Vetëm dy ditë pas tragjedisë në Himarë, ku humbi jetën një 7-vjeçare, është bërë publike një video që tregon një të ri në plazhin e Shëngjinit teksa bën manovra të rrezikshme me një “jet ski” në ujë.
Në lidhje me këtë video ka reaguar sot dhe policia, e cila deklaron se videoja është e vjetër dhe jo e këtij sezoni veror.
Në një njoftim për mediat, policia sqaron se ajo është video e disa viteve më parë dhe se u dërgohet mediave me tendencë për t’u publikuar.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një person, me një mjet lundrues “Jet ski”, në det, në Shëngjin, duke kryer manovra që rrezikojnë jetën e një qytetari që po notonte, ju informojmë se:
Pamjet që shfaqen në video nuk janë aktuale të këtij sezoni veror, por të disa viteve më parë. Aktualisht, në vendin që shfaqet në video, ndodhet një objekt i ndërtuar para disa viteve.
Nisur nga publikimet e fundit në portale, të cilat nuk janë pamje aktuale, por që u dërgohen me tendencë portaleve për publikim, me qëllim nxitjen e reagimit qytetar, Policia e Shtetit apelon për çdo portal dhe media vizive e të shkruar, që të mos publikojnë video ose lajme të pakonfirmuara, por të marrin informacion të saktë pranë strukturave përgjegjëse në Policinë e Shtetit.