Studiuesi Abaz Pllana, dy dekada me shqiptarët e Francës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mentor Hoxha, Francë

Shqiptarët e Francës përbëjnë një komunitet të rëndësishëm në tokën franke dhe kanë një histori të gjatë dhe të bukur në këtë tokë të lashtë dhe të lavdishme, veçanërisht komuniteti shqiptar i Lionit. Një panoramë brilante mbi veprimtarinë e këtij komuniteti dhe të shqiptarëve më të spikatur në qytetin e tretë më të madh të Francës, na e jep gazetari, prozatori dhe studiuesi i njohur nga Kosova, Abaz Plllana (1969) në studimin e tij voluminoz me 354 faqe me titull, “Dy dekada me shqiptarët e Francës” (Tringa Design, Prishtinë). Ky libër është redaktuar nga Rina Çela dhe Fehmi Plakiqi. Parathënia është bërë nga Ylljet Aliçka,  ambasador i Shqipërisë në Francë dhe UNESCO (2007-2013), i cili ndër të tjera shkruan:  “Është kënaqësi për mua që të shkruaj parathënien e këtij libri, jo vetëm se është shkruar nga një mik, por edhe pse është dëshmi e çmuar e realitetit të komunitetit shqiptar të Lionit, një ndër komunitetet me shtrirjen dhe dendësinë më të madhe të shqiptarëve në Francë.

Kjo dhe për një arësye apo kënaqësi  personale, pasi në harkun kohor të 20 vjetëve veprimtari dhe dëshmi të shoqatës shqiptare në Lion, përkon dhe me një periudhë 5 vjeçare gjatë së cilës kam shërbyer si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Francë. Një koincidencë, kjo e lumtur për një ambasador, kur kujtoj pasionin, ndërgjegjen, patriotizmin, mikpritjen dhe dashurinë që e karakterizon këtë komunitet. Abaz Pllana  frymëzohet nga ndjenja patriotike për bashkëpatriotët e tij dhe, falë përvojës së gjatë si veprimtar i këtij komuniteti, i’a ka arritur të nxjerrë  në pah tërë sakrificat dhe përpjekjet  e komunitetit  shqiptar në Lion me sinqeritet e vërtetësi. Ai i’a ka dalë ta ndriçojë mjegullën e mungesës së informacionit mbi veprimtarinë e komunitetit  shqiptar në Francë. Pllana ka dëshmuar me sinqeritet larminë e veprimtarive kulturore e patriotike të fakteve njerëzore në jetën e tij të zakonshme pa bujë. Të dëshmosh për veprimtarinë 20 vjeçare të komunitetit shqiptar në Lion është sikur të udhëtosh më shumë në kohë se sa në hapësirë. Duke i shprehur dhe një herë urimet dhe simpatinë autorit dhe shqiptarit të talentuar Abaz Pllana, përfitoj të shpreh mirënjohjen time ndaj këtij komuniteti”.

Pasthënia e këtij libri është bërë nga Konsull i Parë i Republikës së Kosovës në Francë, Kadri Dakaj, i cili nën titullin, “Shqiptarët e Lionit, zemra e organizimit shqiptar në Francë”  shkruan:  Të flasim për mërgatën e të mos përmendim punën dhe kontributin e shqiptarëve në Francë përkatësisht në Lion, do të thotë se nuk kemi kompletuar mozaikun shqiptar në diasporë. Para se të filloja punën si Konsull i parë i Republikës së Kosovës në Francë, gjithmonë kam pasur përshtypjen se në Francë gjendet një diasporë e vogël dhe jo e organizuar si duhet. Kur arrita në Francë dhe fillova t’i njoh për së afërmi veprimtarët shqiptarë, e kuptova se takoja personalitete që kishin dhënë kontribut të madh në interes të kombit shqiptar para, gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Për këtë punë të madhe duhen falënderuar shqiptarët në qytetin e Lionit, të cilët ishin zemra e organizimit të shqiptarëve në Francë dhe më gjerë. Falë kontributit dhe punës së palodhur të veprimtarëve të kauzës kombëtare si Abaz Pllana, Fehmi Plakiqi, Xhevat Bislimi, Rina Çela, Avni Bilali e shumë e shumë të tjerë, opinioni francez ka arritur të kuptojë dhe ta ndryshojë në thelb qasjen ndaj çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Shqiptarët që jetojnë në Francë, por edhe të gjithë ata që dëshirojnë të dinë më shumë për jetën dhe veprimtarinë e diasporës shqiptare në Francë, tashmë kanë një adresë, kanë një referim: librin “Dy dekada me shqiptarët e Francës” të autorit Abaz Pllana. Përveç këtij libri, Abaz Pllana ka botuar edhe romanin monografik “Shpresa për gjyshin” (Atunis, Prishtinë, 2008; 2017, 188 faqe), ku me një figuracion të përsosur letrar dhe me një gjuhë të përzgjedhur artistike dhe emotive flet për gjyshin e tij atdhetar, Abaz Hysen Pllanën, i arrestuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe për veprimtarinë e tij patriotike në shërbim të Kosovës.

Për këto dy libra janë botuar artikuj në Kosovë, por edhe në mediat e buletine të njohura franceze në Lyon, ku veçohet artikulli i në “Municipal de Lyon” (Buletini i Bashkisë së Lyonit) dhe artikulli i shkruar nga poeti i njohur francez, Gilbert Gardes (1942), profesor i historisë së Artit në Universitetin e Lyonit dhe Sekretar i SNRS (Qendra Kombëtare  për Hulumtime Shkencore në Francë). Dr. Gardes është autor i dhjetra librave në Francë. Ka krijuar në Lyon “Le Roman de Lyon” (Romani i Lionit) ku në 12 tituj veprash  sipas rendit kronologjik të fakteve rrëfen historinë e qytetit të Lyonit. Gjithashtu ka hartuar e drejtuar enciklopedinë me pesë vëllime me titull, “Grande Encyclopédie du Forez et des communes de la Loire” 1894-1986 (Enciklopedia e Madhe  e Forez dhe e Komunave të Loire, 1894-1986). Ai ka dhënë një kontribut të madh edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, pasi ka botur librin me titull “Guide de l’Albanie” (Guidë për Shqipërinë, Francë 1995), manuali i parë i qytetërimit shqiptar në gjuhën frënge të epokës postkomuniste. Dr. Gardes ka shkruar e botuar edhe shumë artikuj në mediat franceze në mbrojtje të Kosovës dhe të të drejtave të shqiptarëve  në përgjithësi. Ai është përkrahësi më i madh i Kosovës për në UNESCO.  Që nga viti 1997 është Anëtar Nderi i Unionit Ndërkombëtar të Intelektualëve Shqiptarë.

Lexo edhe :  6 shenja për të kuptuar kur dikush gënjen

Krahas rolit si shkrimtar dhe studiues, Abaz Pllana, ka spikatur edhe si gazetar dhe publicist. Ka qenë gazetar te “Kosova Press” (1999-2000), si dhe ka botuar shumë artikuj dhe analiza mbi Kosovën e pasluftës në “Zëri i Kosovës”,  “Koha ditore” etj. Ka qenë  Sekretar i redaksisë dhe  një ndër botuesit e gazetës “Rruga  Jonë” në Lyon dhe moderator i gazetës “Rruga NënëShqipëri”.info . Ka redaktuar edhe disa libra. Edhe vëllai i tij, Ridvan Pllana është shkrimtar, autor disa librave, ku veçohen, “Lundrim” (Lena, Prishtinë, 2022),  “Shtegtim” (Botimet “Lena”, 2018), “Përditshmëri” (“Lena” Prishtinë, 2018). Këto libra janë redaktuar nga Rina Çela-Grasset, ndërsa kopertina, grafika dhe realizimi kompjuterik janë bërë nga Dafina Pllana.

Abaz Pllana ka një kontribut të madh edhe si themelues e drejtues  shoqatash shqiptare në Francë. Është një ndër themeluesit dhe drejtuesit e shoqatës shqiptare “Fan Noli” (1992-2002) dhe i shoqatës “Iliria” në Lyon. Shoqata “Fan Noli” u krijua më 1992 nga një grup atdhetarësh nga Kosova si, Xhevat Bislimi, Adem Zenelaj, Fatmir Idrizaj, Ferat Bislimi, Nazmi Halimi, Shaip Hoxha, Ramize Bejta Bislmimi, si dhe nga mërgimtarët: Azem Berisha, Bashkim Bajramaj, Rruzhdi Zenelaj, Aramik Mergedian, Ajkuna Idrizaj, Ismet Elezi etj.

Shoqata “Iliria” u krijua më 6 qershor 2003. Ndër themeluesit e kësaj shoqate veçohen, Ledia Dema, profesoreshë e Semantikës në Universitetin e Lyonit,  Abaz Pllana, Xhevat Bislimi (1961), deputet i Kosovës (2004), Rina Çela (1974), Avni Bilali (1971), Ferat Bislimi (1966), Rakip Gegaj (1958), Sherif Basha, Violeta Kaceli (1957), Shaip Hoxha (1953), Driton Bislimi, etj.

Abazi ka mbi 31 vjet që jeton në Lion dhe është ndër shqiptarët më të njohur të komunitetit shqiptar në Lyon. Ai ka marrë pjesë në tubime dhe aktivitete të shumta atdhetare, letrare dhe kulturore  të shqiptarëve të Francës, si dhe ka qenë organizator në shumë prej tyre. Ka qenë një ndër organizatorët dhe drejtuesi e protestave për Kosovën të zhvilluar në Lyon dhe në Francë nga shqiptarët e Francës, ku vecohet protesta në Place Bellecour në Lyon. Për veprimtarinë e tij atdhetare është nderuar me Mirënjohje (2001) nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ka lindur më 6 shkurt 1969 në Obeliq të Prishtinës. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Elektronik të Universitetit të Prishtinës (1988-1991) dhe studimet për Informatikë dhe Telekomunikacion në Universitetin e Grenoble në Francë (2004-2005).  Nga marsi i vitit

1993 banon në Lyon. Që në ditët e para që u vendos në Lyon u bë anëtar aktiv dhe mbështetës i programit dhe veprimtarisë së Shoqërisë Kulturore Artistike  Shqiptare “Fan Noli”. Në Mbledhjen e Dytë të përgjithshme të saj, zgjidhet, anëtar i Pleqësisë apo i Kryesisë. Në mars u zgjodh kryetar. Ishte anëtar i Këshillit Popullor të LPK-së në Lion dhe i Kryesisë së Degës së kësaj organizate në Francë, si dhe një nga themeluesit e Fondit të UÇK-së “Vendlindja thërret”.  Është martuar në Francë më 1995 me një shqiptare nga Kosova me të cilën ka tre fëmijë: Një djalë: Agoni (1996), i diplomuar për informatikë dhe dy vajza: Dafina (1998, master për Marketing ) dhe Mimoza (2002), në vit të fundit për Komunikacion.  Që nga viti 1993, Abazi punon si menaxher në një ndërmarrje të mesme në Lion, e cila deri më tani ka punësuar mbi 80 shqiptarë. Aktualisht punojnë në këtë ndërmarrje mbi 40 shqiptarë.

Të fundit

Vaji i peshkut, a është zgjidhja e duhur për stresin dhe depresionin?

Ekspertët janë të mendimit se suplementët e vajit të peshkut mund të lehtësojnë simptomat e depresionit në njerëz të...

Tre shenjat e horoskopit që u japin gjithnjë para borxh miqve

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është tjetër gjë krahasuar me disa...

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor, Llama 3, dhe një gjenerues...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Lajme të tjera

Web TV