Dasmorët shqiptarë, tangërllëk edhe shpenzime sa s’u mban kandari e samari

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ti je dasmor dhe je idiot njëkohësisht. Duket sikur nuk është se shkojnë të dyja bashkë, por shkojnë që ç’ke me të e nuk ke nga ia mban. Po a di zotrote se ç’do të thotë “idiot”? Se “dasmor” jam i bindur që ia di kuptimin.

Ja ta shpjegojmë.

Ftesa, me letër bakalli për 5 lekë, të vjen me zarf ku emri të është shkruar me varak, por ty të duket si flori. Dhe mendja të ngrihet keq se mendon që të kanë vlerësuar sa s’thuhet ndaj duhet ta tregosh veten. Dhe gati sa nuk fluturon.

Përgatitjet për dasmë nisin. Dhe me seriozitetin e duhur.

Ore kush po martohet xhanëm?

Ti je i ftuar, por shqetësimi për lukun tënd, – domethënë për pamjen tënde të jashtme, – ka marrë një tjetër dimension. Në kohë dhe në hapësirë, demek. Domethënë, në stratosferë. Sepse ti duhet të jesh model…, – ose topmodel.

“Veshja kopileshja”, – thoshte dikur shkodrani. E thotë edhe tani. Dhe ti i përmbahesh pikë për pikë kësaj sentence të ardhur nga përvoja popullore.

Nga njëra anë është i zoti i dasmës të cilin e ka zënë vërtet belaja dhe ngryset e gdhihet duke bërë hesape. Me laps e letër në dorë, e herë i dalin llogaritë, e herë nuk i dalin.

Nga ana tjetër, ti si dasmor nuk bën hesape fare. Se ty të del llogaria fiks, e nuk të lëviz as gjysma e lekut. Tepeleku nuk lëviz e nuk lëviz. Se e ke dyst, vetëkuptohet. Ndaj del të bësh shoping…, se do shkosh në dasmë de. Dhe i merr dyqanet mbarë.

Por nuk je vetëm. Ftesa është familjare. Pra burrë e grua, e dy kalamaj në rastin më të mirë. Gjithsej katër vende, që do të thotë katër pjata shumëzim për… Domethënë: …e parë, e dytë, e tretë, e katërt, e pestë… e sa ta ketë takanë i zoti i punës. Ha sa të fryhesh.

-Dua të ha po s’kam ku e fus!

-O Perëndi e madhe!

Por ty nuk ta ndjen fare nga kjo anë. Pse hesapet e tjetrit do bësh ti?! Ke të tuat.

Gjeja e parë është të blesh veshjet e reja: kostum, kollare, këpucë llustrafinë, çorape, brekë e kanotiere për burrin. Gruaja ka ca yçkla më shumë: fustan, korse, sandale, geta të holla, krehje flokësh, manikyr e pedikyr, tualet e llangosje…

-Hajde borgjezi hajde, kjo paska më shumë vegla se mitralozi i Sherifit.

Dhe mitrolozi i Sherifit ishte “shars” nga ai gjerman i Luftës së Dytë.

Por janë dhe fëmijët. Edhe ata me të reja, nga koka të këmbët.

Epo dasmë hesapi. Ka lezet. Një herë martohet njeriu.

Po mor vëlla, por martohet ai tjetri, se ti e ke ngrënë çahirin me kohë. O po rroftë sebepi: Ku leh qen e ku del tym, ku ia bën daullja bym.

Epo, një martohet 100 tërbohen. Nuk thonë kot. Për fjalë të urta e të kalkuluara jemi të vetmit ne.

Do shkojmë në dasmë. Pse morracakë na dini? Të veshim ato të dasmës së kaluar. Ku është parë e dëgjuar?!

-Ore se desh harruam, sa lekë do hedhim në dasmë se harrova të blej një zarf?

Lexo edhe :  Dëshironi të tërhiqni suksesin? Mos i bëni këto 9 gjëra

-100 mijë lekë të vjetra, jo më shumë.

Vazhdojnë me hesapet e tjera.

Mirë qoka, po përgatitjet sa na vajtën?

Po ja: kostum, fustan, kollare, korse, këpucë, sandale, çorape, geta, brekë, kanotiere, tualet… gjithë-gjithë 800 mijë lekë të vjetra.

-Luj more vendit. Jaaaaallah.

Ç’ke o byrazer? Për qejf ke ardhur. Qejfi… thonë… ha kumbulla të tharta.

Nis dasma. Hyn çifti. Të gjithë kthejnë sytë nga nusja. Të shohin sa e bukur është. Se thonë që kurioziteti ka mbytur dhe macen. Ja sërish sentenca popullore na dolën.

-Ore ku është nusja, se s’po e shohim gjëkundi?

-Ja ajo atje…, jo ore është ajo tjetra…

Prit se u ngatërruam më duket. Këto janë dasmore. Epo të gjitha si nuse janë bërë. Nuk gjendet nusja për qamet. Ajo që martohet me gjithë mend. Se këto të tjerat janë martuar nga një herë, kanë dhe kalamaj.

Epo kjo është konkurrenca. Ja që ia dhjemë nuses… mender jush. Fundja… çka nusja më shumë se ne?!

Hajde dasmorë hajde. Të jeni kaq idiotër vërtet?! Të mos e lini as çiftin të gëzojë në dasmën e vet. Po tek e fundit i lini dhe nuses ca vend, se e ka për herë të parë e duhet ta mbajë mend si ditën më të bukur të jetës. Jo si ditën e konkurrencës agresive dhe negativitetit.

Po kush të lë se?

Por nuk harrohet të bëhet dhe një selfie, se çu pa puna. Duhet ta marrin vesh me kuç e me maç qe ishim në dasm, dhe që shkëlqenim, veshur me të reja, më shumë se të tjerë me gjithë çiftin bashkë.

Dhe te çanta e gruas, që mezi mban një pasqyrë a një krehër, janë mbështjellë me letra tavoline dhe nja katër biftekë. Duhen, se të kërkojnë në punë që me sabah. Dhe ti nuk ke kohë se gjithë natën je dredhur e spërdredhur në valle. Mirëpo nuk do t’ia dijë njeri se ke qenë në dasmë.

Dhe në fund duhet të japësh opinionin tënd, por jo te blloku i protokollit, por ashtu nën zë: – Aman ore se dasmë koti fare: orkestra e ngordhur, organizimi i vdekur, mishi po dihet, do ketë qenë ndonjë dem plak se nuk shtyhej për qamet. Kot që erdhëm.

Ky është epilogu, nëse më parë se kaq nuk ka plasur sherri me karrige kokës dhe pistoleta në vend të shtjerë në ajër, qëllon drejt e në mish.

 Post scriptum: Ti dasmor, kur të lexosh këto rreshta dhe e sheh veten se je ti ai, nuk do lesh gjë pa sharë. Demek ta paskan ty me negativitet. Dhe kujt pa, surratit tat. Po herën tjetër, kur të të ftojnë në një ceremoni të tillë vër ca mend, mos u krekos shumë dhe mbi të gjitha mishin e pjatës mos e fut te çanta e gruas, se do laturisesh i tëri dhe do blesh një çantë të re pasi atë më të vjetrën do e nxjerrësh jashtë përdorimit. Dhe kështu shpenzimet vazhdojnë…

Të fundit

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë...

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern Munich. I tërhequr nga futbolli...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

Lajme të tjera

Web TV