Mjaft emra të njohur në fusha të ndryshme ishin pjesë e listës së publikuar MEMEX. Mes tyre ishte edhe emri dhe foto e këngëtarit popullor, Spartak Xhaferraj.
Pas lajmit ka reaguar vetë këngëtari i cili tregoi se në polici është shoqëruar dy herë, për ndërtim pa leje dhe për një aksident që fatmirësisht nuk ka pasur pasoja serioze.
“Lajmin ma treguan miqtë, shokët, ma dërgonin. Se kuptoja se ca po ndodhte, vetëm kur pashë lajmet që nuk isha vetëm unë. Si të gjithë shqiptarët, nuk është turp që të shoqërosh për një ndërtim pa leje, apo për një aksident.
Unë po vras mendjen si të marr ndonjë lekë me këtë rast se jam çik keq nga ekonomia. Mendoj se nga ana ligjore më detyrohen, do t’i hedh në gjyq, se ta japin lajmin, po jo ta deformojnë. Unë rrjedh nga një familje e thjeshtë, që ka punuar në kooperativë, në një fshat të Përmetit.
Edhe unë kam emigruar në Greqi, kam një jetë të thjeshtë. Kam krijuar familje, kam dy fëmijë dhe vitet e fundit kam pasur probleme shëndetësore, konkretisht me zemrën. Fëmijët nga një anë habiteshin, nga ana tjetër thoshin: ‘Babi mos u mërzit’”, u shpreh këngëtari.