Nga Rudina Koromani
Kjo sindromë përfaqëson profilet psikologjike të atyre individëve naivë që nuk mund të përballen me realitetin në mënyrë racionale duke krijuar një sens magjik përralle për jetën.
Një pjesë e fëmijëve e shfaqin dukshëm këtë sindromë gjatë adoleshencës, aq sa prindërit bëhen merak lidhur me aftësitë e fëmijëve të tyre për të përballuar jetën, por sindroma mbetet dhe në moshë të rritur tek disa individë duke i bërë të distancuar nga jeta shoqërore e në rastet më të mira duke u integruar në grupe me aktivitete që mbrojnë të drejtat e kafshëve e të mjedisit.
Pse disa fëmijë shfaqin këtë sindromë? Pas përjetimit të një eksperience traumatike mund të krijohet frikë dhe pashpresshmëri për t’u ndihmuar, gjëndje ku ripërjetimi i traumës, makthet, mendimet obsesive dhe rikujtimi i momenteve bëhen penguese për funksionimin normal të individit ku deatashimi, shkeputja mbeten si forma të vetme për mbijetesë në disa raste. Sindroma Bambi shihet si një formë psikologjike shkëputjeje nga realiteti.
Sindroma lind si një mekanizëm klasik përballues ku të ndjerit i pambrojtur shfaq një nevojë të madhe për distancim e rehati. Paraqitja e fakteve e të vërtetave në kohën e duhur fëmijës përgjatë edukimit do të evitonte zemërimet dhe shpërthimet emocionale të pakontrolluara të fëmijëve që reagojnë në mënyrë reaktive ndaj çdo padrejtësie që perceptojnë apo që mendojnë se u bëhet.
Një faktor rriskues për gjenerimin e sindromës Bambi tek disa fëmijë është dhe edukimi prindëror. Të mbajturit e fëmijës larg çdo “rreziku” të mundshëm të perceptuar e imagjinar e bën të disinformohet për të vërtetat e realitetit. Informimi i fëmijës në kohën e duhur lidhur me rreziqet që mbart realiteti ku do jetojnë eviton brishtësinë naive të të menduarit magjik duke i përgatitur e bërë më të fortë të përballin shëndetshëm emocionalisht disa ndodhi të ashpra jetësore.
Problematika e naivitetit të bambit zakonisht manifestohet gjatë zhvillimit të fëmijërisë së hershme dhe përforcohet gjatë gjithë fëmijërisë deri në adoleshencë dhe më tej.
Emërtimi i sindromës vjen nga një tregim austriakut Feliks Salten në vitin 1923 e më pas inskenuar më 1942 nga Walt Dysney, i cili tregon tragjeditë e drenushit Bambi (vdekja e nënës së tij, ndarja me të) përpjekjet e tij për mbijetesën në pyll.
Morali i nënkuptuar është më shumë se vrasja e kafshëve e “ligësia njerëzore” mbi kafshët e e pafajshme apo se gjuetia e drerëve është e ndaluar me ligj në sezonin e pranverës, por një model të një marrëdhënieje të shëndetshme midis njerëzve dhe pjesës tjetër të botës natyrore. Bambi” edukon lexuesit naivë (fëmijët) për natyrën reale të saj: një vend ku jeta është gjithmonë e varur nga vdekja, ku uria, konkurrenca dhe grabitqarët janë normë.
Ata që vuajnë nga ky efekt, nuk mund ta përballojnë jetën sipas kushteve e normave që ofrohen, përfshirë sfidat e vështirësitë, kështu që krijojnë një ndjenjë imagjinare të realitetit, ndonjëherë duke huazuar ide dhe morale nga filmat apo asaj që lexojnë e shohin e duke i konkretizuar me stilin e tyre të jetesës.
Pse shqetësohemi më shumë për një drenush të uritur në pyll sesa për një derr?
Është një tendencë njerëzore për të zgjedhur të kujdesemi për kafshët me pamje të pafajshme e të lezetshme mbi ato të neveritshme e të rrezikshme. Përgjithësisht preferencat janë për mace, qen, lepuj… ndërkohë që kujdesi për kafshë të neveritshme shfaqet më rrallë duke u parë si sjellje anormale.
Në aspektin psikologjik të marrdhënieve ky efekt shihet në tendencën e preferencave për të përzgjedhur partnerë romantikë me tipare fëmijërore: syve të lezetshëm – të ngjashëm me sytë e pafajshem të drenushit Bambi, me buzëqeshje naive si të fëmijëve…
Jeta është shumë më komplekse përtej bukurive që na shfaq, duke na afruar larmishmëri speciesh të cilat ndjekin ritmin e tyre natyror për mbijetese.
Fatmirësisht, ne njerëzorët Nuk jemi Bambi nga animacioni i disney, por jemi krijesa me përpunim të lartë të të menduarit.
“Një drenush vrapon nga shtëpia, futet në një park dhe tërheq vëmendjen e njerëzve. Njerëzit fillojnë të përkëdhelin dhe të luajnë me të… Drenushi lodron e gëzon dashuri e vëmendje. Por, kur vjen mbrëmja dhe të gjithë kthehen në shtëpi, drenushi mbetet vetëm.
Kur mbetet vetëm e kupton se në të vërtetë ka humbur. Mjerisht, dreri nuk e gjen më rrugën e kthimit në shtëpi sepse ka humbur aromën e nënës. Falë të gjitha prekjeve dhe përkëdheljeve nga njerëzit, nuk mund të dallojë më aromën e nënës….”
Disa prej të rinjve pësojnë vërtet një “humbje” të tillë kur largohen pas moshes 18 vjeç për studime apo punësim… Duke vlerësuar njohjen e jashtme të njerëzve e të jetës, duke shijuar vëmendjen dhe dashurinë e të huajve e duke harruar njerëzit e tyre të dashur (familjen), ata njerëz që i duan vërtetë. Disa mund të mos e gjejnë kurrë rrugën e kthimit në shtëpi apo mos të duan të kthehen për të evituar përjetime të pakëndëshme, por rikthimi për ne njerëzit nuk është i pamundur si në rastin e drenushit të humbur.
Dhe një telefonatë të mundëson sot rikthimin dhe gjetjen e rrugës – mjafton dëshira për të mos humbur lidhjet dhe forca për tu përballur dhe pranuar mendimet ndryshe të të njohurve tanë.
Paaftësia për të përballuar mizoritë e jetës duke gjeneruar mbindjeshmëri me refuzim për të pranuar disa realitete të ashpra që janë pjesë e jetës i bën disa individë të zhvillojnë një stil jetese afër natyrës, mbrojtës të të drejtave të kafshëve dhe njëkohësisht të kauzave me ndjeshmëri të lartë që lidhen me mbrojtjen e natyrës.
Megjithatë, përtej anës pozitive që ka kjo mbindjeshmëri te disa individë, pranimi i realitetit me gjithshka përmban (negative dhe pozitive) do ti ndihmonte që të mos shmagin përgjegjësitë e tyre si qënie njerëzore, një karakteristikë mbizotëruese e individëve me këtë sindromë.
E vërteta se si funksionon Realiteti dhe çdo rol individual në të i bën këta individë të ndihen më të sigurt se kush janë dhe si përshtaten në rrethin e jetës, duke i ndërgjegjësuar se jemi të gjithë pjesë e bashkëjetesës.
Përgatiti Rudina Koromani