Mesa duket, në Ukrainë po gjejnë taktika nga më të ndryshmet, për të mposhtur rusët.
Një vajzë 18-vjeçare nga Ukraina përdori një aplikacion rus takimesh dhe flirtoi në internet me ushtarët rusë në vijën e frontit për të nxjerrë informacione.
Sipas dailymail.co.uk, gruaja me pseudonimin “Lisa” u frymëzua nga një veprim i ngjashëm i një përdoruesi të TikTok dhe donte të hakmerrej për pushtimin e vendit të saj dhe faktin që u detyrua të linte shtëpinë e saj në Kherson për shkak të luftës.
18-vjeçarja, shkruan media britanike, ka krijuar një profil të rremë në një aplikacion takimesh duke thënë se ishte një vajzë e re ruse që pëlqente ushtarët.
Në një periudhë të shkurtër kohe ajo filloi të kishte kontakte me ushtarë të cilët i dërgonin mesazhe romantike, video dhe mesazhe zanore.
“Lisa” ua dha informacionin e saj gazetarëve investigativë përmes faqes së internetit “Slidstvo.info”, të cilët përdorën të dhënat e internetit për të gjurmuar vendndodhjet e rusëve.
Një anëtar i forcave speciale, i dëshpëruar për t’i bërë përshtypje, madje i dërgoi asaj video të avionëve rusë që ngriheshin nga një aeroport, duke i shpjeguar se ata do të “hidhnin raketat” dhe “të vrisnin khokholët (zhargon rus për ukrainasit)”.