Scholz: Me Francën po i shtyjmë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka konfirmuar se ekziston plani franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë. “Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, tha Scholz gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas samitit të Procesit të Berlinit. Scholz nuk dha detaje të këtij plani, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar se kanë njohuri. Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të japë detaje mbi planin franko-gjerman, duke insistuar se “është respekt ndaj ndërmjetësit të ruhet konfidencialiteti i bisedimeve konkrete”. Por, ai tha se do të pranojë çfarëdo propozimi që bazohet në “vlera evropiane dhe demokratike” dhe që nuk cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Sa i përket marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti insistoi që Kosova do të pranojë një marrëveshje të tillë vetëm nëse përfshihet njohja reciproke mes dy vendeve. “Është herët të themi tani se çfarë do të përmbajë ajo në fund. Marrëveshja e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë finale, duhet të jetë për normalizimin të plotë, duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke në qendër”, tha Kurti. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza. Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet ta marrin seriozisht propozimin e Parisit dhe Berlinit, të cilin e vlerësoi si “një mundësi tejet të mirë jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin dhe botën”. Vuçiq, më 8 tetor, tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian. Mediat në Kosovë kanë raportuar se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia. Kancelari gjerman, në fjalimin e tij hapës në këtë samit, kërkoi përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën evropiane”, tha Scholz, ndërsa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit. Ekzistimin e propozimit franko-gjerman në tetor e konfirmoi edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se e përkrah atë. “Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht të Serbisë, në integrimet euroatlantike”, tha Escobar. Faktori ndërkombëtar po inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të intensifikojnë bisedimet nën ndërmjetësimin e BE-së, që kanë për synim normalizimin e plotë të raporteve. Përderisa Kosova synon që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshinte edhe njohjen reciproke, Serbia kërkon një “zgjidhje kompromisi”, pa saktësuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Lexo edhe :  Rikja tregon se kush do të marrë çmimin e madh të BBV3

Samiti i Berlinit: Nënshkruhen tri marrëveshjet e mobilitetit

Në fillim të samitit të Procesit të Berlinit, kancelari gjerman Olaf Scholz, u bëri thirrje gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që të bashkëpunojnë për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e Evropës. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkrruan (03.11) në Berlin tri marrëveshjet e mobilitetit. Ato parashikojnë lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe dhe kualifikimeve për tri profesione: mjekët, arkitektët dhe dentistët. Nënshkrimi u bë nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët në samitin e Berlinit konsiderohen si të barabartë. Në hapje të samitit të Berlinit, të premten (3.11) në zyrën e tij, kancelari gjerman Olaf Scholz, tha se stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të shkëputet nga stabiliteti dhe prosperiteti i Evropës në tërësi. “Evropa mund të kompletohet vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj.” Scholz tha se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është në interes të Evropës. ”Prandaj, të gjithë ne duhet të rrisim angazhimin tonë për të përmbushur pritshmëritë e ngritura prej gati 20 vjet më parë në Selanik”. Ai u shpreh i bindur se Procesi i Berlinit do ta përshpejtojë rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së: “Procesi i Berlinit jo vetëm që do të ndihmojë në çlirimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do të përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha kancelari gjerman.

Marrëveshjet e mobilitetit tre “hapa të guximshëm”

Kancelari gjerman lavdëroi arritjen e tre marrëveshjeve të mobilitetit, që u nënshkrua në kuadër të samitit, duke i quajtur ato “tre hapa të mëdhenj” dhe “të guximshëm” që do t’ua bëjnë komunikimin më të lehtë njerëzve në rajon. Kancelari gjerman falënderoi në mënyrë të veçantë punën e bërë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal për arritjen e marrëveshjeve, si edhe Komisionin Evropian për mbështetjen thelbësore të dhënë në këtë proces.

Lufta e Ukrainës na detyron të qëndrojmë së bashku

Gjithashtu Scholz siguroi mbështetjen e Gjermanisë në planin afatshkurtër dhe afatgjatë, por kërkoi nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të mënjanojnë konfliktet rajonale. “Lufta brutale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës na detyron të qëndrojmë së bashku për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e Evropës. Është koha e duhur për të kapërcyer konfliktet rajonale që kanë vazhduar për shumë gjatë. Konflikte që ju ndajnë dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën tuaj drejt Evropës”, u tha kancelari gjerman gjashtë kryeministrave të pranishëm. Në prag të samitit, qarqe nga Berlini kishin theksuar në këtë kontekst sidomos domosdoshmërinë e arritjes sa më shpejt të një marrëveshjeje në dialogun Serbi-Kosovë. Procesi i Berlinit është iniciuar nga kancelarja Angela Merkel, në vitin 2014. Përveç Gjermanisë dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e të enjtes në Berlin marrin pjesë edhe përfaqësues nga vende të mëparshme mikpritëse të Procesit të Berlinit, Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Polonia, Bullgaria, si edhe Greqia, Sllovenia, Kroacia. Veç të tjerash në samit marrin pjesë presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen si edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel. Përveç tri marrëveshjeve në samit pritet të bëhet progres në bashkëpunimin rajonal në fushën e energjisë dhe klimës, si edhe për migracionin.

Të fundit

Basha “hap listat” me email

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha duket se është ndërgjegjësuar mjaftueshëm që partia që drejton është në tkurrje...

Meta nuk ndalet: Dumani dhe ndërkombëtarët janë të kapur

Kreu I Partisë së Lirisë Ilir Meta prej një jave ka nisur tre beteja njëkohësisht: së pari në sulm të hapur ndaj Prokurorisë Speciale...

Horoskopi ditor, 24 prill 2024

DASHI Në dashuri, mësoni të shkoni përtej kufijve dhe mos u zemëroni nëse diçka nuk ju shkon ashtu siç dëshironi. Duhet të guxoni më shumë,...

Lazio mposht Juventusin por nuk mjafton, bardhezinjtë kualifikohen për në finale të kupës

Juventus është skuadra e parë finaliste e Kupës së Italisë. Bardhezinjtë u mposhtën me rezultatin 2-1 nga Lazio në “Olimpico”, por ia dolën të...

Lajme të tjera

Web TV