Dilema tunduese: Me Dick-un apo Shqipërinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli

Nuk ka shumë për të zgjedhur! Nuk ekziston mundësia “edhe, edhe”, por vetëm zgjedhja “ose, ose!”. Ose me Shqipërië, ose me Dick-un. Nuk mund të ketë edhe me Shqipërinë, edhe Dick-un njëherësh. Sot, vetë senatori Marty, dikur në përpjekje për të hedhur dritë mbi krime të supozuara lufte, ndoshta fsheh një mister edhe më të madh paqeje. Nën pushtetin e karmës, ai ka denoncuar rrezikun për jetën e tij që i vinte nga struktura okulte serbe, një detaj që pakkush e ka kujtuar këto ditë, por, meqë dyshimet janë gjithmonë në favor të të dyshuarit, këto ditë janë rikujtuar dyshime serioze, se sërish struktura okulte serbe, nuk e kanë marrë falas dikur raportin e tij famëkeq. Sipas stilit të hershëm me gur të hedhur e dorë të fshehur, për t’i dhënë sërish fatit, dëshminë se fati i shërbëtorëve është të shërbejnë më shumë se një herë.

Edhe kësaj here, Dick-u që trazoi dynjanë, u bë kryefjalë në debatet e Tiranës sic e do tradita më e keqe e debatit lokal ku ka gjithmonë së paku dy palë të gatshme të hyjnë në sherr për gjithcka, me kusht që cfarë thotë njëra palë, tjetra ta kundërshtojë me ngulm. Nëse të majtët pretendojnë se është duke u gdhirë dhe se stinët ndryshojnë, pala tjetër nuk heziton të pohojë se është duke u ngrysur nata dhe se stinët mbeten gjithmonë njëlloj. Edhe anasjelltas, sic bënin dje socialistët që zgjidhnin të shihnin zi aty ku të djathtët betoheshin se ndrin dhe merrnin për të ndritur, gjithë cfarë kundërshtarët e tyre e shihnin sterrë.

‘Më kollaj mbushet një thes me pleshta se bëhen dy shqiptarë bashkë’, thoshte dikur Fishta.  Si doktor i kombit, Ati poet, këtë diagnozë i vinte vendit: sëmundja që e bën edhe më të vogël Shqipërinë është ndarja barbare mes shqiptarësh.

Java evropiane e Shqipërisë në Strasburg ishte edhe njëherë si përherë një arsye për betejën virtuale, për luftën që nuk gjen paqe. Kush e ngriti në qiell për oratori Ramën, pa si tjetri e groposte për arrogancë dhe kush e quante aktor në një shfaqje private, dëgjonte tjetrin që e konsideronte regjizor të atdheut; kush e dekoronte si patriot, dallonte tjetrin që e kryqëzonte si tradhëtar. Ca mblidhnin gurë për piedestal, ca e qëllonin po me ata gurë. Këto qëndrime të largëta si skaje drejtëzash, pak shenjonin se shpesh, përgjigjet më të ndërlikuara, vijnë me zgjidhje të thjeshta. Dhe cfarë ndodhi në Strasburg ishte dhe njëherë rasti për ta pranuar pa vërtetim këtë aksiomë.

Lexo edhe :  Hasie dhe Spaç

Rama nuk ishte në atë foltore si Edi nga Tirana. Ishte kryeministri që i dha zë qëndrimit zyrtar të Shqipërisë, përcaktuar nga vullneti i Kuvendit dhe për më shumë, edhe i detyruar nga kushtetuta. Kryeministri dhe jo Edi legjitimohej të ishte aty si drejtues i qeverisë së një vendi, që 11 vjet më parë ishte i dyshuar si skenë krimi. Shqipëria pretendohej se kishte mirëpritur një spirale të tmerrshme krimesh: trafik organesh me robër lufte.

Rama dhe jo Edi ishte i kushtëzuar të ishte në atë foltore, se ato dyshime cuan në zinxhirë gjithë zinxhirin komandues të UCK-së, me teknologjinë e dhunshme të propagandës që shndërronte heronjtë në banditë dhe luftëtarët e lirisë në vrasës ordinerë. Gjykimi për atë tërmet fjalësh proteste në Strasburg e që cunamin e marrëzisë e përplasi në Tiranë, duhet të niset pikërisht nga ky këndvështrim. Duke pranuar thelbin e padiskutueshëm e duke diskutuar për formën e zgjedhur për diskutim. Eshtë e vërtetë se shpesh, atë që nuk e bën ulërima, e kryen pëshpërima, se aty ku mund të dështojë grushti, mund të ketë sukses gishti. Dikush tjetër mund të kishte gjetur tjetër formë të prezantimit të Shqipërisë në Strasburg, por meqë rasti e solli që aty të ishte Edi Rama dhe meqë stili është vetë njeriu, njeriu që foli kishte zgjedhur stilin e tij polemizues dhe jo lutës, protestën me të vërtetat sy ndër sy dhe jo sytë përdhe të të pafajshmit të ndrojtur. Dhëmbin për dhëmb si hebrenjtë e jo nofullën përdhe si bagëtitë.

Në një Shqipëri normale, do të ishte e udhës që opozita në Tiranë dhe Albini në qeverisje në Prishtinë, të ishin në dijeni edhe të formës, edhe të thelbit të qëndrimit shqiptar në Strasburg. Kjo do të ishte një arsye më shumë që karma serbe që ndjek senatorin Marty, të mos linte dilema në Tiranë se kush përqafon Dick-un, ndahet me protestën shqiptare. Ndarja banale që u prodhua kujton batutën monumentale të Doktor Berishës 21 vjet më parë për zgjedhjen e tij mes Nanos e Metës dhe stilin e tij të pandryshueshëm. Atëherë tha se zgjidhte të bënte pakt edhe me djallin kundër Ilir Metës. Kësaj here yshti ndjekësit e tij të bëhen edhe me djallin kundër Edi Ramës! Dhe shumë i ranë shkurt. Zgjodhën Dick-un! Por në llogari të fundit, Dick-u do t’u mbetet në dorë, si ndëshkim nga Shqipëria për zgjedhje të gabuara.

Të fundit

Trafik armësh nga Shkodra drejt Tiranës, burg për ish-efektiven dhe 4 të rinjtë

Para dy ditësh, policia e Tiranës arrestoi të rinjtë Sabian Hasaj, Redi Nika, Denis Hasaj, Denisa Halilaj, Mirjan Hasaj....

Rike nxjerr zbuluar produksionin: Do dilja, por ma mbushi mendjen mami me motrat

Aludimet se banorët e BBV3, nuk janë plotësisht të izoluar nga të afërmit e tyre jashtë po shtohen dita ditës. Para pak kohësh, një...

Berisha: Shqipëria nuk plotëson më kriteret politike për të qenë anëtare e NATO-s

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka marrë pjesë nëpërmjet një lidhje live ndërsa ndodhet në arrest shtëpiak në aktivitetin dedikuar 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në...

Pas arrestimit të Evis Berberit, qeveria emëron kreun e ARRSH-së (Emri)

Pas arrestimit të Evis Berberit, qeveria ka emëruar në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentain Gjylin, i cili mbante postin e zëvendës drejtorit. Sipas informacioneve,...

Ora verore, të dielën akrepat shkojnë 60 minuta para

Kthehet ora verore me akrepat që lëvizin një orë përpara mes të shtunës 30 dhe të dielës 31 mars. Akrepat lëvizin një orë para,...

Lajme të tjera

Web TV