Përroi kanceroz që ndan kapterët e ushtrisë me “civilët e pastërtisë”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Edhe për këtë vit sezoni veror u mbyll. Me shi.

Por a ishte i suksesshëm ky sezon, përsa i përket turizmit e plazheve?

Padyshim, si gjithmonë ai u mbyll me sukses të plotë dhe me urimin që vitin tjetër do të jetë edhe më i mirë se kaq.

-Mot më mirë, me Shqipëri të lirë!

Duke bërë bilancin e sezonit turistik, kryeministri shqiptar tha se jo vetëm ishte më i mbari nga fluksi, por edhe nga pastërtia. Dhe kur e thotë kryeministri duhet besuar.

-Të vërtetën kam folur nuk kam gënjyer si ca.

-Pse kush ka thënë të rreme… Mbaj gojën djalë se jemi mes burrave që na njohin të dyve se kush jemi…

Nga Velipoja deri në Ksamil, Shqipëria është e pasur me një vijë bregdetare të mrekullueshme e plazhe pafund. Dhe këtu një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhe… Perëndia. Se mos ndokush mendon se është Qeveria?! Çne qeveria moj, çne qeveria…

-Në shtëpinë e tyre nuk pranojnë nuse dosido, si bie fjala puna tënde që jeni 10 fëmijë. Çne ty moj, çne ty, – do të thoshte i shkreti Jovan Bregu, me siguri nga përtej bregut.

Njeriu është shfrytëzues i pamëshirshëm i saj, por qeveria mbledh të mirat materiale përmes taksave.

Por gjithsesi situata në plazhet shqiptare ka ndryshuar ndjeshëm. Dhe në fakt ashtu është, të mos i biem në qafë kot qeverisë.

-Ç’hyn patrulla këtu? Patrulla bëri detyrën, duhet përgëzuar…

Por gazetarët kanë një të keqe të madhe, shohin të keqen dhe atje ku nuk ka. E bëjnë dhe qimen buall.

Të më ndjeni që dhe kur shkoj me pushime jam i destinuar të shoh dhe t’i jap vlerë anës negative, duke u motivuar nga postulati: “Lajmi i mirë është një lajm i keq”. Por kam tendencën që ta rregulloj këtë bilanc me veten time. Po përmirësohem. Ashtu si Bequa i “Kapedanit”.

-Marr angazhim që sot e tutje të mos shoqërohem më me të!

Është vështirë të bësh pushime duke qenë dhe nën presionin e lajmeve. Me një edukatë të hershme detyre që gazetari është 24 orë në shërbim, e s’ka një ditë pushim, më është dashur ta mbaj celularin ngrehur, për regjistrime e për të mbajtur shënime në faqen “notes”.

E ç’t’u them më… Kështu dhe në rastin konkret.

Me gjithë hapat gjigant që ka hedhur përpara, – ku qeveria thotë se peshën kryesore e ka ajo vetë, – plazhi shqiptar ka qyfyre pa fund. Sepse kur nis të bësh një shëtitje nëpër territorin e plazhit, veç kënaqësisë që të jep natyra e të relakson, gjen dhe plot elementë të kritikueshëm lehtë, por me ca të tjera mund të të zënë të qeshura sa të të dhembin bulçitë.

-Qeshni ju tani, por do të qesh dhe unë me ju…

Këtë herë, – duke anashkaluar gjithfarë taverna çingiesh me këngë terrorizuese për pijanecë dhe kakofoninë muzikore ngaqë lokalet dhe orkestrat janë pranë njëri-tjetrit, – mbresa të vërteta më la një përrua kanceroz.

-Ju hoqët nga gjiri i Europës një lumë kanceroz…

Në fakt po flasim për një përrua. Se lumin e hoqi një tjetër. E kisha harruar me thënë të drejtën. Nuk e dija madje që ekzistonte ky përrua kanceroz, sepse kam menduar se tek e fundit është mbuluar.

Lexo edhe :  Kronikë e ditës së lavdisë!

Ti shkon në plazh për të shijuar ditët e fundit me diell të shtatorit dhe kujtohesh të fokusosh me objektivin e kamerës – që tanimë çdokush e ka me vete – dhe në vend të bësh selfie si gjithë dynjaja, regjistron një kanal ujërash të zeza, ku të zë kolera e kanceri bashkë.

-Në Luaras ka rënë kolerë, nxirrni shpallje, – urdhëroi një herë e një kohë kajmekami i Ersekës.

Kisha menduar se plazhi i Durrës-Golemit ishte pastruar nga kanalet e ujërave të zeza. Dhe ato përveçse ishin futur nëpër tuba, përpunoheshin për të mos ndotur më detin dhe ambientin.

Por jo çdo gjë shkon sipas parashikimeve.

-Del një dru i shtrembër e prish stivën.

Nuk flas për dhomat e luksit me nga 100 euro nata ku nuk flenë dot shqiptarët e thjeshtë por vetëm ata të përbërë… Nuk po trumbetoj hotelet e ngritur pranë detit, që të servirin dhe qumësht dallëndysheje. Le që kujt i bie në mend qumështi i dallëndyshes. Këtu flasim për një zonë moçalore të ndotur, që përdoret si VC nga pushuesit, në emergjencë e sipër, e ku ngordhin edhe zhabat e vetë moçalit. Dhe kanali është në një zonë nevralgjike e që njihet nga shumica. Ai ndan zonën e plazhit civil me atë ushtarak, gjë që e bën edhe më të komplikuar situatën.  Se ne themi që po investojmë për ushtrinë. Po heqim armët e vjetra dhe po blejmë helikopterë të përdorur.

Përroi rrjedh i qetë pranë vendit të quajtur “Shkëmbi i Kavajës” mes konvaleshencës së uniformave kaki, që në kufirin me një rrjetë teli modeste ka varur kudo tabelat “Ndal Zonë Ushtarake”.

U pika zonës ushtarake!

Demek, aty shullëhen në diell nga rreshterët e kapterët deri te gjenerali i brigadës. Të gjithë kanë hequr gradat dhe marrin rrezet e diellit me brekë. Dhe ca më tutje kanali i ujërave të zeza që të çan hundët me erën e acidit etj…

Hajd se mban ushtria! Nuk donte me ia dit as kur i pushkatuan ministrin dhe shefin e shtabit, e jo më tani që kemi “7 kamiona për 23 bataliona”.

-Po ky është kamion ushtarak o xhaxha.

-Hë se ushtarakë jemi të gjithë tani.

Batuta e filmit “Ballë për ballë” merr më shumë vlerë në këto ditë lufte. Edhe këta tanët edhe ata të Ukrainës i përqendruan forcat në një mobilizim kundër ushtrisë ruse. Epo këto janë fate historike, me ato s’kemi punë se nuk i ndryshojmë dot. Puna është si të rregullojmë këto që kemi në dorë.

Për civilët që bëjnë plazh në një vend të tillë është edhe më keq. Se si mund të bësh plazh, të zhgërryhesh në rërë dhe të lahesh në det, në një zonë aq të ndotur, vetëm ata e dinë.

Ky lloj vëzhgimi nuk ka aspak për qëllim denigrimin e turizmit tonë masiv. Se pastaj mund të më fusin në kallëpe të tjera e të më akuzojnë se bëj agjitacion e propagandë për të dëmtuar atë që mezi e kemi ndërtuar me aq mund.

-Shumë thellë na fute djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne, – do të thoshte Tarja i “Përballimit”.

Ashtu them dhe unë në fakt.

 

Të fundit

Natyra “thyen” luksin, pamjet që u bënë virale nga Dubai i përmbytur (FOTO)

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur pastrimin e rrugëve të përmbytura si pasojë e stuhisë së shiut që përfshiu...

“Luftë SHBA”!/ Ngjela zbërthen skenarin e Metës dhe Kryemadhit pas sulmeve ndaj SPAK

Avokati dhe analisti Spartak Ngjela në një studio televizive dje ka folur lidhur me deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndaj...

Izraeli nis hakmarrjen, sulmon me dronë dhe raketa Iranin

Izraeli, ka lëshuar mëngjesin e së premtes, raketa në një sulm hakmarrës kundër Iranit. Kjo është konfirmuar nga një zyrtar i lartë për televizionin amerikan,...

A do të ketë reshje shiu? Surpriza e motit për ditën e sotme

Pellgu i Mesdheut tashmë po ndikohet nga një masë ajri e ftohtë, duke sjellë mot të paqëndrueshëm në vendin tonë. Në vendin tonë moti do...

Lajme të tjera

Web TV