Standardi Local G.A.P. – një mundësi për produkte agroushqimore cilësore dhe të sigurta

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Andon Rrapokushi

Gjithmonë e më tepër në tregjet lokale dhe marketet agroushqimore vendase kërkesa dhe presioni për produkte më cilësore është në rritje. Duke marrë si shembull vetëm prodhimet vendase të serave, fruta dhe perime, vihet re një diferencë në cilësinë e atyre që shiten brenda Shqipërisë, në tregun vendas, dhe produkteve vendase që shiten në eksport.

Kjo diferencë është jo vetëm në raport me cilësinë, por edhe në elemente të tjerë të marketingut, si seleksionimi, paketimi, etiketimi, pamja e frutit, forma dhe ngjyra e produktit, duke dhënë një produkt final shumë cilësor për eksport, i cili qëndron më lart se produkti që shitet brenda vendit.

Prandaj, kur bie fjala për mënyrën e të ushqyerit dhe për produktet që gjejmë në dyqanet tona, shpesh dëgjojmë fjalët: “ku t’i gjejmë këto fruta dhe perime kaq të mira dhe të shëndetshme që shkojnë në eksport? A mund t’i gjejmë edhe në tregun vendas?”. Përgjigja në përgjithësi është “jo”. Produktet më të mira të serave, të frutave dhe perimeve në fushë të hapur shkojnë në tregjet europiane, deri në Gjermani, Zvicër dhe Suedi, që janë tregje me kërkesa dhe vlerë të lartë.

Pikat më të mëdha të grumbullimit të produkteve në Lushnje, Berat, Divjakë, Sarandë, Korçë etj. i blejnë dhe i grumbullojnë produktet më të mira duke pasur si objektiv kryesor eksportin, me përjashtime të vogla për tregun vendas, siç janë disa ferma të vogla që furnizojnë disa komplekse agro-turistike të njohura, apo rasti i kompanisë Doni Fruits, që përveçse për eksport, grumbullon dhe shet edhe për klientë specifikë vendas, siç janë rrjeti i dyqaneve KFC, Piza Hut dhe Burger King në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha si Durrësi dhe Vlora, të cilët kanë kërkesa më të larta për cilësinë e produkteve, por që ofrojnë edhe çmime shumë më të larta për grumbulluesit.

Gjithashtu në supermarketet e mëdha të qyteteve kryesore gjejmë fruta dhe perime të importuara më tepër sesa ato vendase, pasi produktet e importit konsiderohen si më të sigurta përsa i përket sigurisë ushqimore. Konkurenca ndërmjet produkteve vendase dhe atyre të eksportit shfaqet edhe më qartë në tregjet e shumicës të qyteteve, ku gjenden përballë njëri – tjetrit të dy standartet, i importit dhe ai shqiptar. Produktet që vijnë nga Italia, Greqia, Turqia dhe vende të tjera shiten më shtrenjtë sesa produktet e vendit, kjo jo vetëm për transportin që ka koston e vet, por edhe për cilësinë dhe sigurinë që ato garantojnë.

Kjo analizë e shkurtër tregon se ka nevojë për përmirësimin e standarteve të prodhimit vendas në një shkallë më të gjerë, jo vetëm në fermat që shesin për eksport, por në të gjitha fermat, në mënyrë që produktet që ato nxjerrin të jenë më konkuruese, më të besueshme dhe të pastra, më tërheqëse në elementet e marketingut edhe për tregun vendas.

Përmirësimi i standarteve të cilësisë së frutave dhe perimeve tona gjatë gjithë zinxhirit të vlerës dhe garancia për ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm është një domosdoshmëri e cila duhet të jetë objektivi imediat i të gjithë prodhuesve, tregtarëve, pikave të grumbullimit, ekstensionistëve dhe aktorëve të tjerë të zinxhirit të furnizimit.

Për të arritur këtë objektiv kërkohet një sensibilizim dhe përgjegjësi më e madhe i këtyre aktorëve, dhe prezantim i alternativave të reja të përshtatshme bashkëkohore. Pikërisht për ta bërë sa më sensibilizues problemin në mjedisin e prodhuesve, të tregtarëve të inputeve, institucioneve publike dhe private, Grupi Kombëtar Teknik i Punës (NTWG – National Technical Working Group)  në shtator 2022 filloi një fushatë sensibilizimi dhe informimi për rëndësinë e çertifikimit të produkteve tona dhe sidomos për promovimin e standartit localg.a.p., i cili është projektuar nga vetë GLOBALG.A.P. si niveli më i ulët, hyrës i tërësisë së sistemit GLOBALG.A.P.  Localg.a.p. është një standart lokal për tu zbatuar gjatë zinxhirit të furnizimit bujqësor veçanërisht për ekonomitë në zhvillim, si ekonomia jonë, dhe që minimizon ekspozimin ndaj risqeve të sigurisë ushqimore. Ky standart që po promovohet nga grupi kombëtar teknik NTWG është në përputhje me legjislacionin e ushqimit sipas vendit përkatës ku zbatohet.

Lexo edhe :  Parashikohet rritje me 15% të çmimeve të apartamenteve, ja zonat që preken më shumë

Për informacion, NTWG Albania është një grupim vullnetar ekspertësh prej 9 vetash, përfaqësues të disa subjekteve të njohura, si Bio Inspecta, KASH, kompani konsulence dhe eksportuese dhe një përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, grupim i cili është njohur nga Sekretariati i GLOBALG.A.P. në Gjermani.

Aktiviteti i këtij grupi kombëtar mbështetet nga Risi Albania. Falë kësaj mbështetjeje, IFIBI (International Financial Institute of Banking & Insurance) ka bërë një punë cilësore duke hartuar Udhëzuesin localg.a.p. për Shqipërinë për fruta dhe perime në përputhje me kërkesat e localg.a.p. ekzistues, në mënyrë që ky standart të fillojë të aplikohet edhe nga prodhuesit shqiptarë. Ky dokument, i cili është në proces konsultimi sugjerimesh / rekomandimesh deri në fund të muajit tetor, është përshtatur me legjislacionin shqiptar mbi ushqimin, mbi sigurinë dhe gjurmueshmërinë e produktit, duke marrë parasysh edhe mbrojtjen e mjedisit dhe të biodiversitetit, shëndetin dhe sigurinë e punonjësve, dhe regjistrin e fermerit.

Prodhuesit shqiptarë nëpërmjet standartit local g.a.p. kanë mundësi të shtojnë njohuritë dhe të rrisin kapacitetet profesionale për të zbatuar praktikat më të mira në menaxhimin e fermës se tyre dhe të kenë prioritet në tregun vendas dhe atë rajonal. Fillimisht fermerët të cilët furnizojnë tregjet lokale, mund të fillojnë me nivelin e parë, nga tre nivele që ka ky standart (niveli i hyrjes, niveli bazë dhe niveli i ndërmjetëm) dhe më pas mund të vazhdojnë me nivelet e tjera më të larta. Pas local.g.a.p. fermerët mund të kalojnë më lehtë më pas edhe në çertifikimin GLOBALG.A.P. që mundëson hyrjen në të gjitha tregjet, jo vetëm në BE por në mbarë botën.

Ajo që duhet të kuptojnë dhe të ngulisin në mendje prodhuesit, tregtarët, eksportuesit dhe aktorët e tjerë të zinxhirit ushqimor, është fakti që përmirësimi i standarteve të cilësisë dhe i çertifikimit të frutave  dhe perimeve nuk është një proces një vjeçar, që mbaron me marrjen e një çertifikate GLOBALG.A.P. apo me çertifikatën e një standarti tjetër, siç janë ISO, BRC etj, por një proces i vazhdueshëm, i pandërprerë që kërkon angazhim, pasion, kualifikim, profesionalizëm dhe trajnim të njerëzve, sepse është fjala për ushqimin e përditshëm; pavarësisht se në cilin treg shitet, në eksport apo brenda vendit, ai duhet të jetë i sigurt dhe i shëndetshëm.

Dhe këtë gjë e sigurojnë standartet dhe zbatimi i  procedurave që ato përmbajnë në vetvete. Jo vetëm ndërgjegjësimi dhe masivizimi i këtij procesi kanë rëndësi, por edhe mbështetja konkrete nga Ministria e Bujqësisë për standartin localg.a.p. dhe GLOBALG.A.P. Grupet relativisht të vogla që janë futur në proces çertifikimi dhe janë çertifikuar me GLOBALG.A.P. në disa zona të vendit, si në Berat, Lushnje, Sarandë etj nuk mjaftojnë.

Prandaj fushata të tilla sensibilizimi, me takime të drejtpërdrejta, si ato të grupit NTWG dhe IFIBI-t me mbështetjen e Risi Albania janë të domosdoshme për përfshirjen sa më të madhe të prodhuesve, pikave të grumbullimit dhe ekstensionistëve. Në këto takime të zhvilluara gjatë muajit shtator 2022 në rajonin e Beratit, të Lushnjes, Divjakës dhe Sarandës, duke patur si pjesëmarrës aktorë të ndryshëm të zinxhirit agroushqimor, kanë dalë në dukje edhe probleme të tjera të rëndësishme të këtij sektori, të cilat kërkojnë një analizë tjetër, siç janë ato të lidhura me koston e lartë për njësi të frutave dhe perimeve në krahasim me koston në vendet fqinjë për shkak të çmimeve shumë të larta të plehërave, PMB-ve dhe fidanëve, problemi i përqindjes më të ulët të lëndës aktive në PMB sesa vlera normale, gjë që e bën joefektive përdorimin e saj, dhe probleme të tjera.

Sidoqoftë qëllimi i këtij shkrimi është nevoja për përmirësimin e standarteve të cilësisë së frutave dhe perimeve, mbështetja dhe vemendja ndaj këtij problemi dhe nevoja për zbatimin e sistemeve agroushqimore që garantojnë një prodhim të qëndrueshëm, cilësor dhe sasior, siç është edhe standarti localg.a.p., pjesë e GLOBALG.A.P., duke synuar që ai të zbatohet sa më masivisht.

 

 

Të fundit

Kriptomonedhat në Shqipëri, si funksionon ligji dhe cilat janë avantazhet

Kriptomonedhat janë para elektronike, që ndryshe nga paratë e tjera si euro, lek apo dollar, që emetohen dhe menaxhohen...

“Isha në studio kur e mora vesh”/ Livia flet për historinë me Mevlanin: Jam penduar…

Konkurrentja e Big Brother VIP4, Livia, ka folur për ish-partnerin e saj, Mevlanin, historia e të cilëve nisi që nga programi “Për’puthen”. Në një bisedë...

Koçiu: Në 2024-ën, Urgjenca Kombëtare iu përgjigj 467.702 thirrjeve në numrin 127

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu teksa ka bërë të ditur shifrat e thirrjeve në numrin 127 të Urgjencës Kombëtare, thekson se...

Trump do të heqë “non gratën” e Berishës? Ish-këshilltari i Trump zbulon detajet

Gjatë administratës së re të Trump, ish-kryeministrit Sali Berisha mund t’i hiqet masa “non grata”. Kështu u shpreh në një intervistë për një emision...

Qeveria përgatitet për zgjedhjet e 11 majit, i jep KQZ-së 2.5 miliardë lekë shtesë

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar një shtesë fondi prej 2.5 miliardë lekësh për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me qëllim mbështetje financiare për organizimin...

Lajme të tjera

Web TV