Kreu i Partisë së Popullit në Serbi, Vuk Jeremiç ka thënë se Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri kosovar Albin Kurti, kanë dalë së bashku në një lokal për të pirë birrë.
Mirëpo pak orë më pas, ai ka kërkuar falje për informacionin e pasaktë.
“Mbrëmë, dy politikanë prominentë ballkanikë, pas darkës me të dërguarin e BE-së, dolën për nga një birrë në barin Standige Vertretung në Berlin, siç u ka hije dy miqve. Për çfarë kanë folur?”, kishte shkruar në Twitter Jeremiç.
Pak orë më pas, Jeremiç kërkoi falje, me një njoftim tjetër. Kjo akuzë nga Jeremiç, ka sjellë reagimin e Vuçiç, i cili i mohoi këto pretendime. Ai tha se pas takimeve në Berlin, bashkë me pjesëtarë të delegacionit serb dhe vajzën e tij Milica, kanë shkuar në një restorant.