Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka vlerësuar vrojtuesin e plazhit, Robert Necaj, i cili shpëtoi nga mbytja dy fëmijët pak ditë më parë në plazhin e Shëngjinit.
Ndreu së bashku me Zv/ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla dhe Drejtorin e Policisë së Qarkut, Vehbi Bushati, i dhanë sot të riut një certifikatë mirënjohje për aktin heroik që ai bëri për të shpëtuar jetët e fëmijëve.
“Sot në Shëngjin bashkë me Zv/ministren e Turizmit dhe Mjedisit Almira Xhembulla, Presidentit të Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” Prefektit të Qarkut Gjergj Prendi, Drejtorit te Policisë Qarkut Vehbi Bushati në aktivitetin me vrojtuesit e plazhit!
Ju shprehem mirënjohjen Robert Necaj që me aktin heroik shpëtoi dy fëmijë nga mbytja, instruktorit të vrojtueseve në Lezhë Lucjano Marku dhe shumë djemve të tjerë që gjatë këtij sezoni kanë treguar trimëri, përkushtim dhe sakrificë në kryerjen e misionit duke mos regjistruar asnjë rast mbytje! Një Certifikatë Mirënjohje nga Bashkia Lezhë është një stimul modest për gjithçka ato bënë për mbarëvajtjen e sezonit! Krenar për këta djem të rinj me vendosmëri e humanizëm të pashembullt!”, shkruan Ndreu.