Pritja e gjatë/ Shqipëria dhe Maqedonia fusin një këmbë në BE

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Konferenca e parë Ndërqeveritare do të mbahet sot në Bruksel, ku pas një pritje mjaft të gjatë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të marrin lajmin e mirë për hapjen e negociatave. Fillimisht do të nënshkruhet marrëveshja mes Sofjes dhe Shkupit zyrtar dhe më pas do diskutohet procesi i integrimit. Rama dhe 24 zyrtarë gati për në Bruksel.

 Sot do të mbahet në Bruksel konferenca ndërqeveritare që do i hapë rrugën Shqipërisë për hapjen e negociatave si vend kandidat për në Bashkimin Europian. 25 figura të qeverisë dhe administratës të përfshira në procesin e integrimit do të përbëjnë delagacionin shqiptar që do të marrë pjesë në Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të martën në Bruksel. Delegacioni kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, e në krah të tij do të jenë dhe ministrja e jashtme, Olta Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, si dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë proces. Takimi të zgjasë 90 minuta e pas tij, do të ketë një konferencë për shtyp. Delegacioni i BE drejtohet nga shefi i diplomacisë ceke, vend i të cilit mban presidencën e radhës së bllokut si dhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme Josep Borrell dhe Komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, të cilët e kanë mbështetur me forcë hapjen e shpejtë të kësaj konferencë, çka u mundësia pas zhbllokimit që i bëri parlamentit maqedonas ngërçit të krijuar me Bullgarinë, përmes miratimit të propozimit francez ditën e shtunë. Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershorin e vitit 2014, e ndonëse marsin e vitit 2020 Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat për anëtarësimin e saj, u desh të pritej edhe dy vjet të tjera, e kjo për shkak se disa vende të bllokut kërkonin ta shihnin Tiranën dhe Shkupin të avanconin bashkë drejt Bashkimit Europian. Kështu, edhe Maqedonia e Veriut e mban nesër në Bruksel, Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE-në, në të cilën kryeministri Dimitar Kovaçevski do të lexojë deklaratën hyrëse në gjuhën maqedonase. Fill pas kësaj, nis verifikimi që do të zgjasë një vit e gjysmë dhe pas përfundimit të atij procesi është planifikuar konferenca e radhës ndërqeveritare, e cila do të përfundojë fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim dhe mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet në Kushtetutë. Propozimi francez parashikonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

 

Firmoset protokolli që hap rrugën e integrimit

 Protokolli i firmosur në Sofje nga ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Genchovska, është në formë ligjore procesverbali i një takimi, në të cilin bëhet një pasqyrë e rezultateve të arritura të dialogut dhe ndërsektorial. Me nënshkrimin e tij, iu hap rruga mbajtjes së konferencës së parë politike ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Komisioni i përbashkët ndërqeveritar është pjesë e detyrimeve që dalin nga Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2017. Veç të dhënave për dialogun politik, takimet, punën e grupeve ndër sektoriale, protokolli përmban edhe pikat e paketës katër plus një dhe çfarë pritet nga dy vende në ato zona sipas Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë. Përkrahja për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut është pjesë integrale e Protokollit, tha Osmani, dhe këtu sqarohet mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE-në, e cila në rastin e vendit është e ndarë në dy faza – një Konferenca politike, fillimi i procesit të shqyrtimit dhe më pas konferenca e dytë dhe hapja e kapitujve, por pas Maqedonisë së Veriut do të hyjnë bullgarët në Kushtetutë. Sot në orën 18 dhe 30 do të merren vendime për dy konferencat, të parën që ndodh tani dhe të dytën e kushtëzuar nga ndryshimet kushtetuese. Në dokument theksohet qartazi se  Qeveria e Maqedonisë së Veriut pajtohet që konferenca e ardhshme ndërqeveritare lidhur me përfundimin e fazës së hapjes së negociatave për anëtarësim do të mbahet pasi të hyjnë në fuqi ndryshimet në Kushtetutë për të përfshirë qytetarët e saj që jetojnë në territorin e shtetit dhe janë pjesë e popujve të tjerë, si populli bullgar. Lidhur me reciprocitetin për të drejtat e pakicës maqedonase në Bullgari, Osmani u përgjigj se rregullimi kushtetues i Bullgarisë nuk i njeh bashkësitë etnike, sikurse nuk i njeh kushtetutat e Francës dhe Greqisë. “Kushtetuta jonë është ndryshe. Mendoj se kjo ka qenë arsyeja në vitin 1999 në deklaratën e përbashkët mes kryeministrave të atëhershëm Ljubço Georgievski dhe Ivan Kostov, paragrafi i të cilit është riafirmuar në nenin 11, paragrafi i pestë i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe tani RSM konfirmon se asgjë në Kushtetutën e saj nuk mundet apo duhet të përbëjë ndërhyrje në punët e brendshme të Bullgarisë. Është i vetmi qëndrim asimetrik në Marrëveshje”, theksoi Osmani.

 

 

Rama: Me Vuçiç i zgjidhim mosmarrëveshjet në mënyrë të civilizuar

 

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau”, komentoi marrëdhënien e tij me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç. “Ne kemi një marrëdhënie të mirë personale edhe pse herë pas here nuk pajtohemi. Për shembull, ai thotë “e ashtuquajtura Kosovë”. Unë them “shteti i pavarur i Kosovës”. Ne tani i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në një mënyrë të civilizuar”, tha Rama. Kur u pyet nëse është i shqetësuar nga fakti që Beogradi kohët e fundit është kthyer drejt Rusisë, Rama u përgjigj: “Historia bën diferencën. Kemi vuajtur shumë nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Kjo është arsyeja pse ne jemi pro amerikanë. Serbia ka një histori tjetër, por Beogradi nuk e mbështet në asnjë mënyrë luftën e Putinit. Por, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka një problem, pasi ekonomia e Serbisë është shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse”.

Lexo edhe :  U tërhoq nga vendimi për rritjen e çmimit të energjisë, Rama shpjegon arsyet

 

 

 

 

Shkupi dhe Tirana në prag të hapjes së negociatave me BE-në

Maqedonia e Veriut, të martën, më 19 korrik, do të hapë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE).

 

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell, i cili konfirmoi datën e hapjes së negociatave të anëtarësimit, tha se ky është një “moment historik”.  “Ky është një lajm i mirë. Nuk kemi shumë lajme të mira, por shpresoj se kjo do të forcojë angazhimin tonë në Ballkanin (Perëndimor)”, u tha gazetarëve Josep Borell më 18 korrik. Një delegacion i Qeverisë maqedonase i udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, të hënën, ka udhëtuar për në Bruksel, për të marrë pjesë në këtë akt, pas 17 vjetësh pritjeje, pasi vendi zyrtarisht është kandidat për anëtarësim të plotë në BE që nga viti 2005. Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, fillimisht ishte bllokuar nga Greqia, e cila kontestonte emrin e shtetit. Marrëveshja me Athinën për ndryshimin e emrit, Maqedoni në Maqedoni të Veriut, u arrit më 17 qershor 2018. Por, me këtë marrëveshje nuk u zhbllokua integrimi evropian i këtij vendi pasi Franca bllokoi procesin me kërkesën për ndryshimin e metodologjisë së anëtarësimit për të gjitha vendet që i përkasin zgjerimit të BE-së. Bullgaria fqinje ishte pengesa e radhës, e cila në nëntor 2020 vendosi veton ndaj Shkupit, duke kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura, që kanë të bëjnë kryesisht me gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase. Mbajtja e konferencës së parë pason miratimin e dokumentit të njohur si “Propozimi francez”, që çoi në heqjen e vetos bullgare, por Sofja mban të drejtën e bllokimit të procesit në fazat e mëtejme, nëse pala maqedonase nuk i përmbahet propozimit apo një protokolli që dy vendet e nënshkruan të dielën në Sofje. Hapja e bisedimeve të martën në Bruksel është “simbolike”, pasi bisedimet reale apo ato për kapitujt e BE-së do të nisin vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën e saj për përfshirjen në të të bullgarëve, si të barabartë me popujt e tjerë. Këtë e tha edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas nënshkrimit të protokollit me ministren e Jashtme bullgare në detyrë, Teodora Gençovska. “Konferenca e dytë është e kushtëzuar me ndryshimet kushtetuese. Lidhur me këtë ka pasur spekulime të ndryshme, të pavërteta për të futur huti në opinion. Kjo është ajo që kanë bërë edhe vende tjera, p.sh. si Kroacia, e cila në Kushtetutën e saj ka përfshirë të gjitha entitetet që jetojnë në këtë shtet”, ka deklaruar Osmani. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska, ka thënë se tani pas heqjes së vetos, varet nga Maqedonia e Veriut se me çfarë shpejtësie do të ecë në rrugën drejt BE-së. “Ju e dini se Bullgaria është shtet që fuqishëm mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë… Por, tani varet nga Maqedonia e Veriut nëse do të ecë shpejt apo ngadalë, nëse do t’i miratojë për dy muaj apo dy e tre vjet ndryshimet kushtetuese”, ka deklaruar Gençovska. Protokolli, gjithashtu, parasheh zgjidhjen e kontesteve historike për çka janë angazhuar komisione nga të dyja vendet, por pa afate se kur duhet ta kryejnë punën. Ekspertët duhet të gjejnë zgjidhje për përmbajtjen e teksteve shkollore dhe të kaluarën historike pasi shumë ngjarje nga e kaluara dhe shumë figura historike shënohen në të dyja vendet. Protokolli është një dokument prej 20 faqesh që parasheh edhe shumë fusha të tjera të bashkëpunimit, përfshirë edhe bashkëpunimin për të luftuar gjuhën e urrejtjes. Shkupi detyrohet t’i heqë të gjitha mbishkrimet dhe të luftojë me ngulm gjithçka që është anti-bullgare. Opozita maqedonase, ndërkohë, mbetet në qëndrimin se Maqedonia e Veriut të martën nuk fillon bisedimet e anëtarësimit. Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë të hënën se “bisedimet reale do të nisin kur të ndryshohet Kushtetuta”, por kjo, sipas tij, nuk do të ndodhë pasi 44 deputetët e partisë së tij nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. “Ai protokoll praktikisht i hapi dyert e negociatave për Shqipërinë, i mbylli edhe më shumë për Maqedoninë, sepse siç thotë edhe vetë Gençovska (ministrja e Jashtme e Bullgarisë), konferenca e vërtetë ndërqeveritare do të bëhet menjëherë pas ndryshimeve në Kushtetutë dhe kjo nuk do të ndodhë. Këtë e garanton VMRO DPMNE-ja, sepse Qeveria nuk i ka dy të tretat në Parlament”, ka deklaruar Mickoski. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e organizimit edhe të një referendumi kundër propozimit francez dhe protokollit me Bullgarinë. Por, Qeveria maqedonase beson se “bllokadat e VMRO DPMNE-së nuk do të kalojnë”, e që, sipas saj, u dëshmua me mbështetjen gjithnjë e më të ulët pati opozita nga qytetarët në protesta. Sipas partive në pushtet, Maqedonia e Veriut “nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në BE”, ndërsa është e bindur se marrëveshja e arritur me Bullgarinë nuk cenon çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin maqedonas. Në të njëjtën kohë me Maqedoninë e Veriut, edhe Shqipëria, pritet të nisë negociatat për anëtarësim në BE. Shqipëria ishte futur në një bllok me Maqedoninë e Veriut sa i përket nisjes së negociatave, dhe vetoja bullgare e vendosur ndaj Shkupit, bllokoi edhe rrugën e Tiranës drejt bllokut evropian. Më 16 korrik, në ditën kur Shkupi miratoi propozimin francez, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se shteti i tij kishte mbetur peng për shkak të mosmarrëveshjeve midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. “Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund”, deklaroi Rama. Shqipëria mori statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE më 2014. REL

 

 

 

 


Të fundit

Barcelona vazhdon ecurinë pozitive dhe merr kreun, Lewandowski bën heroin sërish

Barcelona vijon rezultatet pozitive në La Liga duke arritur fitoren e 6 radhazi në kampionat. Katalanasit kanë mposhtur 0-1 në...

‘Deklarimet e Doktorit njësoj si të Lulit’/ Elezi: Jemi në rrezik të vazhdimit të…

Ish-kandidati për kreun e PD-së, Ibsen Elezi, ka bërë një deklaratë të fortë, ku thotë se deklarimet e kreut të PD-së, Sali Berisha, ngjajnë...

Perla e Bajramit nuk mjafton, Milan triumfon në sekondat e fundit

Ndeshje e çmendur ka rezultuar sfida mes Empolit dhe Milanit. Kuqezinjtë po udhëhiqnin 0-1 me golin e Rebic, por Bajrami realizoi në shtesa duke barazuar...

Përfundon numërimi, Besart Xhaferri zgjidhet kreu i ri i FRPD-së

Vetëm pak minuta më parë është mbyllur numërimi i votave për zgjedhjen e kreut të ri të FRPD-së. Lidershipi i të rinjve demokratë i është...

Ambasadori amerikan në Serbi: Putinit nuk i intereson fare Kosova, po përpiqet të…

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se rasti i Kosovës me atë të agresionit rus në Ukrainë nuk mund të krahasohen. Në një intervistë...

Lajme të tjera

Web TV