“Pas shkarkimit të Todi Lubonjës si liberal, Enver Hoxha riktheu Nanon në krye të…”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Vasil Qesari

Pjesa e dymbëdhjetë

Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?

Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.

Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

Vendet armike fqinje kishin intensifikuar më tej propagandën revizionisto – imperialiste, duke ngritur përreth kufijve përforcues të fuqishëm, gjë që bënte të mundur ndjekjen e emisioneve të tyre në shumë zona të vendit. Në rrethanat e reja, pra të helmit dhe pilulave të sheqerosura që armiqtë e jashtëm dërgonin nëpërmjet eterit, Partia duhej të merrte masa urgjente, jo vetëm për mbrojtje por edhe për kundërsulm. Pra, imazheve marramendëse e provokuese që borgjezia reaksionare hidhte qëllimisht drejt kështjellës socialiste, u duhej përgjigjur me zërin dhe imazhet e propagandës revolucionare të Partisë.

 

 

Përveç kësaj, sipas logjikës së Partisë, ngritja e Televizionit Shqiptar, do të kish rendësi edhe për botën e jashtme. Ai do të rrezatonte ngado idetë e mësimet e shokut Enver si edhe arritjet e përvojën e Shqipërisë së re. Jetën e lumtur të popullit, punën dhe vetëmohimin e njeriut të ri. Udhëheqja qe e bindur se, tashmë kish ardhur koha që, për mjete të tilla të fuqishme e të sofistikuara komunikimi me masat, ia vlente të sakrifikoje, pavarësisht nga kostoja e tyre e lartë dhe investimet e kushtueshme.

Ndërkohë, shteti totalitar do të mund ta përdorte Televizionin edhe për diçka tjetër, tepër të rëndësishme. Nëpërmjet tij ai do të përhapte njëkohësisht frikën, shantazhin e presionin, shoqëruar me thirrjet për vigjilencë ndaj armiqve, thellim të luftës së klasave, disiplinë, vetmonim, shtrëngim të radhëve e, mbi të gjitha, me kërcënime ndaj kujtdo që do guxonte ta cenonte atë sado pak…!

Në këtë kuptim, ekrani i tij do të ishte, në një farë mënyrë një “Kamare turpi”, ku do t’i vendosej koka kujtdo që do të guxonte të ngrinte krye, pavarësisht nga trajtat se si ajo do të shfaqej: sallë gjyqi, rezolutë pleniumi, kryeartikull gazete, fjalim i diktatorit apo pamje kufomash të njerëzve të vrarë në kufi e të tërhequr nëpër rrugë për t’u kallur tmerrin atyre që kishin ndërmend të arratiseshin.

Në atë drejtim, radioja kish bërë me kohë hapa të mëdha përpara. Qysh në dhjetor të 1966-ës, kinezët kishin instaluar një radio-stacion tejet të fuqishëm, pranë Shijakut. Ai transmetonte ditë e natë emisione në 24 gjuhë të huaja, të cilat dëgjoheshin gjer në stepat e largëta të Vladivostokut e rrafshnaltat e Andeve në Amerikës Latine. Në zyrat e studiot e katit të tretë të godinës së Radios në Tiranë, dhjetëra redaktorë, përkthyes e folës, punonin me ngarkesë të plotë e me tri turne.

Emisionet propagandistike qenë vazhdimisht monotone e stereotipe. Ato trajtonin idetë e pikëpamjet politike të PPSH-së, “fitoret e socializmit në Shqipëri, lajmet e Hsinhuasë e artikujt e ‘Zhenminzhibaos’ mbi sukseset e Kinës së Mao Ce Dunit, veprimtaritë e grupeve marksiste-leniniste në botë, varfërinë e masave punonjëse në vendet kapitaliste, ngritjen e vazhdueshme të çmimeve, grevat, drogën, prostitucionin” etj.

Fryma revolucionare e Radio-Tiranës në gjuhë të huaja qe bërë aq internacionaliste sa që, edhe sinjali i çeljes së emisioneve të saj, nuk ishte himni kombëtar, por kënga-himn e Shqipërisë socialiste “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën dorë pushkën”. Për mjaft dëgjues të huaj ajo qe bërë aq e njohur sa që, një mik italian kur erdhi për vizitë në Shqipëri më 1996, tregonte se:

… gjëja e vetme, që mbaj mend mirë nga vendi juaj, është sigla e emisioneve të Radio – Tiranës. Për vite me radhë, që kur isha adoleshent e sa u bëra burrë, sa herë që hapja radion e bëja një “shëtitje” nëpër frekuenca, sigla e saj karakteristike ishte e pranishme kudo.

Edhe pse kishin kaluar vite nga ajo epokë, miku im, arrinte ta imitonte atë endé me një saktësi të habitshme, gjë që na bënte të shkriheshim së qeshuri të gjithëve…!

REDAKSIA E (DIZ) INFORMACIONIT

Ish vërtet një çudi! As që më kish shkuar kurrë ndër mend se do vinte një ditë që do të emërohesha punonjës i Televizionit, pikërisht, telekronist i rrethit të Vlorës. Nga kujtimi i asaj mbrëmje të largët të jetës studentore, kur kisha marrë pjesë për herë të parë në një transmetim eksperimental televiziv, kishin kaluar shumë kohë e televizioni qe bërë një realitet i përditshëm.

Megjithatë, numri i aparateve marrës qe endé shumë i kufizuar, edhe pse në Durrës ish ngritur një uzinë për montimin e tyre. Televizori ende mbetej luks i rrallë e privilegj i një kategorie të caktuar njerëzish. E kjo ndodhte, jo vetëm për faktin se një punëtori apo qoftë edhe një nëpunësi, i duhej të punonte një vit të tërë për ta blerë atë por edhe nga që shitja e tyre bëhej me autorizime speciale të hartuara nga komitetet e partisë e që pastaj shpërndaheshin sipas posteve, detyrave, dekoratave, kontributit të dhenë në luftën Nacional-çlirimtare etj.

Ishte dita ime e parë e punës…!

Në redaksinë e informacionit në Tiranë u paraqita në fund të korrikut. Shefi, një minoritar i cili sapo qe emëruar pasi kish bërë katër a pesë vjet qarkullim në gazetën lokale të Fierit, më priti mirë e më dha porositë e para për punën e re. Ndërkohë, kontakti me mjediset e televizionit ish një përvojë krejt origjinale e, për të qenë i sinqertë, pothuajse ekzaltuese. Godina, zyrat, studiot, sallat e montazhit qenë tepër komode e me ajër të kondicionuar. Aparaturat e teknika, ishin në përgjithësi kineze, por kish edhe të blera nga firma e njohur e prodhimeve elektronike franceze Thomson. Një ambient pune me të vërtet modern, të paktën për ne që s’kishim parë kurrë, më mirë e më tepër se aq.

Por, si për ters, fillimi i punës në televizion, qëlloi me një atmosferë politike tepër të frikshme, të tendosur e komplekse. Për dreq, aty kisha venë këmbë, siç thotë populli, në sahat të lig. Pikërisht, mbas punimeve të plenumit të IV-të Komitetit Qendror të PPSh-së, kushtuar luftës kundër shfaqjeve të huaja. Personeli i Televizionit, i cili qe cilësuar nga udhëheqja e lartë si shtabi i propagandës borgjeze, kryesisht për shkak të skandalit të Festivalit të XI-të të Këngës, kalonte një ankth e frikë të pa treguar.

Aty kish nisur operacioni fshesa. Për ditë bëheshin ndryshime. Disa largoheshin nga detyra e të tjerë, të rinj, emëroheshin. Caktimin e kuadrit e kish marrë në dorë vetë Komiteti Qendror i PPSH-së. Mbas largimit e dënimit të ish-drejtorit liberal, Todi Lubonja, pritej që gjendja të stabilizohej me emërimin e drejtuesit të ri.

Lexo edhe :  Impresionohet gazetari britanik: Burrat shqiptarë të pashëm e të egër nga mustaqet e zeza

Materiali i plotësuar me një numër kandidaturash, me emra personalitetesh, si anëtarë të Komitetit Qendror, të Qeverisë, titullarë dikasteresh etj., iu paraqit përfundimisht Enver Hoxhës, i cili mbasi e studioi atë me kujdes, bëri afërsisht këtë shënim mbi materialin: “Në Radio-Televizion të kthehet Thanasi. Në fushën profesionale mangësi edhe mund të ketë, por ama, proçka si ato të Todit nuk do na bëjë. Nënshkruar: Enver Hoxha.

Rikthimi triumfal i Thanas Nanos si drejtor i përgjithshëm, qe shoqëruar me një ristrukturim të gjithë veprimtarisë në institucion me qëllim që të shkuleshin nga rrënjët e të shporreshin gjithë ata që kishin mbështetur e propaganduar shfaqjet e huaja. Ndërkohë, drejtor i Televizionit dhe për pak kohë, vazhdonte të mbetej Klimi Misja. Një burrë me pamjen e një njeriu gjithmonë të sëmurë, i cili ecte nëpër korridore e studio, vazhdimisht i heshtur e si hije.

Emërime të reja ishin bërë pothuajse nëpër të gjitha redaksitë, emisionet e të cilave ishin ristrukturuar. Tani e tutje, çdo gjë do të vëzhgohej e kontrollohej me syrin vigjilent të dyshimit, ndërkohë që:

… mikrofoni e kamera u shpallën ‘të shenjta’ e të pacenueshme, larg çdo ndikimi të punës armiqësore e të shfaqjeve të huaja. Redaksitë e programacionit u zbrazën nga emisionet, filmat, koncertet, incizimet muzikore të huaja e të vendit që mendohej se mund t’i sillnin kokëçarje opinionit zyrtar.

Këtej e tutje çdo gjë, çdo emision do të përgatitej me forcat tona dhe asnjë prej tyre, duke përjashtuar Emisionin e Lajmeve nuk do të jepej kurrë direkt, përkundrazi do të kontrolloheshin me radhë, duke filluar nga përgjegjësit e redaksive e gjer te drejtori e shumë herë edhe nga instruktorë të sektorit të shtypit të KQ të Partisë.

… Aty nga fundi i korrikut të vitit 1974, gjithë telekronistët e rretheve u thirrën në Tiranë, për një mbledhje urgjent. Kur mbërritëm, mësuam se, arsyeja qe prezantimi i drejtorit të ri. Në studion më të madhe të Radios, aty ku zhvillonte provat orkestra simfonike e RTSH-së, qenë ngjeshur mbi treqind punonjës të Televizionit. Pa shumë ceremoni para mikrofonit dhe një tavoline tepër të gjatë mbuluar me cohë të kuqe, dolën tre vetë me fytyra të ngrysura, tamam sikur do të jepnin një lajm mortor.

Shefi i sektorit të Shtypit në Komitetin Qendror, Miti Tona (fytyra e të cilit, nuk di pse, gjithmonë më kujtonte portretin e kineastit amerikan, regjisorit të shquar të filmave suspens, Alfred Hitchcock), shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm Thanas Nano, komunikoi emërimin dhe prezantoi drejtorin e ri të Televizionit, Marash Hajati.

Në përgjithësi, siç dëgjova nga ca kolegë, emërimi i tij u prit mirë sepse, të paktën thuhej se ish gazetar i zoti dhe e njihte shtypin. Me orientimet e reja që vinin nga lart, puna në redaksinë e informacionit sa vinte e bëhej më e vështirë, e kërkesat, gjithmonë e më të shtrënguara. Telekronistët e rretheve, të cilët ishin kontingjent i asaj redaksie, duhej t’a furnizonin atë gjithmonë e më tepër me reportazhe, kronika e lajme të filmuara në të katër anët e vendit.

Këtej e tutje, në çdo rast theksohej se: informacioni televiziv do të qe pikërisht zemra e propagandës së Partisë e, rrjedhimisht, redaksia do bëhej më e madhja në krejt institucionin. Një ekip prej më tepër se 30 vetash, do të punonin pa pushim për t’i transmetuar popullit, direkt e flakë për flakë, orientimet, direktivat dhe vendimet e Partisë. Gazetarët dhe operatorët që mbulonin ngjarjet në kryeqytet, përbenin një bërthamë më vete. Ndonjëri prej tyre, bile, kish fituar me kohë edhe statusin vedette. I tillë qe rasti i A.G.

Kulti i atij gazetari, i cili cilësohej si kronisti i udhëheqjes, qe bërë aq i madh sa që, dhe kur bënte vaki të ish i sëmurë, e ngrinin nga shtrati. Gazetari i ngjarjeve të mëdha dhe shoqëruesi i përhershëm i Enver Hoxhës, konsiderohej i pazëvendësueshëm dhe i pa arritshëm (Ndërkohë që, tekstet e përgatitura prej tij, në më të shumtën e rasteve, thuhej se s’qenë gjë tjetër, veçse kopje të lajmeve të ATSH-së ose thjesht plagjiatura të artikujve të “Zërit të Popullit” ).

Ndërsa, redaktorë të tjerë si, Halil L, Tefta R., Milto B., e të tjerë, konsideroheshin të zakonshëm e, as që bëhej fjalë, të kishin karizmën e të parit. Ndërsa, ndër telekronistet e rretheve, qenë: Ymer B. i Shkodrës, i cili kish mbaruar shkollën e lartë për aktorë e, s’dihej pse kish lenë teatrin dhe i qe kushtuar propagandës së Partisë. Ndue U., i Tropojës, që kish filluar karrierën publicistike qysh në fakultetin e letërsisë, me botimin e një libri kushtuar heroinës Shkurte Pal Vata.

Dhimiter L. i Korçës, një burrë i heshtur dhe i qetë, i cili lavdërohej në çdo mbledhje redaksie. Ilia K., i Fierit, i dashuruar mbas vendlindjes së tij, Libofshës. Njeri i urtë e me shpirt poeti por, gjithmonë, me një vështrim pesimist për jetën. (Në kundërshtim me natyrën e punës, e cila kërkonte entuziazëm e optimizëm revolucionar). Namik G., i Beratit, tip praktik dhe miku i të gjithë sekretarëve të parë të rrethit të tij. Xhelal M., i Mirditës, hokatar, i qeshur, dinamik dhe i shoqërueshëm…!

Telekronistët e rretheve, misionarët e propagandës në bazë, për çdo muaj thirreshin rregullisht në mbledhjet e redaksisë për të marrë pjesë në të ashtuquajturat mbledhje – orientimi, të cilat qenë sintezë e direktivave të Partisë për propagandën televizive. Duhet thënë se, së pari, orientimet, linjat dhe drejtimet e propagandës, i jepte në një mbledhje të veçantë vetë drejtori i Televizionit, i cili, nga ana e tij, i merrte ato nga sektori i Shtypit të K.Q. të PPSH-së. Ato komunikoheshin të detajuara e për çdo redaksi, në mbledhjet mujore të cilat, zakonisht, organizoheshin në studion nr 2, ku merrte pjesë edhe gjithë personeli i Televizionit.

Drejtori, në vija të përgjithshme, bënte së pari analizën e punës së muajit para ardhës duke mëshuar fjalën sidomos në vërejtjet e udhëheqjes për emisione, kronika a persona të intervistuar në Televizion. (Në atë drejtim, dukej se Manush Myftiu, ish ndër më grindavecët e Byrosë Politike. Ai, siç dukej, pjesën më të madhe të kohës e kalonte para televizorit). Pastaj ai, komunikonte orientimet për muajin pasardhës e përcaktonte drejtimet ku duhej të përqendrohej programi, puna e planet realizuese të redaksive, sipas shqetësimeve që kish Partia. Bie fjala, si duheshin mbështetur direktivat e saj në fusha të ndryshme të ideologjisë, ekonomisë e jetës. Cilat tema e problematika do të trajtohesh me prioritet etj.

Me të mbaruar mbledhja e madhe, siç quhej zakonisht ajo e zhvilluar me drejtorin, çdo redaksi vazhdonte pastaj me mbledhjet e kolektivave përkatës. Kësisoj, edhe në redaksinë tonë, niste mbledhja tjetër e vogël. Shefi, bënte bilancin negativ apo pozitiv të punës së telekronistëve, e cila zakonisht vlerësohej mbi bazën e numrit të kronikave të realizuara. Pastaj, në mënyrë të detajuar e për çdo rreth, ai përcaktonte tematikën e subjektet konkrete të kronikave televizive që do të realizoheshin për muajin në vijim.

Enver Hoxha Nano

Por, për telekronistët e rretheve, radha e mbledhjeve me orientime nuk mbaronte me aq. Ajo vijonte me të tjera, të zhvilluara me sekretarët e komiteteve të partisë të rretheve përkatës, me kryetarët e komiteteve ekzekutive, instruktorët e propagandës etj. Për 20 vjet me radhë, për aq kohë sa punova si telekronist, fryma, mënyrat, metoda e punës dhe drejtimet e propagandës së televizionit, mbetën po ato. Të njëjtat tema, të njëjtat subjekte, të njëjtat rubrika, të njëjtat kronika qoftë nga ana filmike, qoftë si përmbajtje e bile, edhe si stil e mënyrë të shkruari.

Dhe kjo ishte e natyrshme, po të kemi parasysh se, në rrjedhën e viteve edhe shqetësimet e Partisë ishin vazhdimisht po ato. Sipas situatave e konjukturave të ndryshme politike, në propagandën televizive, herë kishin prioritet e mëshoheshin problemet ideologjike e herë të tjera, ato ekonomike. Kështu, në një farë mënyre, sipas tematikës e natyrës së lajmeve që zinin faqet e para të shtypit apo emisionet e Radio-Televizionit, mund të përcaktoje pa vështirësi edhe sikletet e Partisë dhe situatën në vend.

Konkretisht, bie fjala, pas vitit 1973, sipas orientimeve të plenumit të IV-të Komitetit Qendror, në plan të parë doli propaganda ideologjike e cila, rrjedhimisht, la në hije problemet e mprehta ekonomike. (Qe koha e Revolucionit Kulturor por edhe e përfitimit nga kreditë e subvencionet e mëdha nga Kina). Përkundrazi, pas prishjes me aleaten aziatike e ndërprerjen e ndihmave, theksi e gjithë bateritë e propagandës, u spostuan nga problemet ideologjike në ato ekonomike.

(Ish koha kur bëhej fjalë për mbijetesë, e shteti e kish lakun në grykë)./Memorie.al

Të fundit

Mjeku zbulon shifrat e frikshme, ja sa persona vdesin nga kanceri në Shqipëri

Mjeku Ilir Alimehmeti u shpreh se në vendin tonë 9 persona humbin jetën nga kanceri. Sipas tij, statistikat mund të...

Dosja ‘Sterilizimi’/ Pasi refuzoi të paguajë 10 mln lekë, Beqaj ‘ngujohet’ në SPAK…

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj kërkon që të njihet me aktet e dosjes sa i takon çështjes së sterilizimit. Teksa SPAK ka bërë me...

Parku i Madh i Liqenit është më i ndriçuar se asnjëherë me llambat LED


Paralelisht me transforminin e ndriçimit të rrugëve në kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka vendosur ndriçim LED edhe në Parkun e Liqenit Artificial. Të apasionuarit pas...

Bëjnë paqe? Heidi dhe Romeo puthen dhe përqafohen në oborr

Heidi dhe Romeo krijuan një romancë brenda Big Brother VIP e cila përfundoi shumë herët. Dyshja është parë çdo ditë teksa ‘e vuan’ ndarjen nga...

Ushqimet që duhet të hani nëse doni që të zgjasni më shumë në shtrat

Përtej “komës ushqimore” kur hani shumë dhe ndiheni super të fryrë, ose kur keni atë ndjesinë e stomakut plot, duket se ka disa ushqime...

Lajme të tjera

Web TV