Raporti i KE-së/ Shqipëria ec e ngec, lexime të ndryshme pozitë-opozitë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Raporti i progresit i hartuar nga Komisioni Europian ka përplasur në qëndrime pozitën dhe opozitën. Përfaqësuesit e qeverisë e konsiderojnë si arritje disa nga pikat kryesore të raportit, ndërsa opozita përqëndrohet në dy kritika kryesore që sipas saj është çështja e amnistisë fiskale dhe korrupsioni.

Raporti i progresit për Shqipërinë i hartuar nga Komisioni Europian është ndalur gjatë në disa çështje, ku në disa fusha, veçanërisht vettingu për të tretin vit radhazi konsiderohet si pozitive, ndërsa në çështje të tjera si përsa i përket korrupsionit, ashtu edhe tentativës për amnisti fiskale apo pasaporta të arta dhe disa “investime strategjike” cilësohen si problematike, ku në disa raste nuk i përafrohen as qëllimit dhe as legjislacionit të BE-së. Megjithatë në Shqipëri mazhoranca dhe opozita kanë lexime të ndryshme. Përfaqësues të qeverisë e cilësojnë si pozitiv raportin, duke “vetëvlerësuar” punën e qeverisë, ndërsa opozita e cilëson një dështim të qeverisë dhe rrezik që në të ardhmen vendi ynë të ketë edhe sanksione të ndryshme nga BE, që do të ndikojnë në ecurinë e metejshme të integrimit të vendit. Ministrja për Punët e Jashtme dhe Europën, Olta Xhaçka, deklaroi në një konferencë shtypi të mbajtur dje se Raporti i progresit të Komisionit Evropian, vlerëson pozitivisht punën e bërë nga qeveria shqiptare, por theksoi se nuk duhet pritur që dokumenti të jetë fletë lavdërimi. “Raporti njeh punën e madhe që është bërë dhe konfirmon progresin e Shqipërisë”, ndërsa shtoi se “në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje”. Ajo shtoi gjithashtu se ecuria e mirë bazohet dhe mbi përafrimin që Shqipëria i ka bërë politikës së saj të jashtme me axhendën e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian. “Ecuria shumë e mirë bazohet në përafrimin e plotë të Shqipërisë më Politikën e Jashtme dhe Sigurisë të BE-së duke dhënë një sinjal të fortë të zgjedhjes strategjike. Ndihem mirë për vlerësimin që ka marrë në raport puna e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit”, tha Xhaçka. Gjithashtu ajo theksoi se raporti nuk është një fletë lavdërimi pasi përcakton kuadrin e punës së përbashkët mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian në muajt në vijim. “Raport progresi është një dokument pune që pasi identifikon arritjet përcakton gjithashtu fushat ku do të fokusohet puna e përbashkët me Komisionin Evropian në ditët dhe në javët në vijim. Si i tillë ky dokument nuk mund të pritet dhe nuk mund të jetë fletë lavdërimi. Vlera e vërtet e tij është që të jetë themeli i vijimësisë së punës tonë më Komisionin Evropian në mënyrë që raporti i vitit të ardhshëm të identifikojë fushat me përparim të mëtejshëm që do të na sjellin më afër ditës kur Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian”, përfundoi Xhaçka.

BE sheh dy rreziqe

Ndërsa po dje për të njëtin raport ka mbajtur konferencë të përbashkët zëvendëskryesministrja Belinda Balluku dhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann. Balloku u shpreh se raporti konstaton vlerësime pozitive për punën e qeverisë në disa fusha. Por një prej pikave që cilësohet si problem dhe ka hapur debat të ndezur në javët e fundit është nisma e qeverisë për amnistinë fiskale. E pyetur nga media për këtë çështje dhe gjithashtu edhe për “pasaportat e arta”,  ambasadorja e BE-së në Tiranë u shpreh se se KiE është mëse e qartë për të dyja draftet, madje ai i pasaportës “Gold” është pezulluar nga të gjitha vendet e BE. “Në lidhje me pasaportat gold raporti është tejet i qartë dhe sigurisht që BE do të respektojë sovranitetin e cilido shtet për të vendosur se çfarë skemash ka për dhënien e nënshtetësisë. Por duke pasur parrasysh kontekstin ku jetojmë me ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë kjo skemë do të sillte disa rreziqëe që janë në raport. Në mars të këtij viti Komisoni Europian i sugjeroi që t’i jepnin fund të gjitha shtetet kësaj skeme. KE është shumë i qartë. Për Aministinë Fiskale ju e dini që ne po vijojmë bisedimet”, tha ambasadorja e BE. Më parë qëndrimi i BE-së, por edhe i ambasadores Amerikane në Tiranë Yuri Kim ishte i qartë se janë kundër amnistisë fiskale, pasi rrezikohet që nëpërmjet kësaj nisme paratë e pista të siguruara nga aktivitete kriminale mund të induktohen në ekonomi dhe ky është një risk i lartë. Pavarësisht kundërshtive, kryeministri Rama është i vendosur që të miratojë Amnistinë Fiskale, pasi sipas tij është një kërkesë e qytetarëve. Në amnisti parashikohet që shumat deri në dy milionë uuro mund të futen në sistem, duke përjashtuar personat të cilët janë dënuar për aktivitete kriminale, apo politikanë të nivelit të lartë. Rama ka këmbëngulur se kjo nismë më së pari u jep mundësinë emigrantëve shqiptarë që kanë punuar në mënyrë të ndershme, por në të zezë për shkak të dokumentacionit që kursimet e tyre ti investojnë në vend, duke i legalizuar nëpërmjet sistemit bankar që do vijë si rrjedhojë e amnistisë. Ndërsa opozita shprehet se kjo përbën rrezikun që paratë e krimit dhe korrupsionit të legalizohen nga qeveria, duke përdor Amnistinë Fiskale.

Lexo edhe :  "Ajo ishte burrneshë", Eni Çobani tregon se kujt i ka ngjarë për nga "forca e gruas"

Tabaku: Amnistia fiskale kundër këshillave të BE-së

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka komentuar progres raportin për Shqipërinë, duke thënë se ishte një radiografi e gjendjes aktuale ku ndodhet Shqipëria. Sipas  saj, në vlerësimin për kapitullin e parë të hapjes së negociatave nuk ka asnjë ndryshim nga viti që kaloi, duke thënë se qeveria nuk ka marrë asnjë masë. Sa i përket amnistisë fiskalë, Tabaku teksa i referohet raportit thekson se  “Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave”. “Nuk ka kompromis për Amnistinë Fiskale dhe se vazhdimi në këtë udhë do të thotë largimi nga procesi i integrimit europian, pra më pak demokraci, më pak fonde nga BE dhe më pak zhvillim real për vendin. Njëkohësisht më shumë para të pista, sundim të gangokracisë dhe moralit të krimit. Zhbërje e barazisë dhe njëkohësisht edhe ndershmërisë së atyre që kanë paguar taksat për vite me radhë”, shprehet Tabaku. Ajo gjithashtu u shpreh se për të kaluar Amnistinë Fiskale qeverisë do i duhen 84 vota dhe sipas saj opozita nuk do e votojë.

Xhixho: Është skaneri më i vërtetë i qeverisë Rama

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho me anë të një postimi në Facebook ka deklaruar se “Raporti i Komisionit Europian është skaneri më i vërtetë i qeverisë Rama”. Sipas saj “në raportin e KE mbi Shqipërinë për vitin 2022 paralajmërohet ajo për të cilën kemi ngritur shqetësimin që në krye të herës”, ku ajo përmend rrezikun e pastrimit të parave të krimit e korrupsionit nëpërmjet pasaportave të arta dhe amnistisë fiskale ndër të tjera. Xhixho shtoi se “shpopullimi që po i ndodh vendit është përgjigja që fatkeqësisht po i japin qytetarët keqqeverisjes që e vuajne çdo ditë”.

Të fundit

A bëni pjes në listë? Këto tri shenja do të pasurohen në 2024

Nëse ëndërroni si të bëheni të pasur, ndoshta nuk do të bënte keq të dini çfarë kanë planifikuar yjet....

Një tjetër kryebashkiak socialist pritet të gjykohet nga GJKKO, ja për çfarë akuzohet

Në seancen e sotme SPAK mbajti qëndrimin që dosja në ngarkim të zyrtarit të lartë të qendojë në Gjykatën e Posaçme dhe jo të...

Vrau me thikë bashkëjetuesen dhe u largua / Apeli lë në burgim të përjetshëm Ramiz Micin

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit...

600 mijë euro për të prezantuar BBV? Arbana përgjigjet pas largimit nga Topi

Ish-moderatorja e Big Brother VIP Albania, Arbana Osmani, ka vendosur të ndajë mendimet e saj të qëndrueshme rreth çështjeve shumë të përfolura në media...

Refuzoi Liverpulin dhe Bayernin, Alonso: “Leverkusen është klubi i duhur për mua”

Klubet më të mëdha të Europës ishin gati të bënin çmendura për të pasur në krye një trajner si ai, por Xabi Alonso bëri...

Lajme të tjera

Web TV