Thirrje për një rilindje shpirtërore…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

– filozofia mjerane e shoqërisë tonë nga jeta në një libër –

Nga Visar Zhiti

1.

Të rindërtojmë Qiellin Shqiptar, sepse është përmbysur dhe po kalbet, – duket se dëgjoj zërin metaforik, të shqetësuar skajshëm, më saktë të pakënaqur thellë, të intelektualit Robert Martiko dhe kuptohet, fjala është për ëndrën e madhe përbashkuese, për jetën shpirtërore, që është dhe përjetimi i vërtetë.

Kemi mbetur një shoqëri e paditur, në errësirën mitike të “Shpellës së Platonit”, shkruan ai, ku robërit e lidhur brenda saj nuk e dinë dhe s’e besojnë se jashtë është drita dhe ç’është më dëshpëruesja, shpresëçoroditëse, nuk ka përpjekje serioze e as frymëzues për rrugëdalje…

2.

Kam ndër duar librin “Qiell i rrëzuar në tokë” të Robert Martikos, i botuar këtë vit dhe për të është fjala, një tekst i mendimit filozofik, apologji e kundërshtimit dhe stigmatizim i gjendjes mjerane ku ka rënë shpirtërisht një shoqëri. Është një britmë për të ndryshuar sa më parë, duke filluar me veten…

3.

Se si më erdhi në dorë ky libër, fare zakonshëm, është fakt i parëndësishëm, por dua ta rrëfej se prapë më duket se përmban nga ajo dëshira permanente për të mbledhur dritë, ja, ashtu në formën e dijes parake, që dhe vetë autori R. M. duket se e kërkon dhe e nxit për këdo, për shoqërinë në përgjithësi.

Qiell i rrëzuar në tokë” bashkë me “Lasgush Poradeci – Poeti i dashurisë së përjetëshme”, një përmbledhje kjo, e vogël me format xhepi e disa prej lirikave inkadeshente lasgushiane, dy libra, të cilët m’i dha Dr. Minella Aleksi, mik dhe kritik letrar, që ia kishte dhënë poeti Dalan Luzaj në Çikago, me porosi nga poetja Ilirjana Sulkuqi që ka ikur nga New Yorku, ku banon, për disa aktivitete në atdhe, ajo ishte dhe përgatitësja e përmbledhjes poetike dhe të dy librat në fjalë shoh se gjithsesi kanë një lidhje të brendshme midis tyre, se edhe proza filozofike e R. Martikos ka protagonist shpirtëror vetë poetin qiellor.

Me librat ishte dhe një stilolaps i bardhë me një mbishkrim anglisht: “Lasgush Poradeci – The poet of eternal love (1899-1987)”. U zgjata për të thënë se është gëzim ky përkujdes, që shqiptarët në SHBA e kërkojnë njëri-tjetrin për t’i dhënë librat e gjuhës-amë, i përhapin mes tyre, i bisedojnë.

E gjejmë librin, por edhe na gjen.

4.

“Qiell i rrëzuar në tokë” me nëntitull “Lasgush Poradeci”, duket si një risi, gjini e papërcaktuar letrare, qëllimisht besoj, midis esesë dhe romanit filozofik pa ngjarje, ku veprojnë mendimet dhe idetë, kohezini midis tyre, megjithatë ka përhijime personazhesh, Autorin dhe Hijen si alter ego e tij, që dialogojnë, ringrenë institucionin e bisedës, përshfaqet intekektuali shterpë me njohje në botë, por pa njohuritë themelore të botës shpirtërore, përfaqësuesi i intekektualëve të regjimit, shërbëtorë pa shpirt të tij dhe si kundërvënie ndaj tyre, sfidë kopesë së intekektualëve pa formim, materialistë vrastarë, është ylli i poetëve, Lasgushi Qiellor, shembëlltyrë dhe udhërrëfyes, ideal shpirti, dritat e të cilit llaps gjatë gjithë leximit të librit.

Me të ardhur fitimtarët në pushtet në 1944, ateistë të doktrinës materialiste të Marksit, që as atë s’e njihin, Romantiku i madh shqiptar nuk do të shkruajë më, thyhet pena për mos t’i shërbyer së keqes.

5.

Por kanë kaluar 3 dekata në posdiktaturë, pritej ndryshim i madh apo fillimet e ndjeshme të tij, dëshira dhe projektet e lidershpit që do t’I printe ndryshimit.

Ndërkaq Robert Martiko si ndihmesë na shpalos pasionin për filozofinë e antikitetit grek dhe atë modern gjermanik, për artin e Rilindjes italiane, për Europën e qytetëruar si baza të gjithë kulturës Perëndimore, të frymës së lirisë revolucionizuese për një sistem të përparuar demokratik. Dhe ky do të ishte Qielli, sipas tij, i jetës së një populli, që në Shqipëri është rrëzuar në baltë.

Lexo edhe :  Ndahet nga jeta mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku!

Më shumë se sa faji i lidershipit politik, autori mendon me mllef se është i intelektualëve që rriti dhe edukoi sistemi diktatorial i “Lindjes së kuqe”, me plogështi shekullore të shpirtit, mashtues të mashtruar, parazitë mishngrënës të atdheut dhe e dishepujve te tyre.

6.

Një shoqëri e frikës  jeton në “kohë psikologjike”. Sepse frika, sipas filozofit Krishnamurt, është vetëm kohë psikologjike…

7.

Kjo të jetë dhe koha që vazhdon dhe përjeton shoqëria shqiptare? Që përmbush faqet e librit të Robert Martikos, kohë e atdheut të tij…

Prandaj dhe për atë është emergjente edukimi i shpirtit, më i vështiri, më i pandryshueshmi në shekuj, më i duhuri, nëse duam ta ringremë qiellin mbi kryet tanë, për një jetë me cilësi njerëzore, ku duhej të zotërojë shpirtërorja, duke u përftuar kështu “shtesë kohe në kohë”, atë të njeriut, të civilizimit të tij të pandërprerë, se Lindja me diktaturat e saj dhe intekektualët e diktaturës ka bërë veç hapa pas në histori. Se edhe koha edhe shpirti kanë historinë e tyre.

Dhe kërkohet ndihma e poetit, e shëmbëlltyrës se tij qiellore. Robert Martiko ka zgjedhur Lasgushin dhe më shumë se sa poet, duhet Lasgushi njeri, simbol i shpirtedukuesit. Atë e gjeti diktatura si parnasian të njohur, por ai nuk shkruajti më në diktaturë, thuri poemën e mallkuar të heshtjes, e rëndë për një poet, kur kolegë të tij kishin marrë arratinë a futeshin burgjeve dhe vazhdonin eposin e kundërshtimit të madh, ku atje mund të takohej dhe At’ Pjetër Meshkalla, i adhuruar nga autori si qendrestar, si “mbinjeriu niçean”, ndërkohë dhe bashkevuajtës i babait të tij, të autorit, pra, në ferr.

Heshtja e Lasgushit, kur si poet edhe mund të shkruante fshehurazi duke mos botuar, donte të thoshte se kishte mbërritur antikoha, ku qielli po zevendesohej me kupolën e ferrobetontë të bunkerëve, ngjashëm me Shpellën e Platonit.

8.

Përtej heshtjes lasgushiane, krahas intelektualëve profanë të regjimit të egër, në “Shpellën e Platonit”, po krijoheshin poetët e errësirës, që jo vetëm për shkak të territ, por dhe të prangave në duar, ata nuk po e shkruanin dot, metaforikisht kjo, por po e krijonin poezinë e dritës së munguar, duke e belbëzuar atë, ashtu me mend… dhe mendja, si të thuash, mendimi dhe idetë, me gjakimin e ngritjes në latësinë qiellore, janë dhe interesi parësor i librit, prandaj dhe po i kthehemi shfletimit të tij.

E ardhmja, e thotë shkoqur Robert Martiko, nuk mund të ndërtohet me materialet e prishura të kohës së mëparshme. Shoqëria shqiptare sot, “përveç rrënimit marksist, – vazhdon autopsinë autori, – trashêgon nga e kaluara dhe një lloj tipi ndërgjegjeje, tip bizanti, tip Nastradini, apo tip Omar Kajami, që gjithnjë përmban ‘Fatin’ brenda saj. Nuk ka gjë më të tmerrshme se kjo.” Ai përgjithësisht zbraz avujt e tmerrit në këtë libër, atë ideor, kaosin e brendshëm si kaos i për-së-jashtmes, thyerje mendimesh si gjendje gjysmake nga epoka, etj.

9.

Ndërkaq arrihet në një përcaktim-akuzë, i rrallë dhe i rëndësishëm si dhe për stilistikë: “Nëse ‘Testamenti i Ri’ është konsideruar libri i vetëm policor në botë, ku autori i heq maskën lexuesit si fajtor, librat e Realizmit Socialist ishin libra policorë, ku bashkëpunëtorë në krim qenë vetë shkrimtarët.”

Duhet shkrimtari tjetër poet, që rilind Skënderbeun si energji shpirtërore

dhe Nënë Terezën si shenjte.

Ndryshimin e beson, nëse nis si ndryshim përbrenda njeriut, e gjitha kjo do dufe shpirti për shpirtin, për shpëtimin shpirtëror të atdheut. Kjo do të ishte gjeneza, Big Bang-u planetar i së ardhmes.

10.

Këtu qendron dhe risia e kumtit të “Qiellit të rrëzuar në tokë”, që ka më të rëndësishme thirrjen, se sa përmbajtjen, përkryerjen si tekst kritik, me gurin filozofal të ashpër, të pagdhëndur, mund ta skalitin në ardhmëri duart e shpirtit si vetveten, më e vêshtira kjo si bëmë, përndryshe nuk ngrihet dot qielli ynë i rënë.

 


Të fundit

Satelitët do të zbulojnë parcelat me kanabis/ Rama: Monitorim në të gjithë territorin!

Në ambientet e kryeministrisë po prezantohet shërbimi satelitor i në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të mbikqyrjes së territorit...

Transferim dhe dëshira, ja kërkesat më absurde të kërkuara nga lojtarët për kontratë

Kontratat gjithnjë e më shumë faraonike për futbollistët e talentuar tashmë janë të zakonshme në futboll, por ndonjëherë kërkesat për klubet janë vërtet absurde. Para...

Mitsotakis: Kushdo që shkel kufijtë dënohet, ujërat tona janë të pathyeshme

Kyriakos Mitsotakis i ka dërguar mesazhe Turqisë dhe Recep Tayyip Erdogan mëngjesin e së enjtes gjatë ceremonisë së emërimit të raketës “Vlachakos.” Mitsotakis tha: Ujërat tona...

Albania 1 dhe Albania 2 së shpejti në hapësirë, nënshkruhet kontrata 6 milionë dollarë

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije se ditën e sotme do të nënshkruhet kontrata 6 milion dollarëshe e shërbimit satelitor. Peleshi...

Trazirat hindu me myslimanët nuk duhet të ndodhin në Britani

Funerali i Madhërisë së Saj solli në plan të parë fenë, gjë që është e kuptueshme. Nga JAMES WHALE Përveç funeralit të lavdishëm në Westminster Abbey,...

Lajme të tjera

Web TV