Këlliçi,Bogdani,Alimehmeti,Kalaja/ Portretet e 4 kandidatëve për të kuptuar kush fiton  

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ROLAND QAFOKU

Më 4 dhjetor pritet të mbahet një nga garat më interesante në historinë e Partisë Demokratike. Belind Këlliçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Ardiana Kalaja do garojnë për primaret brenda partisë dhe më pas fituesi do shkojë në garën e madhe për të qenë kryebashkiak i kryeqytetit. Por cili është më i preferuari për demokratët dhe jo vetëm dhe cili prej këtyre të katërve ka më shumë shanse? Sa janë të pëlqyer për banorët e Tiranës dhe sa janë të pëlqyer në strukturat e Partisë Demokratike? Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e secilit prej tyre? Në daljen e parë publike që bënë tre të parët enjten në “Opinion” ajo që ra më shumë në sy ishte fakti që tre të parët dukeshin që kishin bërë një pakt: Nuk do zhvillonin fushatë kundër njëri-tjetrit, ishin shumë të zbutur në komunikimin politik dhe ajo që mund të besohet që tani është se kushdo që të jetë fituesi, humbësit do jenë pjesë e stafit të fituesit. Realisht një fillim i mirë. Por si mund ti portretizojmë garuesit e primareve për Tiranën? Të katërt kanë lindur në Tiranë dhe të katërt janë pinjollë të familjeve autoktone të kryeqytetit. Belind Këlliçi më 25 janar të vitit 2023 mbush 36 vjeç. Gerti Bogdani më 7 korrik të vitit tjetër mbush 43 vjeç dhe Ilir Alimehmeti po vitin tjetër mbush 44 vjeç, janë përfaqësues të një brezi të ri të diplomuar të tre në Perëndim: Këlliçi dhe Bogdani në SHBA dhe Alimehmeti në Itali. Ndërkohë, Ardiana Kalaja është e një brezi tjetër por një aktiviste e spikatur e shoqërisë civile. Por ama, të katërt janë përballë një sprove të fortë: Nëse fitojnë primaret në PD, a do arrijnë të përmbysin dominimin e PS me Erion Veliaj pas dy mandateve në krye të bashkisë? A do të arrijnë ata të kenë një qasje ndryshe në politikë nga brezi i vjetër me konflikte dhe sherre? Nëse fitojnë, a do arrijnë ata t’u thonë stop oligarkëve që tashmë kanë grumbulluar shumë para dhe kanë ndikim të fortë politik? A do kenë ata një sjellje perëndimore në këtë garë sipas edukimit që kanë marrë në universitetet e huaja?

BELIND KËLLIÇI

Përpjekja e parë e Belind Këlliçit është sforcimi për t’u dukur në publik se është ai që ka më shumë shanse për të qenë fituesi i primareve. Jo vetëm pse tregon siguri në sakrificën për të lënë mandatin e deputetit në rast se fiton brenda PD, por në radhë të parë tregon siguri në mënyrën se si po e mbështesin. Ndonëse Berisha nuk ka bërë ndonjë deklaratë specifike ndaj tij në këtë mbështetje, Këlliçi rreket të krijojë përshtypjen se pikërisht ai është i preferuari. Belind Këlliçi në të gjithë aksionin e “Foltores” ka qenë në krah të djathtë të Doktorit. Drejtoi Kuvendin në stadiumin “Air Albania”, organizoi dhe bëri fushatë për ngritjen e strukturave dhe pothuasje të gjithë po besonin se ai do ishte “the successor” i Berishës si kryetar i PD. A nuk ka stil Berishe në mënyrën se si flet, si ndeshet dhe si përplaset me kundërshtarët politikë? Në fakt, kjo sjellje dhe ky zell rezultoi se i prishi jo pak punë. Me euforinë e marrjes në Tiranw të 11.581 votave në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ai shtoi oreksin politik duke nxjerrë mbi ujë ambicjet. Edhe sot vijon ta përdorë si armën më të fortë faktin se doli i treti me numër votash pas Lulzim Bashës dhe Agron Shehajt. Por në vend që kjo duhet ta bënte më të vetëdijshëm në karrierën e tij, pothuajse e tjetërsoi. Dalëngadalë tiranasi i diplomuar për menaxhim në Maryland të SHBA rriti dozën e vetësigurisë. U bë refraktar pothuajse me këdo dhe çdo mbrëmje nëpër ekrane u kthye në personazhin e parë që jo vetëm përfaqësonte krahun e ashpër të “Foltores”, por çdokush mendonte se Doktori po e stërviste për të mos qenë dhe aq amerikan falë diplomës në xhep, por një politikan shqiptar safi. Shkurt, i riu Belind Këlliçi po shndërrohej në një të vjetër që po përdorte të njëjtat metoda: Etiketo kundërshtarët, denonco, repliko, bëj sherre nëpër studio. Dhe pas saj, dalëngadalë krijoi portretin e një politikani ndryshe nga starti i tij në politikë. Dukej se mungesa në listat e zgjedhjeve të vitit 2017 ia kishin mbushur rezervuarin e mllefit dhe në një moment që iu dha rasti ai shpërtheu. Specialistët e PR të “Foltores” ia kanë vënë në dukje këtë Këlliçit dhe në daljen në “Opinion” ai ndërroi pak stil. Edhe pse ishte sforcim jo i vogël, befas dukej i qetë dhe i shtruar, por ata që e njohin u la përshtypjen se kjo do vazhdojë derisa të fitojë primaret se më pas do funksionojë rregulli “ta tregoj unë”. Po a mund të jetë Këlliçi fitues në këtë garë? Sigurisht që po. Ai ka shumë avantazhe që nisin me njohjen e stukturave, mbështetja nga forumi Rinor, angazhimi i tij maksimal në aksionin e “Foltores” dhe ndikimi që ka në kryesi. Nuk është pak të themi se mbështetja që po i jep edhe kryetari i Lirisë, Ilir Meta, është një bonus për Këlliçin dhe që nuk është shpërfillëse edhe për vetë natyrën e votimit të primareve që mund të votojnë edhe ata qw nuk janw anëtarë por simpatizantë të PD. Ndërkohë, disavantazhet e tij janë më të mëdha dhe avantazhet. E koncepton garën si një ndeshje mes gladiatorëve ku duhet ta eleminojë doemos kundërshtarin sepse në të kundërt do jetë ai viktima. Ka irritim në mënyrën se si polemizon, replikon dhe debaton. Fjalorin e ka të kufizuar dhe deri më sot nuk ka artikuluar ndonjë tezë që të mahnisë dhe të tregojë se në xhep mban diplomë amerikane. Këputja e mufkave si ajo e “vendaliut kundër të ardhurve” sigurisht që i uli shumë pikë. Akoma më shumë pikë i ul përpjekja për ta shpjeguar se nuk e tha tamam ashtu, duke bërë viktimën dhe se ia kanë nxjerrë nga konteksti. Belind Këlliçi duhet të kuptojë se me arrogancë, me vetësiguri, prepotencë dhe me skema, edhe mund të fitojë ndonjë garë, por kurrë nuk mund të ketë jetëgjatësi në politikë. Përulja dhe mirënjohja, sidomos ndaj atyre e kanë mbështetur në ditët më të vështira kur Basha e nxori nga politika, duhet të jenë cilësi që nëse ai i flak, e sigurtë është që do dështojë.

Lexo edhe :  Njëlloj sikur të mundë miza, elefantin

GERTI BOGDANI

Me më shumë karrierë në politikë se Belind Këlliçi, Gerti Bogdani është i një stili dhe natyre krejt tjetër. Avantazhi kryesor i tij është edukimi dhe formimi i tij. Gerti Bogdani e rrezaton që ka qenë nxënës ekselent dhe me medalje të artë te “Harry Fultz” në Tiranë dhe po me medalje ari në Universitetin Politeknik të New Yorkut. Këto arritje nuk janë pak në krahasim me ata politikanë shqiptarë që mburren se janë diplomuar në Perëndim por me mënyrën se si funksionojnë të japin përshtypjen se e shumta kanë patur kontakte me pronarin e ndonjë universiteti privat në Shqipëri duke siguruar ndojë diplomë të blerë. Shumë i shtruar, shumë i maturuar, ka krijuar profilin politik si një djalë i mirë që nuk ka sjellje ekstreme, është i pranueshëm edhe për kundërshtarët politikë, nuk bën keq dhe nuk dëmton në punët e tij. Në karrierën e vet në PD ai ka arritur deputet i saj dhe kryetar i Njësisë Minibashkiake numër 10, dy përvoja që për moshën që ka nuk janë pak. Gerti Bogdani ka edhe një avantazh të madh në raport me dy konkurentët e tij. Ai ka një familje të mrekullueshme dhe bashkëshortja e tij, Edlira Çepani, ishte e njohur për publikun përpara se të njihej dhe martohej me politikanin Gerti Bogdani. Përkushtimi i këtij çifti ndaj dy fëmijëve të tyre është një model edhe për politikën shqiptare, veçanërisht për ata politikanë që jo vetëm kanë shkatërruar familjet por që jetën e tyre politike e kanë të shkëputur totalisht dhe pa asnjë lidhje me jetën familjare. Dhe turpi ështe se për këtë mburren. Por a mjaftojnë të gjitha këto avantazhe për Gerti Bogdanin në këtë garë? Sigurisht që jo. Duhet thënë se ai nuk ka shumë stil shqiptar në të bërit politikë që të bëjë beteja me kundërshtarët. I duhet shumë të fitojë disa instikte për të përballuar uragane politikë sepse duhet ta kuptojë që në krah nuk ka më ata rioshët e Forumit që dikur garonte si të ishin në një party. Lufta politike në PD tashmë nuk është balet, por një vrapim me pengesa sepse ca nga rregullat e rënda të lojës dhe ca nga stërkëmbëshat që i vënë dhe mund ti vënë gjatë garës edhe të vetët, ajo i ngjan një beteje për jetë a vdekje. Dhe kjo e bën shumë vështirë situatën sepse kur në lojë futen metodat orientale, diploma perëndimore që ka Bogdani nuk të vlen. Ai duhet të kujtojë që kryeminitri më i arsimuar mes 33 kryeministrave të Shqipërisë ishte Fan Noli i diplomuar në Harvard, por rezulton të jetë kryeministri më i dështuar në historinë 110-vjeçare të shtetit shqiptar. Në zyrën e kryeministrit, Noli i vitit 1924 përkthente Rubairat dhe luante në oboe, ndërsa tiranasit e asaj kohe thoshin: Shqipëria digjet, kryeministri i bie fyellit. Megjithatë, ky fakt nuk duhet ta dekurajojë 43-vjeçarin. Me avantazhin që e ka treguar vetë në politikë në angazhimet e tij dhe me faktin që e njeh mirë terrenin dhe punët e bashkisë, ai mund ta përmbysë këtë perceptim dhe të krijojë modelin se edhe një politikan i urtë dhe i shtruar mund të jetë i vlefshëm dhe i sukseshëm në Shqipëri.

ILIR ALIMEHMETI

Mjeku Ilir Alimehmeti është i vetmi nga të katërt kandiatët e primareve që u ka shërbyer masivisht qytetarëve të Tiranës. Në profesionin e mjekut ai u bë i njohur sidomos gjatë pandemisë “Covid 19”. Është i pafund numri i qytetarëve të kryeqytetit që kanë marrë shërbim nga Doktor Alimehmeti. Është e pafund mirënjohja dhe vlerësimi që ai ka marrë nga banorët e Tiranës, vendas në origjinë por edhe atyre që janë të ardhur. Mos harrojmë që ky shërbim i ka mbajtur në jetë sa e sa njerëz. Doktori i primareve të Tiranës ka një profil shumë paqësor. Larg politikës së egër të ditës dhe larg sherreve. Thjesht, një doktor që shërben dhe shëron. Nuk rrezaton dashakeqësi dhe është i pranueshëm në publik. Të gjitha daljet që ka bërë aktualisht në televizione nuk ka treguar stil refraktar, nuk ka krijuar asnjë konflikt dhe duket që ka sensin e përfaqësimit të komunitetit tiranas prej nga rrjedh. Ka hedhur në treg tezën e ruajtjes së Tiranës së vjetër. Në fakt këtu ka një përplasje me veten. Doktori mund të ketë dakord që ndërtimet po shkaktojnë dëme në ruajtjen e vlerave në kryeqytet. Por mos duhet që edhe komuniteti autokton tiranas të ndikojë në këtë ruajtje duke mos dhënë shtëpi, toka dhe banesa për të ndërtuar pallate? Ndoshta një nga tezat e tij duhet të jetë bashkëpunimi me komunitetin dhe shoqatat e Tiranës për të ruajtur këto vlera nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm. Gjithsesi, e rëndësishme është që në projektin e tij Alimehmeti e ka këtë synim primar. A ka disavantazhe doktor Alimehmeti? Problemi kryesor i tij është se nuk e njeh jetën e partisë dhe nuk ka kontakt me strukturat e PD. Pyetja e madhe për është a do ta pranojnë anëtarët e PD që kanë kontribute në këtë parti duke sakrifikuar ta kenë Alimehmetin në krye të garës së madhe ndaj Veliajt? Sigurisht që Tirana është beteja më e madhe dhe kryesore e zgjedhjet lokale dhe një figurë jo politike nëse fiton i duhet të përballet me figurën shumë më politike por edhe më të fuqishme e kampit tjetër si Erion Veliaj. A mund ta përballojë Alimehmeti garën e madhe? Realisht sfida është e madhe.

ARDIANA KALAJA

Ardiana Kalaja përfaqëson një krah radikal mes kandidatëve të Partisë Demokratike. Ekonomiste dhe juriste nga profesioni edhe ajo është tiranase 24 karat. Madje është pinjolle e një familjeje që ka lënë shenjë në historinë sociale të kryeqytetit. Kafja e Rremës në periferi, në afërsi të zonës “Rrapi i Treshit”, shumë pranë ish-Uzinës së Tankeve, e njohur në atë zone, ka qenë pronë e të atit të saj. Vetë Kalaja e cilëson këtë një traditë dhe një vlerë familjare për të cilën ajo ndjehet krenare. Porse Kalaja njihet në publik si një prej aktivistëve që mbrojtën prishjen e godinës së Tatrit Kombëtar. Ajo ka drejtuar dhe ka qenë pjesmarrëse në shumë protesta gjatë asaj kohe që debatohej për atë çështje. Ndërkohë thirrja e saj se “do pushtojmë ambasadën e Amerikës” dhe së fundi se “Tirana rregullohet me tritol”, tregon se Kalaja do ndjekë linjën radikale në këtë garë, por nuk dihet se sa mbështetje do ketë. Edhe ajo është përballë një sfide shumë të fortë.

Të fundit

Vaji i peshkut, a është zgjidhja e duhur për stresin dhe depresionin?

Ekspertët janë të mendimit se suplementët e vajit të peshkut mund të lehtësojnë simptomat e depresionit në njerëz të...

Tre shenjat e horoskopit që u japin gjithnjë para borxh miqve

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është tjetër gjë krahasuar me disa...

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor, Llama 3, dhe një gjenerues...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Lajme të tjera

Web TV