“Pushtimi” i Shqipërisë nga moti i keq ka sjellë përplasjen e opozitës me mazhorancën. Opozita e sheh si fajtore Partinë Socialiste për përmbytjet në 3 qarqet kryesore në vend, në Shkodër, Lezhë dhe Durrës, si pasojë e hapjes së digave dhe nga ana tjetër importon energji.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vizitoi banorët e zonave të përmbytura në Kuç të Shkodrës, nga ku deklaroi se ajo që po ndodh “është dëshmi e plotë e papërgjegjshmërisë”. Ai tha se Qeveria ka hapur tunelin duke derdhur 2 mijë metër kub në sekondë. “Mbrëmë kanë hapur tunelet e Komanit, kanë derdhur nga porta e Vaut të Dejës 2 mijë metër kub në sekondë, përveçse sa kanë derdhur nga turbinat, të gjitha këto se nuk dilnin dot nga skema e vjedhjeve të tyre. Këto reshje kanë qenë tërësisht dhe plotësisht të parashikuara, qoftë nga Instituti i Gjeoshkencave, që ua ka dorëzuar në zyra këtyre qeveritarëve, që vjedhja ua ka verbuar sytë dhe mendjen, por për hir të së vërtetës, një njoftim jashtëzakonisht serioz ka bërë stacioni meteorologjik italian, që në mënyrë specifike ka parashikuar reshje ekstreme dhe përmbytje në Alpet e Veriut. Por, të gjitha këto nuk kanë mjaftuar për Edi Ramën dhe Belinda Balukun, se ata e kanë mendjen të shfrytëzojnë energjinë për të vjedhur”, tha Berisha. Ai tha se qeveria ka vjedhur me prokurimin e blerjes së energjisë elektrike. “Tani del e thotë që e bëra për të shtuar rezervat, ndërkohë që të gjithë të dhënat tregonin se do të kishte reshje ekstreme, por i kishte sytë te paratë që do vidhnin, që i kishin prokurorua për të blerë 10 milionë euro energji elektrike, nga të cilat së paku 5 milionë i fusin në xhep”, tha Berisha. Ai e ka quajtur skandal këtë blerje. “Tani që ka plasur skandali, përpiqen që të mashtrojnë dhe të justifikojnë. E vërteta është se nuk donin të ndalonin vjedhjen. Mbrëmë jam njoftuar vonë shumë, se këta e hapën tunelin, se e kanë në program pune importin dhe nuk e ndërpresin. Gjithçka diktohet nga vjedhja. Ne e kemi deklaruar shumë herë që energjia është shndërruar në një nga mallrat e vjedhjeve më të mëdha. Kjo ishte absolutisht e parashikueshme, e ndalueshme, nëse do të prodhohej energji dhe do të ulej niveli. Energjia nuk kishte nevojë të blihej. Sot po shesin energji, me një çmim katër herë më të ulët se e blejnë, se e kanë kontratat. Janë verbuar. Qeveria ka qëndrim armiqësor të hapur ndaj Shkodrës. Por, këtë akt e kanë bërë se janë kapur në flagrancë në një vjedhje të paimagjinueshme”, shtoi Berisha. Në një konferencë për mediat nga Shkodra, Berisha tha se Rama dhe Balluku në vend që të prodhonin energjinë, e blenë atë me 226 euro megavatin. “Gjatë këtyre ditëve Edi Rama dhe ministrja e tij Balluku nuk kanë prodhuar energji por kanë blerë energji me 226 euro megavatin në bursë në një kohë kur energjia e kontraktuar 10 mln euro mund të prodhohej pa asnjë kufizimi, pasoje në kaskadën e Drinit. Sot Edi Rama fajin e gjen tek mediat dhe opozita për vjedhjen dhe katastrofën që krijoi vetë”, tha Berisha.
Berisha bën gati dosjen për Prokurori
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se po fajtore për përmbytjet në Shkodër është qeveria, pasi sipas tij nuk ndoqi ligjet bazë në raste përmbytjeje. Berisha tha se sot ka sisteme shumë të avancuara që tregojnë shpërndarjen e reshjeve, por sipas tij qeveria e bën njësoj si me vrasjet që thuhet se kamerat nuk punuan, duke fikur sipas tij sistemet gjatë vjedhjeve. Ai shtoi se përgjegjësit e përmbytjes do të çohen për ndjekje penale shumë shpejt. “Ka disa parime në qëndrimin ndaj fatkeqësive natyrore. Këto parime janë të konvertuara në ligje. Ka një ligj bazë se si administrohet kaskada. Ky ligj bazë është asgjësuar totalisht nga qeveria për shkak të vjedhjeve. Ligji thotë se zbrazje nuk mund të bësh nëse kuota e ujit nuk ka arritur një nivel të caktuar, nëse nuk kontakton me bashkinë dhe nëse nuk bashkëpunon me meterologët. Ka një sistem shumë të mirë që tregon nivelin e ujit që do të bjerë në të gjitha zonat. Por me systemin çfarë ndodh. Njësoj si me vrasjet. Pasi ndodh ngjarja, këta thonë sistemi nuk punoi, siç thonë edhe për vrasjet, që kamerat nuk punuan. Pastaj është edhe ligji që kush demton ai dëmshpërblen. Ka ndodhur të paguajnë ndodnjëherë gjatë këtyre viteve që këta janë në pushtet? Do të bëhet gati dosja, do të çohet për ndjekje penale. Drejtësia vonon por nuk harron”, u shpreh Berisha.