Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se biznesi i vogël dhe familjet do të mbrohen nga rritja e çmimit të energjisë, ndërsa për biznesin e madh ka paralajmëruar penalitete të ashpra nëse kapen në shkelje.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritje të penaliteteve për biznesin e madh në rast të shkeljeve, teksa shprehu mbështetjen për biznesin e vogël. Nga foltorja e Kuvendit ai akuzoi sërish Prokurorinë e Tiranës se ka mbyllur çështjet që duhet të ndiqeshin penalisht. Duke folur për ndërtimet pa leje, Rama njoftoi se edhe dje janë kryer konfiskime të reja jo vetëm në kryeqytet. “Do të rrisim penalitetet për biznesin e madh, se ne ndryshe nga ç’na pikturoni ju, jemi në anën e biznesit të vogël. Ne i kemi rritur taksën biznesit të madh. Jemi ata që vazhdojmë të konfiskojmë metrat katrorë të babëzisë që ju i quani oligarkë dhe na i ngjisni ne, por nëse do të ishin me ne nuk do kishin hallin që do dorëzojnë çdo metër katror që e kanë bërë pa leje duke shkelur ligjin. Edhe sot që flasim ka konfiskime të reja, jo vetëm në Tiranë. Ndërtime të bëra me qëllim fitimi.
Do t’i rrisim penalitetet për t’i thënë rri në vendin tënd”, tha Rama. Kreu i qeverisë sulmoi Prokurorinë se ka favorizuar opozitën, e cila sipas tij ka bërë zullume me letrat e marra prej saj. “Ju bëni kriminel edhe një nga personalitetet e ekonomisë globale. Ju bëni kriminel njeriun që ka ndërtuar gjysmën e Dubait. Çfarë i keni ju këta që janë këtu. Por këta të mos përdorin biznesin e vogël të shesë pa fatura dhe të mos bëjnë evazion se aty ku do të kapen, do të gjobiten pavarësisht se na ka ngecur sharra në gozhdë në Prokurorinë e Tiranës, që prej vitesh ka funksionuar si sportel për të rritur pazaret duke mbyllur çështjet që drejtoritë tona të të ardhurave i çojnë për ndjekje penale. Dhe duke marrë para nga ata që duhet të ndiqen penalisht dhe duke çuar letrat te bedelat e PD-PL-së, duke bërë zullume me letra të marra nga prokuroria, si i puna e TVSH-së fiktive me të vdekur e të paralizuar. Dhe jo vetëm nuk u ndoqën penalisht, por letrat ju dhanë partisë së lekut duke u hedhur hi syve shqiptarëve”, tha Rama gjatë seancës së djeshme plenare. Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se biznesi i vogël dhe familjet do të mbrohen nga rritja e çmimit të energjisë.
Biznesi i vogël
I ndalur tek biznesi i vogël, Rama tha se nuk i është shtuar asnjë taksë, ndërsa drejtuar opozitës tha se nuk do të ketë asnjë shteg deri në 2029. “Biznesit të vogël nuk i 10 fishohet apo shtohet asnjë lloj barre. Është trajtuar si aleat i kësaj qeverie, me zero taksa. Zero TVSH , zero tatim fitimi, ashtu do jetë deri në 2029, e kemi marrë në përsipër dhe qoftë edhe për këtë premtim në nuk do ju lëmë për asnjë arsye , asnjë shteg që deri në 2029 t’ju shkojë ndërmend që të mund të vini këtu në vendin tonë. Ne jemi në anën e njerëzve të zakonshëm dhe në anën e biznesit të vogël. Tani do të rrisim penalitetet për biznesin e madh. Ju bëni kriminel është një nga personalitetet ekonomisë globale. Biznesi i vogël duhet të tregojë kujdes me faturat, pas duhet t’i deklarojë. Aty ku do të kapen, do të goditen. Na ka ngecur shara në gozhdë në prokurorinë e Tiranës, e cila ka funksionuar si sportel për të rritur pazarin, duke mbyllur çështjet ku drejtoritë tona për të ardhurat i çojnë në ndjekje penale. Duke marrë para nga ata që duhet të ndiqen penalisht dhe duke çuar letrat te bedelat e PD-PL-së, për të bërë zullumet. Letrat që në prokurori i kanë çuar autoritetet. Si puna e atyre viktimave, apo të paralizuara, që ishin raste të kallëzuara nga drejtoria jonë e Tatimeve. Por ata nuk u ndoqën penalisht, por letrat iu dhanë Partisë së Lekut, për t’i hedhur hi shqiptarëve në sy”, tha Rama.
Rama: Paga minimale do të bëhet 38 mijë lekë
Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm, paga minimale do të jetë 38 000 lekë. Nga foltorja e Parlamentit, kreu i qeverisë u shpreh: “Do të rrisim edhe një herë nivelin e pagës minimale. Kemi qëllim që ta çojmë në 36 000 lekë, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, të bëhet 38 000 lekë. Nga kjo rritje e menjëhershme janë 21 milionë $ që do të përfitohen direkt nga ata që paguhen me pagë minimale. Për 100 000 familje, janë 3500 lekë që shtohen çdo muaj me këto rritje”. “Do të vazhdojmë të mbështesim familjet duke rritur nivelin e pagës që nuk taksohet, deri në 50 000 lekë”, shtoi Rama.