vetëdijen për kalimin e kohës së shkuar.

Duke u bazuar tek stadi aktual i zhvillimit të njohurive njerëzore mund të thuhet se identiteti mund të përkufizohet si “karakteri i përhershëm dhe themelor i dikujt dhe/ose i një grupi, i cili e bën individualitetin e tij një singularitet” (singularitet është një pikë hipotetike në kohë në të cilën rritja teknologjike bëhet e pakontrollueshme dhe e pakthyeshme, duke rezultuar në ndryshime të paparashikueshme në qytetërimin njerëzor).

Filozofikisht, identiteti personal është përgjigja e pyetjes se “në çfarë mase mund të ndryshojë individi duke mbetur i njëjti person?” (Daniel Gutmann, 2000). Gjithmonë e më shumë në kërkimet shkencore më të fundit po diskutohet për atë që quhet identiteti numerik ose kuantik (Grégoire Lefftz, 2018).

Por teknologjitë digjitale nuk janë gjë tjetër veçse vektorë informacioni, prandaj është logjike të pyesim nëse, aktualisht, njerëzit janë në proces të kalimit nga identiteti i tyre social tek identiteti kuantik i përbërë nga të dhënat personale që shpërndahen në internet. Në fakt, identiteti kuantik mbivendoset mbi format e vjetra, sociale dhe ligjore të identitetit duke krijuar kështu një univers të pafund me informacione jashtëzakonisht të ndryshueshme në rëndësinë, natyrën dhe karakterin e tyre intim ose të dëmshëm.

Mund të quhet “identitet i ndërtuar” i cili ofron një vizion të pjesshëm, të shtrembëruar, të ekzagjeruar dhe të zhvendosur të udhëtimit të individit, nga lindja në vdekje duke u bërë kështu një ditar. Mekanizmi i ndërtimit të këtij identiteti bazohet tek llogaritja kuantike e cila nuk funksionon sipas gjuhës binare 1 dhe 0, por mund të jetë në njërën ose të dyja gjendjet në të njëjtën kohë.

Në thelb, një kompjuter kuantik nuk punon me bit, por me kubit duke përdorur grimca që mund të jenë në mbivendosje (dy ose më shumë gjendje kuantike të shtuara së bashku për të krijuar një gjendje tjetër). Kjo është arsyeja pse grimcat mund të marrin vlerën 0, ose 1, ose të dyja njëkohësisht.

Arsyeja që kjo është e rëndësishme është se do t’i lejojë kompjuterët të përpunojnë dhe ruajnë shumë më tepër informacion me shumë më pak energji dhe shumë më tepër shpejtësi sesa kompjuterët e gjendjes aktuale. Për shembull, në vitin 2016, një ekip shkencëtarësh të Google dhe NASA zbuluan se një kompjuter kuantik ishte 100 milionë herë më i shpejtë se një kompjuter konvencional.

Kjo është e rëndësishme pasi shumë firma teknologjike po zhvillojnë llogaritjen kuantike për të lëvizur drejt një interneti kuantik deri në vitin 2030. Kjo është e rëndësishme në sektorin bankar, sepse mund të zhvendosë zhvillimet e blockchain, librit dhe identitetit digjital brenda një dekade. Kjo është për shkak se interneti kuantik do të ngadhnjejë në dërgimin e informacionit në mënyrë të sigurt përmes asaj që njihet si “kriptimi kuantik”.

Kjo teknologji u mundëson bankave dhe bizneseve të jenë në gjendje të dërgojnë të dhëna “të pahakueshme” përmes një rrjeti kuantik. Kjo ndodh sepse kriptografia kuantike përdor një mekanizëm të quajtur shpërndarje e çelësave kuantikë, që do të thotë se një mesazh i koduar dhe çelësat e tij dërgohen veçmas.

Tentativa për vjedhjen e një mesazhi të tillë bën që ai të shkatërrohet automatikisht, duke njoftuar si dërguesin ashtu edhe marrësin për situatën. Ky revolucion kuantik pritet të ketë impakt në të gjitha drejtimet e jetës ekonomike dhe shoqërore të njeriut duke u bërë kështu pararoja e një revolucioni të katërt industrial.

A do të jetë kuantizmi elementi që do të fuzionojë “Kairos” dhe “Aion” për të mposhtur “Chronos” ? Imperare sibi maximum imperium est

Të fundit

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama e Clinton,shënon rekord

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta...

Ngacmimet nga interneti/ Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është qyteti i dytë pas Tiranës që ka raportimet më...

Lajme të tjera

Web TV