Italia kthehet djathtas. Fratelli d’Italia është partia e parë dhe, kur numërimi pothuajse po përfundon, mbledh 26.10%. Qendra e djathtë – 44.05% – merr një shumicë të qartë në Parlamentin e ri. Në koalicionin fitues, Lega ra ndjeshëm, 8,89%, Forza Italia me 8,27%.
Giorgia Meloni, nga partia radikale, Fratelli d’Italia mund të zgjidhet kryeministrja e parë femër e Italisë dhe kjo do të ishte historike por askush në Bruksel nuk është i ekzaltuar. Të vetmit zëra ‘perëndimorë’ që kanë uruar Melonin për fitoren janë Le Pen në Francë dhe Orban në Hungari, dhe ata ekstremistë të djathtë që shpesh e kanë bërë me ‘dhimbje koke’ BE-në.
Në Shqipëri, edhe Ilir Meta e Sali Berisha e kanë uruar lideren.
Një fitore historike të së djathtës, e ka cilësuar ish-kryeministri Sali Berisha, triumfin e qendrës së djathtë në Itali. Kreu i ‘Rithemelimit’ që pretendon se po rikthen vlerat konservatore tek e djathta shqiptare, u shpreh se fitorja është fitorja e shoqërive të lira, e familjes e atdhetarisë dhe e atdheut.
Duke i uruar fitoren, kryeministres Meloni, Berisha tha se vlerat në të cilat ajo beson, janë vlera që gjithnjë e më shumë po triumfojnë në Europë.
‘Në Itali, fituan Georgia Meloni, Mateo Salvini, Silvio Berluskoni, aleatët tanë tradicionalë. Sot, Italia është në një moment historik. Meloni, sipas votës së qytetarëve italianë, do jetë kryeministrja reformatore e ardhshme e Italisë.
Fitorja e zonjës Meloni dhe koalicionit që ajo udhëhoqi, është fitore e vlerave konservatore më të arrira të shoqërive të lira, fitore e lirisë, familjes, atdhetarisë dhe atdheut. Meloni është një euro-atlantiste e vendosur. Ajo ka përkrahur plotësisht qëndresën e kombit ukrainas për liri, dënuar agresionin barbar rus ndaj Ukrainës, ka qëndruar në anën e NATO dhe SHBA në këtë betejë.
Georgia Meloni pa diskutim ka një begraund dhe vokacion të qartë europeist, në favor të BE-së. Natyrisht, vlerat në të cilat ajo beson, janë vlera që gjithnjë e më shumë po triumfojnë në Europë. Kështu që me këtë rast, unë i uroj zonjës Meloni, atë post për të cilin e votuan qytetarët italianë, dhe suksese të tjera të mëdha.’- tha Berisha.
Kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta po ashtu ka patur një mesazh për fitoren e së djathtës.
‘Italia foli qartë!
Urimet më të mira Georgia Melonit për fitoren bindëse së bashku në koalicionin e qendrës së djathtës me Matteo Salvini dhe Silvio Berlusconi.
Duke i uruar shumë suksese qeverisjes së re të Italisë mike dhe partnere të rëndësishme strategjike, jemi të vendosur për forcimin e mëtejshëm dhe të gjithanshëm të marrëdhënieve mes dy vende dhe popujve tanë.’– shkroi Meta.