Përjetime/ Në pelikulën e filmit të pambaruar të Pluton Vasit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Në një sallë modeste montazhi, – pa bobina filmi për kamerat Arriflex dhe pa ampilifikatorë a miksera gjithfarësh, – ulem në vendin nga ku sapo është ngritur një prej mjeshtrave më të mirë që sot punon në formatet digjitale. Përballë kam një ekran të gjerë kompjuteri, po aq sa në imazh mund të përfytyrosh dhe një kinema me ekran po të gjerë. Në harddisk, ende i nxehtë nga prerjet e ngjitjet, shtrihet filmi i sapomontuar por ende i papërfunduar. Një material aspak bruto por gjithsesi jo tërësisht i përpunuar. Kërshëria për të ditur çfarë ka ndodhur diku larg, – në një shesh xhirimi që ka lëvizur sa në Tiranë, në Durrës e Shkodër, me aktorë vendosur mbi të si mbi një disk kozmik “enterprise”, – më bën të shtyp komandën “enter”, pasi jam siguruar se derën e dhomës e kam mbyllur me çelës që të mos më shqetësojë njeri dhe celularit i kam dhënë opsionin “airplane mode”. Jam i vetëm. Dhe i qëndroj larg ekranit, pa e kuptuar se në fakt jam futur krejtësisht brenda tij…

…Unë jam Ziguri i lig e i paskrupullt por i dashuruar marrëzisht pas viktimës së tij. Unë jam Mirjami elegante dhe e pafat nga fati i saj. Unë jam Agimi i ekzekutuar me plumba që e shëtisin rrugëve qytetase mbi një karroceri të hapur IFE. Po aq unë jam dhe Flora, vajza e lindur prej një përdhunimi…
Mendoja se isha thjesht një spektator i ftohtë e pa nerv, por qenësia ime u gjend në mes të skenave, po aq sa nuk kam qenë prezent në vendin ku kamera regjistronte sekuencat, duke qenë gjithkund pa qenë askund.
Me siguri ishin haluçinacione ose thjesht fragmente që më fanepseshin në kokë dhe pasi kisha ndaluar transmetimin në planin e fundit. Sepse nga çasti kur në ekran askush nuk lëvizte më, brenda kokës time asgjë nuk reshte së lëvizuri. Ishin si dy filma të ndryshëm, në vazhdim të njëri-tjetrit, me po të njëjtat plane. Dhe aktor isha veç unë.
Ah…, ishte e tepërt kjo. Naiv dhe në një çmenduri pasive. Mund të dashurohesh pas roleve të të tjerëve, por je pa asnjë fije kontributi. Mund ta quash fatkeqësi edhe pse nuk është e tillë. Ndaj duhet ta kalosh me sportivitet, ose… të ndërrosh profesion, të bëhesh regjisor e të prodhosh një film ku të shprehësh egon tënde. Çfarë fantazie…
Ta lëmë mënjanë këtë lloj egoizmi absurd. Unë thjesht kisha fatin e një surprize, ende të pabërë publike, të cilën nuk do ta kem për shumë kohë, në fakt. Sepse filmi është në prag të prezantimit.
Heq çelësin nga dera e studios dhe vendos celularin në gjendje pune aktive. Nuk jam në aeroplan.
Më duhej të pija një kafe. Dhe të ftohesha nga emocionet. Sepse të nxehtat nuk janë domosdoshmërish më të mirat e mundshme, qoftë dhe për të shkruar impresionet e çastit.
Intriguese deri në skaj ajo çfarë ndodh në botën e kinemasë. Jo në atë që si spektatorë të thjeshtë shohim në projeksionin mbi bezen e bardhë, 100 përqind të gatshme. Vështirë të konceptosh se çfarë ndodh brenda kur je jashtë saj. Nuk di si shkruhet skenari, as si zbërthehet ai në mënyrë tekniko-regjisoriale, nuk di as si përzgjidhen aktorët me audicione dhe as si miksohen zërat, për të ardhur në një produkt konkret mesatarisht prej 90 minutash. Sepse gjithçka që deri tek ty vjen e zbukuruar nga një lojë aktorësh, përmes një këndi fotografie veshur me një muzikë ndjesore, ka të bëjë me një mekanizmin pune stërmunduese.
Teksa pi kafenë, përpallë kam regjisorin dhe në krahun e djathtë montazhierin. Mungon skenaristi. Por kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse skenarin e kam të gjithin në kokë po aq sa mizanskenat e zgjedhura mes dublave.
Vogëlushja me emrin Flora nuk e ka njohur kurrë babanë e saj, madje nuk e ka parë as në fotografi. Ajo vetëm e ka imagjinuar dhe portreti i tij është ngritur në bazë të fantazisë së saj. Ajo di vetëm që ai ka qenë një poet, që thurte vargje të padisiplinuara dhe që regjimi i egër pasi e kishte ekzekutuar në burg, e kishte shkrirë në një gropë gëlqereje të pashuar. Kështu nga ai nuk kish mbetur asgjë, përveç disa vargjeve që nëna e saj ia recitonte përherë. Dhe ky quhej Martin Jasa.
Shumë vite më vonë, Flora e rritur tashmë, përballet me një realitet të ri, krejt absurd dhe alarmues. Gjithçka i kishte thënë nëna e saj ishte veç një fabul triller. Babai i saj ishte gjallë. Nuk ishte aq i ndjeshëm sa një poet dhe aspak nuk ishte martirizuar nga regjimi. Për ironi të fatit, ai kishte qenë pjesë integrale e tij. Një oficer besnik i Sigurimit të Shtetit që për vite me radhë kishte kryer punën e rëndomtë të një përgjuesi me kufje në vesh.
A mund të jetë tronditëse kjo?
Regjisori Pluton Vasi, mbështetur mbi skenarin e Bashkim Hoxhës, na jep një pasqyrë të gjallë të një realiteti fort të trishtë. Një dramë familjare e viteve ‘70-‘80 në Shqipërinë e shekullit të kaluar. Dhe bashkëpunimi i tyre do të na sjellë në kinema një film të ri të titulluar “Këtu vallëzohet me hijet”.

Lexo edhe :  SPIKERI TODO BOJDANI QË THA: “JU FLET TIRANA”

Miriami është një vajzë e survejuar. Në shtëpinë e saj janë vënë përgjuesa. Ajo kujton se bën një jetë të lirë brenda mureve të shtëpisë së saj, por pa e kuptuar se dikush e dhunon pareshtur me një trysni sfiduese. Ajo vallëzon e shpenguar. Reciton gjithfarë vargjesh që nuk kanë në qendër njeriun e ri socialist. Por e gjithë kjo veprimtari transkriptohet dhe mbush dosjen e saj.
A është ajo një armike? E si mund të jetë në fakt.
Mirjami e ka të errët biografinë e saj. Është një balerinë klasike, e lirë në shpirt dhe ka disa miq me të cilët ndan të njëjtat mendime. Nuk është e angazhuar në strukturat e partisë dhe për më tepër ka një baba me origjinë austriake, i cili kishte mbetur në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore. Me këto të dhëna, Mirjam hynte potencialisht tek “armiqtë e pushtetit”. Jo se do ta rrëzonte shtetin me veprimtari subversive. Por sepse nuk e donte atë. Dhe aq ishte mjaftueshëm.
E vetmja gjë që e shpëton nga burgu është se oficeri i shërbimit sekret që kishte për detyrë ta përgjonte, – e që në vitet e diktaturës komuniste në Shqipëri quhej Sigurimi i Shtetit, – kishte rënë keq në dashuri me të. Por çdo gjë e ka një kosto. Dhe Mirjami është viktimë e hijeshisë së saj dhe e vetë fatit që e ka hedhur në anën tjetër të barrikadës.
Dhe lind Flora, vajza që u ngjiz nga marrëdhënia poshtëruese dhe e dhunshme e një sigurimsi me një të deklasuar. Lufta e klasave kishte dështuar po aq sa ishte bërë dhe më e tmerrshme se kaq.
A është kjo një autopsi e vetë regjimit?
Nuk ka nevojë të hysh brenda Byrosë Politike, – të shfletosh vendime Plenumesh a të dëgjosh debate mbi të ardhmen e njeriut të ri, – për të bërë autopsinë e diktaturës komuniste. Mjafton një jetë njerëzore, denigrimi i saj, për të kuptuar se çka ndodhur në tërësinë e saj. Si fabrikoheshin armiqtë, si ekzekutoheshin njerëzit që donin veç të shprehnin mendimin e lirë, si degradohej jeta e një njeriu që nuk i pëlqente rreshti dhe as kënga: Ndër ara, fabrika, kantiere… Duhet vetëm të çmontosh një jetë njerëzore të dhunuar për të bërë autopsinë e gjithë sistemit.
Bashkim Hoxha si dramaturg e skenarist me plot përvojë dhe Pluton Vasi si regjisor bashkëkohor që më shumë i përket së ardhmes, janë munduar të na e japin këtë në një dimension tjetër. Por ata nuk do t’ia kishin arritur dot tërësisht nëse në ndihmë nuk do t’u vinte një kast i shkëlqyer aktorësh. Përzgjedhja ka nisur me Karafil Shenën në rolin e Zigurit, e për të vazhduar me Eri Shukan në rolin e Mirjamit, Rovena Lule Kuka në rolin e Florës, e për të vazhduar me Neritan Liçajn, Juli Emirin, Eni Shehun, Elert Çeloalinë, etj. Në këtë film Pluton Vasi rikthen me një rol dhe aktoren Merita Çoçoli.
I gjithë produksioni i udhëhequr nga Vjollca Dedei është një bashkëpunimi i “Artfilm” me “Papadhimitri Produksion”, si dhe me kompanitë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si “Dardania Films” nga Maqedoni e Veriut dhe “Doli Media Studio” nga Bullgaria.
Përveç pjesës së dukshme që janë aktorët, me Pluton Vasin kanë bashkëpunuar dhe disa specialistë nga më të mirët e filmit shqiptar si: drejtor fotografie Spartak Papadhimitri në kamera Adi Grishaj, piktor i filmit, bashkëpunëtori i përhershëm Adnand Kastrati, mjeshtër montazhi Gjergji Pano ndërsa muzika është shkruar nga i mirënjohurin Hajg Zaharian.
Dikur filmat i bënte Kinostudio. Paratë i jepte shteti. Çensorin e delegonte Partia. Gjithçka ka të bëjë me një reminishence mes kohëve të prodhimit të një filmi. Sot vështirësitë me filmin janë shumë më të mëdha. Dhe me paratë janë dorështrënguar ata që dorovisin më së shumti spektaklet laramane. Por kushtet që Shqipëria të përfaqësohet kudo me filmin e saj janë optimale duke pasur parasysh se forca prodhuese është krejt aktive. Me Kinostudio me Albafilm, apo pa një të tillë, regjisorët kanë treguar se mund të prodhojnë filma shumë të mirë e konkurrues, në kushte shumë më modeste se ato që ofrojnë studiot e mëdha perëndimore.
Por filmi gjithsesi vjen: shqip.
Për shkak të ngjarjes që trajton, lojës së aktorëve dhe komponentëve të tjerë, “Këtu vallëzohet me hijet” me siguri do të ketë një jetë të gjatë dhe aktive në festivale e kompeticione të ndryshme, përveçse transmetimit nëpër ekrane kinemash dhe televizionesh gjeneralistë. Tanimë mbetet veç premiera…
…se filmi është gati.

Të fundit

Nuk ndalen debatet në BBV/ Juli – Romeos: Nuk merrem me viktimat e telenovelave

Orët e para të mëngjesit, disa prej banorëve ishin mbledhur në ambientet e jashtme të shtëpisë. Në mesin e...

Mësueset e Taylor Swift zbulojnë se ç’nxënëse ka qenë ajo

Dy nga mësueset e shkollës fillore të Taylor Swift kanë treguar se këngëtarja shkruante poezi pa pushim në shkollë. E lavdëruar shpesh për aftësitë...

Partia e Lirisë miraton listën me anëtarët e Kryesisë, zbardhen emrat

Kryesia e Partisë së Lirisë miratoi anëtarët e Kryesisë së Konventës që do t’i propozohen për votim Konventës Kombëtare. Listën e kryeson, Edmond Haxhinasto, i...

Venecia nuk është më falas, ja sa do të paguajë një turist për të parë qytetin

Për herë të parë nga dita e sotme, ata që duan të vizitojnë Venecian do të duhet të paguajnë një tarifë prej 5 euro. Tarifa...

Sëmundjet e transmetuara nga mushkonjat kërcënojnë Europën. Roli i ndryshimeve klimatike

Përhapja e sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat është raportuar në të gjithë botën, por veçanërisht në Europë, dhe kjo për shkak të ndryshimeve klimatike. Insektet...

Lajme të tjera

Web TV