Debatet e Kadri Hazbiut në mbledhjen e Byrosë: Shoku Enver, legjenda ishte kështu

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”.
Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete.
Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPTARISË TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse shkruan ndryshe në autokritikë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Në cilën autokritikë, jo këtë unë nuk e di?

SHOKU ENVER HOXHA: Po ja, ta them unë tashti. Në këtë material zyrtar që i dërgon sekretarit të parë të Komitetit Qendror, kështu shkruan, kurse këtu na thua, nuk jam i sigurt, nuk di, nuk më kujtohet etj.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po i thonë 30 vjet shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: E di, e di, po lërmë të mbaroj mendimin. Ti thua aty: “nuk jam i sigurt në se këshilltarët sovjetikë e dinin që nga fillimi këtë gjendje, por mendoj që po”. Tashti na thuaj, i ke vënë ti ata në korrent?

SHKU KADRI HAZBIU: Unë them që nga fillimi shoku Enver, të më kuptoni.

SHOKU ENVER HOXHA: More që nga fillimi dhe nga fundi, po i ke vënë në dijeni nga fillimi, i ke vënë dhe nga fundi.

SHOKU KADRI HAZBIU: Në fund po, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po nga fillimi?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk jam tani në gjendje të them që në fillim fare, kur është ngritur problemi i Teme Sejkos.

Lexo edhe :  Dr. Isuf Kalo, personalitet i shquar i shkencës dhe kulturës tonë

SHOKU ENVER HOXHA: More, po lëri tani këto llafe të kota.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë, si të them unë tani!

SHOKU ENVER HOXHA: Po si të thuash? Të na tregosh të drejtën këtu, si komunist.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, të drejtën po të them, shoku Enver, këshilltarët sovjetikë është e pamundur të mos e kenë ditur këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Po nga kush e kanë ditur çështjen e Teme Sejkos?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, edhe nga unë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po këtu, nuk thua nga unë!

SHOKU KADRI HAZBIU: Në fund po, shoku Enver. Më poshtë në autokritikë mbase e them, se me ta e ndërtuam këtë legjendë ne.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, nuk thua gjë hiç, përsa i përket legjendës që e keni bashkëbiseduar me një këshilltar sovjetik.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, me siguri po.

SHOKU ENVER HOXHA: Po me siguri, posi, e pastaj thua, sikur ke marrë miratimin tim për këtë legjendë. Mund të të jepja unë miratimin tim për legjendën në një kohë kaq të rrezikshme të marrëdhënieve tona me sovjetikët, që t’u jepnim atyre në duar një kuadër tonin, oficer të lartë, shefin e Marinës sonë?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, ne nuk ua jepnin atyre atyre, ata vetëm adresën do të mbanin, se ne do ta arrestonim atë. Ata do të mbanin atje vetëm letrat që do të vinin në adresë të tij, do të na i kthenin ata neve dhe ne do t’u përgjigjeshim të interesuarve, gjoja sikur Teme Sejko ishte në Akademi dhe do t’ua dërgonim atyre.

SHOKU ENVER HOXHA: Po çfarë ishte ky, nuk ishte një kompleks agjentural?

SHOKU KADRI HAZBIU: Në bashkëpunim me ta, po…

SHOKU ENVER HOXHA: Tamam, se ishim ne zotër të shtëpisë dhe nuk ishin ata. E di ti Platformën e organeve të Sigurimit të Shtetit?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po.

SHOKU ENVER HOXHA: Shkruhet që në krye të saj, që duhen të ruhen sekretet që përmban ajo, apo jo?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere, pse u shkelën këto sekrete. Mos i shkeli Enver Hoxha me Byronë Politike? Pse e ke dhënë ti këtë urdhër, duke shkelur direktivat, Ti, apo Mehmet Shehu, pse keni dhënë urdhër që të shkelej kjo direktivë? Atje shkruhet që çdo nen i Platformës, duhet të mbahet shumë sekret, tepër sekret, atëhere, pse jua dhe sovjetikëve?

SHOKU KADRI HAZBIU: Që t’u jetë dhënë me shkrim Platforma sovjetikëve, këtë unë nuk e di.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk e di?

SHOKU SIMON STEFANI: Po ti vetë na the atë ditë këtu, që si u është dhënë kjo?

SHOKU KADRI HAZBIU: Ore, unë thashë që mundësi ka që ajo t’u jetë dhënë, po le ta shikojmë mo, se çfarë thashë. (Me nervozitet) E çfarë thashë?

SHOKU SIMON STEFANI: Posi, na the që u është dhënë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mund t’u jetë dhënë, u thashë.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ti, ditën e mbledhjes së Sekretariatit, i dëgjove me vëmendje ato që u lexuan dhe the se ashtu janë ato të tëra, bile shtove se ka edhe të tjera. Kësaj të mos i lëvizim, se unë i kam të shkruara këto që ke thënë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ore, u kam thënë se ata mund të kenë marrë dhe të tjera dhe ua them edhe tashti.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Atë ditë the që u kemi dhënë këtë dhe u kemi dhënë edhe të tjera. Ti këtë e pranove atë ditë, që u’a kemi dhënë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, edhe mund…

SHOKU PALI MISKA: Ti duhet të kesh të qartë një gjë, se këshilltari sovjetik, nuk erdhi dhe të hapi kasafortën tënde, ti ja ke dhënë vetë atyre.

SHOKU ENVER HOXHA: Shiko, mos luaj me fjalë Kadri, se janë fakte këto, kurse këtu, dridhe dhe përdridhe, jo kam thënë kështu, jo mund të ketë qenë ashtu. Ti ishte ministër. Haxhi Kroi ka 40 vjet që punon me mua dhe ka besimin tim të plotë, po as gjënë më të vogël nuk bën ai, pa më pyetur mua. Si është e mundur që ti asnjë njeri të mos pyesësh dhe këshilltarët i lë të venë në të katër anët dhe të fusin duart kudo. Nuk luhet me fjalë këtu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Më fal se po ju ndërpres, shoku Enver. Kadri, nuk është fjala këtu se çfarë ke thënë, megjithëse edhe këtë, ja po ta lexoj se çfarë ke shkruar me dorën tënde (është fjala për këshilltarët sovjetikë), kishin të drejtë të njiheshin, edhe duke ua përkthyer dokumentet. Është kështu?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po, po.

SHOKU RAMIZ ALIA: Njiheshin pra nga ju me çdo gjë që kishte të bënte me agjenturën, me strukturën, me rregulloret, me ligjet, përfshi këtu midis gjithë këtyreve edhe Platformën, prandaj, mos na thuaj këtu që: “nuk e dënim”!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po, cilën nuk dinim?! (Nxehet)

SHOKU RAMIZ ALIA: Juve jua jepnit atyre Platformën si dokument, jo vetëm që të njiheshin, por edhe ua keni përkthyer. Memorie.al 


Të fundit

Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023/ Ku renditet Shqipëria

Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,...

Pse për numerologët dita e nesërme është kaq fatsjellëse, ja çfarë duhet të bëni

Që nga 22 janari, të gjithë planetët po lëvizin drejtpërdrejt (pra, asnjëri prej tyre nuk është në prapavijër), dhe me hyrjen në muajin shkurt,...

Telenovela e merkatos, Chelsea i nis dokumente të gabuara PSG-s për transferimin Ziyech

“Telenovela” e lidhur me kalimin e Hakim Ziyech në Paris Saint-Germain është pasuruar me një kapitull të ri. Siç raportojnë mediet britanike duket se ka...

Lindi foshnjën 4 ditë më parë, ndërron jetë 29-vjeçarja në maternitetin ‘Koço Gliozheni’

Një 29-vjeçare ka ndërruar jetë në Maternitetin e ri "Koço Gliozheni" pas lindjes. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ka lindur në mënyrë...

“Jemi me Luanin” në vend të “Jepet me qira”/ “Luiz-mania” ‘infekton’ edhe biznesin!

Luiz Ejlli, banori ‘fenomen’ i Big Brother Vip, është kthyer në një nga personazhet më të ndjekura dhe më të komentuara të momentit. Në një...

Lajme të tjera

Web TV