Ura e Bushtricës, kryevepra arkitektonike që nuk shërben për gjë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Nëse të bie rasti të kalosh përmes segmentit rrugor që lidh Librazhdin me Përrenjasin, nuk ka si mos të të bjerë në sy, një urë e lartë betoni, poshtë të cilës në mënyrë gjarpërore kalon rruga automobilistike.

Ajo njihet si “Ura e Bushtricës” e projektuar që mbi të, të kalonte linja hekurudhore e cila nisej nga Durrësi, për të kaluar në Elbasan, Librazhd, Përrenjas e për të mbërritur në Gurin e Kuq që ishte dhe stacioni i fundit për Juglindjen.

Sot mbi Urën e Bushtricës nuk kalojnë më trenat me vagona udhëtarësh. As sirena e lokomotivave nuk ndihet prej së largu, jehona e të cilës rikthehej nga përplasja me terrenin shkëmbor që e rrethon. E vetmja zhurmë që prish qetësinë e një peizazhi të mrekullueshëm është ajo e makinave të cilat kanë një qarkullim fort të dendur. Por megjithatë ura lartohet aty, si dëshmi e një kohe tjetër, ende e aftë të mbajë mbi vete gjithfarë vagonash me mallra rifuxho dhe me udhëtarë, të cilët mund të nisin qarkullimin në të ardhmen.

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar ajo cilësohej një nga kryeveprat arkitektonike të ndërtuara në Shqipëri. Ishte një vepër shumë e vështirë inxhinierie, për më tepër kur flitej se në Shqipërinë e atyre viteve, mjetet në dispozicion me të cilat mund të bëhej një urë e kalibrit të tillë, nuk ishin dhe aq të sofistikuara.

Ura e Bushtricës është pjesë e hekurudhës Elbasan – Përrenjas apo më saktë e segmentit Librazhd-Elbasan.

Në kuadrin e ndërtimit të hekurudhave në vendin tonë, të cilat nisën mbas Luftës së Dytë Botërore, ajo Elbasan – Prrenjas u ndërtua mes viteve 1969-1974. Traseja në fjalë ishte e dallueshme nga të tjerat, për shkak të relievit tepër malor, ku duheshin ndërtuar dhe shumë vepra arti, të destinuara si ura dhe tunele, kryesisht.

Hapja e rrugës së hekurt ishte kthyer në një kantier të madh, ku përveç qindra punëtorëve të ndërtimit, inxhinierëve dhe teknikëve, në trase punonin me aksion vullnetar edhe mijëra të rinj universitarë nga e gjithë Shqipëria. Ndaj forcës stabël prej 2400-2600 vetash specialistë dhe punëtorë, paralel i ishin shtuar dhe rreth 10 mijë vullnetarë, të cilët punonin në çdo turn.

Në faqet e Fjalorit Enciklopedik gjendet ky shpjegim: “Ura hekurudhore e Bushtricës është ura më e lartë në vendin tonë me gjatësi 255 m, lartësia 48 m, gjerësia 4 m, e ndërtuar në vitin 1973 në hekurudhën Elbasan-Përrenjas”. Përsa i përket anës inxhinierike në enciklopedi thuhet se “materialet ka 15 hapësira, me themelet prej betoni masiv, këmbët prej betonarmeje, me seksion katërkëndësh. Mbistruktura është me trarë betonarmeje monolite”.

Lexo edhe :  Doktori i madh, doktori i mirë dhe Këlliçi si “xhol”

Ura e Bushtricës i atribuohet si projekt inxhinierit të talentuar Shkëlqim Bumçi i cili në ato vite ishte dhe drejtor i Hekurudhës Elbasan-Përrenjas.

Në një intervistë të dhënë në vitin 2013 dhe të botuar në gazetën “Shekulli”: Agim Mero, ish-Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në disa nga aksionet e mëdha ku ishte përfshirë rinia vullnetare është shprehur: – “Puna më e vështirë ishte në ndërtimin e hekurudhës Elbasan-Përrenjas. Ishin gjithsej 13 tunele dhe disa ura për t’u ndërtuar, më e larta ishte ura e Bushtricës. Por në këtë hekurudhë kishte dhe makineri pune. Erdhën nga Suedia dy makina që përdoreshin për hapjen e tuneleve. Mbi 50 mijë pjesëmarrës punuan në këtë hekurudhë”.

Hekurudha Elbasan – Përrenjas, kalon në një terren të vështirë malor ku u ndërtuan tunele me gjatësi të përgjithshme rreth 4 kilometra. Tuneli më i gjatë ishte ai i ndërtuar në Murrash me gjatësi rreth 990 m. Në vazhdim të hekurudhës për te Guri i Kuq u ndërtua në Qafë Thanë tuneli hekurudhor më i gjatë në vend me gjatësi rreth 3020 m.

Por kohët kanë ndryshuar. Prej vitesh treni është braktisur dhe shqiptarët udhëtimet ia kanë besuar tanimë makinave personale dhe autobuzëve të linjës.

Hekurudha shqiptare ndodhet sot në ditët e saj më të vështira. Në Shqipëri, janë 677 kilometër rrjet hekurudhor, nga këto 447 km janë linja kryesore. Por shumë kilometra të tjerë kanë qenë në shërbim të industrisë, prandaj me sistem hekurudhor kanë qenë të pajisura dhe Porti i Durrësit si dhe Kombinati Metalurgjik.

Hekurudha shqiptare ka pasur në përdorim rreth 100 lokomotiva të tipeve të ndryshme ku kryesonte lokomotiva çeke tip T669, të cilat lëviznin pothuajse 184 vagonë pasagjerësh dhe rreth 2250 vagonë mallrash.

Aktualisht një lokomotivë me dy vagona udhëtarësh vazhdon të funksionojë në linjën Durrës-Elbasan si dhe në linjën Shkodër – Laç.

Megjithëse ka pasur disa projekte për mëkëmbjen e Hekurudhës Shqiptare dhe për ta vënë sërish në eficencë, duket se deri më tani asgjë nuk është bërë realitet.


Të fundit

Spanja kërkon të kapërcejë Marokun, publikohen formacionet zyrtare të skuadrave

Spanja do të përballet me Marokun në 1/8 e Kupës së Botës. Ndeshja fillon në orën 16:00 dhe luhet në...

Mediat e huaja shkruajnë për incidentin e Berishës: Goditet me grusht lideri i opozitës

Lajmi i samitit BE-Ballkani Perëndimor ka fituar vëmendje mediatike edhe nga mediat e huaja, por vëmendje mediake të madhe ka fituar edhe incidenti që...

Uniformat blu reagojnë për sulmin fizik ndaj Berishës

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë Në lidhje me incidentin e ndodhur në orën 12:25, në tubimin e organizuar ditën e sotme, gjatë të cilit shtetasi...

Basha dënon sulmin fizik ndaj Berishës: Kjo ngjarje duhet të hetohet

Lulzim Basha ka reaguar ndaj sulmit të Sali Berishës, që u godit sot nga një shtetas që hyri mes protestuesve.   BASHA: Dënoj ashpërsisht sulmin...

Lajm i fundit/ Bordi i Transparencës ul me tre lekë çmimin e naftës

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 6 Dhjetor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit. Referuar të dhënave...

Lajme të tjera

Web TV