Shqiptarët, kur çështjet globale i shtrojnë për zgjidhje duke pirë raki

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Paravolitë nuk janë bërë për gojën tënde o njeri, – i thoshte dhespoti i kazasë, kaçakut Kajo, që një Zot e di nga i ishte futur në dhomën e gjumit brenda kishës në mesin e natës dhe kërcënonte hirësinë e tij, duke aluduar për kokat e njëri-tjetrit në lakmi të një plumbi të vetëm. Po kjo është një sekuencë e shkëputur nga filmi “Mësonjëtorja” me skenar të Natasha Lakos e regji të Muharrem Fejzos. Dhe e gjithë batuta e interpretuar nga aktori Ardian Cerga më erdhi ndër mend teksa në klubin e lagjes, aty ku pihet kafe por dhe ndonjë gotë rakie, bëhen dhe bisedat e rënda të politikës së madhe. Pikërish aty marr vesh të rejat se çfarë ndodh në Kuvendin e Shqipërisë por dhe në korridoret e Kryeministrisë, më shumë se sa në mbledhjet e redaksisë së gazetës ku raportohen të gjitha lajmet e ditës.

Se është në traditën tonë si shqiptarë që rakinë e pijmë duke hedhur zarat e politikës e diplomacisë, dhe jo vetëm vendase, por dhe ato që shqetësojnë botën.
-E di unë, i ka thon Amerika atij që të iki me lezet. Shife kur të japi dorëheqjen këto ditë. E ka pre latën…

Heu bre. Si nuk e kishte kap asnjë nga gazetarët tanë këtë lajm thagmë? O po e marrin rrogën kot qafirët. Faj ka dhe kryeredaktori që nuk u shtrëngon rripat. U kalon lajmi m’u te hunda dhe s’e marrin vesh fare.

-Po mor po, në atë krah fli ti. Ai ka hik që me sabah për në Bruksel me mor udhëzimet e reja. Edhe në pushtet pa me ndenjt sa Enver Hoxha.
Dy teket e para të rakisë kishin mbaruar dhe klientët e muhabeteve të rënda po prisnin me padurim t’u vinte gota e dytë.

-Do ta lshoj se s’bo se ka hy ene gjermani në lojë, bashkë me atë… Makronin e Francës.
Të keqen vëllai, thashë me vete. Duhen pushuar të gjithë gazetarët nga puna. Nuk kishte si bëheshin më të paaftë. Lajmet sheshit ata raportojnë: jo komisioni i ekonomisë, jo buxheti i shtetit, jo po xhi-di-pija… Mjafton këta të dy dhe bëhet gazeta blind. Të kapi dhe shitje rekord. Se nuk del kollaj lajmi që amerikoni i paska thon kryeministrit me dhon dorëheqje se kështu dashkan ene gjermoni ene francezi. Po taljoni??? Apo se pyt njeri atë?!

Rakia vazhdon, muhabeti shtrëngohet tek protestat e shkuara dhe ato të ardhmet që do tronditin shtetin. Se nuk ka mundësi që të pish raki e të mos futesh në të thella.

-Sot kam gëzim, bëni qejf e mos u merrni me të thella. Raki e mish ka sa të doni, – u thosh Safa Ymeri njerëzve që kish ftuar në dasmën e të birit, të cilët harruan dollitë e po merreshin me punët e luftës.

-Ashtu, ashtu po njeriu nuk do vetëm bukë. Apo jo? – ia ktheu Aliu, që interpretohet nga Vangjel Heba, të cilit i pëlqente ta ngiste llafin kur vinte puna për çështjet madhore.
-Nuk thashë, por politika ngatërron dynjanë zoti Ali.

-A, na s’bëjmë politikë. Dëgjove njeri ti këtu?

-Ashtu. Urtë e butë e plot tiganin, – do t’i vinte kapakun Safa Ymeri, i luajtur nga Kadri Roshi e që është një prej personazheve të filmit “Malet me blerim mbuluar” me skenar e regji të Dhimitër Anagnostit.

Lexo edhe :  Basha për dialogun Kosovë-Serbi: Vendimmarrja i takon qytetarëve të Kosovës

Ja kështu kanë qenë shqiptarët, si atëherë dhe tani. Nuk duan vetëm mish e raki, por dhe ca politikë, që t’u shkojë në vend.

Dhe ky është një muhabet i përditshëm. Lojtarët ndërrohen herë pas here, ose tavolinat më të nxehta kanë dhe më shumë se dy lojtarë. Dhe kur kalon dopio e dytë biseda nxehet vërtet. Aty merr vesh se si Bajdeni ka rroitur nga mendt e kokës, se Putini që i ka vënë gishtin në këmbëzën e bombave bërthamore, nuk është i vërteti por sozia e tij. Se baba sulltani i Turqisë po pret vitin 2023 që të shpërthejë e të vendosi kufijtë e vjetër të perandorisë… e të tjera, e të tjera.

-Po me Kim Jungun ç’u bë?

-Iu sos ujët e gamiljes.

Ou… edhe ky e paska fiksuar batutën e aktorit Teodor Rupi, në rolin e mytesarifit tek “Mësonjtorja”. Dhe unë i varfri kujtoja se ai dinte vetëm të ndante pazaret e mëdha në tavolinën e rakisë.

Ja këta i dinë të gjitha, çfarë thuhet në kancelarinë gjermane dhe në Presidencën amerikane. Dhe meqenëse nuk po e ndanin dot punën e pushtetit se helbete, njëri ishte me Ramën dhe tjetri me Berishën, në lojë kërkuan të më fusnin dhe mua si të paanshëm, por si gazetar që isha duhet patjetër të kisha një informacion të klasit të parë.
Pyetjet erdhën rrufeshëm tek në tavolinën time derisa kafeja më mbeti në fyt. Nuk doja t’i zhgënjeja njerëzit që po mbanin shpresën tek unë dhe meqë nuk u jepja dot përgjigje ia pata: – A t’u jap nga një teke nga ana ime?

-Po mër jahu, kush ta prish ty!

Sado që u mundova t’i shmangesha debatit për çështjen e ngritjes së çmimeve, bordit të karburanteve dhe protestave të opozitës, sërish pyetjet e tyre më mbanin pezull. Çfarë t’u thosha mor aman…

-Leni mo llafet, na thuj ktu kush i fito zgjedhjet lokale. Kush do ta mor Tironën këtë herë?
Tobestrakfrullah. Çfarë më gjeti!

-Po unë jam gazetar që merrem me histori të vjetra dhe me problemet e kulturës, si fjala vjen panairi i librit. S’para ia thek nga politika dhe as nga gjeopolitika.
-Demek na e futë ëëëë. Nuk i hamë ne ato. Po thoj që nuk do me nxjerr sekretet.
-Zgjedhjet i fito ky i gjati, – ia mbyta unë me seriozitet dhe me mendimin që pas kësaj vëmendja do të largohej nga unë.

-Ç’ia fut kot! Ky do japi dorëheqje këto ditë. E di si buka që ha. I ka thon amerikoni…
Mirëpo isha fort i acaruar që kafeja të cilën po e pija me aq qejf më kishte shkuar pas kurrizit aq sa e ndërpreva pa shumë takt:

-Po mirë mo, kur e di si buka që ha e që i paska thon amerikoni, për çfarë më pyet mua?
Mendova se ndoshta me kaq debati do të fashitej. Por jo, ai u ndez më keq. Dhe kjo është panorama në çdo bar e qebaptore, kur në tavolinë shtrohen për raki dy shqiptarë e sipër.
-Paravolitë nuk janë bërë për gojën tënde o njeri, – m’u kujtua shprehja e interpretuar nga aktori Petrika Riza tek filmi “Mësonjëtorja”, – ndaj është më mirë të pish ndonjë gotë raki.

Të fundit

-79°C, e sërish pritet ulje! Verilindja e SHBA-ve nën temperatura të ulëta kërcënuese

Pjesa verilindore e SHBA-ve është përfshirë këtë fundjavë nga temperatura në nivele të ulëta e të rrezikshme. Në pikën...

G-7, Evropa arrijnë marrëveshje për kufirin e çmimit të naftës ruse

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha të premten se vendet e industrializuara të Grupit të Shtatëshes po vendosin një çmim tavan për produktet...

Putin ka gati planin 2 të luftës/ Do të zgjasë deri në Pranverë, trupat në gatishmëri

Qindra mijëra trupa, tanke, sisteme të blinduara, antitank, robotikë dhe, në sfond, armë bërthamore taktike të gjeneratës së re po mobilizohen nga Moska në...

“Më fal xhaxhi…”, 21-vjeçari shqiptar grabit italianin nën kërcënimin e armës

Një 21 vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi akuzohet se ka kryer një grabitje me armë në Firenze. Sipas mediave italiane, i...

Kejsi surprizon Stresin: Të mbështes edhe sikur çdokënd ta kesh kundër!

Ish partnerja e Stresit, Kejsi ka reaguar për herë të parë që prej hyrjes së Stresit në Big Brother Kosova. Ajo i ka uruar...

Lajme të tjera

Web TV