Fluksi i emigrantëve shqiptarë në Britani është kthyer një ndër temat më të nxehta të ditëve të fundit. Princ Leka ka folur në një intervistë për mediat britanike për situatën e emigracionit jo të ligjshëm të shqiptarëve.
Gjatë intervistës me gazetarin e mirënjohur britanik Piers Morgan në emisionin Uncensored, Princ Lekën II nuk i vlerëson aspak si qëndrime të qeverisë britanike deklaratat e sekretares së brendshme Suella Bravermen kundër emigrantëve të paligjshëm shqiptarë.
“Këtë pasdite pata një bisedë me ambasadorin britanik, i cili më konfirmoi se komentet nuk janë aspak reflektime të qeverisë britanike ndaj Shqipërisë. Shqipëria dhe Anglia kanë një marrëdhënie fantastike. Jemi në aleancë për luftën në Ukrainë. Kemi marrë emigrantë nga Afganistani. Po sulmohemi nga Irani për shkak të kampit të Manzës. Britania e Madhe ka 1.6 mln emigrantë, 20 mijë shqiptarë nuk mund të konsiderohen si pushtim”, tha Princ Leka.
Duke e konsideruar veten avokat të lëvizjes së lirë, Princ Leka Zogu II, thotë se shqiptarëve të detyruar për tu futur ilegalisht në Angli, duhet t’i ofrohen mundësi në mënyrë që të mos bien pre e bandave kriminale.
“Shqiptarëve nuk u jepen viza. Duhet të gjejmë mënyra që shqiptarët të vijnë dhe të punojnë ligjërisht në Angli. Shumë shqiptarë e shohin Anglinë si një vend fantastik. Edhe familja ime në vitin 1939 kur Shqipëria u pushtua nga fashistët, erdhi në Angli. Edhe unë u edukova atje dhe iu bashkova ushtrisë, si oficer”, tha Princ Leka.
Emigrantët shqiptarë janë kthyer në një nga temat më të nxehta të ditëve të fundit në Britaninë e Madhe.