Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ditën e sotme ka falenderuar të gjitha vendet dhe organizatat ndërkombëtare që reaguan ndaj sulmit terrorist në Stamboll, ku humbën jetën 6 persona si dhe u plagosën 81 të tjerë.
Përmes një postimi në “Twitter”, Erdogan i shprehu mirënjohje vendeve, ku mes tyre bëjnë pjesë edhe Shqipëria me Kosovën.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për të gjitha vendet dhe organizatat ndërkombëtare që reaguan ndaj sulmit terrorist në rrugën Istiklal, ndanë dhimbjen tonë dhe shprehën ngushëllimet e tyre”, shkruan ai në Twitter.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 13 nëntor në në zonën e Sheshit Taksim ku si pasojë e një shpërthimi humbën jetën 6 persona dhe u plagosën 81 të tjerë.
Ndërkaq lidhur me sulmin është arrestuar një grua siriane, si e dyshuara kryesore për shpërthimin në qytet.