“Diagnozë” historike e ‘masakrave’ të pronave në Shqipëri!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Si nisën uzurpimet në 1912, asgjësimi i kadastrave në 1914 në Durrës dhe komisionet e ‘dështuara’ hetimore

Nga Kreshnik KUÇAJ

Një nga problematikat më të mëdha historike që ka frenuar zhvillimin e Shqipërisë vlerësohet se ka qenë çështja e pronësisë. Kjo konsiderohet si një problematikë historike e nisur që me shpalljen e Pavarësisë dhe e komplikuar edhe më tej me ligjet apo Reformat Agrare, që në fund e kanë bërë thuajse të pazgjidhshëm ‘lëmshin’ që krahas frenimit të zhvillimit, ka krijuar jo pak konflikte që kanë përfunduar, ose në gjykatë ose në vetëgjyqësi.

SCAN sjell për herë të parë në një cikël artikujsh një “diagnostikim” të plotë historik të çështjes së pronësisë duke nisur nga vitin 1912 kur u shpall Pavarësia për të analizuar më pas ngjarjet dhe ligjet që kanë ndikuar pozitivisht apo negativisht në këtë çështje. Artikulli i parë trajton periudhën 1912-1930, kohë kur nisi të krijohet për herë të parë ngatërresa me çështjet e pronësisë në Shqipëri. Në artikullin e dytë do të trajtohet reforma agrare e viteve ’30, studimi dhe rekomandimet e profesorit italian Giovanni Lorenzoni, kush përfitoi e kush humbi nga kjo Reformë, sa tokë u nda dhe sa u shit etj.? Në artikullin e tretë do të analizohet Reforma Agrare e vitit 1945 ndërsa në artikullin e katërt, ligji 7501 që u miratua pas rënies së regjimit komunist.

Studimi i parë për pronësinë e Shqipërisë së 1912 dhe lindja e fenomenit të uzurpimit të pronave

Me shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912 dhe shkëputjen nga Perandoria Osmane, Shqipëria njohu menjëherë fenomenin e abuzimit me pronat. Prona që u prek e para, ishte ajo shtetërore.

Por cila ishte situata e pronës në Shqipërinë në momentin e shpalljes së Pavarësisë? Panoramën më të saktë e jep një studim i vitit 1913, që ka shërbyer si bazë për çdo studim të mëvonshëm të kryer për pronësinë në Shqipëri.

Në mars të vitit 1913, Shoqëria Italiane për Progresin Shkencor do të diskutonte idenë e dy profesorëve Vito Voltera e Carlo De Stefani për të organizuar në Shqipëri një ekspeditë shkencore. Kësaj ideje i kishte paraprirë një vizitë e një profesori tjetër, Giovanni Magrini, që rekomandonte se Shqipëria duhej të analizohej në aspektin gjeologjik e bujqësor.

Ndërkohë, Bartolomeo Morschi në atë periudhë Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë në Itali kishte nisur punën për të gjetur personat që merrnin përsipër që të studionin kushtet bujqësore të Shqipërisë e që shfaqnin gatishmërinë për të udhëtuar në anën tjetër të detit.

Këtë detyrë e pranuan Profesor Umberto Rosati dhe Doktor Gaetano Baudin. Ministria e Luftës nga ana e saj do t’i bashkangjiste ekspeditës dy zyrtarë të ushtrisë, major Silvio Egidi dhe kapiten Giovanni Magrini që do të shoqëronin ekspeditën jo vetëm si ushtarakë por edhe si studiues. Misioni italian do të niste udhëtimin në Shqipëri pa humbur kohë, në fillim të shtatorit të vitit 1913.

Në raportin përfundimtar për Shqipërinë, Profesori Giorgio Dal Piaz bën një përshkrim ku evidenton se udhëtimi do të përballej me vështirësi të shumta. Ekspedita do të niste nga qyteti i Vlorës e udhëtimi nëpër Shqipëri do të zgjaste 20 ditë.

Raporti përfundimtar do të përmbante detaje shumë interesante jo vetëm për pasuritë nëntokësore të Shqipërisë por gjithashtu edhe për situatën e pronësisë. Studimi i profesorëve italianë do të publikohej në vitin 1915. Ai do të ndahej në dy pjesë, ku pjesa e parë përmban të dhëna për pasuritë natyrore të Shqipërisë ndërsa pjesa e dytë përmban të dhëna të detajuara e shumë interesante për mënyrën e organizimit të bujqësisë.

Studimi për bujqësinë do të realizohej nga Umberto Rosati dhe nga Gaetano Baudin. Ky i fundit, krahas të dhënave, lidhur me mënyrën sesi ishte ndarë toka në zonat e zhvilluara të vendit, bën një analizë të rentabilitetit të çifliqeve të asaj periudhe, kohë në të cilën akoma nuk ishte realizuar Reforma e parë Agrare…

Një pjesë e rëndësishme e raportit të ekipit italian i kushtohej çështjes së pronësisë dhe stadit të zhvillimit të bujqësisë në terësi. Kjo pjesë e materialit do të përgatitej nga profesor Umberto Rosati dhe do të përmbante në mënyrë të detajuar të dhëna për mënyrën sesi ishte ndarë prona, si funksiononin fermat, taksat që paguheshin, marrëdhëniet mes bejlerëve dhe bujqve, të drejtat dhe detyrimet etj.

Në Shqipëri pronësia e tokës ishte pak e ndarë: dominonin kudo, por veçanërisht në Shqipërinë e mesme dhe atë të jugut si dhe në zonat fushore, çifligjet e mëdha që ishin në pronësi të shtetit, të bejlerëve apo të pashallarëve, shumë nga të cilët zotëronin mijëra e mijëra hektarë tokë.

Sipas Rosatit, origjina e këtyre pronësive të mëdha private nuk ishte e largët; ajo fillonte nga koha e sulltanit Abdul Hamid i cili u jepte tokë shtetërore subjekteve të ndryshme që tregonin besnikëri apo që kishin influencë. Po ashtu, ishin krijuar pronësi të mëdha si rrjedhojë e blerjes me çmime të ulëta nga qeveria turke.

Në një bilanc të përgjithshëm që bën profesori italian, ai del në konkluzionin se 2/3 e pronës në Shqipëri i përkistë pronarëve të mëdhenj privatë ose shtetit dhe vetëm 1/3 e saj i përkiste pronarëve të mesëm e të vegjël.

Kjo na jep të kuptojmë se në vitin e parë të pavarësisë, Shqipëri nuk kishte një copëzim të skajshëm të tokës bujqësore e të pronave. Skema që përdorej në këtë periudhë ishte që pronarët e tokave i jepnin ato me qira, ku familje të ndryshe vinin në pronë, banonin aty, punonin tokën dhe një pjesë të prodhimit e mbanin vetë e një pjesë tjetër ia jepnin pronarit të tokës.

Cilët ishin pronarët më të mëdhenj dhe sa tokë kishin?

  • Çifligu Rreth, pronar ishte Esad Pashë Toptani. Sipërfaqja ishte 15 mijë deri më 20 mijë dynymë apo rreth 2 mijë hektarë. Kjo pronë ishte e e ndarë ne 43 ferma që drejtoheshin nga fshatarët me familjet e tyre. Në total ishin 1200 persona që banonin aty dhe shfrytëzonin tokën.
  • Çifligu Bilaj, Pronar ishte Masar Bej Toptani. Ishin 25 familje që kishin marrë tokën me qira dhe e shfrytëzonin atë. Sipërfaqja e kësaj prone vlerësohej 800-100 hektarë në luginën pjellore të lumit Tirana.
  • Çifligu Kullë pranë Shijakut, në luginën e Erzenit. Kishte sipërfaqen 1200-1500 hektarë. Në të gjendeshin 50 familje që jetonin e punonin kundrejt qirasë në natyrë.
  • Çifligu Jubë, pronar Veli Bej. Gjendej në pjesën e ulët të luginës së Erzenit, pranë detit. Sipas pronarit, sipërfaqja ishte 1500 hektarë dhe në të gjendeshin 55 familje fshatare.
  • Çifligu Valias, pronar Avdi Bej. Për këtë pronë nuk u arrit që të mësohej se sa ishte sipërfaqja reale e pronës, por nga ekspertët italianë u vlerësua 1000-1250 hektarë. Në të gjendeshin 66 familje.
  • Shijak, Ferma Kapias, pronë e një fshatari boshnjak. Sipërfaqja e saj 0.6 hektarë.
  • Fermë në Kavajë, pronari nuk dihej por kultivohej nga Hamid Salil. Sipërfaqja e pronës ishte 2.5 hektarë.
  • Shish Tufinë, Tiranë. Në këtë fshat prona ishte ndarë me ferma të vogla me sipërfaqe 0.5-1.5 hektarë. Fshati drejtohej nga një drejtues i zgjedhur, me kompetencat e të cilit njiheshin edhe nga qeveria qendrore. Ai kishte dy këshilltarë të zgjedhur nga vetë banorët e fshatit. Kultivoheshin më shumë ullinj sesa kultura të tjera bujqësore.
  • Në Krujë, prona ishte mjaft e ndarë dhe pronarët ishin përgjithësisht edhe kultivuesit e saj. Mesatarisht një fermë ishte 3 hektarë. Kullotat ishin në përdorim publik.
  • Po ashtu, në Durrës kishte ferma të vogla me sipërfaqe 2-2.5 hektarë.
  • Çifligu i Mifolit. Pronar ishte Xhemil Bej Vlora. Sipërfaqja e pronës ishte 698 hektarë dhe në të jetonin e punonin kundrejt qirasë 19 familje.
  • Çifligu i Fierit, pronar ishte Omer(Ymer) Pashë Vrioni. Sipas studiuesve italianë, pronësia e Omer Pashës është e shtrirë edher në vende të tjera. “As ai vetë nuk e di, as me përafërsi se sa është sipërfaqja e pronës së tij” do të shkruanin në raportin e tyre të vitit 1913 studiuesit italianë. E në fakt, kjo do të ishte edhe një nga pronat më problematike në vitet e mëvonshme. Të gjitha tokat ishin dhënë me qira nga pronari dhe bujqit paguanin 1.3 e prodhimit si qira ndaj pronarit.
  • Prona në Vlorë, Uji i Ftohtë, pronar Spiro Koleka. Sipërfaqja e fermës ishte 20 hektarë në kodra.
  • Në Berat dominonte pronësia e vogël ku fermat ishin me sipërfaqe mesatare 25-30 hektarë.
  • Çifliku i Shefqet Bej Verlacit, në Elbasan. Kjo pronë vlerësohej rreth 200 hektarë.
  • Në Shqipërinë e Veriut situata ishte ndryshe. Studiuesit italianë gjejnë pranë Shkodrës ferma që varionin nga 1-2 hektarë. Sipas tyre, në këtë zonë dominonte pronësia e sipërfaqeve të tokës rreth 8 hektarë.
Lexo edhe :  Rritet sërish euro, si këmbehen sot monedhat e huaja

Si u krijuan për herë të parë Kadastrat e Pronave dhe si funksiononin zyrat në Shqipëri?

 

Një element i rëndësishëm për çështjen e pronësisë në Shqipëri ka qenë edhe funksionimi i Kadastrave dhe problemet me të cilat është përballur ajo ndër vite. Mënyra sesi ka funksionuar Kadastra në periudhën para dhe pas shpalljes së Pavarësisë dhe problemet që e kanë shoqëruar atë janë shpjeguar në një studim të publikuar në revistën “Buletini Teknik” në shtatorin e vitit 1943 nga inxhinieri Selim Zyma, Drejtor i Imigracionit dhe i Reformës Agrare.

Në vitin 1875, qeveria për të rregulluar gjendjen e pronave të Turqisë vendosi të adoptojë sistemin e Kadastrës Deskriptive me qëllim që të rregullonte regjistrat e inventarit të pronave. Në këtë vit u vendos regjistrimi i të gjitha pasurive të patundshme private dhe shtetërore të Shqipërisë që ishte pjesë e Perandorisë Osmane.

Në këtë mënyrë u formuan komisione me përgjegjësinë për krijimin e këtyre regjistrave dhe u krijuan për herë të parë edhe Zyrat e Kadastrës. Komisionet në fjalë, duke shkuar në terren dhe duke u mbështetur në deklaratat e pronarëve, të vërtetuara nga kryepleqtë e vendit, bënë regjistrimin e pronave dhe hartuan Librin Themeltar të Kadastrës Deskriptive. Origjinalet janë depozituar në Arkivat e Përgjithshme të Institutit Kadastral në Stamboll apo siç njihej ndryshe në ‘Defterhane’.

Librat kishin formularë me shkrim dore dhe parashikonin numrin rendor, vendin ku ndodhej pasuria, cilësimin e pronës, kufijtë, sipërfaqen në dynymë, mënyrën e regjistrimit, pronarin e atëhershëm, vlerën e pasurisë dhe ndonjë vërejtje që mund të kishte.

Pasi u kryen regjistrimet e pasurisë filluan funksionimin e tyre Zyrat Kadastrale. Pasi u plotësuan librat themeltarë, nisi edhe çelja e funksionimi i Zyrave Kadastrore dhe në qendrat e çdo province u organizua një zyrë kadastrale të cilat vareshin prej Ministrisë së Financave dhe posaçërisht prej Defterhanes.

Edhe shtetet e tjera ballkanike kur dolën nga Perandoria Osmane, i janë drejtuar asaj për nxjerrjen e kopjeve nga regjistrat e saj pasi janë ruajtur çdo e dhënë për pasuritë e paluajtshme.

Në kohën kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane, në territoret e Shqipërisë që përmblidheshin në 4 provinca apo vilajete ishin këto zyra kadastrale:

Zyrat e qendrave të provincës në Janinë, Manastir, Shkup dhe Shkodër si dhe në zyrat e prefekturave dhe nënprefekturave që vareshin prej secilës provincë. Pas Luftës Ballkanike dhe pas caktimit të kufijve të Shqipërisë provincat si Janina, Manastiri e Shkupi mbetën jashtë Shqipërisë bashkë me disa nënprefektura e prefektura, kështu që bashkë me territoret që vareshin administrativisht prej tyre u shkëput dhe një sasi e dokumenteve kadastrorë që ruheshin në ato qendra.

Librat që formoheshin nga Libri Themeltar dhe Libri Veprimtar nga përdorimi i shumtë dhe i keq, nga koha e gjatë që kishte kaluar, përgjithësisht ishin tepër të vjetër, të shkatërruar, me mungesa fletësh dhe në shumë zyra nuk ekzistonin fare ose figuronte vetëm një pjesë e tyre. Sidomos nga viti 1912 deri në vitin 1920 për shkak të pushtimeve të huaja dhe për shkak të mungesës së një administrate stabël, shumica e këtyre librave me qëllim apo pa qëllim ishin zhdukur, shkatërruar, djegur ose vjedhur. Për këtë arsye, gjendja e inventarit të pasurive të patundshme në Shqipëri ishte konfuze dhe e komplikuar dhe ka vijuar të komplikohet edhe me tej me kalimin e viteve.

Zakonet shqiptare në shitblerje tokash: Shmangeshin dokumentet. Shitjet me dëshmitarë

Në kohën e Turqisë në shumë territore shqiptare dhe në disa vende të Shqipërisë së sotme, shitblerjen e pasurive të patundshme janë realizuar pa ndonjë veprim zyrtar dhe pa ndonjë dokument ose dëftesë të legalizuar. Pronarët e vegjël në disa fshatra ose malësorët përgjithësisht, sipas zakoneve të vjetra që respektoheshin në ato vende, nuk u drejtoheshin zyrave kompetente për të legalizuar shitblerjen por duke ftuar miqtë e tyre ose të parin e vendit e bënin marrëveshjen verbalisht për shitje apo blerje toke.

Pas Luftës Ballkanike, me shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, librat themeltare bashkë me anekset e tyre të Pasurive të Patundshme Private ose Shtetërore, që ishin përgatitur në Zyrat Kadastrale dhe që vlenin si bazë për sistemin e tokës, në vend që të shërbenin për modernizimin e veprimeve kadastrale prej ngjarjeve të ndryshme që kanë ndodhur kanë arritur të jenë në gjendje të çregullt dhe të dyshimtë.

Në vitin 1912, pas Pavarësisë Zyrat Kadastrore të Shqipërisë vareshin nga ministria e Financave dhe deri në vitin 1918 i kanë kryer veprimet në osmanisht dhe sipas ligjeve osmane.

Pas vitin 1923, me akte noteriali u bë përkthimi i tapive dhe dokumenteve të pronave në gjuhën shqipe dhe si rrjedhojë një pjesë e pronarëve morën tapi të reja në gjuhën shqipe. Komisioni hetimor i 1913 kundër vjedhjes së pronave dhe hedhja në Erzen e arkivave të pronave në kryengritjen e vitit 1914.

Me shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, nuk qe e mundur që të ruhej ‘status-quo’-ja pasi pronarët privatë të tokave që kishin në kufi prona shtetërore, nisën t’i uzurpojnë ato. Për këtë qëllim, qeveria e përkohshme e Vlorës në muajin shtator të vitit 1913 ngriti një komision të posaçëm me detyrë që të hetonte dhe t’i kthente shtetit pasuritë e grabitura.

Sipas studiuesit Haxhi Shkoza, ky komision vazhdoi në detyrë derisa u formua qeveria e Durrësit në vitin 1914, me Princ Vidin. Kjo qeveri tërhoqi pranë vetes të gjitha aktet e veprimeve të këtij komisioni duke i dhënë fund edhe funksionimit të tij çka solli më pas që ky komision të mos kishte sukses në shërbimin e tij.

Një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura për historinë e dokumentacionit të pronësisë në Shqipëri është në vitin 1914, në atë që njihet si Kryengritja e fshatarësisë. Në vitin 1914, kohë kur vendi qeverisej nga Princ Vidi, në vend shpërtheu një revoltë që në fund solli edhe largimin e princit nga Shqipëria.

Me 5 shtator të vitit 1914, 2000 kryengritës u futën në Durrës dhe ‘shpallën’ programin e tyre. Të armatosur, ata vërshuan në zyrat e Kadastrës së Sanxhakut dhe nxorën pothuajse të gjithë regjistrat e tokave dhe i asgjësuan. Ky detaj shpjegohet në studimin “Kërkesat kombëtare dhe agrare të kryegritësve fshatarë’me autor Gazmend Shpuzën, publikuar të ‘Studime Historike’ të vitit 1981.

Në këtë studim përmenden dokumenta arkivorë sipas të cilëve, kryengritësit mund t’i kenë hedhur dokumentet në lumin Erzen, pasi në fillim i kishin çuar dosjet në Shijak e duke mos ditur se çfarë të bëjnë me to, i kanë asgjësuar. Në këtë kohë u fol se kryengritësit donin të asgjësonin edhe dokumentet e Bankës Bujqësore osmane. “Pra, nga sekuestrimi i drithit e i mallit të bejlerëve të veçantë u kalua në asgjësimin e dokumentacionit bazë të pronësisë çifligare mbi tokën” shkruhet më tej në studim.

Po ashtu, evidentohet se pak kohë pas kryengritjes, Esad Pashë Toptani filloi të hartonte regjistra provizore të pronësisë mbi tokat, me qëllim zëvëndësimin e regjistrave të asgjësuar nga kryengritësit. Në vitin 1915, Esad Pashë Toptani që drejtonte qeverinë provizore pas ikjes së Vidit, regjistroi me komisione të posaçme si pronën shtetërore, ashtu edhe atë private. Këto regjistrime u mbajtën në osmanisht. Në fakt, në vitin 1931, këto regjistrime u konsideruan të rregullta dhe u njohën si dokumente zyrtare pronash.

Çështja e grabitjes së pronave shtetërore u thellua së tepërmi gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, kur vendi administrohej nga ushtritë e huaja. Në përfundim të Luftës, kur kishte pak kohë që kishte nisur stabilizimi i vendit, parlamënti shqiptar zhvilloi një diskutim të gjatë për çështjen e grabitjes së pronës shtetërore dhe në fund vendosi të ngrejë komisionin e dytë për hetimin dhe rikuperimin e pronave që ishin uzurpuar nga privatët.

Me 20 mars të vitit 1922, u miratua ligji me 20 nene që parashikonte ndër të tjera që të gjithë pronarët privatë që kishin tokë kufitare me shtetin, të provonin pronësinë e tyre. Komisioni e përqendroi punën në Prefekturën e Beratit dhe të Durrësit por në fund dështoi në realizimin e misionit të tij. Në vitin 1924 u bë sërish një përpjekje tjetër për këtë çështje dhe u ngrit një komision për regjistrimin e pasurisë shtetërore.

Pasi rezultoi se situata ishte shumë problematike dhe e komplikuar, parlamenti i kërkoi qeverisë që t’i drejtohej zyrtarisht Turqisë që të merrte kopjet e regjistrave të pasurive të paluajtshme dhe të mbulonte shpenzimet e një ekipi ekspertësh shqiptarë që do të dërgoheshin për këtë qëllim në Stamboll.

Qeveria Turke nuk e miratoi kërkesën e qeverisë shqiptare e si rrjedhojë dhe ky projekt dështoi. Deri në vitin 1930 kur u miratua ligji i Reformës së parë Agrare, qeveritë bënë përpjekje për të regjistruar pronën shtetërore dhe për të marrë pas sipërfaqet e uzurpuara, por pa pasur sukses…

 

Të fundit

Berisha: Shqipëria nuk plotëson më kriteret politike për të qenë anëtare e NATO-s

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka marrë pjesë nëpërmjet një lidhje live ndërsa ndodhet në arrest shtëpiak në aktivitetin dedikuar 15-vjetorit...

Pas arrestimit të Evis Berberit, qeveria emëron kreun e ARRSH-së (Emri)

Pas arrestimit të Evis Berberit, qeveria ka emëruar në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentain Gjylin, i cili mbante postin e zëvendës drejtorit. Sipas informacioneve,...

Ora verore, të dielën akrepat shkojnë 60 minuta para

Kthehet ora verore me akrepat që lëvizin një orë përpara mes të shtunës 30 dhe të dielës 31 mars. Akrepat lëvizin një orë para,...

“Në maj do mbërrijnë emigrantët e parë”/ Publikon detaje nga tenderi me vlerë 34 mln euro

Që nga 20 maji 2024, kampet në Shqipëri që do të përpunojnë kërkesat për azil të individëve të shpëtuar nga autoritetet italiane do të...

Skema e re për vitet e punës/ Vështirësitë e pagesave me bankën për pensionet

Një pensionist që merr aktualisht 9.600 lekë pension mujor, me shtesën 5 për qind që do të aplikohet do të marrë 500 më tepër. Por...

Lajme të tjera

Web TV