Romani “Në ingranazhet e mafies” një temë e mprehtë jo vetëm sociale

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Për romanin omonim të Dogjan Dervishit

Nga Qazim Shehu

Autori Dogjan Dervishi ka shkruar disa romane me temë të mprehtë sociale. Si njeri që ka kryer disa detyra shtetërore ai e njeh shumë mirë mekanizmin e administratës dhe çështjet e ndryshme sociale, të cilat përplasen tek ajo si mundësi për zgjidhje, por në një administratë të atrofizuar, të ndërtuar keq ku nuk ekziston kriteri i ndershmërisë dhe i përkushtimit këto çështje marrin zgjidhje të pjesshme ose fare dhe nga kjo përvijohen një varg motivesh, të cilët gjenerojnë dhe sillen për shkas që të sigurohet një lëndë e pasur jetësore e cila më pas filtrohet artistikisht. Kjo përbën edhe lajtmotivin e romaneve të tij, që i sjell origjinalitet atij si romancier. Pothuajse në të gjitha romanet e Dogjanit kemi një intelektual që vihet përballë shtetit, përballë krimit, përballë padrejtësive dhe në këto romane, ky personazh pasi vihet në një dilemë të madhe (rrethanat dhe kundërshtia ndaj tij është kërcënuese) nuk zgjedh të braktisë atdheun ashtu siç po ndodh prej vitesh por të qëndrojë këtu, në vendin e tij, me shpresë që Shqipëria një ditë do të bëhet vend më i mirë, më i drejtë, më i zhvilluar. A është realiste kjo zgjidhje apo ideale, këtu ha vend diskutimi, por autori zgjedh idealen, sepse i pëlqen t`u japë romaneve të tij një ton optimist, pas gjithë atij dramaciteti dhe vështirësish e pengesash që dynden përmes një narrative të rrjedhshme dhe përmes të papriturave ankthioze të mirorganizuara brenda një strukture solide të romaneve të tij. Dogjani na bie para syve një realitet që e shohim përditë, fakte të cilat qëndrojnë para nesh kokëforta, ndërtime luksoze, mafien e betonit, por që nuk tregon asgjë nga vetja” sepse gjarpri nuk i tregon këmbët e veta”, thotë populli. Arsen Demi i zbulon këmbët e gjarprit, po ndërkohë gjarpri mblidhet kutullaç dhe bëhet gati ta kafshojë. Arsen Demi tërhiqet përkohësisht për të rimarrë një pozicion të ri. Lufta vazhdon, ajo është e përjetshme, veçanërisht nga misionarët e guximit, profesionalizmit dhe të ndershmërisë.

Ky roman i shkruar lirshëm, me një rrjedhë rrëfimore të këndshme na zbulon institucionet fasadë të shtetit, të cilët e luftojnë krimin si propagandë për t`u gjendur në rregull me statusin e komunikimit publik, kurse në të vërtetë edhe ato e kanë gëlltitur lugën e çorbës së prishur dhe kjo dëshmohet kur preken interesat e tyre. A e kreu detyrën Arsen Demi? Patjetër, ai shkoi dhe zbuloi, ia tregoi eprorit ia vërtetoi dhe detyra e tij mbaron këtu. Por Dogjani nuk ka dashur që ta vizatojë personazhin e tij vetëm si profesionist. Sa profesionistë ka në administratën shqiptare,me shumicë. Po kjo është vetëm një pjesë e vlerës së tyre dhe jo e tëra. Vlera plotësohet nëse këta profesionistë dinë të mbrojnë të vërtetat që i ndërtojnë dhe që ua manipulojnë,atëherë dhe vetëm atëherë ata ngrihen në nivelin e misionarëve intelektualë dhe bëhen më të dobishëm dhe i kthejnë kështu investimin publikut, borxhin. Kështu, Dogjani na paraqet një personazh të kompletuar dhe të ndërtuar në të gjithë spektrin ideor, ku zotësia hijeshohet nga guximi dhe anasjelltas. Romani i Dogjanit, brenda pak faqesh, as një qind, arrin të na japë tablo të frikshme të realitetit financiar në Shqipëri dhe në botë (Spanjë), arrin të detajojë me pak faqe një realitet të trishtë shqiptar që ngrihet mbi informalitetin, si shkas për të dekurajuar rregullsinë dhe jetën e qetë. Dogjani si ekonomist i njeh mirë termat nga lwmi i ekonomisë, nga fusha bankare dhe kjo është tjetër një tipar i natyrshmërisë së ngjarjeve të cilat e prodhojnë autencitetin e tyre prej vërtetësisë së pasqyrimit. Herë-herë, me një stil gazetaresk, autori na i sjell këto terma dhe realitete, por kjo është e nevojshme dhe i kërkon vetë logjika ideore e shtjellimit; pastaj ne mund të shtojmë se temat sociale-politike-ekonomike nuk mund të shkruhen ndryshe përveçse duke u pasqyruar me konkretëtësinë e faktit që ta jep drithërimën sapo e përmend. Një veçori e romanit të Dogjanit, të këtij prozatori tashmë të konsoliduar, është lakonizmi, thuaj pak e nënkupto shumë, sintetizmi-përgjithësimi i ngjarjeve përmes përshkrimeve të kursyera, dinamizmi si veçori e ankthit dhe ngutësisë së ngjarjeve që rendin në një ritëm çmendurak, vlerësimi i situatave përmes dy-tre detajeve që thonë shumë dhe që kuptohen mirë e bukur.
Romani ndërtohet mbi një personazh kryesor dhe të tjerët që projektohen nga rruga e ndriçimit të figurës së tij.Këtë personazh autori e gjen të përshtatshëm për ta shkëputur nga realiteti brenda të cilit ai është dhe për t`ia dhënë realitetit si shembull apo model.Edhe personazhet e tjera janë ndërtuar mirë ,me saktësi dhe vijnë të besueshëm.Kështu vjen Valbona,Mira,shefi i tij.Linja e dashurisë paraqiytet me tone të ngrohta,siç është e natyrshme dhe s`mund të mendohet jashtë këtij përcaktimi. Ngjeshja e prozës nga intesiteti dramatik i ngjarjeve nuk ka mundësuar të na sjellin skena të gjata, sepse këto ngjarje i shtyn përpara ankthi. Dogjani ka meritën se sjell një portret kolektiv të mafies së sotme,e cila në rrugën e pasurimit nuk njeh asnjë kriter dhe skrupull moral,ashtu si mafia ka vepruar historikisht,por duhet thënë se sot ajo është bërë më e sofistikuar.Ai arrin të krijojë edhe një roman pamflet, një roman të ideve dhe qasjeve të shumta përmes pikëvështrimeve dhe këndshikimeve të shumta, duke na dhënë një realitet gri, i cili kërkon të përshtatet si normal,por autori bën thirrje ,një thirrje mesazhore që ky realitet ka nevojë të shkundet, të formalizohet drejt rregullit, sepse vetëm kështu vjen qetësia, zhvillimi, harmonia dhe për këtë, personazhë të tillë si Arseni, që gjenden midis nesh ,bëhen inspirues dhe tregojnë se ekziston kjo mundësi. Ky roman ka nota të theksuara realizmi, të një realizmi të zhveshur,të hapur, të thatë, faktologjik. Kjo mënyrë ku rrëfimi bëhet mbizotërues si mundësi për të kuptuar gjendjet e sjell gjithashtu edhe perceprimin e leximit me një një frymë,larg çdo stonature. Ritimi rrëfimor, lakonizmi dhe përshpejtimi i ngjarjeve që shkojnë drejt fundit me shpejtësi marramendëse krijojnë gjithashtu një tipar të qenësishëm të stilit të autorit, në pikëpamje të zgjedhjes së mjeteve shprehëse sa më të kursyera dhe të vlerësimit të situatave duke kapur thelbin më përcaktues të tyre pa i shtjelluar tepër. Tema të tilla janë të vështira,sepse kërkojnë njohje të tyre,shtjellohen vijimësisht nga media dhe opinionistët,por autori ia ka dalë t`i sjellë ato përmes një rrëfimi ku ndihet shqetësimi qytetar dhe njerëzor dhe ku botëndijimi përvijohet përmes peripecisë së personazhit kryesor dhe personazheve të tjerë, gjithnjë në kërkim të identifikimeve të problemeve në disa rrafshe:në rrafshin njertëzor-emcional,në rrafshin social,politik dhe qytetar, por edhe në rrafshin ideo-tematik, se Shqipëria dhe publiku i saj meriton një kahje tjetër zhvillimi, ku të mbizotërojë formaliteti rregulli dhe drejtësia.


Të fundit


Horoskopi ditor, e shtunë 28 janar 2023

Dashi Do të ketë një mënyrë për të qartësuar disa gjëra që ju mundojnë. Në punë mund të jeni surpriza e madhe e punëdhënësve tuaj....

Manchester City mposht Arsenalin dhe kalon në raundin tjetër të FA Cup

Goli i Nathan Ake vendosi sfidën Manchester City-Arsenal. Dueli i raundit të 1/16-ve në FA Cup, u mbyll 1-0 për skuadrën e Pep Guardiolës,...

Besnikë dhe të qëndrueshëm, me këto shenja do të keni një marrëdhënie perfekte

Personat që i përkasin shenjave të mëposhtme njihen si të qëndrueshëm dhe besnikë. Demi Askush nuk e vlerëson partnerin e tij më shumë se sa një...

Largimi i shqiptarëve, eksperti i punësimit tregon ‘çelësin’: Frenimi i emigracionit..

Në kushtet e largimit të fuqisë punëtore nga vendi, eksperti për çështjet e punësimit Erald Pashai, sugjeron rritjen e pagës mesatare në 850 euro...

Lajme të tjera

Web TV