Porti i Durrësit/ Kalon me debate projekti 2.1 miliardë dollarë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Seanca plenare nisi me debate për Portin e Durrësit. Opozita kundërshtoi që të futej me procedurë të përshpejtuar projektligji për investimin, duke e konsideruar aferë të pastër korruptive. Mbrohet Rama: Projekti i madh nga një kompani e madhe.

Konsiderohet si një nga investimet më të mëdha në vend që është mbrojtur dhe gati “ideuar” dhe kërkuar me ngul mga kryeministri Edi Rama, por ka hasur në reagimin e opozitës. Bëhet fjalë për projektin që e kthen Portin e Durrësit në një zonë të madhe turistike me resort modern dhe zhvendos portin e ri në Porto Romano. Prej tre vitesh Rama ka premtuar se një nismë e tillë do kthehet në realitet dhe tashmë projekti që do të zhvillohet nga kompania “Emmar Group” pritet të nisë punë dhe i gjithë investimi do të kushtojë 2.1 miliardë dollarë. Opozita e kundërshton duke e cilësuar aferë të pastër korruptive, sidomos me faktin që i “falem” qindra hektarë tokë publike kompanisë. Por kuvendi ka miratuar me procedurë të përshpejtuar me 62 vota pro projektligjin për Portin e Durrësit. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se kjo do ta kthejë Durrësin në një pikë të rëndësishme të industrisë së turizmit. Kjo u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, sipas të cilit, kostoja e këtij projektligji është 2 miliardë e 100 milionë euro dhe nuk ka asnjë transparencë nga qeveria. Balla u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Durrësit për ta votuar, për ta kthyer Durrësin në hartën e porteve turistike dhe të mos dëgjojnë Berishën, të cilin e akuzoi se paguhet nga Kremlini. “Thirrja ime është për deputetët e Durrësit që jo vetëm ta votojmë sot, por edhe në seancë që duhet ta votojmë pa humbur kohë. Shteti shqiptar ka negociuar për një kohë të gjatë dhe ka sjellë një kontratë që i jep mundësi Shqipërisë që nga një mungesë totale në hartën e porteve turistike të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të këtij sektori që nuk kemi ekzistuar dhe shumë shpejt Porti i Durrësit do të kthehet në pikë të rëndësishme të industrisë së turizimit e jahteve dhe do ta kthejë Durrësin në një nga atraksionet turistike të Mesdheut. Prandaj akuzat që keni hedhur pa lexuar asnjë element tërhiqini mbrapsht do të keni kohë dy javë për ta diskutuar. Ky është momenti ku ju nuk duhet t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut. Saliu e ka mendjen në vend tjetër. Është në borderotë e Kremlinit dhe Kremlini nuk ka interes që në Shqipëri të zhvillohet një port që të konkurrojë porte të tjera ku ka interesin e vet. Fjalën time për këtë marrëveshje do ta mbaj në datë 24 kur të kalojë në seancë. Hiqni dorë nga të shkuarit nga mbrapa Saliut symbyllurazi, se i ka parë si mundësi për zhvillimin e xhepave të familjes së vet”, tha Balla.

Atakimi i opozitës

Por Alibeaj kërkoi nga qeveria që të bëjë transparencën për këtë aferë dhe u bëri apel deputetëve që të mos ta votojnë. Sipas tij, nguti për ta votuar me procedurë të përshpejtuar qëndron te kostoja 2 miliardë e 100 milionë euro. “Sot teksa duhet të diskutonim buxhetin papritur sillni ligjin me procedurë të përshpejtuar për Portin e Durrësit. Është një projektligj që ka 5 nene, ky ligj kushton më shumë nga 30 vite 2 mld e 100 milionë euro është kostoja e këtij projektligji me 5 nene, 400 milionë një nen dhe ju doni ta kaloni me procedurë të përshpjetuar kur diskutohet buxheti dhe ta kaloni fshehurazi. Ju sot po prisni shiritin e një afere ekonomike që mund të kthehet shumë shpejt në korrruptive. Ka një vit që negociohet. Negociohet midis kujt? Çfarë është dhënë e marrë? Sa është shuma që shteti fiton? Jeni duke shitur 1milion metra katrorë nga zemra e Shqipërisë për 2 miliardë e 100 milionë. Kjo është shumë e madhe që do të mbyllë gojën e shumë deputetëve dhe mediave e analistëve, edhe të shumë organizatave të shoqërisë civile, por gojën e deputetëve të opozitës të pakapur nuk ka për ta mbyllur kurrë. Çfarë pazari keni bërë me kë e keni bërë? Sa fiton shteti shqiptar? A ka pasur procedurë konkurruese që Portin e Durrësit t’ia ofronte dikujt më shumë se kaq? Ku është transparenca? Harrojeni ligjin e Teatrit, portin e Vlorës, Air Albania nuk janë asgjë para kësaj afere ekonomike deri më tani që doni ta kaloni vjedhurazi. Kjo është prona e shqiptarëve. Kërkoj që parlamenti të mos e miratojë me shpejtësi këtë ligj, qeveria të sjellë të gjitha dokumentet që askush nuk i di, për këto 5 nene e 8 shtojca, të lexojmë dhe të kuptojmë. Fakti që nuk i keni sjellë sot aty fshihet djalli te detajet te këto marrëveshje”, tha Alibeaj.

Lexo edhe :  "Tregu të mos hapi vakanca të panevojshme"/Rama: S'kemi mungesë njerëzish por kualifikimi

Marrëveshja e Portit të Durrësit, Berisha: Mega aferë korruptive

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar në Kuvend marrëveshjen e Portit të Durrësit, e cila solli mjaft debate mes qeverisë dhe opozitës. Berisha tha se Porti i Durrësit është një mega aferë korruptive në shërbim të interesave strategjike të Serbisë. “Zonja përmendi këtu 2013, ajo që mund tu them shqiptarëve është se pasi kanë marrë 9 vite me radhë mbi 500 mld lekë çdo vit borxh dhe kanë rritur borxhin nga 62.4% në 107%, këta vjedhës nuk janë në gjendje tu nxjerrin asgjë substanciale në 9 vite përveç pasurimit të tyre. Dua të qartësoj shqiptarët se ka ikur njeriu që ka për flamur, flamurin e Vuçiçit, që ka për atdheu, atdheun e Vuçiçit. Afera e Durrësit është aferë Rama-Vuçiç. Pas aferës qëndrojnë vëllezërit Kariç, të sanksionuar nga SHBA, BE dhe Britania, dhe tani bëjnë biznes me Edi Ramën. Dubai i Edi Ramës në Durrës është mega-afera më e madhe sot në Europë. I një njeriu që për të mbushur xhepat dhe për interesat strategjike të Vuçiç, i shkatërron vendit, portin mijëravjeçar. Flamuri i tij është flamuri i Serbisë. Flamuri i vjedhjes. Atdheu i tij është Beogradi”, tha Berisha. Përgjigjen e mori nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila i tha se Porti i Durrësit është një investim modern që do i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës. Balluku tha se e ekupton revoltën e Berishës, pasi ky i fundit po sheh Shqipërinë që po zhvillohet dhe po realizohen projektet që i kishte nisur vetë kur ka qenë kryeministër si bypass i Vlorës apo Fierit. Me ironi Balluku i tha Berishës se PS po nxjerr ëndrrat e tij nga sirtari.

Vasili: Porti Durrësit do t’u jepet kompanive offshore

Partia e Lirisë ka akuzuar Edi Ramën për projektin e Portit të Durrësit. Nëpërmjet një deklarate për mediat, nënkryetari i partisë, Petrit Vasili akuzoi se kontrata është bërë me kompani offshore dhe jo me “Emmar Group”. “I kapur keq, për shkak të paradhënieve të majme që marrin, për të grabitur këtë aset, nën urdhër të parave përkatëse për të cilat paguhen, na foli sot për grupin e madh që ka ndërtuar Dubain.  E tha shumë herë, sepse ky është i pacipë, sepse po sot, po në të njëjtin vendim nuk gjendet gjëkundi Emaar Group. Përkundrazi, shfaqen kompani, të cilat janë në parajsa fiskale”, tha Vasili në konferencë për mediat. Kuvendi miratoi të mërkurën futjen me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për Portin e Durrësit. Procedura ngjalli debate mes mazhorancës dhe opozitës, me demokratët që akuzuan socialistët se pas këtij vendimi fshihet një aferë e madhe korruptive. Por pavarësisht akuzave, kalimi me procedurë të përshpejtuar i projektligjit u miratua me 62 vota pro dhe 20 kundër.

Të fundit

I lumtur deri në… budallallëk

Nga Leonard Veizi Të lumtur në jetë të jetëve... Epo kjo është sentencë krejt folklorike. Sepse realiteti nuk do shumë mund...

Investimet e huaja/ Rama projekton rritje me 4 miliardë dollarë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, e sheh dialogun mes qeverisë dhe sipërmarrjes, si një nga rrugët...

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës nën...

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

Lajme të tjera

Web TV