Ekonomistët shqiptarë të “panjohur” të viteve ’20-’30!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 

Kreshnik KUÇAJ

Për rreth 50 vite me radhë, regjimi komunist refuzoi të njohë ndonjë arritje të periudhës para luftës, edhe në fushën ekonomike. E ky refuzim, solli në fakt edhe lënien në harresë të ekonomistëve të atyre viteve. Mëposhtë janë profilet e shkurtuara të disa prej ekonomistëve që kanë lënë gjurmë në ekonominë shqiptare të atyre viteve.

 

1-Haxhi Shkoza-‘Babai’ i Financave të Shqipërisë

 

Haxhi Shkoza është një prej ekonomistëve më të rëndësishëm të Shqipërisë së viteve ’20-’30 por që gjatë periudhës së regjimit komunist u la terësisht në harresë e si rrjedhojë pak persona e njohin historinë e tij. Ai konsiderohet si një prej personaliteteve të para të mendimit ekonomik shqiptar duke vendosur themelet e financave shqiptare.

Shkoza lindi në vitin 1888 në Tiranë ku kreu shkollën fillore ndërsa më pas, shkoi më Manastir ku përfundoi shkollën e mesme. Karrierën e tij ai e nisi në Berat, si administrator i zyrës lokale të financave. Të njëjtën detyrë ai e kreu në Vlorë për të vijuar më pas me funksionin e drejtorit të Drejtorisë së të Ardhurave në Ministrinë e Financave e në fund edhe si Inspektor i Përgjithshëm Oborrit Mbretëror të Ahmet Zogut në vitin 1931.

Detyrën e kryeinspektorit ai e mbajti deri me Paralelisht, ai ishte edhe drejtor i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar. Zotëronte 3 gjuhë të huaja, atë  italiane, osmanishten dhe arabishten.

Karrierën e tij në fushën e financave ai e nisi në vitin 1912, kohë kur vendi shpalli pavarësisnë nga Perandoria Osmane. Në vitin 1937 ai u emërua Drejtor i Kryqit të Kuq Shqiptar. Ka pak të dhëna për jetën e tij, por sipas një profili të realizuar nga profesori Adrian Civici, gjatë periudhës së regjimit komunist, ai punoi si shef llogarie në një kooperativë shërbimesh.

Shkoza u nda nga jeta në vitin 1957, duke lënë pas një botim që mund të konsiderohet si botimi më i rëndësishëm për ekonominë shqiptare të periudhës osmane dhe të fillesave të shtetit shqiptar.

Libri i tij “Financat e Shqipnis 1839-1934” u botua në vitin 1934 nga shtypshkronja “Nikaj” konsiderohet si libri i parë për ekonominë dhe financat në gjuhën shqipe. Libri paraqet veçanti sepse përmban periudhën e tranzicionit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë nga perandoria osmane në pavarësi.

Studiuesi Dashnor Kaloci, nënnvizon faktin se që në momentet e para “botimi i veprës “Financat e Shqipnis” u përshëndet nga mjaft personalitete të larta të asaj kohe, duke filluar nga Kryeministri Mehdi Frashëri, ministri i Financave, Abdurrahman Dibra, sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Rrok Gera, ministri i Drejtësisë, Vasil Avrami, ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ali Asllani, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Muharrem Kokona etj. Në shkrimet e tyre të publikuara në shtypin e kohës, si dhe në letrat përshëndetëse që ata i dërguan autorit të librit, z. Haxhi Shkoza, ata jepnin vlerësimet e tyre me shumë superlativa për librin, duke nxjerrë në pah vlerat e munguara të atij botimi deri në atë kohë”.

Mjaft domethënës është vlerësimi i Kryeministrit të kohës Mehdi Frashëri, i cili e shpjegon kështu rëndësinë e këtij libri: “Sistemi financiar i Shqipërisë, përbëhet prej dy pjesësh: Pjesa e trashëguar nga Turqia, dhe pjesa e shtuar nga Shqipëria e pavarur.

Një shtet, me dashje apo pa dashje, kur ndahet nga trupi i një shteti tjetër më i madh, medoemos dhe për shumë kohë, i duhet të zbatoj sistemin financiar të shtetit nga ai është trashëguar. Nevojat e mëpastajme të shtetit të ri, shkaktojnë ndryshime në pagesat e vjetra dhe krijime pagesash të reja… Financat shqiptare, akoma mbajnë vulën e këtyre vështirësive.

Libri përmban të dhëna interesante të mënyrës sësi funksiononte ekonomikë shqiptare gjatë periudhës së fundit të perandorisë dhe bën një bazë krahasimore me mënyrën sesi po funksiononte ekonomia shqiptare e re që po orientohej drejt perëndimit. Libri voluminoz përmban të detajuar gjithçka për të shkuarën ekonomike të Shqipërisë që nga taksat, ligjet e deri te koncesionet.

Në librin “Financat e Shqipnis” gjenden dhe mjaft informacione të tjera interesante për mënyrat si ndërtoheshin dhe administroheshin tatimet dhe taksat. Një nga këto ishte p.sh., “taksa e rrugës” si për periudhën Osmane të vilajeteve shqiptare ashtu edhe për vitet 1912-1934. Në vitet 1839-1870, egzistonte një tatim unik për rrugër, të ardhurast e të cilit shkonin kryesisht për ndërtimin e rrugëve, urave dhe hekurudhave, ndërsa pas periudhës së Tanzimatit, 1870-1912, taksat dhe tatimet për rrugët u rregulluan me një ligj të të vecantë, sipas së cilit “cdo mashkull i moshës 16-60 vjec kishte detyrim të punonte 4 ditë në vit për ndërtimin e rrugëve”.

Në vitin 1887, u shtua dhe opsioni i shlyerjes nëpërmjet pagesës pë rata që nuk dëshironin të punonin, ndërsa në vitin 1910, ligji ndryshoi përsëri duke e bërë të detyrueshme vetëm pagesën në para të kësaj takes. Në vitin 1912, rezulton se Shqipëria kishte vetëm 138 km rrugë të ndërtuara. Sipas Haxhi Shkozës, pas shpalljes së pavarësisë, taksa e rrugës vazhdoi të mblidhej njësoj si gjatë periudhave të mëparshme, duke përjashtuar vetëm të huajt nga ky lloj detyrimi.

Haxhi Shkoza tregon dhe “funksionimin e taksës së karantinës në pikat kufitare të Shqipërisë që ju merrej udhëtarëve” që hynin në territoret shqiptare e cila quhej “Taksë shëndetësie personale”, si dhe “taksën veterinare” që paguhej për hyrjen e kafshëve dhe produkteve të tyre, që quhej “Taksë shëndetësie shtazore”.

Madhësia e taksës kategorizohej e diferencohej në bazë të madhësisë së anijeve dhe ngarkesave të tyre. Njëkohësisht paguhej dhe një tarifë shtesë për “dizinfektimin e rrobave”. Ky sistem taksash e detyrimesh mbeti në fuqi deri në vitin 1920, ndërkohë që në një ligj të vecantë të qershorit 1927, urdhërohej që në cdo port të vendit të ngrihen dhe funksionojnë zyrat e shëndetësisë detare dhe rojet shëndetësore, të krijoheshin mjedise karantinimi specifike për njerëzit dhe kafshët.

Libri “Financat e Shqipnis 1839-1934” është ribotuar në vitin 2016 nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe tashmë gjendet në libraritë  dhe bibliotekat e vendit, si një burim i rëndësishëm informacioni e analizash mbi gjendjen ekonomike e financiare të Shqipërisë në këtë periudhë, si një pasqyrim i detajuar i politikave ekonomiko-financiare të zbatuara në këtë periudhë interesante të vilajeteve shqiptare nën sundimin Otoman dhe Shtetit të pavarur shqiptar në periudhën 1912-1934

Edhe pse nuk u përfshi në debatet publike për ekonominë, nuk shfaqi mendimin e tij ekonomik, Shkoza i ka bërë një shërbim të pamasë vendit, duke lënë pas një kryevepër të historisë ekonomike e financiare.

 

2-Mark Kakarriqi, i pari që tentoi ‘London Stock Exchange’

Mark Kakarriqi lindi në Shkodër në vitin 1884. Ai ishte biznesmen, ekonomist, analist, koleksionit arti e madje kryetar i Bashkisë së Shkodrës. Krahas aktivitetit ekonomik, ai njihet si një ndër financuesit e rëndësishëm të lëvizjes për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Mori pjesë në kryengritjen e malësorëve të MbiShkodrës në vitet 1910-1911, ishte në bordin e anijes “Mekong” me flamur anglez për të thyer bllokadën greke në Vlorë në vitin 1913.

Ai njihet si organizator dhe pjesëmarrjes i Kongresit të Triestes. Njihet kryesisht për tregtinë e grurit, ku eksportet e tij arrinin deri në Shën Petërburg. Aktivitetin e tij si tregtar ai nuk e ndau nga aktiviteti politik, çka i solli edhe një arrestim disaditor me akuzën e antikomunistit.

Jetoi për disa kohë në Vjenë dhe vendosi të rikthehet në Shkodër, ku aktivizohet gjerësisht në vitet ’20 për iniciativa të ndryshme biznesi.

Një nga iniciativat më të rëndësishme ishte ajo për ngritjen e një fabrike birre në Shkodër, para se të jepej koncesioni për birrën Korça. Për këtë fabrikë ai ndërton një godinë madhështore e tenton deri aty sa të listojë kompaninë e tij në Bursën e Londres. I gjithë ky investim shkon dëm për faktin sepse për Shqipërinë ndryshuan edhe interesat e Britanisë.

Edhe pse kishte disa vite që kishte nisur ndërtimi i një modeli ekonomik të ngjashëm me atë të perëndimit, në vitet ’20-’30 nuk kanë munguar përpjekjet e ndryshme nga ana e tregtarëve shqiptarë që të ndërmerrnin lëvizje të guximshme financiare e nga njëherë edhe të komplikuara nëse mbahet parasysh konteksti kohor dhe stadi zhvillimor i vendit.

Në fundin e viteve ’20, nevoja për financim do t’i bënte disa tregtarë shqiptarë që për të shpëtuar kompaninë e tyre, të arrinin deri aty sa ta listonin në qendrën financiare të botës, në “London Stock Exchange”. Gjithçka lidhet me projektin e ndërtimit të një fabrike birrë në Shkodër. Sipërmarrja duket si aventurë edhe për ditët e sotme, megjithatë në fundin e viteve ’20 u lëvizën të gjithë ‘gurët’; politikë, financiarë e diplomatikë me qëllim që kjo sipërmarrje të finalizohej. Gjithçka lidhet me koncesionin e parë të fabrikës së birrës, 2 vite para se të miratohej koncesioni i fabrikës së birrës “Korça” (1928).

Parlamenti votoi me 26 dhjetor të vitit 1926 koncesionin për ngritjen e një fabrike birrë në Shkodër.  Kompania ishte planifikuar fillimisht të emërtohej “Birra Kakarriqi”, në emër edhe të përfituesve me të njëjtin mbiemër. Mark Kakarriqi dhe vëllai i tij Tush Kakarriqi ishin përfituesit e koncesionit.

Vëllezërit Kakarriqi në atë kohë ishin biznesmenë të njohur në Shkodër dhe kishin aktivitet ekonomik në shumë sektorë.

Më i njohuri ndër ta ishte Mark Kakarriqi, ekonomist i aktivizuar gjithashtu në shtypin e kohës në debatin për zhvillimin e vendit por dhe me një kontribut të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare.

Lexo edhe :  Rriten transfertat në euro/ Banka e Shqipërisë: Në janar-shkurt, 44 mijë transaksione

Kakarriqi bashkëpunonte me investitorë britanikë por interesi strategjik i këtyre të fundit në Shqipërinë e atyre viteve do të ndryshonte për shumë arsye e si rrjedhojë do të reflektohej edhe te projektet që ishin në letër.

Ndërkohë, vëllai tjetër, Tush Kakarriqi kishte një eksperiencë të gjatë në fushën e prodhimit të birrës si rrjedhojë e bashkëpunimit që ai kishte pasur me kompanitë më të mëdha të birrës në Gjermani. Duhet kujtuar fakti se deri në krijimin e fabrikës së birrës, e gjithë birra importohej nga jashtë, edhe pse mund të kishte ndonjë punishte të vogël për konsum minimal.

Tush Kakarriqi kishte kryer edhe një shkollë të posaçme teknike në Mynih të Gjermanisë ku ishin fabrikat më të njohura të birrës, duke e bërë atë personin më të kualifikuar për të drejtuar prodhimin e birrës në fabrikë.

Koncesioni i dhënë për fabrikën e birrës Kakarriqi parashikonte kushte lehtësuese dhe një serë stimujsh fiskale që do të mundësonin që kompania të dilte me fitim në një treg si Shqipëria.

Referuar marrëveshjes, koncesionari detyrohej të fillonte fabrikimin e birrës brenda 18 muajve nga data e shpalljes së koncesionit.

Marrëveshja parashikonte përjashtimin nga tagri doganor e taksa të tjera për të gjitha materialet e makineritë për ngritjen e fabrikës. Qeveria, për të ruajtur këtë industri, nga konkurrenca e jashtme angazhohej të vinte një taksë të posaçme mbi birrën që importohej. Ndërkohë, koncesionari detyrohej t’i paguante shtetit një taksë prej 2.75 franga ari për çdo hektolitër birrë të prodhuar. Eksportimi i birrës do të lejohej kur koncesionari të kishte plotësuar sasinë e kërkuar për konsumin e vendit.

Pas një viti, do të formohej një shoqëri anonime me emrin “Birra Kakarriqi Shkodër” me një kapital prej 750 mijë franga ari. Po ashtu, u hartua edhe statuti i shoqërisë që u dekretua me 1 mars 1928.

Për arsye të ndryshme, shoqëria kërkoi disa herë zgjatje të afatit, që në fakt iu akorduar nga qeveria. Zgjatjet e afatit u bënë deri me 26 janar 1931, por sërish nuk u arrit ngritja e fabrikës dhe vënia në funksion e saj.

Haxhi Shkoza tregon se vitin 1930 “punimet për ngritjen e një fabrike madhështore në Shkodër filluan me një entuziasëm shembullor e përparuan mjaft por mjerisht mbas pak kohe ato u pezulluan dhe për tash duket i humbur gjithë ai kapital i derdhur për atë qëllim”.

Ngritja e kësaj fabrike ishte e lidhur edhe me “fatin” e një fabrike tjetër, Birrës Korça. Kjo e fundit ishte një koncesion që iu dha një shqiptari dhe një italiani për një afat 25 vjeçar. Në rast se do të ngrihej dhe vihej në funksion birra Kakarriqi në Shkodër, atëhere Birra Korça do të përfitonte automatikisht një zgjatje me 10 vite të afatit të koncesionit.

Por elementi më interesant është se pas dështimit të parë, kompania e birrës e Shkodrës tentoi të bëjë një lëvizje të madhe financiare, që jo vetëm synonte ta bënte funksionale këtë fabrikë, por edhe të arrinte deri aty sa të listohej në bursën e Londrës, ‘London Stock Exchange’.

Pas dështimit të parë të ngritjes së fabrikës, vëllezërit Kakarriqi tentojnë të angazhojnë kapital britanik për funksionimin e saj. Në këtë mënyrë, ata themelojnë një kompani që merrte të drejtat mbi koncesionin 99 vjeçar të fabrikës. Kompania e re e krijuar u emërtua “Albanian National Brewery”. Kjo kompani parashikonte të niste prodhimin me 31 dhjetor të vitit 1929, tre vite nga marrja e koncesionit.

Koncesioni i lejonte kompanisë që të eksportonte në vende të tjera birrën që do të prodhonte mbi nevojën e konsumit të vendit, me zero taksa.

Në kohën e dhënies së koncesionit, e gjithë birra që konsumohej në Shqipëri vinte nga jashtë. Vlerësimet paraprake flisnin për një nivel importi që varionte nga 52 mijë deri në 60 mijë hektolitra. Në këto kushte, parashikohej që veç prodhimit për tregun vendas, fabrika të prodhonte edhe për eksport.

“Pozicioni gjeografik i fabrikës do ta vendosë atë në një vend të favorshëm për të plotësuar kërkesën për birrë në Egjipt, Greqi, Palestinë dhe në Gjirin verior afrikan. Lehtësitë e transportit detar do ta vendosin kompaninë në një pozicion të favorshëm për të transportuar birrën me çmime të ulëta dhe parashikimet janë që në këtë mënyrë të sigurohen fitime të mëdha” shkruhej në dokumentet e kompanisë së themeluar në Londër.

Kompania parashikohej që të merrte në zotërim një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë në zonën e Shkodrës, që konsiderohej si një pikë strategjike për transportin detar që do t’i bëhej birrës që prodhohej. Po ashtu, kjo zonë mundësonte akses në ujë të pijshëm që kimikisht konsiderohej nga ekspertët se ishte i ngjashëm me ujin që përdorej për prodhimin e birrës në Mynih të Gjermanisë, ku birra ishte e famshme.

Projekti i mobilizimit të investimit britanik parashikonte angazhimin e një kompanie tjetër që kishte modeluar e rimodeluar 250 fabrika birre në Angli dhe në vende të tjera.

Parashikohej që fabrika të krijonte depot e saj në portet e Shkodrës, Durrësit dhe Shëngjinit dhe depo në qytetet kryesore si Tiranë, Shijak, Krujë, Kavajë, Durrës, Elbasan, Përmet, Berat, Gjirokastër, Lushnje, Vlorë, Sarandë, Korçë dhe Pogradec. Në këto qytete transporti do të bëhej nga karroca me motor. Ndërkohë, parashikohej që në qytetet e mëdha të ngriheshin punishte shishesh me qëllim konsumin final në popullatë.

Si drejtor i kompanisë ishte propozuar ish ambasadori shumë i famshëm i Britanisë në Shqipëri, Harry Eyres. “Ai është mik personal i mbretit të Shqipërisë dhe respektohet universalisht në vend dhe ka një njohje të mirë të vendit dhe të traditave lokale” shkruhet në dokumentin e themelimit të kompanisë.

Po ashtu parashikohej që Mark Kakarriqi, themelues dhe përfitues i koncesionit të shërbente si drejtor menaxhimi. Vetëm nga shitja në tregun lokal llogaritej se kompania do të kishte të ardhura jo më pak se 94 mijë paund. Aplikimet për aksione në kompaninë e birrës duhej të bëheshin ‘Lloyd Bank’ në Londër ndërsa zyra e regjistruar e kompanisë parashikohej të ishte në Angli. Kapitali i kompanisë parashikohej të ishte 400 mijë paund dhe kompania do të kishte 800 mijë aksione të zakonshme.

Kompania parashikohej të listohej në ‘London Stock Exchange’ ndërkohë që ishin kontraktuar edhe 4 kompani të njohura për brokerim, dy me bazë në Londër, një në Liverpul dhe një në Mançester. ‘Baily, Mercer Karo’, ‘Charlesworth Bennett & Co’, ‘Chrichton Bros & Townley’ dhe ‘Halliday & Teasdale’. Në fakt, ”London Stock Exchange” ra në shtator të vitit 1929, sëbashku me Wall Street, duke sinjalizuar nisjen e atij që njihet si “Depresioni i Madh”

Zhvillimet e mëvonshme do të bënin që projekti të mos finalizohej as këtë herë dhe kompania të mos mblidhte dot kapitalin e kërkuar. Pas këtij dështimi, kompania u përfshi në një serë gjyqesh, të cilat do të vazhdonin edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, kjo kompani mund të konsiderohet si një ndër kompanitë e para shqiptare që tentoi të listohej në një prej bursave më të famshme të botës duke lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë moderne financiare të Shqipërisë.

Krahas kësaj, Mark Kakarriqi ka projekt për të sjellë në Shqipëri bankën e njohur britanike ‘Midland Bank’, që kishte në plan të financonte ngritjen e një banke anglo-shqiptare.

Gjatë kohës që zhvillon aktivitet ekonomik në Shqipëri, ai ndërton një banesë madhështore e paralelisht me të edhe një varr monumental për veten. Dashurinë e tij për artin dhe koleksionizmin ai e kishte treguar nga veprat që kishte grumbulluar duke e kthyer banesën e tij praktikisht në një galeri arti. Në listën e verprave të tij përmenden dhe veprat e Rembrandit.

Veç biznesit, ai ishte edhe kryetar i Dhomës së Tregtisë në Shkodër e njëkohësisht edhe kryebashkiak i Shkodrës.

Veç dimensionit si aktivist, biznesmen e koleksionist, Mark Kakarriqi ka një dimension tjetër, atë të analistit të ekonomisë. Janë të shumtë artikujt e tij në shtypin e viteve ’20 ’30 ku bën analiza të imtësishme për rimëkëmbjen e vendit e madje edhe propozime novatore.

Një prej propozimeve të tij ishte ai për sistemimin e lumit Buna, me qëllim shmangien e përmbytjeve që siillte në qytet dhe lundrimin e anijeve deri në Pazarin e Vjetër të Shkodrës. Synimi në këtë rast ishte lidhja e qytetit me detin Adriatik dhe në këtë mënyrë me tregtinë europiane.

Po ashtu, në shtypin e kohës ai bën analiza të shumta se si mund të shpëtohej ekonomia e Shkodrës.

Nuk mungojnë as analizat e tij për Bankën Kombëtare që sipas tij nuk ishte e tillë për faktin se aksionerët kryesorë ishin italianë. E po ashtu, nuk mungojnë as propozimet novatore për ngritjen e ekonomive familjare, përmes investimit në prodhimin e vezëve, që zinin një vend të rëndësishëm në eksport.

Sipas tij, nëse çdo familje shqiptare do të kishte 20 pula, të ardhurat do të ishin 5 milionë franga ari në vit. E kjo do të përbënte një burim të shpejtë e të kandshëm t’ardhunash.

Ai u nda nga jeta në mënyrë të papritur në vitin 1942, pas i konsumoi një darkë në Hotel Dajti. Gjatë periudhës së regjimit komunist, pas vdekjes ai u dënua dhe si rrjedhojë veprat e artit të grumbulluara prej tij u konfiskuan.

 

Të fundit

Eksperimenti interesant në qytetet shqiptare, çfarë zbuloi Banka Botërore

Banka Botërore ka kryer nje eksperiment shume interesant ne qytetet shqiptare. Vullnetarët e saj vendosën sensorë të temperaturës dhe lagështisë...

Rreth 150,000 njerëz do të mirëpresin flakën olimpike në Marsejë

Më 8 maj, rreth 150 mijë njerëz pritet të mirëpresin flakën olimpike, e cila do të mbërrijë në Belem nga Greqia me një lundrim...

Merr fund dilema, zbulohet italiani që i ka rrëmbyer zemrën Eglës

Prej ditësh po përflitet për partnerin e aktores Egla Ceno e cila siç tashmë e dimë është një nga konkurrentet më të forta të...

Media spanjolle jehonë Shqipërisë, nga Thethi në Berat: Vendi më i lirë për të udhëtuar!

Nga Cristina Blanco Vázquez/ El Debate I quajtur Karaibet Evropiane, Shqipëri është vendi bregdetar më i përballueshëm për sa i përket çmimeve, ushqime dhe udhëtime rreth...

Spektakël i garantuar, formacionet zyrtare të sfidës Barcelona-PSG

Barcelona përballet me Paris Saint-Germain në ndeshjen e dytë çerekfinale në Ligën e Kampionëve. Ndeshja e parë në Francë përfundoi 3-2 në favor të skuadrës...

Lajme të tjera

Web TV