“Ballkani i Hapur”, vijon ndasia Kurti-Rama

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Edhe pse marrëveshjet e bashkëpunimit bashkuan dy qeveritë, projekti i Ballkanit të Hapur e ka ndarë sërish Edi Ramën dhe Albin Kurtin të cilët e kanë kaluar situatën ftohtë. Takimi fort protokollar me deklarata “vllazërore”, ende nuk thyen akujt mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

 Dy qeveritë, ajo e Tiranës dhe e Prishtinës janë takuar dje në kryeqytetin e Kosovës për të nënshkruar disa marrëveshje me rëndësi të mëdha për dy vendet. Po ajo që ra në sy nga takimet dhe konferenca e përbashkët ishin ironitë dhe deklaratat politike. Përplasja e Ramës dhe e Kurtit kanë vijuar “brenda kornizës” edhe në Prishtinë. Me ironi Rama ka komentuar komentet për “vëllain” Aleksandër Vuçiç për nismën e Ballkanit të Hapur. Ndonëse kjo temë u prek vetëm gjatë konferencës për shtyp, kjo nismë rajonale ku Shqipëria është bashkëthemeluese me Serbinë dhe Maqedoninë e Verit nuk po merr mbështetjen e Kosovës, e cila refuzon të bëhet pjesë me argumentimin se kjo nismë synon fuqizimin ekonomik dhe politik të Serbisë. “Marrëdhëniet tona janë vëllazërore, vëllezrit nuk kanë ndërmjetësues. Ballkani i Hapur është një nismë shumëpalëshe dhe lidhur me të nuk kam asgjë për të shtuar”, tha Albin Kurti. Rama hodhi poshtë zërat se u takua me bizneset e Kosovës për t’i bindur që të bëhen pjesë e nismës duke anashkaluar qeverinë. “Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon, por nuk na ndan. Në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, nuk është sekret, por këto nuk na pengojnë që në marrëdhëniet biletarale të vazhdojmë të ecim përpara. Çdo gjë që ne jetësojmë në Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë edhe me qeverinë e Kosovës”, tha Rama. “Do të ishte shumë çudi nëse unë dhe Albini do të binim dakord për çdo gjë, do të kishim ndonjë problem”, tha Rama. Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë pretendimet se po punon për të rrëzuar qeverinë Kurti. “Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albin Kurtit. Për sa kohë Albini nuk del në protestë, nuk ka kush e rrëzon”, tha Rama në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin e Kosovës. “Nuk mund të japim komente për përshtypjet, përndryshe nuk do të ishim as kryeministra, as analista të mirë. Për ne është i rëndësishme porti i ri i Durrësit, porti i thatë në Prishtinë dhe hekurudha në mes”, tha Kurti. Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Rama po punon për ta rrëzuar Qeverinë e Albin Kurtit, në një mision të ngarkuar nga Serbia. “Ramës i është ngarkuar detyra në një akt të ri antishqiptar, të punojë ngushtë me albanofobë e serbofilë në Kosovë për rrëzimin e Qeverisë Kurti, qeveri e cila me qëndrimet konsekuente kundër projektit ruso-serb të Ballkanit të Hapur, mbrojti dhe po mbron me konsekuencë interesat e kombit shqiptar, por edhe të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në rajon”, tha Berisha. Duke bërë ironi me epitetet që i atribuohen në Kosovë, Rama tha: “Për të ardhur te pro-serbizmi im, unë jam më shumë se kaq. Jam vëllau i Vuçiçit. Përtej kësaj, këndvështrimi im është se nuk na duhet një Serbi e radikalizuar. Na duhet të bëjmë çmos që të rrisim të gjitha ato mundësi që të integrojmë këtë pjesë të Europës, që jo pa arsye është edhe pjesa më e prapambetur historikisht, në një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqëror. Në fund do të thoni se ky nuk qenka vëllai i Vuçiçit, por vëllai i Albinit”. Kryeministri Edi Rama i është kthyer në konferencë sërish qenit që lehte gjatë ceremonisë shtetërore të pritjes së tij në Kosovë. Kreu i qeverisë shqiptare tha se ai simbolizon ata që “lehin për të tërhequr vëmendjen”. Rama thotë se “qentë le të lehin, karvani të ecë përpara” dhe se të gjithë duhet të fokusohen në punën e tyre. “Dakordësia financiare me kontribut të përbashkët për shkrimin e enciklopedisë shqiptare. 10 vëllime që do përmbledhin korpusin enciklopedik të korpusit shqiptar. Më në fund, edhe shqiptarët do kenë një enciklopedi të denjë për shtete që e kanë seriozisht adresimin e rrënjëve të tyre dhe ardhmes së tyre. Është krijuar një sinergji mjaft pozitive. Nuk mund të lë pa përmendur qenin që lehte gjatë kohës që po jepej himni. Është një qen që mbetet shumë i rëndësishëm nga kjo ditë pasi përbën një simbol të lehjeve për arsyeje të tërheqjes së vëmendjes. Por kur ne fokusohemi, lehjet mbeten prapa. Qentë le të lehin, karvani të ecë përpara”, tha Rama.

Thaçi dhe Veseli/ Rama: Do shkoj personalisht në Strasburg

 

Dy kryeministrat shqiptar e kosovar, Edi Rama dhe Albin Kurti, kanë folur për burgimin e ish-krerëve të UÇK-së, që vijojnë të vuajnë dënimin në Hagë prej shumë kohësh. Kryeministri Rama hodhi akuza të forta ndaj raportit të Dick Martin, që fliste për trafik organesh, duke u shprehur se aty ka zero fakte për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa shtoi se në këtë raport fshihen duar jo dashamirëse me Kosovën e Shqipërinë. Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti tha se do të vizitojë sonte në burgun e Hagës të burgosurit Hashim Thaç, Kadri Veseli, etj. “Deklaratat, përshtypjet, intrigat, komentet, për besë janë të pakrahasueshme me ato që po bëjmë me këto mbledhjet e përbashkëta. Është më e udhës të takoj avokatët e ish-ushtarëve të UCK, sepse ka kaluar një vit e gjysmë prej se mbahen në paraburgim, ndërkaq kryetari i Kuvendit i ka takuar, ndërsa unë jo. Këtë do ta bëj sonte”, tha Kurti. Ndërsa nga ana tjetër Rama tha se: “Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, që bëhet gjithnjë e më shqetësues, që është pabazueshmëria totale e raportit Dick Martin, si dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një shtëpie të verdhë dhe trafikut të organeve. Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është e përsëritur nga ana e influencës ruse, si dhe duke pasur parasysh se në aktakuzën ndaj Thacit, Veselit Krasniti, Selimit, nuk ka as edhe një fakt të lidhur me Dik Martin dhe raportin e tij, që ishte shkau pse u mor gjithë rruga për të shkuar te Gjykata Speciale. Për këtë dikush duhet të hapë veshët, të dëgjojë. Bota këtë duhet ta dëgjojë, sponsorat e atij tribunali duhet të dëgjojnë. Nuk ka asnjë gjë në atë aktakuzë, zero. Kemi gjithë të drejtën të besojmë që këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën, aspak dashamirëse me shqiptarët, që e kanë nxitur këtë raport”.

Kurti: Nuk duhet ta matim suksesin me njëri-tjetrin

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas mbledhjes së dy qeverive në Prishtinë. Përmes një postimi në tëitter, Kurti shkruan se nuk duhet matur suksesi me njëri-tjetrin, pra mes Shqipërisë dhe Kosovës, por me botën. Sipas tij është e nevojshme që të ketë më shumë përfarim në çështje rajonale. “Sot mbajtëm mbledhjen e 8-të të përbashkët të qeverisë me Shqipërinë për të vlerësuar progresin që kemi arritur dhe për të nënshkruar marrëveshje të reja në fushën e arsimit, shëndetësisë, rinisë, energjisë, transportit, bujqësisë, si dhe heqjen e kufizimeve kufitare. Shqiptarët sot jetojnë më mirë se kurrë. Por ne nuk duhet ta masim suksesin tonë me njëri-tjetrin, por të krahasojmë me botën. Ne kemi nevojë për më shumë unitet dhe përafrim në çështjet rajonale dhe të jashtme. Nuk ka dyshim se historia do të na gjykojë se si e përdorim këtë mundësi historike”, shkruan Kurti.

Lexo edhe :  17 operacione policore të kryera brenda një jave, autoritetet bëjnë paralajmërim

Investimet/ Nënshkuhet projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë

 

 Durrësin dhe Prishtinën do i përshkruajë një linjë hekurudhore që do të lidhë edhe më shumë dy vendet. Ditën e djeshme në takimin mes dy qeverive, hekurudha ishte një prej marrëveshjeve më të rëndësishme që u nënshkrua dhe nëse palët vijojnë idenë për ta ndërtuar, parashikohet që të jetë gati pas katër vitesh.

Shqipëria dhe Kosova, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive kanë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku si projekt me vlera të rëndësishme kombëtare, veçoi ndërtimin e hekurudhës që do të lidhë dy vendet. Ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë do të krijojë mundësinë që të gjithë aksesin që Shqipëria ka në Detin Mesdhe, t’ia japi dhe Kosovës. “Është një projekt që jo vetëm do të lidhë dy vendet me hekurudhë, por edhe përmes konceptit të dy porteve, portit të Durrësit dhe portit të thatë të Prishtinës. Është një koncept shumë modern që është zbatuar në vende shumë të zhvilluara sa i përket tregtisë”, tha ministrja e Infrastrukturës. Balluku tha se mbetet për t’u hapur gara për të pasur një kompani fituese për realizimin e projektit. Për ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka një marrëveshje me qeverinë e Kosovës për të hapur këtë projekt. “Kjo hekurudhë ka një rëndësi të veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë që do të mundësojë transportin e shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave, së pari mes Shqipërisë dhe Kosovës e më tej për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Balluku. Ministrja tha se parashikohet se hekurudha mund të përfundojë brenda një harku kohor prej 4 vitesh.

Rëndësia e projektit

Ndërtimi i Korridorit 8 mbetet një objektiv i rëndësishëm për qeverinë shqiptare, si një mundësi që do të rrisë edhe më tej shkëmbimet mes vendeve të rajonit. Teksa mori pjesë në tryezën e nivelit të lartë për transportin të zhvilluar në Prishtinë, ministrja e Transportit Belinda Balluku theksoi se pjesë e këtij korridori është edhe rrjeti hekurudhor nga Durrësi në drejtim të Maqedonisë së Veriut. “Objektivat tona kryesore strategjike në këtë lidhje është rikualifikimi dhe rindërtimi i Korridorit 8 sipas standardeve evropiane për infrastrukturën hekurudhore dhe rrugore. Në rastin tonë lidhja e Korridorit 8 prej Durrësit në kufi me Maqedoninë e Veriut është pjesë e një rrjeti gjithëpërfshirës ndërsa rruga e Korridorit 8 prej Elbasanit deri në kufi me Shqipërinë veriore është pjesë e rrjetit thelbësor, siç e dini ky korridor multimodal i rëndësishëm nuk ka qenë i përfshirë në planin kryesor të investimit ekonomik dhe infrastrukturor të BE për Ballkanin Perëndimor”, tha Balluku. Një tjetër projekt të cilin qeveria shqiptare e ka shpallur si prioritet është edhe ai i ndërtimit të hekurudhës Durrës- Prishtinë. “Ndërtimi i linjës hekurudhore prej Durrësit në Prishtinë që ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë por edhe për Kosovën do të jetë një lidhje e cila do pësojë zhvillim të shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave së pari mes Shqipërisë dhe Kosovës e më pas për nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor e më tej”, tha Balluku.

Nënshkruhen 19 marrëveshje në Prishtinë,

 

Në mbledhjen e tetë të dy qeverive shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila u zhvillua dje në Prishtinë, u firmosën 19 marrëveshje bashkëpunimi. Ato kanë për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes vendeve si dhe të lehtësojnë jetën e qytetarëve në fusha të ndryshme të jetës. Në këto marrëveshje përfshihet njohja reciproke e lisencave të avokatëve ndërmjetësve dhe zbatimin e dënimeve alternative që japin gjykatat e dy vendeve. Gjithashtu edhe ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë. Një nga pikat e kësaj marrëveshje është edhe bashkimi doganor si dhe pranimi i studenteve në Institucionet e Arsimit të Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Një prej marrëveshjeve është ajo e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës për Pranimin e Studentëve në Institucionet e Arsimit të Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Po ashtu një marrëveshje tjetër ka të bëjë me protokollin Teknik i Pikës kufitare Vërmicë – Morinë si dhe me protokollin Teknik i Trafikut Lokal Kufitar. “Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e Gjendjes Civile. Propozim për ngritjen e Grupeve të përbashkëta të Punës për Studim, Vlerësim dhe Hartim të Projekt-Marrëveshjes për Bashkimin Doganor. Marrëveshje Administrative për zbatimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Memorandum Bashkëpunimi në sektorin e energjisë ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës për Bashkëpunim mbi Zhvillimin e Terminalit LNG të Vlorës. Marrëveshje për studimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri – Kosovë”, janë marrëveshjet e nënshkruara. Po ashtu ëshët edhe ajo e hekurudhës Tiranë- Prishinë. “Marrëveshje Bashkëpunimi Ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për Bashkëfinancimin e Studimit të Fizibilitetit për Ndërtimin e Linjës Hekurudhore Durrës – Prishtinë. Marrëveshje Bashkëpunimi për Shkëmbim Përvojash në Proceset Teknike Ndërmjet: Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshje Bashkëpunimi në Fushën e Zbatimit të Programeve të Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural Ndërmjet: Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshje për Bashkëpunimin në Fushën e Shëndetësisë për Shërbimin e Ndërsjellët Ndërkufitar Ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës. Marrëveshje për Bashkëpunim Ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Kosovës për Produktet Medicinale, Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës. Marrëveshje Bashkëpunimi Ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës për Krijimin e një Platforme të Përbashkët Digjitale të Informacionit dhe Promovimit Turistik”, shkruhen në dokumentin e firmosur nga të dyja qeveritë. “Marrëveshje Ndërmjet Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në Fushën e Rinisë. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në fushën e Kërkim-Shpëtimit malor dhe ujërave territoriale. Deklaratë e përbashkët e Ministrave të Drejtësisë. Marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit madhor albanologjik “Enciklopedia Shqiptare””, shkruhen në dokumentin që nënshkruan dy qeveritë.


Të fundit

Ukraina synon të evakuojë mijëra banorë nga Donetsku para dimrit

Qeveria ukrainase po synon të evakuojë dy të tretat e banorëve nga zonat që ajo ende kontrollon në rajonin...

Studiuesit në alarm, temperaturat në Arktik po rriten shumë më shpejt se mesatarja

Sipas një studimi të ri skandinav, temperatura në rajonin e Arktikut po rritet shumë më shpejt se mesatarja globale sesa kanë vlerësuar më parë...

FBI kontrolle në shtëpinë e Trump, flet prokurori i përgjithshëm: E urdhërova unë

FBI ka hyrë në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump për të bërë kontrolle por ende nuk dihet arsyeja e kontrollit. Mbi ngjarjen ka folur vetë...

Nga Trump te lufta në Ukrainë, zbulohet si “The Simpson” parashikojnë të ardhmen

Nëse doni të dini se ku po shkon bota, shihni “The Simpsons”. Shfaqja popullore e karikaturave për të rritur ka parashikuar ngjarje të egra dhe të...

Ishte i shpallur në kërkim, arrestohet ish-shefi i policisë së Dhërmiut!

Ish-shefi i Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode është arrestuar mbrëmjen e sotme gjatë një aksioni policor në qytetin e Beratit. Bode është dënuar me 12...

Lajme të tjera

Web TV