Greva e pedagogëve dhe korrigjimet në ligjin e Arsimit të Lartë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Romeo Gurakuqi

Ditën e hënë, më 17 tetor 2022, KM i vendit zoti Edi Rama mblodhi Konferencën Rektorëve të universiteteve publike dhe private. Ky takim u zhvillua ditën e parë të fillimit të shkollës, ndërkohë që një pjesë e rëndësishme e profesorëve universitarë vijon me vendosmëri grevën, me synim kryesor rritjen e pagës së pedagogut, që është me e ulëta në të gjitha vendet evropiane.
Çdo drejtues qeverie në Evropë ndër aktet që kryen herë pas here është verifikimi i impaktit që kanë në jetën e përditshme të vendit të tij, reformat që ka ndërmarrë. Për më tepër kjo duhet të ndërmerret, kur ke luksin të të “dhurojnë” tre mandate për KM të vendit, dy të tilla pas ndryshimit rrënjësor të sistemit universitar shqiptar. D.m.th., të hënën e kaluar, 7 vite pas ndryshimit të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, duhej të kishte ardhur dita, që pikërisht në Aula Magna të MAS, të kryhej një analizë të plotë e pasojave të implementimit të Ligjit të vitit 2015 dhe akteve nënligjore që janë nxjerrë nga qeveritë dhe ministrat përkatës. Në fakt një analizë e tillë nuk ndodhi. KM nuk ishte i përgatitur për një vetëvlerësim të tillë dhe me sa kam informacion, ai dhe qeveria e tij nuk kanë as edhe një raport të brendshëm, një analizë të tillë, në asnjë hallkë të ekzekutivit. Kjo mungesë e thellë në treguesin e përgjegjshmërisë qeverisëse, besoj se ka ardhur për dy arsye: së pari, nuk ekziston një vullnet për ta ndërmarrë analizën strukturore dhe impaktin në jetën sociale dhe universitare të reformës së 2015; së dyti, në Shqipëri ka veç pak profesionistë, që janë në gjendje të kryejnë matje të tilla të nevojshme komplekse, por ata specialistë sot ndodhen të paangazhuar në konsulencën e ekzekutivit për Arsimin e Lartë dhe Shkencën. Si në çdo bord shtetëror, qeveria e partisë kujdeset në përzgjedhjen politike të anëtarëve dhe shpërndarjen e fondeve vetëm brenda komunitetit besnik socialist.
Çfarë duhej të kishte analizuar, vlerësuar KM i vendit para se të mbërrinte në sallën e MAS për të komunikuar me rektorët, profesoratin, studentët, prindërit dhe publikun?
Unë mendoj se Ai dhe këshilltarët e tij duhet të kishin ngritur këto pyetje dhe dhënë, së paku për vete, përgjigjet respektive:
1. A ka mundësuar Reforma e 2015 arritjen e objektivit të qeverisë për të cilin është ndërmarrë ndryshimi i legjislacionit organik? A janë përmbushur kërkesat e publikut për arsim cilësor në vend, përmes rekrutimit të profesoratit të ri të shkolluar në Perëndim, programeve të reja dhe një drejtimi të ri, jashtë kastave të kaluara, i universiteteve publike?
2. A e përpiloi Qeveria, tanimë pas 7 vitesh, “Letrën e Prioriteteve” të saj në raport me arsimin e lartë dhe universitetet në RSH?
3. Si e kishte strukturuar në pikëpamje kronologjike zbatimin e reformës qeveria? Sa vite ishte parashikuar faza tranzitore e implementimit të Ligjit të vitit 2015 ? A mendon KM se IAL publike janë strukturuar dhe fuqizuar mjaftueshëm, janë vendosur me barazi dhe me kualitet në treg sa të mbijetojnë, ndërsa IAL private janë bërë serioze, respektuese të ligjit, të drejtave të profesoratit, me kurrikula që nuk ndryshojnë më për arsye jo akademike, varësisht ëndrrave të pronarëve, borxheve, gjobëvënësve dhe kredive të tyre?
4. Si ka ecur në dinamikë kohore nxjerrja e akteve nënligjore në raport me implementimin e ligjit, specifikisht? A ka pasur një planifikim ideor në këtë dinamikë dhe në cilën fazë ndodhet përmbyllja e këtij procesi në tetorin 2022?
5. Cila është trajektorja e numrit të studentëve në përgjithësi dhe atyre cilësorë ne veçanti, që vijnë nga shkollat e mesme drejt universiteteve të vendit, të ardhurat familjare të atyre që mbesin në Shqipëri, dhe atyre që largohen, duke krahasuar vitin 2022 me vitin 2013?
6. Sa shpenzon për shkollimin e një studenti në Tiranë, një familje shqiptare, përfshirë tarifën e studimit, e ndarë në publik dhe privat, koston e jetesës në kryeqytet?
7. A ka përfunduar përllogaritja kostos së universiteteve për student, publik dhe privat, dhe si do të financojë qeveria shtresat në nevojë për shkollimin e fëmijëve?
8. Çfarë rregullimesh ka parashikuar qeveria për studentët që ndjekin degët MATEMATIK, FIZIKË dhe e mësuesve të Ciklit të Ulët të shkollës 9 vjeçare?
9. A është krijuar me të vërtetë ai tregu i famshëm universitar, ku studenti zgjedh universitetin më të mirë, ndërkohë që vetë universitetet janë rritur, stabilizuar, ndërkombëtarizuar dhe kanë veç një mision: edukimin cilësor dhe kërkimin shkencor?
10. Si ka ndryshuar buxheti i shtetit për arsimin e lartë nga viti 2013 në vitin 2022 dhe si e mbështeti qeveria vetë reformën me para, si kusht themelor që një reformë të ketë sukses? Pse nuk e ka rritur qeveria financimin e arsimit të lartë edhe pas 7 vjetëve pas nxjerrjes së ligjit ?
11. Si është strukturuar dhe si janë përdorur nga universitetet publike dhe private të ardhurat nga tarifa studentore?
12. Sa biblioteka janë themeluar, investuar, pajisur me literaturë të re ? A ka kryer një kontroll MAS mbi investimet e bibliotekave në IAL private, mbasi pa biblioteka, pa literaturë, pa akses në revistat bashkëkohore online, nuk ka universitet, nuk ka kërkim shkencor, nuk ka ecje të njëkohshme me Evropën dhe ky investim ka qenë i projektuar nga reformatorët e vitit 2015, si kusht i domosdoshëm për të arritur sukses.
13. A ka kryer një vlerësim qeveria, se si ka ndikuar reforma në qarkullimin e elitave universitare në IAL publike, në thyerjen e kastave të ngulitura nga kohë që nuk mbahen mend; në specializimin e departamenteve, në zbatimin rigoroz të statusit të profesorit universitar (academic tenure) ? Si respektohen standardet e konkurrencës së lirë ? Sa abuzime janë kryer nga departamentet që janë verifikuar nga kontrolli i MAS dhe si janë korrigjuar dhe ndëshkuar fajtorët e devijimit të të drejtës për konkurrim të lirë ?
14. Në vitin 2014 MAS ndërmori një nismë shumë të mirë për stabilizimin e sistemit të IAL private, që kishin rrënuar sistemin universitar shqiptar në pararëndje. Mirëpo pyetja që bëhet sot është kjo : ku është Shqipëria e vitit 2022 me atë të 2014-2015 në aspektin e plotësimit të detyrave të atij kontrolli rigoroz të ndërmarrë asokohe ndër IAL private ? Sa i plotësojnë standardet IAL private ? Si i respektojnë kushtet e stabilitetit programor në raport me licencimin, akreditimin dhe rankimin ? Si i respektojnë ngarkesat e pedagogëve dhe lëndët e specializimit të tyre ? Si respektohet Statusi i Profesorit Universitar ? Si janë paguar profesorët e brendshëm nga viti 2014 deri në vitin 2022 ? Si janë paguar detyrimet ndaj shtetit ? Me çfarë lloj kontratash mbahet stafi ? etj., etj..
15. Kostoja e jetës në Shqipëri dhe paga e pedagogut: a ka ndonjë studim krahasimor në këtë drejtim ? A mund të ketë universitete cilësore, kërkim shkencor dhe profesorat të mirëfilltë, pa stabilitetin financiar të stafin pedagogjik dhe shkencor ?
16. Sa e përgatit shkolla e mesme shqiptare studentin me aftësi për të përballuar në shkencat natyrore Universitetin e shekullit XXI ?
17. Si është e mundur që ndryshon aq shpesh pronësia e universiteteve private në Shqipëri dhe a ka dijeni paraprakisht KM i vendit mbi këto destabilizime dhe zhvendosje pronësore ? Kush luan ndër prapaskenat tona në kurriz të shkollimit cilësor? A ndërhyn ai në orientimin e pronësive ? Sa është e përfshirë është politika në këto këmbime dhe si i kontrollojnë organet ligj zbatuese veprimtarinë financiare, aktet e zhvendosjes së pronësisë, zbatimin e ligjit mbi fondacionet, ose ShPK, etj.

Me keqardhje mund të them se KM kryelartë i vendit tim nuk bëri asnjë prej pyetjeve verifikuese, që ia imponon detyra dhe përgjegjësia, pa përgjigjet e të cilave nuk mund të krijojë bindjen se, impakti i reformës ka qenë pozitiv, amullia e periudhës pararendëse, sikurse e cilësoi ai vetë, është tejkaluar, universitetet janë shndërruar në konkurrenciale dhe mirëfilli ndërkombëtare, studentët nuk largohen më nga Shqipëria me dhjetëra-mijëra, bibliotekat universitare janë shndërruar në vende studimi dhe kërkimi, profesorati është tanimë klasë e mesme e stabilizuar, kastat kanë rënë, elitat ndryshojnë varësisht meritave dhe konkurencës në punë e studim, buxheti është dyfishuar sipas premtimit, kërkimi shkencor gëlon në çdo pore të jetës akademike, e çfarë të them unë më shumë ?! Ai në fakt, u mor me aspekte që nuk i kërkohen një Kryeministri: me metodat e mësimdhënies, renditjen e universiteteve dhe mbrojtjen e pozicionit të panjohur të shkollave tona në botë, vetingun e profesoratit, me kapacitetet (në formë evazive dhe të papërcaktuar se çfarë kupton me këtë term), premtoi për kontroll të kushteve që duhet të përmbushen, ndërkohë që duhej ta kishte bërë përditë dhe në vazhdimësi, vetë -deklarimin e të dhënave, bordin e akreditimit, rankimin, për specializimin e universiteteve, ndarjen dhe bashkimin e tyre, d.m.th. me çdo gjë mikro që nuk është detyrë e tij dhe me asgjë makro që është detyra e tij e drejtpërdrejtë. Ngjan se ai e ka kuptuar rolin që ka, si një passatempo dhe se jo shkolla, por të tjera aspekte të ditës janë kryesore për KM e vendit tim, nga humori i të cilit varet jeta jonë, çmimi i naftës, paga e profesorit, shkollimi i fëmijëve, shëndeti publik, gëzimi i hapësirave publike, lulëzimi i biznesit, punësimi, digjitalizimit, emigracioni dhe shndërrimi i tmerrshëm kombëtar që ka vendosur në veprim vrastar etj..
Në fakt, unë nuk pres më shumë nga Kryeministri i një vendi qe në qendër të Tiranës, rrëzon Teatrin Kombëtar, ngre pa fund Kulla të shëmtuara, por jo Bibliotekën Kombëtare. Edhe aq sa dinte për universitetet, ishte mjaft. Është KM i një vendi, në fakt, pa Bibliotekë Kombëtare të aksesueshme me sistemet moderne dhe me biblioteka universitare të vendosura ndër kate shkollash, shpesh herë edhe në magazina dhe dhoma.
Dhe në qoftë se duhet të them dy fjalë mbi opinionin tim mbi atë çfarë ndodhë në sistemin universitar, do të shtoja se është një situate e rëndë. Sistemi është i pa financuar, në kolaps të plotë dhe me ritmet mbrapa që ecën, nuk do jetë asnjëherë konkurencial, as me Malin e Zi, as me B-H, dhe as Maqedoninë e Veriut. Autonomia, në vend që të përforconte akademizmin dhe cilësinë e universiteteve, rriti klientelizmin e brendshëm, përforcoi klientelat pararendëse më të njëjtët njerëz që sundojnë si ‘monarkë’ të vërtetë ndër Departamente dhe Dekanate prej dekadash, që nga koha e Ramiz Alisë. Kontrollorët ndodhën në skenë direkt, ose ne prapaskenën vendimarrëse, përmes drejtuesve të rinj ruralë, që përkulen ndër labirinte ku nuk futen dot njerëzit e mirëfilltë të punës dhe dijes. Një piramidë njerëzish që nuk çahen dot, mbasi shkëmbejnë interesa dhe ndajnë atë pak para që hyn nga të ardhurat prej të tretëve. Ky shkëmbim ndodh vetëm për klanin, grupin e votuesve të sigurtë për mbajtjen e postit, shërbëtorët që bëjnë punën të gatshme për të vendosur emrin shefat. Përndryshe, kush nuk bën pjesë ndër grupe të tilla ‘kooperativistësh’ me akademi, është tërësisht i cenueshëm në jetën e përditshme, e ka derën të mbyllur, flakët në hije, me kërcënimin e kyçjes së gojës para “rretheve okulte të interesave private”. Duhet të kuptoni zoti KM se profesorët e universiteteve shtetërore dhe akademive studimore kanë një pagë që nuk mjafton as për nevojat jetësore për gjysmën e muajit, jo më për arsim cilësor dhe shkencë, për udhëtime akademike, për përthithje studentësh në degët universitare etj.. Dhe ju nuk keni asnjë të drejtë të kërcënoni, të ngatërroni njerëzit e dijes me tregtarët e dijes. Kupolat universitare kane krijuar “principata” dhe askujt që vjen nga jashtë nuk u hapet rruga; mburojë kundër ndërhyrjes së ndonjë qeverie iluministe hipotetike që mund të krijohet ndonjëherë, kanë dhe kanë me pasë gjithmonë, autonominë, kartën e së cilës e valëvisin sipas dëshirës, nganjëherë edhe me mbështetjen dhe dritëshkurtësinë e opozitave që këmbehen në Bazarin politik të Tiranës. Krahinarizmi, nepotizmi dhe klani mbisundues është fryma komanduese dhe referenca për të bërë hajr. Universitet private janë një drame me vehte: në vend që të jenë në shërbim te publikut, mbasi kështu janë konceptuar në ligj, sikurse e tha edhe vetë KM, ato janë shndërruar në biznese të mirëfillta në funksion të një grupi aksionerësh të lidhur me politikën, ose një individi që herë duket dhe herë humbet në prapaskenat e Tiranës së errët. IAL private ndërrojnë programet çdo vjetë, disa prej tyre ndërrojnë edhe kontratat e profesoratit dhe lëndët çdo semester, në funksion të kursimit te profesorëve, të cilët ngarkohen përkundër specializimit të sanksionuar në ligj, me nga 5 deri më shumë lëndë të reja dhe askush ndër institucionet ekzekutive shtetërore nuk i pengon, por ua akrediton programet pa ia nda. Ministria nuk e kontrollon dot, me mekanizmat që ka në dispozicion, stabilitetin e profesoratit ndër universitetet private, as mënyrën se çfarë ndodh me fondet e grumbulluara nga tuition fees, ku filtrohen të ardhurat; pse ikin ndër shumë llogarina, nga ikin dhe pse nuk përdoren sikur e kërkon ligji mbi fondacionet- vetëm për Universitetin. Mijëra studentë emigrojnë jashtë vendit mbasi maksimumi që shpenzojnë në muaj është 750 euro, ndërkohë që po kaq duhet për të jetuar edhe në Tirane me koston e jetesës marramendëse qe ka lëshuar pa frena vetë Edi Rama. Duhet të kujtojmë se shërbimi që marrin studentët, po qëndruan në Shqipëri është i atillë, që nuk hyn në asnjë llogari të të qenurit sistem universitar.
Kjo e gjitha tregon, i nderuari zoti Kryeministër, se një ndërhyrje e re, e thellë dhe e saktë, duhet te ndodhë. Asnjëherë ajo që aktrove të hënën.
Një KM normal nuk i sheh qytetarët e tij që e kundërshtojnë, profesorët që bëjnë grevë dhe e kritikojnë, gazetarët që shkruajnë, si armiq, por si oponentë konstruktivë në rrugën e përbashkët drejt përmirësimit. Afërmendsh të gërmohet e të kërcënohet profesori protestues, për shkak të ushtrimit të të drejtave sindikaliste, se në fund i bën dëm edhe Shqipërisë. Unë po ju them që le të shërbejë thirrja e profesoratit për ngritje pagash si një thirrje mendje për qeverinë tende, për shoqërinë dhe për universitetet në tërësi, si start për korrigjim të mirëmenduar dhe të studiuar paraprakisht.
Një ndërhyrje vullnetmirë dhe dashamirëse e njerëzve që dijnë dhe kanë dashuri për vendin, dijen, arsimin dhe brezin e ri, te ardhmen e Shqipërisë, duhet të ndodhë dhe duhet të lejohet. Ajo që keni ndërtuar në vitin 2015, me keqardhje e them, KA DËSHTUAR, jo për shkak të programimit të reformatorit kryesor, por për shkak të rumpallës së gjithanshme që është krijuar në vend në këto vite, të sabotimit të mediokrëve që e implementuan, të korrupsionit dhe mos-studimit të kushteve specifike të Shqipërisë, që nuk ka rezerva të ngjashme me UK, për të futur ne treg, ashtu në kurriz të familjeve të varfra shqiptare, shkollën e lartë, për hatër të disa aventurierëve me ambicje të shfrenueme për pasurim të pamerituar në kurriz të profesorëve dhe studentëve.
Përgjigjet arrogante, nga shumë krahë, duhet të lihen mënjanë sot. Një KËSHILL i Ri i Arsimit dhe Shkencës, me pak njerëz që e kanë kompetencën e nevojshme në programim, duhet të ri-themelohet, pa ngurrim dhe pa bujë shumë, për të kryer korrektimet në Ligjin e vitit 2015, ose duke përmirësuar atë të 2008. Ndryshe, tatëpjeta do vijojë, vërtetë e mbuluar nga kërpudhat dhe gardhet që gëlojnë nëpër ndërtesën kryeministrore, por e zbuluar tërësisht në dyert e ambasadave të huaja në Tiranë dhe në pikat e kalimit të kufirit shtetërorë, ku rropaten për shpëtim fëmijët tanë.

Të fundit

VIDEO/ Mbetet e hapur gara për vendin e katërt, Atalanta bën “vetëvrasje” ndaj Veronës

Atalanta lë të tjera pikë të rëndësishme që e vështirësojnë arritjen e objektivit final në Serinë A, që është...

Chelsea shkatërron Evertonin në “Stamford Bridge”, Palmer realizon “Poker-in” e parë

Pas barazimit ndaj Sheffield United, Chelsea është rikthyer te fitorja. Blutë e Londrës triumfuan pastër 6-0 në shtëpi, ndaj Everton. Natyrisht, një nga më...

Nëse doni të jetoni gjatë, krijoni këtë zakon të ri

Kur bëhet fjalë për shëndetin, zemra dhe truri janë organet e para që na vijnë mendje, sidomos me kalimin e viteve ku faktori moshë...

Çfarë po ndodh me tregjet e naftës pas sulmit të Iranit?

Shumë investitorë po mbajnë frymën e tyre pas sulmit të paprecedentë të Iranit me dron dhe raketë ndaj Izraelit që filloi më 13 prill....

Jetmiri paralajmëron ‘tërmet’: Nesër marr valixhen dhe do iki. Do jap një pau, pau, pau…!

Jetmiri ka paralajmëruar sot se gjatë spektaklit të së martës do të sqarojë çdo gjë. Gjatë bisedës me Roza Latin, shumë i irrituar, Jetmiri...

Lajme të tjera

Web TV