Të tjera detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga vrasja e 34-vjeçarit Indrit Ndoj në Fushë-Krujë, të cilin familjarët e tij e gjetën në një kanal anës rrugës teksa ishin duke shkuar për në punë.
Rastësisht ata kanë parë familjarin e tyre në kanal me një plagë plumbi në këmbë. Indriti dhe familja e tij nuk raportohet të kenë konflikte me njeri.
E ëma e 34-vjeçarit ka zbuluar bisedën e fundit me të birin, duke treguar detaje prekëse.
News 24 raporton se në dëshminë e saj, ajo deklaron se i biri nuk kishte konflikt me asnjë njeri dhe në telefonatën e fundit nuk shprehte ndonjë shqetësim.
E ëma ka deklaruar gjithashtu se e priste të birin në shtëpi pasi në bisedën e fundit me të i kishte thënë që t’i përgatiste për të ngrënë pasi nuk do të vonohej.
Policia dhe grupi hetimor pritet të marrin tabulatet e telefonit të 34-vjeçarit për të zbuluar personat e fundit me të cilët ai ka komunikuar për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.