Rama përkrah propozimin e Macron: Komuniteti Politik Europian është ide e mirë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeministri Edi Rama ka dalë krah Komunitetit Politik Europian (KPE), të propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Në një shkrim për Politico.eu, Rama së bashku me kryeministrin holandez Mark Rutte, thonë se KPE “duhet të jetë vendi ku të gjitha vendet demokratike europiane të mund të diskutojnë shqetësimet dhe sfidat e përbashkëta dhe të gjejnë zgjidhje.”

Më tej ata shprehen se Komunteti duhet të jetë elastik e jo burakratik, ndërsa shohin nevojën që të drejtohet nga përparësitë që i prekin të gjithe dhe jo nga agjendat fikse.

Shkrimi i plotë:

Më 24 shkurt, ndërkohë që Rusia nisi pushtimin e saj brutal të Ukrainës, Europa u përball me zgjimin e beftë se paqja në kontinent nuk është e garantuar. Kjo luftë e pashembullt dhe e pajustifikuar është sulm kundër rendit juridik ndërkombëtar dhe, si e tillë, përbën një kërcënim për lirinë dhe sigurinë tonë.

Me këtë luftë, presidenti rus, Vladimir Putin, shpresoi të mbillte përçarje midis vendeve të Europës, por, në fakt, ia doli të marrë të kundërtën. Ne qëndrojmë të bashkuar, jo vetëm anëtarët e Bashkimit Europian, por të gjitha vendet e Europës.

Do të bëjmë gjithçka brenda mundësive tona për të ndihmuar Ukrainën të rifitojë sovranitetin dhe integritetin e plotë territorial dhe do të mbështesim rindërtimin e saj. Megjithatë, është fakt se agresioni i paprovokuar i Rusisë na detyron po ashtu të reflektojmë mbi disa prej parimeve themelore që ndajmë në kontinentin tonë dhe mënyrës sesi të mbrojmë sa më mirë demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta. Nevoja për një kundërpërgjigje europiane të fortë, të vazhdueshme e të bashkuar është sot më e nevojshme se kurrë.

Kjo është arsyeja pse ne e përkrahim plotësisht propozimin e presidentit Emmanuel Macron për një Komunitet Politik Europian (KPE).

KPE-ja duhet të jetë vendi ku të gjitha vendet demokratike europiane të mund të diskutojnë shqetësimet dhe sfidat e përbashkëta dhe të gjejnë zgjidhje. Komuniteti nuk duhet të jetë burokratik, por elastik. Ai duhet të orientohet jo nga agjendat fikse, por nga përparësitë që na prekin të gjithëve, përfshi luftën në Ukrainë, varësinë energjetike dhe sigurinë ushqimore.

Ne kemi nevojë për një platformë e cila nuk u mbivendoset organizatave të forta rajonale që kemi tashmë në Europë e nuk i zë vendin procesit të mirëstrukturuar të anëtarësimit në BE për vendet kandidate. KPE-ja duhet të jetë një hapësirë ku të mund të takohemi e të bëjmë punë, pavarësisht nëse jemi anëtarë të BE-së apo jo.

Presim me shumë padurim mbledhjen tonë të parë më 6 tetor, në qytetin e bukur të Pragës dhe besojmë fort se kemi qysh në fillim një program të rëndësishëm e ambicioz për të diskutuar.

Lexo edhe :  Rama takohet me Melonin, kryeministri niset drejt Italisë në fund të javës

Ne vetë shohim potencial të jashtëzakonshëm për zgjerimin dhe integrimin e rrjeteve të energjisë dhe transportit të kontinentit tonë dhe, në KPE, mund të diskutojmë sesi të punojmë për shkuar drejt një sistemi energjetik europian të ndërlidhur dhe me efekte zero në klimë. Dhënia përparësi investimeve në prodhimin europian të energjisë do të ndihmojë më tej për të përftuar pavarësi të plotë nga eksportet ruse të energjisë, ndërkohë që, pa dyshim, brenda një afati të shkurtër të gjitha vendet europiane duhet të punojnë për të gjetur zgjidhje për rritjen e çmimeve të energjisë.

Në të njëjtën kohë, kriza e klimës mbetet një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballemi — këtë mund ta shohim çdo ditë në mbarë kontinentin. Kësisoj, na duhet të bashkërendohemi edhe për të çuar përpara ambicien e shprehur në mbledhjen e Konferencës për Ndryshimin e Klimës (COP26), në Glasgou, për të financuar përshtatjen klimaterike të vendeve në zhvillim.

Një tjetër sfidë e madhe është siguria kibernetike. Të gjitha vendet tona përballen me kërcënime kibernetike, ndaj ne duhet të forcojmë qëndresën e përbashkët kibernetike duke punuar me njëri tjetrin, për të siguruar institucionet dhe rrjetet tona.

Pos këtyre sfidave, na duhet edhe të investojmë në një agjendë pozitive për të ardhmen tonë të përbashkët.

Së pari e kryesisht, kjo do të thotë investim te të rinjtë tanë. Kështu, ne duhet të diskutojmë për kapacitete, konkurrueshmëri dhe qëndrueshmëri mbareuropiane të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe novacionit  dhe kjo duhet bërë sa më shpejt, pa asnjë vonesë. Duhet të vazhdojmë të nxisim shkëmbimet midis të rinjve dhe bashkëpunimin midis universiteteve dhe mund ta shfrytëzojmë KPE-në për të ndarë praktikat më të mira në këtë fushë.

Së fundi, duhet, po ashtu, të diskutojmë sesi të përmirësojmë tregtinë brenda Europës. Ne kemi nevojë për një kuadër të fortë të rritjes ekonomike dhe konvergjencës sociale në çdo anë të Europës. Është thelbësore që të mbështesim nismat rajonale e lokale të bashkëpunimit ekonomik dhe të investojmë në ndërlidhjen rajonale të transportit dhe tregtisë.

KPE-ja paraqet për ne një mundësi vendimtare për t’i parë në sy sfidat e përbashkëta. Europa duhet t’i japë formë së ardhmes së vet dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të punojmë së bashku si anëtarë demokratikë të familjes europiane. Kur punojmë së bashku, jemi më të fortë, më të sigurt, më të begatë. Kështu, në Pragë, na lejoni të ngremë një forum që është gjithpërfshirës dhe efektiv.

Mund të mbështeteni te përkrahja jonë për ta arritur këtë.


Të fundit

Loredana thumbon Serbet, “Kurrë mos u ngatërroni me shqiptarët”

Këngëtarja Loredana Zefi ka treguar mbështetjen e saj për shqiptart që janë pjesë e skuadrës zvicerane që u përball një...

Moti merr kthesë. Çfarë pritet nga nesër

Kushtet e paqëndrueshme atmosferike do të dominojnë të gjithë vendin tonë për gjatë gjithë 24 orëshit, duke sjellë në territor vranësira të shumta të...

Arjan Çani thyen heshtjen, flet për herë të parë pas largimit nga Tv Klan

Lajmi se emisioni i së premtes “Zonë e Lirë”, nuk do të transmetohet më në Tv Klan bëri shumë bujë para pak muajsh. Kjo...

Greqia nuk gjen qetësi/ Një tjetër tërmet godet zonën e Tilos, ja sa është magnituda

Një tërmet me magnitudë 3.8 ballë të shkallës Rihter ka tronditur Greqinë. Tërmeti është regjistruar  në orën 15:14 në zonën detare në jugperëndim të Tilos...

Veliaj: Lajm i mirë biletimi elektronik! Krijimi i sistemit të koordinuar të transportit

Lëvizshmëria dhe sfidat aktuale të qarkullimit në kryeqytet, por edhe perspektivat e mobilitetit alternativ, ishin fokusi i takimit të organizuar nga Bashkia e Tiranës,...

Lajme të tjera

Web TV