Fan S. Noli, klerik-poet i angazhuar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga: Bujar Meholli

Në fillimin e shekullit XX shqiptarët po përballeshin me shumë vështirësi, ku viheshin në pah shtypja, shfrytëzimi e pabarazia në një popull të varfër dhe në pjesë të madhe analfabetë. Pikërisht këto probleme sociale ishin frymëzimi kryesor i disa intelektualëve shqiptarë si Andon Zako Çajupi, Noli e Migjeni që përmes artit i evidentonin dhe bënin përpjekje t’i shfaqnin idetë e tyre drejt përmirësimit të kësaj jete mjaft të vështirë. Fan S. Noli është njëri nga këta intelektualë që qoftë përmes artit, qoftë përmes aktivitetit politik ishte pranë vegjëlisë dhe halleve të tyre.

Vitet ’20-’30 janë periudhë kur letërsia shqipe zhvillohet ndjeshëm dhe pasurohet me më shumë motive; poezia që deri atëherë shkruhej rëndom mbi motive patriotike, tashmë shkruhej në një dimension tjetër ku spikaste meditativja dhe intimiteti. Kësisoj nisi një shkrimtari e prirur nga gjuha ekspresive (Migjeni) përmes së cilës shfaqej revolta intelektuale kundrejt realitetit. Kjo letërsi ishte novatore për shkak të temave që trajtonte dhe këndvështrimit të veçantë poetik që piketonte.

Tashmë problematika shoqërore është në plan të parë dhe në letërsi zë vend të rëndësishëm. Poetët si Migjeni përmes artit bëhen zë proteste dhe zëdhënës të popullit. Siç e definon kritiku italian Mario de Micheli, “ekspresionizmi lindi mbi bazë proteste dhe kritike.
Ndaj ai mund të quhet pa asnjë dyshim një art opozicioni. Njeriu kërkon duke ulëritur shpirtin e vet, një britmë e vetme ankthi ngjitet pas kohës sonë. Edhe arti ulërit nëpër terrina, kërkon ndihmë, thërret shpirtin: është ekspresionizmi”. Kritiku i parë Faik Konica shënoi kthesë në kulturën shqiptare kur mbajti qëndrim të theksuar kundrejt nacionalizmit shpërthyes dhe bëri thirrje për qëndrim realist e kritik ndaj vendit me gjithë të mirat dhe të metat e tij. Fan S. Noli duke qenë nën petkun fetar si prift ortodoks, në veprimtarinë artistike zbrazi dufin duke bërë thirrje për ngritje kundër padrejtësive që po kryheshin mbi popullin shqiptar, mbi vegjëlinë siç shprehej ai.

Vargjet e poezisë “Anës lumenjve” e dëshmojnë më së miri këtë thirrje:

“Ngrehuni dhe bjeruni, korini dhe shtypini, katundar’ e punëtorë që nga Shkodra gjer në Vlorë!” Poezia e ndërtuar mbi simbole, tema e mesazhe biblike, Nolit do t’i shërbejë për të pasqyruar tablonë shqiptare të asaj kohe kur kushtet socio-politike i detyronin intelektualët poetë, të ngriheshin dhe të bënin thirrje për ndryshimin e gjendjes. Studiuesi Ali Xhiku kur flet për dimensionin fetar te intelektualët shqiptarë shprehet: “Adhurimi i Zotit mbetet një nga motivet më të afërta e të vlerësuara të lirikës shqipe të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX.” Në bazë të kësaj mund të konkludojmë se disa intelektualë poetë shqiptarë përdorin artin dhe bindjet fetare për të qenë sa më bindës dhe depërtues te masa. Përveç Nolit, këtë e kanë bërë edhe poetë si Andon Zako Çajupi e Asdreni. Ky i fundit në një poezi vë në pah peripecitë e Krishtit dhe sakrificën drejt qëllimit të lartë për t’i sjell mirësi dhe paqe njerëzimit: “Për ty edhe Krishti vajti në kryq, prej zijës ta shpëtojë njerëzinë t’i thajë lotët, t’i mbjell dashuri, balsam t’ju sjellë shpirtrave të munduar.” Duhet theksuar se këtu kemi të bëjmë me ndikimin nga iluminizmi francez që nuk e cenon besimin në Zot, por sulmon dogmën fetare. Këto vizione i shohim të pranishme në poezinë shqipe të kësaj kohe. Ky ndikim iluminist ndihet te këto vargje të poetëve shqiptarë që tashmë shfaqin mendimet dhe përsiatjet filozofike në artin poetik.

Lexo edhe :  10 seriale në Netflix, që ia vlen t’i shohësh

Përveç këtyre ideve që lidhen me besimin fetar, poetët shqiptarë kishin si mision para vetes bindjen e lexuesve për përqafimin e të resë, modernes, paçka se nuk kërkohej të hiqet dorë nga besimi. Fan S. Noli si intelektual me petk fetar, arriti ta pasurojë letërsinë shqipe me vetëm një përmbledhje poetike, Albumin, ku karshi poezive sociale e politike qëndrojnë poezitë me frymëzim fetar biblik. Ky besim i Nolit, siç e kemi parë nga Autobiografia, zë fill herët në fëmijëri dhe mbetet i patundur e i thellë gjatë tërë krijimtarisë letrare artistike. “Jam marrë me histori, letërsi dhe muzikë me raste, por feja ka qenë puna e jetës sime, sepse e fillova karrierën time si njeri i Kishës në 1909 dhe jam akoma njeri i Kishës mbas 50 vjetësh”, shprehej ai.

Noli ishte i ndodhur në një kohë të rënduar nga gjendja socio-politike shqiptare, andaj në poezitë e tij i shohim të pasqyruara ngjarjet e kohës në të cilat ishte pjesëmarrës. Jezu Krishti, heroi i tij i përjetshëm është dominues edhe në poezi. Siç e thotë Sabri Hamiti, Noli donte ta krijonte mitin e vetes, ai donte të dyzohej me Krishtin dhe të depërtonte tek shqiptarët. Me pak fjalë, donte të ishte Jezu Krisht që fliste dhe mendonte shqip. Në disa vargje hasim ngjashmëri të madhe me Biblën, sikurse në këtë rast te poezia “Anës lumenjve”:

Anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë.

Në Bibël te kapitulli i Lukës, hasim vargje mjaft të ngjashme me të Nolit. Edhe pse shohin, ata nuk shohin asgjë, edhe pse dëgjojnë, nuk kuptojnë asgjë… Poezitë me motive biblike të Fan S. Nolit, përmes muzikalitetit të theksuar përcjellin si mesazh kryesor luftën e përhershme mes hyjnores dhe djallëzores, mes të mirës dhe të keqes, dështimit dhe fitores, Noli duke përdorur simbolet përshkruan realitetin shqiptar dhe luftën e tij ndaj kundërshtarëve politikë. Noli ka dhënë kontribut mjaft të madh edhe në letërsinë teologjike dhe kishtare me anë të përkthimit të veprave biblike pasi që u shugurua prift.
Si zotërues i gjuhëve të rëndësishme dhe i shquar për shkathtësinë e përkthimit, ai do t’i sjellë besimtarëve ortodoksë shqiptarë një sërë veprash me interes, të cilat do t’i përmendim më vonë. Fan S. Noli e shihte veten si misionar në mesin e shqiptarëve. Ai e shihte veten si njeri të dërguar në tokën shqiptare për t’i prirë popullit, por kjo natyrisht nuk ishte një rrugë e lehtë sikurse nuk ishte për Jezu Krishtin. Kësaj figure dominuese në artin e tij, Noli dëshiron t’i ngjajë dhe të barazohet me të, sepse ashtu mund ta përhapte të vërtetën në popullin shqiptar dhe t’ua dëshmonte atyre se ishte aty për ta. Kështu gjen pika të përbashkëta me Krishtin, duke e quajtur çlirimtar dhe kryetrim, Njeri-Perëndi, që vjen në mesin e shqiptarëve për t’i shpëtuar, Noli e bën Krishtin hero që i mbron trojet shqiptare nga tradhtarët dhe dashakëqijtë.

Literatura:
Mario De Micheli, Protesta e ekspresionizmit, Revista Palimpsest (përkthyer nga Zef Paci)
Fan S. Noli, Albumi, Rilindja, Prishtinë
Ali Xhiku, Letërsia shqipe si polifoni, Dituria, Tiranë
Asdreni, Poezi të zgjedhura, Dituria, Tiranë

Të fundit

“Përplasje” brenda familjes, Kryemadhi ia thotë në sy Metës: Unë jam tradhtarja

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka mbajtur fjalën e saj në mbledhjen e Komitetit Drejtues të partisë. Teksa...

“Më arrestuan pa asnjë bazë”/ Berisha: U synua që të zhdukej opozita!

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka komentuar pasditen e sotme sulmet qeveritare që sipas tij kanë përfshirë Partinë Demokratike nga 2021 e deri më sot për...

“PL s’ka nevojë për prerje kokash”, Kryemadhi ‘shpërthen’ në mbledhjen e KDK

Monika Kryemadhi në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PL foli me tone të larta, duke thene se Partia e Lirisë nuk ka prerje kokash....

“Kemi edhe momente që gabojmë”, Graciano flet për krisjen e marrëdhënies me Argjirën

Teksa qëndronin në oborr, Graciano dhe Egla kanë biseduar ditën e sotme për një temë delikate teksa kjo e fundit ka pyetur Gracianon lidhur...

Pse nuk duan të punojnë të rinjtë?/Papunësia afatgjatë më 2023 arriti nivelin më të lartë

Papunësia afatgjatë te të rinjtë shënoi rritje të ndjeshme në vitin 2023, edhe pse tregjet e punës dhe sektorët e ekonomisë po importojnë punonjës...

Lajme të tjera

Web TV