Xha Sulua i Deçkës, burri me dy pëllëmbë mustaqe që ashtu si gratë ankohej për gratë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Çfarë mesazhi na ka dhënë Kinostudio “Shqipëria e Re” nëpërmjet filmit “Kapedani” me batutat e të cilit kemi 50 vjet që qeshim?

Deri më tani xha Sulon e kemi mbajtur si burrë zamani, me dy pëllëmbë mustaqe e dyfekun mbi sup, nga i cili ishte dridhur sa i kishin shkuar poturet në fund të këmbëve, turkut, serbit, grekut e gjermanit,… pale italianit. Dhe Suloja ishte nga ata që e rrëmbente pushkën edhe kur çanga e kooperativës jepte alarmin se ujët e rezervuarit mund të shpërthente e të prishte të mbjellat.

Liria e fituar me gjak duhej mbrojtur qoftë dhe me djersë.

-Ele, ele, më kë do ia shkrepim sot?

-Atë e di kryetarja. Për mua kujt t’ia mbajë le të urdhërojë.
Ky ishte Xha Suloja, që kur vinte puna për të mbrojtur Atdheun e kishte syrin në thep-shqekës të pushkës. Kjo kishte të bënte me moralin e shëndoshë të individit në mbrojtje të Atdheut.

Por ajo që merrte vendimet në fund të fundit ishte kryetarja e kooperativës. Dhe kryetaren e kishte zgjedhur masa. Domethënë masa nuk kishte preferuar një mashkull, por një femër. Dhe xha Sulua i kishte zët femrat, po ashtu si dhe… Napoloni.

Mirëpo me kryetaren e kooperativës e kishte zënë belaja. Sepse kur gjëmoi e binte shi sa mund të shembej dhe një digë hidrocentrali, e ku populli u ngrit në këmbë si një trup i vetëm në mbrojtje të pronës socialiste, ajo e anashkaloi xha Sulon, Kapedanin, por aspak të shoqen që e mori ta kishte pranë vetes në frontin më të vështirë, ku ishin rreshtuar burrat e fortë.

-Ti teto Shero meqë je goxha e shëndoshë eja me mua në rezervuar. Edhe ti teto Frosa shko në stallë te viçat.

Demek Sheroja e Frosa si dosa.

-Po unë?

Pyetja shkëlqeu si teh thike natën e errët ku bubullimat nuk kishin të sosur.

Me sa duket xha Sulua i kishte bërë dorëzimet me kohë. Por burrëria se linte të rrinte në krevatin e shtëpisë, ku nuk i hynte asnjë pikë uji.

-Ti xha Sulo shko në shtëpi se je burrë plak e mund të ftohesh.

Joooooo…, po kjo nuk kishte bërë vaki as në kohën e Tanzimatit e jo më në kohën e Partisë. A i kishte hije një kryetareje, të fliste çapraz. Ishte fyerje e rëndë për një burrë me dy pëllëmbë mustaqe. Por çfarë mund të bënte xha Sulua në një kohë kur as kodet e as zakonet nuk e favorizonin një burrë që merrte hak mbi një grua? T’i kthehej e të përleshej me të.

Dhe veç kësaj kryetarka bën edhe një blasfemi të dytë. Këmbënguljes së xha Sulos për t’iu përgjigjur frontit iu përgjigj: Shko tek kotecat e kujdesu për pulat.

Kësaj çfarë emri t’i vësh???

Dhe këtë, xha Sulo Kapedanit, – apo xha Sulo i Deçkës siç do ta quante më pas rinia e fshatit që i ngjiti dhe një fletërrufe në këndin e emulacionit, – e kishte kandidate për nuse. Sepse kur vazhdonte shkollën Bujqësore na ishte mpleksur me të birin.

-Bo, bo, ofendim më të madh nuk ka, – i fut xixat xha Bequa që kishte humbur xhepin me gjithë çakmak. –  Të vesh ti e të ruash pulat. Dhe kush pa. Ty që të kemi kapedanin e fshatit.

Lexo edhe :  110 vjet Pavarësi. Po bashkim kombëtar?

– Mos more!

-E o, kështu tha ajo.

E ç’i mbetej pas kësaj xha Sulos së Deçkës. Rruga ishte vetëm një: të ankohej si gratë për një grua. Po a ishte një gjë për burrat të ankuarit për një grua? Epo në kohën e Partisë nuk kish më burra si në kohën e turkut? Dhe nuk kish më burra as si në kohën e grekut. Se burrat ishin rrezik politik.

Por ankesa e kishte një vlerë, se gjithsesi ajo duhej adresuar në Komitetin e Partisë. Vetëm Partia mund ta zgjidhte këtë problem. Me qetësi dhe dashuri. Dhe nevoja e bëri xha Sulon të merrte rrugën për në Tiranë e t’i binte në qafë mikut të tij të vjetër, shokut Rropi, – shpatullgjerë e me flokë kaçurela nga i cili dridhej gjermani, – që ishte me pozitë në Komitet.

– O do ta bëj unë atë të më lajë këmbët me lot, o s’ka…

Posi ore, d.m.th shoku Rropi do t’i thoshte kryetares: laja këmbët, xha Sulua i Deçkës është yni.

Po a ishte kjo një fitore?

Absolutisht jo. Nëse do të ndodhte, kjo në të vërtetë do të ishte një fitore e shokut Rropi.

Mirëpo Sulos në pleqëri, i kishin mbetur vetëm kyçet e kashtës e s’kishte nga ia mbante tjetër. Ndaj me gjithë pishmanllëqet gjatë rrugës i vajti Rropit atje ku bënte Punën Prodhuese, në ndërtim.

-Llaç shpejt llaç.

-Shoku Rropi, lëreni muhabetin, po pengoni punë.

Dhe Rropi, që kishte lënë zyrën e partisë dhe si hamall ngjiste kovat e llaçit në katin e pestë, s’e bëri dysh fare. Femrat ishin kthyer në një forcë të madhe aq sa të urdhëronin të bëje stërvitje për biceps, triceps e muskuj këmbësh me kovat e llaçit nëpër shkallë.

Ky ishte një zhgënjim akoma më i madh për xha Sulon e Deçkës. Socrealizmi këtë e quante emancipim. Dhe padyshim që ishte i tillë. Se ku ishte parë që një femër të urdhëronte një burrë.

-Ja kështu është kur urdhërojnë gratë.

Eh more xha Sulo, ishe kapedan i fshatit, por përfundove si gratë e liga. Mirë që nuk ia more dot hakun kryetarkës, nuk e bëre të të lante këmbët me lot dhe as e vure të fshinte bajgat e lopëve, por e pranove si nuse të djalit duke i thënë xha Beqos që i ishin thyer gjyslyket që nuk i mbante lotët nga gëzimi:

-Beqo, që sot e tutje ke të bësh me familje kryetarësh.

-Të lumtë o Sulo!

Dhe plasin përqafimet. Domethënë, familja e Kapedanit u konvertua në familjen e Kryetares së Koperativës, që jepte 50 lekë të vjetra për ditë pune. Prap se prapë, të parët e fshatit mbetën si në kohën e turkut dhe në atë të Partisë.

Dhe ja, kjo është finalja e filmit “Kapedani”, që burrin me dy pëllëmbë mustaqe e silazhoi dhe e bëri të bindur si qingjat që pijnë dy nëna.

Ky është dhe morali i fabulës që Kinostudio na e faturoi me një film epope, i cili vazhdon të shikohet me endje dhe sot e gjithë ditën në ekranin e televizorit.


Të fundit

Me parulla komuniste dhe foton e Enver Hoxhës, nostalgjikët e diktatorit kryejnë homazhe

Shqipëria feston sot ditën e Çlirimit, teksa përkujtohen dëshmorët që kanë dhënë jetën për liri. Si çdo vit, nostalgjikët ndaj...

Vdes piloti legjendar grek, i mbijetuari i fundit i Luftës së Dytë Botërore

Ka humbur jetën në moshën 102-vjeçare i mbijetuari i fundit i Luftës së Dytë Botërore, Kostantinos Hatzilakos. Lajmi ka shkaktuar trishtim në komunitet. 102-vjeçari ishte një...

Ambasada amerikane uron Festën e Çlirimit: Kujtesë për sakrificat e popullit shqiptar

Ambasada amerikane në Tiranë ka uruar sot festën e Çlirimit nga pushtimi nazist. Me një mesazh në “Facebook”, ambasada shprehet se ky rast shërben si...

Dita e Çlirimit, nis ceremonia te Varrezat e Dëshmorëve

Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë po kryhen homazhe për të përkujtuar 78-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Në ceremoninë ku...

‘E kisha me dy mendje’, Cindy Morina flet për marrëdhënien me djalin e Jozefina Topallit

Cindy Marina dhe djali i Jozefina Topallit, Genar Topalli kanë qenë një nga çiftet më të përfolura të showbizit shqiptar që kur konfirmuan lidhjen e...

Lajme të tjera

Web TV