Nuk e rrëzuan dot qeverinë ukrainase, si po funksionojnë agjencitë ruse të inteligjencës?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ndonëse Kremlini mund të ketë shpresuar se forcat ushtarake ruse do të fitonin kontrollin e Kievit brenda tri ditësh, lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në muajin e shtatë dhe ushtria ruse, bashkë me shërbimet e inteligjencës, kanë mbetur të poshtëruara.

Përveç vështirësive të Rusisë në fushëbetejë, në muajt e fundit, edhe agjencitë e inteligjencës – sidomos Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) – kanë dështuar të rrëzojnë Qeverinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, apo të nxisin ndonjë formë mbështetjeje pro-ruse teksa tanket kanë hyrë në Ukrainë.

Forcat ruse janë përballur me rezistencë të madhe të ushtrisë ukrainase dhe qytetarëve ukrainas, derisa Kremlini është dashur të përballet me një Qeveri në Kiev që secilën herë e më shumë ka rritur rrethin e aleatëve dhe mbështetjes.

Por, si ka ndodhur që agjencitë e inteligjencës kanë qenë kaq gabim dhe pse rrjetet që kanë kultivuar me vite në Ukrainë nuk kanë dhënë rezultate?

Për të kuptuar më shumë për shërbimet ruse të inteligjencës dhe mënyrën sesi gjykimet e gabuara kanë rënduar situatën në terren, Radios Evropa e Lirë ka biseduar me Andresi Soldatov, gazetar hulumtues, i cili ka raportuar për shërbimet e inteligjencës në Rusi për dekada dhe tani është hulumtues në Qendrën për Analizë të Politikave Evropiane, me seli në Londër.

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht dështimeve, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) dhe liderët nga agjenci tjera të inteligjencës vazhdojnë të jenë nëpër pozitat e tyre. Çfarë mendoni se kanë mësuar këto agjenci pas gjashtë muajve të luftës në Ukrainë?

Andrei Soldatov: Mund ta shohim se shërbimet e sigurisë së Rusisë janë prekur shumë nga lufta. Nëse e krahasoni me luftërat tjera, sikurse ajo e Afganistanit më 1980 apo ato të Çeçenisë (më 1990 dhe 2000), lufta në Ukrainë është shumë më ndryshe. Para luftës, vetëm dy departamente brenda FSB-së kanë qenë të angazhuara rreth Ukrainës. Njëri prej tyre njihet si Shërbimi i Pestë, i cili ka për detyrë të mbledhë të dhëna në Ukrainë, si dhe Departamenti i Kundërzbulimit, i cili është i fokusuar në identifikimin e spiunëve ukrainas dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.

Tani pothuajse secili departament i madh i FSB-së është i përfshirë në këtë luftë… dhe kjo është diçka që nuk e kemi parë më herët, sidomos jo përgjatë luftërave çeçene. Përveç kësaj, shumë zyrtarë të inteligjencës nga Moska janë duke shkuar nëpër rajone të Ukrainës për periudhë tre-katër mujore. Kjo nënkupton se shumë shpejt do të jenë shumë zyrtarë me përvojë ukrainase, të cilët do të ndryshojnë mentalitetin e njerëzve që shërbejnë në shërbimet ruse të sigurisë.

Radio Evropa e Lirë: Në muajt e parë të luftës ka pasur raportime – përfshirë edhe nga ju – për përplasje mes agjencive ruse të inteligjencës dhe se lideri i departamentit të FSB-së për Ukrainën, Sergei Beseda, ka qenë nën arrest shtëpiak, për shkak të dështimeve të regjistruara pas pushtimit. Megjithatë, zyrtarët amerikanë i kanë thënë së fundi të përditshmes amerikane, Washington Post se nuk kanë parë të dhëna që presidenti rus, Vladimir Putin ka mbajtur përgjegjës ndonjë zyrtar. Si e vlerësoni këtë situatë dhe a mendoni se ka dhënë dikush përgjegjësi për këtë situatë?

Andrei Soldatov: Besoj se kjo është narrativa që dëshirojnë të shpërfaqin FSB-ja dhe Kremlini. Ata dëshirojnë që publiku të mendojë se gjithçka është duke shkuar mirë, pasi këtë qëndrim e ka përsëritur Kremlini disa herë në gjashtë muajt e fundit. Ata nuk mund ta pranojnë se kanë ndëshkuar njerëz apo shërbimet ruse të sigurisë, sepse kjo gjë tregon se kanë dështuar.

FSB-ja tash e sa kohë i mohon zërat rreth dështimeve dhe ka tentuar të heshtë njerëzit që janë duke bërë pyetje dhe janë duke raportuar për problemet me të cilat po përballet agjencia. Shembull, për këtë arsye kanë nisur hetimet penale kundër meje.

Në fillim, Putini ka qenë aq i zemëruar (pas pushtimit rus në Ukrainë) andaj edhe e ka kritikuar Besedan dhe departamentin e tij, dhe secili në FSB e ka ditur këtë gjë. Mirëpo pasi kjo çështje është bërë e madhe, Putin ka bërë diçka të pashembullt dhe e liruar Besedan nga arresti, sepse ka dashur që publiku të mendojë se gjithçka po shkon sipas planit të tij.

Lexo edhe :  Unazat e divorcit, trendi më i ri i prezantuar nga Emily Ratajkowski?

Radio Evropa e Lirë: Cili është atëherë statusi aktual i Seregei Besedas?

Andrei Soldatov: Siç mund ta shihni, ai është jashtë burgut tani. Ai ende mban gradën e gjeneralit, mirëpo nuk e kontrollon departamentin e tij. Ai është parë publikisht dhe brenda FSB-së, kryesisht për të dërguar mesazh se ai është ende aty, por kaq është roli i tij tani.

Radio Evropa e Lirë: A është ai ende në krye të departamentit për Ukrainën?

Andrei Soldatov: Jo, zëvendësit e tij po e kryejnë këtë punë. Ai është aty vetëm për të treguar që nuk është më në arrest shtëpiak.

Radio Evropa e Lirë: Si ka gabuar kaq shumë inteligjenca ruse?

Andrei Soldatov: Është e rëndësishme të kuptojmë se FSB-ja nuk ka qenë kurrë shërbim i mirë informimi. Më shumë ka qenë instrument për presion dhe shtypje. Zyrtarët e saj dinë si të shtypin njerëzit, si t’i dërgojnë në burg, si t’i vrasin, mirëpo mbledhja e të dhënave të inteligjencës kërkon aftësi tjera.

Po ashtu duhet sistem tjetër i udhëheqësisë. Duhet të ketë sistem të shpërndarjes së të dhënave dhe duhet pasur gjeneralë që janë të besueshëm, e të tillë nuk gjenden tani për tani.

Për shumë vjet, ka pasur krizë gjeneratash në FSB. Putin ka emëruar gjeneralët më të rëndësishëm për të udhëhequr FSB-në në vitet 2000 dhe disa prej tyre janë duke mbajtur ende ato pozita. Kjo nënkupton se ka kolonelë dhe majorë ambiciozë që nuk e kuptojnë si mund të ngjiten në këto pozita. Kjo krijon një kulturë mosbesimi edhe nëse e dinë që diçka nuk është e drejtë, ata u tregojnë eprorëve të tyre atë që ata duan të dëgjojnë. Kjo praktikë zbatohet deri në Kremlin.

Gjeneralët sikurse Beseda, po ashtu e kuptojnë se duhet t’ia bëjnë qejfin Putinit, dhe po ashtu e dinë se Putini ka prezantuar masa autoritare më 2016, që nënkupton se shumë njerëz janë përballur me to, përfshirë ata brenda FSB-së. Ka pasur gjeneralë dhe kolonelë të ndëshkuar nga Kremlini, jo për shkak se kanë dështuar të bëjnë punën e tyre, por për shkak të krimeve ekonomike. Krejt kjo situatë krijon një klimë që askush nuk ka gatishmëri të rrezikojë karrierën vetëm që për të treguar të vërtetën.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë kjo? Inteligjenca ruse ka pasur rrjet të zgjeruar të kontakteve nëpër Ukrainë para pushtimit. Si duket ky rrjet tani e tutje?

Andrei Soldatov: Para luftës, FSB-ja është varur shumë nga dhënia e ryshfetit dhe kultivimi i kontakteve në partitë politike (por edhe në agjencitë qeveritare) në Ukrainë. Tani kjo lojë ka ndryshuar tërësisht.

Çfarë po shohim tani, nuk kemi parë në Çeçeni apo në fund të Luftës së Dytë Botërore, pra përdorimin e kampeve të mëdha filtruese.

Arsyeja e këtij filtrimi nuk ka të bëjë vetëm me kategorizimin e njerëzve, por edhe me identifikimin e spiunëve potencialë ukrainas. Megjithatë, FSB-ja gjithmonë e ka përdorur filtrimin si mënyrë për të rekrutuar njerëzit. Ata kanë objekte të mëdha ku identifikojnë shumë civilë, dhe aty e kanë mundësinë që të ushtrojnë presion fizik apo psikologjik, ashtu që të rekrutojnë numër të madh kontaktesh.

Këtë gjë po tenton ta bëjë tani FSB-ja, ashtu që rrjetin e ri të agjentëve ta shpërndajë më pas në terren. Ende nuk dihet sa e suksesshme do të jetë kjo strategji, mirëpo do të jetë problem me të cilin do të duhet të përballet Ukraina, pas një numër i madh njerëzish t’i kthehen në terren.

Të fundit

“Voyage Privé”: Shqipëria, zbuloni thesarin e fshehur të Mesdheut

Dëshironi të bëni zbulime të reja? Magjepsuni nga pasuritë historike dhe kulturore të Shqipërisë, shkruan revista franceze e udhëtimeve...

Të dielën ndryshon ora, akrepat shkojnë një orë para në Festën e Pashkës

Të dielën, më 31 mars 2024, do të kthehet ora verore. Akrepat e orës do të zhvendosen një orë përpara, pra nga ora 03:00...

‘Do të kemi temperatura të larta’, meteorologia zbulon surprizat e motit për fundjavën

Kjo fundjavë pritet të ketë një mot të qëndrueshëm, me temperature të relativisht të larta. Meteorologia Lajda Porja tha se edhe fillimi i muajit të...

Nuanca blu si askund tjetër / Ky plazh në Jug të Shqipërisë renditet i pari

Plazhi i “Pasqyrave” mes Sarandës dhe Ksamilit është renditur i pari në botë për ujin me ngjyrën më blu të theksuar. Duke përdorur imazhe satelitore...

Arrestimi i dy kryebashkiakëve, sot zgjidhet kryetari i ri i Himarës

Pas arrestimit dhe dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti kryebashkiakut në detyrë të Himarës, vendi ka mbetur pa drejtues. Përpos Jorgo Goros, në burg ndodhet...

Lajme të tjera

Web TV