Përfaqësues të SHISH raportuan dje në komisionit të Sigurisë në Parlament mbi hakerimin e të dhënave. Anëtarët e Partisë Demokratike kërkuan seancë me dyer të hapura, por socialistët refuzuan me argumentin se “cenohet siguria kombëtare”.
Komisioni i Sigurisë në Kryesinë e Kuvendit është shoqëruar që në nisje me debate pas vendimit që u mor për të mbyllur dyert dhe të mos jetë i hapur për median. Deputetët demokratë kërkuan që një pjesë e seancës të zhvillohet me dyer të hapura, teksa kundërshtuan vendimin e kryetarit Naço për të dorëzuar telefonat, në mënyrë që të mos ketë rrjedhje informacioni. Deputeti Ferdinand Xhaferraj tha se “nuk mundet institucioni në varësi të qeverisë të dalë mbi Kuvendin”. Edhe pse përgjithësisht këto lloj raportimesh në komisionin e Sigurisë bëhen me dyer të mbyllura demokratët kanë qenë kundër. Drejtuesi i Shërbimit të SHISH ka këkruar që të bëhej me dyer të mbyllura, pasi sipas tij, 100% informacionet e kësaj seance janë të nivelit sekret. Ka qenë deputeti demokrat Ervin Salianji i cili ka kërkuar një komision alternativ. Pra me dyer të mbyllura dhe të hapura. “Kam një propozim tjetër. Ne jemi në një situatë agresioni, ku të gjithë dhënat e shqiptarëve dhe të institucioneve shtetërore po përfundojnë në publik. Në këto kushte një pjesë e mbledhjes së këtij komisioni ku do diskutohet me dyer të mbyllura dhe më pas do të vinë prapë kamerat duhet të japim siguri që nuk po atakohet siç është SHISH dhe që jemi në rrugën e duhur. Ky Komision sot, në kushtet ku kanë dalë të dhëna shumë sensitive te policisë së Shtetit që është MEMEX, një pjesë e mbledhjes së këtij Komisioni duhet të jetë i hapur për të dhënë mesazhin e duhur”, tha ai. Xhemal Qefaliaj i ka vënë vulën duke këkruar menjëherë mbylljen e dyerve. “Unë habitem përse duhet të jetë objekt diskutimi nëse duhet apo jo të jesh me certifikatë sigurie. Nuk jemi han me dy porta që të nxjerrim informacion tepër sekret. Ju kërkoj zoti kryetar të operoni menjëherë me vazhdimin me dyer të mbyllura”, tha Qevalia. Sapo Nasip Naço kërkoi dorëzimin e celularëve, Flamur Noka tha se ironi se do të dorëzojnë edhe paratë. “Do t’i dorëzojmë të gjitha mo, edhe paratë se paratë i keni rrujt si qeveri, por do t’i dorëzojmë çfarë të kemi. Ju deputetëve i kërkoni të dorëzoni gjithçka, sot shqiptarët kanë dorëzuar në dorë të hackerave çdo të dhënë të tyre private dhe publike sepse ka një qeveri që vetëm vjedh dhe nuk ruan sistemin. Çështja për të cilën është thirrur kreu i SHISH është një çështje sensitive jo vetëm për ne si ligjvënës, por për çdo qytetar shqiptar. Çështja nuk ka asnjë sekret. Tregoni edukatë sepse ju dëgjova të gjithëve. Çfarë sekreti ka sot, kur çdo e dhënë sot, sekrete apo jo, ndodhet në duar të hackerave iranianë. Sot Irani ka në dorë të dhënat por hackera serbe -rusë kanë në dorë sekrete dhe jo sekrete të shtetit dhe qytetarëve dhe ju i thoni shqiptarëve se nuk keni të drejtë të dëgjoni se shteti ishe lakuriq. Shqiptarët duan të dinë çfarë ka bërë shteti dhe pse nuk ishin të mbrojtur. Mos të të shkojë mendja të më fikësh mikrofonin. Edhe këtu mund të funksiononi si bandë, por nuk mund të më mbyllësh gojën”, tha ai. Në përfundim të raportimit të Shërbimit Informativ Shtetëror pranë Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit, demokrati Flamur Noka pohoi se sulmet kibernetike të muajve të fundit nuk kanë ardhur vetëm nga Irani, por edhe nga Rusia dhe Serbia. “U konfirmua fakti që janë hakeruar prej 14 muajsh sistemet digjitale të Shqipërisë. U konfirmua fakti që është hakeruar sistemi Tims dhe MEMEX i policisë së Shtetit që cenon rëndë sigurinë kombëtare, u konfirmua që prej 14 muajsh hakerat jo vetëm të shtetit islamik të Iranit, por edhe rusë e serbë kanë vazhduar të sulmojnë dhe të kenë kontroll në të dhëna. Shqiptarët janë mashtruar sepse të dhënat janë rrëmbyer. Ka sisteme ku të dhënat janë fshirë. Siguria kombëtare në këtë vend është më e rrezikuar se kurrë. Janë drejt konfirmimit informacionet që edhe hakerat qeveritarë kanë ndërhyrë për të asgjësuar të dhëna sekrete të lidhjeve të drejtuesve të policisë me kanale të ndryshme të trafikut dhe krimit. Kemi indicie”, tha Noka.