Kostelacione yjore/ Nëpër vargjet e poeteshës Adelina R. Mamaqi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ilir Cenollari

Hyada, plejada, najada, nymfa… emra qiellorë, stolisisma të imagjinatës njerëzore në agimet e shoqërisë, ende tundojnë dhe këndellin fantazinë e botës me misterin e bukurisë dhe pafundësisë. Këto krijesa qiellore mbajnë emra të çuditshëm, njëri më i bukur se tjetri! Ambrozi, Eudora, Pedile, Korona, Faeta, Polikso, Althea, Idothea, Nuse, Erata, Erifi, Aethusa, Sterope, Arsino, etj. etj. Kostelacione yjesh, shpërndarë si gurë të çmuar në kubenë qiellore, shi meteorësh, reshje yjore… Shpesh mbajnë shenjën e gërmës U, S, që në shqip u bë “ujë”, “shi”, e më tej, begati, mbarësi, lutje, bekim, lumturi…Kështu lindën ditët e shenjta dhe procesionet fetare, flijimet dhe blatimet, lutjet dhe mallkimet, fati i mirë dhe i keq, shpërblimet dhe ndëshkimet, zotat e perënditë, heronjtë e antiheronjtë, e mira dhe e keqja, e drejta dhe e shtrëmbërta, ënda dhe frymëzimi, arti dhe feja, poezia dhe filozofia, vizione dhe kuptime…Dhe ja ku jemi. E përsëri “Qielli shkund yje”! Ky është titulli i librit me poezi të zgjedhura i poeteshës shqiptare Adelina R. Mamaqi botuar në vitin 2021 nga shtëpia botuese “Mediaprint”. Marramendje ndjesish, dehje hyjore: “Qielli shkundte yjet e rralla, / si shkundin mollët petalet e bardha”. Vërshim qiellor petalesh të bardha apo përçartje poetike, petale bore, petale molle, petale yjore…Njëherësh vizion profetik dhe metaforë madhështore: “Rreth nesh vërtiteshin yjet, duke vallëzuar / nën melodi, që ende s’i ke shkruar. / Mbi flokë-një shall lejla, që këta yje, / si një kujtim i ndritur të bien…Ah, shalli (një dëshirë e ndrojtur) ra përtokë /Dhe yjet m’u shpërndanë nëpër flokë…/ Dhe ecëm ne ashtu, përbri…përbri/ Dhe yjet u shuan…në flokët e mi…”. Në këtë vallëzim qiellor poetja takohet me Hëlderlinin e magjishëm që këndon: “Perënditë vdesin kur vdes entuziazmi,…O shira hyjnorë, o entuziazëm! Ti do t’ua kthesh pranverën popujve”. Poetët rrahin të njëjtat hapësira, të njëjtët qiej, në kërkim të zbulesës hyjnore, të së pafundmes, të madhështores, të bukurisë dhe dashurisë. Poetesha jonë ka guximin e Safos hyjnore, nuk ndalet së kthyeri dhe rikthyeri te Dashuria, arratiset dhe rikthehet me më shumë vendosmëri, humb dhe rishfaqet me vesk të ri, sepse si na mëson Platoni dashuria është imazhi i bukurisë absolute, fuqi hyjnore e shpirtit njerëzor, rendje drejt bukurisë së përjetshme, krijuese e virtutit dhe e kulturës së vërtetë. Haidegger thekson se më tepër se gjithçka tjetër thelbin e qenies e shpreh poezia, se poezia është thelbi i artit, se thelbi i poezisë është sendërtimi i së vërtetës. Poetja s’lodhet së kërkuari dashurinë, e kërkon në liqenet e kaltër, e kërkon në pyjet vjeshtorë, e kërkon te retë që derdhin shi mbi tokë, e kërkon në diellin e përgjumur dhe krejt papritur, në një grimë i shfaqet një vegim verbues: një ëndërr e bardhë si lejlek qumështor”! Ajo dorëzohet dhe ia beson ëndrrës misionin e vështirë: të gjejë dashurisë! Gjakimi përvëlues kthehet në reflektim të thellë: “Dora jote e mbyllur,/ Zemra jote e hapur./ Në oborr, zambakët, / qysh do jenë i dashur?”. Malli e thërret, i jep urdhra të rreptë: “Eja-hapma derën! Mbushma zemrën me zambakë të bardhë”! Ndëkohë koha ikën, vitet rrjedhin, flokët thinjen, stinët ia lënë vendin njëra-tjetrës, bari mugullon nëpër livadhe, por në “shpirt pranverë e dashuri përzierë”! Pas kësaj gjendje ekzaltuese vjen dëshpërimi mbytës, këputja e papritur, lodhja nga pritja e gjatë dhe sfilitëse, e kështu, shpërthimi pason shpërthimin, vetëtima vetëtimën. Dashuria s’po duket gjëkundi, dashuria po vonon, poetja nuk përmbahet dot dhe lëshon kushtrimin: “Ti mirë e di: po shkoj te gjashtëdhjetë e pesa. / S’ka mbetur më rini, as bukuri; / As dashuri, as ëndrra dhe shpresa,/ Veç Kashtë e Kumtrit, që çon në pafundësi…”. E megjthatë qëndron stoike: “Unë s’të qortoj dhe as nuk të përulem” ndërsa nuk e fsheh frikën se të dy po fundosen në natën e thellë të heshtjes me një shkëlqim që tretet porsi vesa…Janë vargje sublime, që dalin nga thellësi të pamatshme! Dashuria ka trille të pafundme, kthesa të çuditshme, ngritje të fuqishme dhe fundosje të befasishme, ekzaltimi kthehet në dëshpërim, lumturia në dhimbje, qortimi në dhembshuri, braktisja në pendim, mungesa në mall dhe habi: “S’të niskam dot një “pëllumb” të dashurisë, stolisur me petale kristalorë”!  Habia sos në mpirje dhe kolaps total: “Më ngjan se kurrë s’jemi dashuruar, / më ngjan se kurrë s’kemi qenë ndarë”! Megjithatë, poetja nuk vonon të dalë nga kjo “gjendje përjetësie”, përmendet rishtazi dhe në një çast kthjellimi i kthen mbrapësht të gjitha ato që ka thënë: “Jo, ti s’ke faj. /Po si harrova unë, që vjen një çast / Dhe dielli perëndon/ Dhe dita ia lë vendin natës, / Dhe vala ia lë vendin valës,/ dhe fjala ia lë vendin heshtjes,/ Dhe jeta ia lë vendin vdekjes…”. Si një besimtare e devotshme lutet me përgjërimë: “Jam nën “pushtetin” e vështrimit tënd,/…Hapi qepallat ngadalë, si dy brigje, lërmë të “mbytem” në pafundësi”. Ndonëse një ditë do të largohet nga kjo botë, ka bindjen absolute se dashurinë e ka tretur në zemër dhe do ta marrë ngado me vete: “Kjo zemra ime ngjan me detin aq të thellë,/ Me deti kaltërosh, të gjerë pa kufi./ Kam fshehur thellë, në fund,/ një dashuri si perlë,/ gjithë jetën ta kërkosh, s’ke për ta gjetur ti”!  Janë të shumta motivet lirike të këtij vëllimi, njëri më prekës se tjetri! Poezia e Adelinës, në ato sulmet demoniake të zemrës së marrosur, arrin kulme marramendëse, lartësi të frikëshme, hove madhështore dhe të trondit e mallëngjen me sinqeritetin dehës dhe dëlirësinë e skajshme. Ja disa vargje të tilla: “Në sytë e tu u ndala, si në një liman”; “Ti luan “symbyllazi” me mua”; “Moj dallandyshe e vonuar dashurie, dielli mëngjesor i perëndimit tim”; “zgjohu, të krenohet vjeshta”; “E lidhur erdha, pas një filli shprese, të të shikoj si engjëll, si vegim”….

Lexo edhe :  Arabia Saudite do të marrë pjesë për herë të parë në Miss Universe

Vëllimi poetik i Adelina R. Mamaqit është ndarë në tre pjesë kryesore: Jeta, Mërgimi, Dashuria dhe mbyllet me një kapitull të shkurtër me “Miniatura”. Poezitë e pjesës së parë janë një reflektim i gjatë për jetën dhe shoqërinë, njeriun dhe Shqipërinë. Poetja e shpallë hapur dhe gjithë krenari dashurinë e madhe për jetën, për fëmijët, për prindërit, për miqtë dhe shokët, e sidomos për atdheun e dashur, për Shqipërinë e shtrenjtë. Me një pafajësi fëminore e sinqeritet çarmatonjës, poetja i drejtohet Zotit të vet duke i rrëfyer “sekretet” më intime të zemrës së ngazëllyer: “Zoti im, të lutem, më dëgjon…Kështu, pa dashur, mund të kem lënduar Dikë që m’është më i shtrenjtë se jeta, Ndonëse më rrahu fati, pa pushuar, çuditërisht, fëmijë naïve mbeta…Me çiltërsinë time, them sa herë çfarë s’duhet thënë e bëj ç’nuk duhet bërë. Çjerr ndonjë maskë që nuk është çjerrë, Dhe shpejt a vonë, i zemëroj të tërë”! Me këto vargje poetja ka skalitur portretin e vet krijues dhe ka shpalosur hapur misionin e njeriut luftëtar, që kurrë nuk bënë kompromise me vesin, me poshtërsinë, me gënjeshtrën, me shtirjen, dhunën dhe padrejtësinë! Ky mision asnjëherë nuk është i përfunduar pasi: “Sado të duam të harrojmë, e liga, na vjen, na gjen papritur, pa kujtuar, se fatkeqësisht kuçedra, dreqi e shtriga jetojnë mes nesh, në përralla s’janë sajuar”. Pikëpamjet mbi jetën autorja i shpalos dhe në një poezi kushtuar bijve të vet, shkruar në Milano në vitin 1988: “Admirojeni jetën si një grua të bukur, por kujdes, jeta është një rrugë e vrullshme, nuk ka kohë për t’u kthyer pas”! Janë të shumta poezitë me këtë tematikë, sidoqoftë s’mund të lëmë pa cituar vargjet me një ngarkesë të madhe filozofike, që duken dhe si një testament poetik: “Jeta mban peshën e vdekjes, vdekja mban peshën e përjetësisë”! Njeriu, kur humbet atdheun, me dashje apo pa dashje, përkohësisht apo përjetësisht, pëson një tronditje fatale, një çakordim të të gjitha shqisave të tij! Ai nuk e di se ku ndodhet, në qiell apo mbi dhé! Atëherë ai kupton se sa i shtrenjtë është atdheu dhe sa e rëndë është pasha e tij. Antikët e dinin mirë këtë, ndaj theksonin se s’ka mallkim më të madh se sa qenia pa atdhe! Kostandin Kavafi në një nga poezitë e tij më të bukura, i jep këtë këshillë djaloshit që niset në kërkim të fatit nëpër botë: ”Shpreso që i gjatë të jetë udhëtimi»!  Udhëtimi nëpër botë është burim i madh përvoje, por sa më tepër të zgjasë kjo aventurë, aq më e madhe bëhet zgavra në shpirt nga malli për atdheun!  Adelina Mamaqi këtë tronditje të madhe shpirtërore e shpreh me këto vargje të fuqishme shkruar në Napoli në vitin 1999: «Mërgimi/ -Oh, është një shpatë/ që ta ndan jetën mes për mes./ Mërgimi-Agoni e gjatë,/ Ku zemra rreh e shpirti vdes. /Mërgimi-Një batak me baltë./ Të dalësh do? / më thellë zhytesh!/ Mërgimi-Në u bëftë dhe mjaltë, / është baltë që të mbyt…». Cili shqiptar mërgimtar nuk i ka përjetuar në shpirt ndjenja të tilla!  E kam fjalën për shqiptarët e sotëm, për shqiptarët e djeshëm dhe për shqiptarët e qëmotçëm! Dhe jo vetëm për shqipëtarët, por për gjithë mërgimtarët e botës! Poezia ka karakter universal dhe vlera të gjithëkohëshme. Janë të shumta poezitë e Adilinës me temën e mërgimit që meritojnë komente, por ato nuk kanë nevojë për analiza e shpjegime të gjata sepse janë shkruar me lotë kristali dhe të pikojnë në shpirt.

Së fundi, dy fjalë për estetikën, gjuhën poetike dhe stilin e poetes Adelina Mamaqi. Tipari më i qenësishëm i krijimtarisë poetike të Adelina Mamaqit është gjuha e bukur dhe e rrjedhshme, pastërtia e fjalës së zgjedhur, figuracioni i begatë dhe vargu i hijshëm, pasuria leksikore dhe tematike, harmonia e brendshme, uniteti  midis motivit, gjendjes shpirtërore dhe bukurisë së stilit. Këtë «ekuilibër», këtë harmoni poezia e Mamaqit e ruan në të gjithë vëllimin, dhe atëherë kur shpirti i poetes uturin si ortek dimri, dhe atëherë kur gjëmon nga dëshpërimi mbytës, dhe atëhërë kur shpërthen si vullkan nga flakët e dashurisë. Poezia e kësaj poete shquhet për thjeshtësi dhe qartësi të madhe, dëshmi e sigurt e talentit të spikatur dhe e përvojës së pasur jetësore. Adelina Mamaqi shkruan me lehtësi në varg të lirë, por dhe me rimë, tetë, dhjetë dhe dymbëdhjetë rrokësh. Forma në çdo rast nuk është qëllim në vetëvete, por nevojë e ethshme për të zbrazur në letër zjarrin e shpirtit, për të shkruar me gjuhën e zemrës, për të përjetësuar ndjenja dhe mendime sublime! Poezia e Adelina R. Mamaqit shënon një gur themeli për poezinë femërore shqipe dhe përbën padyshim një burim frymëzimi për vajzat e gratë shqiptare. Dhe jo vetëm! Për të gjithë ata që duan poezinë, artin, kulturën, lirinë, dinjitetin njerëzor dhe ardhmërinë!

Të fundit

Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët/ Nisin punimet në Lezhë për ndërtimin e kampit

Marrëveshja Shqiptari-Itali e nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe homologia Giorgia Meloni, burime bëjnë me dije se kanë nisur...

Merret VENDIMI / Ja kush është kryetarja e re e Bashkisë Himarë

Pas tensioneve të larta dhe debateve, mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës dhe pasi u shty për në orën 12:00, zgjodhi me 16 vota...

Si ta kuptosh nëse je i/e mirë në shtrat?

Si fillim, ekspertët theksojnë se trajtimi i seksit si një akt ku ka rëndësi performanca mbi gjithçka është shumë e gabuar sepse largon vëmendjen...

Analiza: Ja si mund të ndihmojë Shqipëria Ukrainën në përballimin e sulmeve ruse

Në muajin shkurt presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Ballkanit Perëndimor të prodhojnë bashkërisht armatime. A mund të ndihmojë rajoni dhe a janë në...

Një në tre gjermanë i pakënaqur me ndryshimin e orës

Në Gjermani vetëm një e treta e qytetarëve besojnë se kalimi në orën verore ka një ndikim negativ në shëndetin e tyre, sipas një...

Lajme të tjera

Web TV