I dyshuari si terrorist në fluturimet e Emirates është identifikuar. Sipas informacioneve të agjencisë së lajmeve Protothema.gr, bëhet fjalë për një shtetas turk 35-vjeçar, i cili do të kryente një akt terrorist në fluturimet që do të niseshin nga aeroporti “Eleftherios Venizelos: i Athinës drejt Nju Jorkut në datat 10 dhe 11 nëntor.
35-vjeçari kishte tentuar të merrte një vizë për të udhëtuar në Nju Jork si refugjat dhe besohet se është anëtar i një organizate terroriste.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se 35-vjeçari kishte hyrë në Greqi nga Turqia dy vite më parë dhe banonte në Athinë me status azil.
Ai kishte aplikuar për azil dhe autoritetet greke i kishin dhënë një leje të përkohshme qëndrimi deri në vitin 2025. Sipas të njëjtave informacione, 35-vjeçari nuk ishte në asnjë fluturim.
Kujtojmë se pas informacioneve të CIA-s, një avion i tipit ‘Boeing 777’ i kompanisë Emirates me 246 persona në bord (228 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit) i nisur nga Athina për në Nju Jork u detyrua të kthehej në Greqi, teksa ishte mbi Sardenjë, pas një alarmi për terrorizëm të lëshuar nga autoritetet greke.