Një incident raportohet se ka ndodhur rreth një orë më parë në pjesën veriore të Mitrovicës ku dyshohet se janë lënduar dy persona. Bëhet fjalë për një person që po dhunohej nga disa shtetas serb dhe kameramanin e një media që po filmonte ngjarjen.
Portali online “Insajderi” raporton se në fakt njëri nga të lënduarit është kameramani i tyre, Jetmir Muji, i cili rastësisht ka qëlluar në vendngjarje dhe ka filluar të filmojë dhunën e ushtruar ndaj shqiptarit.
“Ai ka qenë duke e xhiruar rastin e një rrëmbimi të një të riu shqiptar në pjesën veriore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Insajderit.
Siç shkruan media, i riu me kombësi shqiptare është rrëmbyer nga disa serbë, është futur në një veturë të tyre dhe është rrahur dhe është lënë në rrugë në pjesën veriore të Kosovës. Kameramani i Insajderit ka qenë duke e xhiruar këtë veprim të tyre dhe sulmuesit e kanë goditur atë pas koke duke i shkaktuar plagë të rënda. kokës.
Ndërkohë policia Rajonale e Mitrovicës Veriore ka konfirmuar se ka pasur sulm fizik ndaj dy shtetasve shqiptarë por nuk ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen.
Informacionet paraprake tregojnë se njëri nga të lënduarit është transferuar në pjesën jugore të Mitrovicës për ndihmë mjekësore, ndërsa tjetri ndodhet në QKB Mitrovicë në pjesën veriore.