Në prag të vitit të ri shkollor, kryebashkiaku i Tiranës po inspekton ditë pas dite punimet e fundit në shkollat që pritet të hapen këtë shtator.
Kësaj here, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Toni Gogu inspektuan mjediset e reja në shkollën e re të rindërtuar pas tërmetit në fshatin Pajan në Njësinë Administrative Pezë.
“Duke u bashkuar si njësi administrative e Tiranës, sigurisht, investimet u rritën dhe krejt papritur nga komunë, kjo njësi ka një fuqi më të madhe ekonomike se sa kur mbahej vetëm me taksat e vogla modeste të Pezës. Filozofia e kryeministrit ishte që, fatkeqësinë e tërmetit, ta kthenim në një mundësi të jashtëzakonshme për rindërtim, edhe për të prodhuar realisht xhevahire”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se pavarësisht debateve, bashkia ka treguar se u ka shërbyer të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike.
“Detyra jonë është t’u shërbejmë të gjithëve, pastaj secili ka shijen e tij: dikush e do shkollën e verdhë, dikush e do blu. Prandaj, nuk duhet ta humbim fokusin me debate të kota, çfarë i pëlqen njërit, çfarë i pëlqen tjetrit, por me debatin më të rëndësishëm: a u shërbejmë të gjithëve? Përgjigjja është po! Me këtë shkollë u shërbejmë të gjithëve, nuk kanë rëndësi bindjet”, shtoi ai.
Veliaj nënvizoi se shkollat e ndërtuara në periferi kanë të njëjtën cilësi si ato në qendër të Tiranës.
Shkolla, që është e katërta që ndërtohet në Pezë, i bashkohet 12 shkollave të reja që çelin dyert këtë vit arsimor dhe zgjidh njëherë e mirë udhëtimet e nxënësve me furgona në shkolla të tjera më të largëta.