Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka publikuar pamje nga operacioni, nga i cili u shpëtuan tre turistë çekë që ishin bllokuar në një zonë të thepisur malore mes Thethit dhe Valbonës.
Brataj shkruan se tre të rinjtë ishin bllokuar prej dy ditësh dhe se nuk dinin se ku të shkonin. Mjeku thotë se në këto operacionii u rrezikohet jeta pilotëve dhe personelit mjeksor.
Ai bën thirrje që t’iu jepet fund këtyre aventurave të rrezikshme nga ana e turistëve dhe të mos ngjiten në zona të largëta, pa pasur udhërrëfyes.
“Vazhdojnë aventurat e pakontrolluara të turizmit malor! Tre të rinj nga Çekia përfundojnë afër greminës, ku u bllokuan për dy ditë pasi kishin humbur rrugën dhe pa ditur ku të shkojnë! Si është e mundur që për të disatën herë turistët lëvizin pa udhërrëfyes? Ky nuk është turizëm, kjo do të thotë të diskutosh jetën! Rrezik jete për personelin mjeksor, rrezik jete për punonjësit e policisë, por akoma më shumë rrezik jete për pilotët! Stop aventurave ku rrezikohet jeta!
Një falenderim personelit pilot që malet i kanë kthyer në pista helikopteri, faleminderit personelit mjeksor të Lekbibaj dhe policisë së drejtorisë Kukës për kontributin e dhënë për disa orë rresht, duke rrezikuar jetën e tyre.
Fatmirësisht edhe këtë herë misioni përfundoi me sukses”, shkruan Brataj.