Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në hapjen e festivalit Peza Adventure , ka thënë se Tirana gjithnjë e më shumë po kthehet në një pol shumëdimensional sa i përket sporteve, duke përmendur edhe triumfatorët, të cilët vetëm vitin e fundit i kanë dhënë Shqipërisë tre medalje ari.
“Kemi bërë progres në shumë disiplina sportive: Jemi kampionë europe në atletikë, jemi kampionë bote në mundje dhe në peshëngritje; tashmë, do të duhet të inkurajojmë edhe sportistët që ta bëjnë pjesë të refrenit tonë edhe sportin e hipizmit, të qenit afër me natyrën, jetën e shëndetshme,” u shpreh ai.
Tirana – tha Veliaj – është e mbushur si kurrë më parë me turistë, por edhe me mjaft aktivitete. “Para një jave kishim Festivalin e Nomadëve Digjitalë, pastaj festën e verës “Made in Tirana”,” tha ai, duke shtuar se së shpejti produktet dhe eventet lokale do kthehen në ‘brand’ për çdo lokalitet të Tiranës.
Veliaj nuk la pa nënvizuar edhe numrin e madh të turistëve, që këtë vit kanë vizituar Tiranën, pikërisht të tërhequr nga ky ‘boom’ aktivitetesh.
“Ka qenë ndoshta viti më i paharruar i Tiranës, për sa i takon aktiviteteve. Për herë të parë, pa mbaruar viti, kemi kaluar numrin e turistëve krahasuar me numrin e banorëve. Nëse vazhdojmë me këtë trend, nëse hotelet i kemi plot, nëse restorantet, siç pashë duke ardhur në Pezë, i kemi plot, këto janë të gjitha para që lëvizin në ekonomi,” tha Veliaj.