U prehsh në paqe njeriu i mirë, Foto Toti!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

NGA AGRON SEJAMINI

Dhimbjen dhe nderimin për Foto Totin e dëshmoi lamtumira e ditës së djeshme. Pafund njerëz! Nga çdo moshë ishin të lënduarit, çka na kujton shpirtmadhësinë dhe zemërgjerësinë e tij det. Ai njeri të bënte për vete me fjalinë e parë. Nga mali i kurorave dhe buqetave të luleve, ku në njërën prej kordeleve dallova edhe fjalën “Chicago”… Iku një njeri që la pas mirësi dhe kujtime të bukura. Ndjehem me fat që e njoha nga afër dhe munda të mësoj diçka nga rrugëtimi i tij dinjitoz dhe gjithë mënçuri…
Djaloshin Foto Toti, në rininë e vet, nuk e kanë adhuruar vetëm femrat, por edhe…partia. E ndërsa të parat edhe i ka dëshiruar këtë të dytën as që e ka afruar. Mbaron Politeknikumin Mjekësor për ndihmësmjek stomatolog dhe e caktojnë në klinikën dentare të qytetit të Durrësit. I përkushtuar, i shkathët, i disiplinuar. E ku do të gjente gjak më të ri dhe më të pastër partia?! Pa kaluar muaji i parë iu bë ftesa nga Organizata e Partisë për të plotësuar kërkesën. I luteshin, por nuk e kishte me qejf. Jo se kishte mendim ndryshe, por ndjente diçka si frikë, si turp… Por, nuk i ndahej partia. Aq sa edhe drejtori i klinikës, Hasan Jero, i cili më pas do kalonte vite të tëra në burg, një ditë kur nuk kishte asnjeri në korridor, i afrohet te veshi dhe i pëshpërit:
– Ç’do ai zagari që të vjen nga pas…?
Zagari në fjalë, ishte sekretari i Organizatës së Partisë që herë pas here i bënte shoqëri për t’i grabitur “po”-në. U vu në siklet, sepse edhe “jo” nuk mund të thoshte dot.
Ndaj kërkon të takohet me të atin, për ta shoshitur mirë këtë përgjigje. Niset posaçërisht nga Gjirokastra babai i vet dhe mbërrin në Durrës. Por…
– Sakën në parti!- ishte fjala e parë e tij dhe si për ta forcuar mendimin, kish vazhduar disa herë të tundte kokën në mënyrë mohuese. U çudit Foti me këtë përgjigje dhe dyshues e pyet:
-Po dy vëllezërit e mi pse janë anëtarë partie?
-Po ata me partinë do hanë bukën, mor bir! Ti shiko zanatin! Ai do të të bëjë me kuletë dhe autoritet!
I mjafton kaq për ta zvarritur pa fund atë përgjigje që nuk do e jepte kurrë. Iu duk sikur vërtet partia ishte e drejtë dhe nuk i ngeli qejfi. Në fakt, ajo parti e kishte zakon që kur nuk të fliste, të godiste. Pas disa muajsh, Fotin e çojnë në Kavajë. Me ulje natyrisht, por me ngritje rroge. Nga 3900 lekë në Durrës, këtu iu shtuan edhe 1000 lekë, pasi e emëruan përgjegjës klinike.
Asnjëherë nuk e vuri veten, mbi dy mjekët e shquar stomatologë që gjeti aty. Myrteza Bega kishte mbaruar në Austri, ndërsa Jorgji Sora në Zagreb. Duke qenë se ata kishin mbaruar shkollat e larta jashtë, shiheshin me dyshim si borgjezë dhe kundërshtarë të sistemit komunist. Dhe prej kësaj ndodhi ngritja në detyrë e Fotit…
Një ditë në Kavajë, vjen ministri i Shëndetësisë, Ibrahim Dervishi, që shquhej për hije të rëndë ushtaraku dhe komunikim të ashpër me vartësit. Mbase për karshillëk të dy mjekëve me personalitet dhe dinjitet, por edhe i ngacmuar nga shkathtësia e 18 vjeçarit Foto Toti, duke i hedhur dorën në qafë, i thotë se ti do të jesh përgjegjës. Por nuk i prishi marrëdhëniet e ngrohta me kolektivin ai ledhatim ministri. Ata njerëz të mirë dhe intelektualë e trajtuan Fotin si ta kishin djalin e tyre. I dhanë jo vetëm ç’dinin nga zanati, por edhe ngrohtësi nga shpirti duke e ftuar disa herë në familjet e tyre. Gjithsesi, edhe për atë simpati të ministrit kishte nevojë. Kishte dëgjuar që disa nga shokët kishin filluar studimet e larta. Ndaj më atë kurajon e tij karakteristike, muaj më pas, niset drejt Tiranës. Ishte praktikë që duhej plotësuar një kërkesë në Ministri, për të takuar titullarin. “Për disa shqetësime të klinikës dentare në Kavajë kërkoj takim me ju”,- plotësoi atë fletushkë dhe në heshtje bluante fjalët që do i thoshte atij njeriu të frikshëm. Pas disa minutash i bëjnë shenjë që të hynte atje ku kishte kërkuar. As që e njohu fare ministri. Por, Fotos nuk i mungonte çapkënllëku.
Me finesë dhe shkathtësi i kujton takimin e tyre deri sa i rikthen buzëqeshjen dhe simpatinë ministrit. Pasi i bën një përmbledhje të gjendjes së klinikës, i kërkon disa pajisje dhe ilaçe. Kur ishte çuar për të ikur, madje kur kishte prekur dorezën e derës, me gjysmë zëri i shpreh dëshirën për të vazhduar shkollën e lartë. Për të mos prishur ngrohtësinë e takimit, ministri i lëshon një miratim rutinë me kokë. Duke qenë se ishte ende me derë hapur, guxoi t’i tërhiqte edhe një herë vëmendjen ministrit:
– Shoku Ministër! Ju kini shumë punë dhe mund të harroni. Ju lutem, shkruajeni emrin tim dhe vendoseni nën xham…
Ministri ia plasi të qeshurës me batutën e djaloshit gjirokastrit, u çua nga kolltuku dhe iku direkt e i tërhoqi veshin në shenjë ledhatimi. Ky xhest, për Fotin, ishte më shumë se një letër nën xham…
Për të vazhduar shkollën e lartë duhej të plotësoje tre kushte. E para biografia. Babai i Fotit kishte qenë partizan, ndërsa dy vëllezërit ishin anëtarë të partisë. E dyta, mesatarja e shkollës së mesme. Edhe kjo ishte shumë e mirë. Dhe e treta, të kishe stazh pune. Foti kishte qenë edhe përgjegjës. Pas disa muajsh, emri i Foti Totit u rendit në listat e studentëve që do vazhdonin mjekësinë në Gjermaninë Lindore.
Për katër vjet në Laipcig ai mësoi shumë mirë gjermanishten dhe u shfaq si student i shkëlqyer në të gjitha lëndët e programit të stomatologjisë. Një mjek i tillë i dëshiruar edhe nga Berlini do ishte luks për Tiranën. Por për çudinë e të gjithëve, Foto Toti emërohet në Tropojë.
Ia vlen të sjellim disa ndodhira të tilla, sepse në atë kohë kanë qenë të shpeshta. Ndërsa po dilte nga klinika e vet, shikon se nga spitali doli duke qarë një nënë me djalin katër vjeç ndër duar. U prek në shpirt dhe e ndali. E pyet dhe ajo i thotë se ishte bllokuar nga frymëmarrja dhe ishte duke dhënë shpirt. Madje dhe mjeku i spitalit nuk e kishte mbajtur për të mos iu regjistruar si vdekje në spital. U trondit aq shumë, sa edhe pa bindje të plotë i thotë hajde me mua. Futet në klinikën dentare dhe e viziton. Kupton diagnozën. Ishte një difteri e rëndë. Thërret asistentin e vet, Ali Mulën dhe i thotë të gjejë një copë tub bakri duke improvizuar me të pajisjen e duhur që në këtë qytet as që njihej. Fillon me guxim operimin në grykë dhe i vendos tubin e bakrit duke e shpëtuar nga rreziku atë fëmijë. Ndoshta ishte Perëndia që vendosi për shpëtimin e jetës së tij,por një pjesë të meritës e kishte padyshim edhe Foto Toti. Pas disa ditësh fëmijën e nisin në spitalin e Kukësit, në një gjendje më të mirë, gjë që mundësoi shërimin e plotë.
Doktor Toti kishte nivel të lartë përgatitje, por edhe lexonte vazhdimisht. Jo pak libra mjekësorë shqip dhe gjermanisht kishte edhe në Tropojë. Madje, kujton se një operim lindjeje e kanë realizuar duke lexuar rresht pas rreshti librin. Këtë radhë me një mjek tjetër që zevendësoi doktor Flamurin. Ishte Skënder Hoxha që kishte ardhur bashkë me bashkëshorten Nurtenin, mjeke ftiziatre. Në urgjencë vjen një grua që kishte lindje të vështirë. Detyrimisht duhej t’i nënshtrohej një operimi seksiocezar që do mundësonte lindjen. Asnjëherë nuk kishte bërë specializim në maternitet Skënderi. Kjo do të thoshte se ishte krejt e pamundur ndihma në këtë rast. Por, Foti motivohej nga thënia e Hipokratit se mjeku duhet të ndihmojë çdo njeri në rrethana të këqija. Hapi librin në faqen e duhur dhe ja zgjat Nurtenit. Ajo lexonte, ata të dy e shoqëronin me kryerje veprimesh. Edhe ky operim po me sukses përfundoi. Por në jo pak raste është bërë gati që ata libra t’i hidhte në zjarr. Kështu, një ditë, tek shërbente në klinikë nuk i troket dera, por dritarja. E hap dhe shikon një malësor hipur në kalë. I bën me shenjë doktor Foti që dera është këtej, por ai i thotë të më bësh derman këtu ku jam, se nuk mund ta lë kalin vetëm, pasi është i sertë… Ca nga këmbëngulja e të sëmurit dhe më shumë nga dialekti, detyrohet që të thërrasë asistentin e vet, për t’i spjeguar se çfarë thotë. Ali Mula i thotë, të rrijë rehat se “ia zgjidh une hallin!”.
Rrëmben nga rafti një palë pinca, hap kanatin tjetër të dritares dhe i thotë të sëmurit hipur në kalë, të hapte gojën. Pas pak minutash, të dy palët falenderojnë njëri-tjetrin me përshëndetje duarsh në ajër. Ndoshta ky rast ka edhe doza humori por për ato pesë vjet doktor Fotoja, ndjen mall dhe mirënjohje për ata njerëz aq të dashur dhe bujarë. Hallall ia ka bërë Tropojës atë ndihmë që i ofroi në moshën më të bukur të jetës së tij! Vajti 25 vjeç dhe u kthye 30. Largimin nga ai qytet nuk e përshkruan dot prej emocioneve. Ndërsa tregon, bllokohet dhe ngre mëngët e këmishës për të dëshmuar mornicat që i kanë pushtuar trupin. Dhe ndodhi kështu…
Pasi del nga kafja e fundit që ia dha Sekretari i Parë, shikon përtej, te stacioni i autobusit, njerëz plot. Bën çudi dhe pyet ç’të ketë ndodhur.
– Të gjithë ata që ti sheh atje, kanë dalë për të të përcjellë ty, -ia kthen njeriu i partisë duke i shprehur mesazhin e mirënjohjes së një qyteti ku ai kishte shërbyer me aq përkushtim. Mbushi sytë me lot, për të mos i ndalur dot kur mbërriti te autobusi. Ata njerëz fisnikë dhe të thjeshtë nisën të shtynin njëri-tjetrin, për të përqafuar sa më parë dhe sa më gjatë, doktor Foto Totin…
Dje, të gjithë këta njerëz të mirë tropojanë, dhe jo vetëm këta….përsëri do të ishin sylotuar dhe zemërlënduar në lamtumirën e fundit me doktorin. Të qoftë dheu i lehtë dhe u prehsh në parajsë njeriu i mirë, Foto Toti!

Të fundit

Ruleta e penalltive i buzëqesh Los Blancos, Real Madrid triumfon ndaj Manchester Cityt

Reali i Madridit triumfon 4-3 në ruletën e penalltive përballë Manchester City-t dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Championsit, ku...

VIDEO/ Bayern Munich mposht minimalisht Arsenalin dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Bayerni i Mynihut ruan traditën, fiton 1-0 përballë Arsenalit në “Allianz Arena” me me rezultat të përgjithshëm 3-2 kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League....

Hemofilia, sëmundja që prek meshkujt, ja sa pacientë trajtohen në Shqipëri

250 pacientë jetojnë me hemofili në Shqipëri. Sëmundja e gjakut që trashëgohet nga nëna, shfaqet vetëm tek djemtë ndërsa vajzat janë bartëse të saj....

Aktorit Mirush Kabashi i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit

Bashkia e Durrësit miratoi ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” aktorin e mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes). Sot në qytetin...

“Kërkesa për divorc është bërë nga Besi?” Gazetarja zbulon detaje për ish-çiftin

Disa ditë më parë, ishte Xhensila ajo që përmes projektit të saj muzikor, la të nënkuptohej se i kishte dhënë fund martesës së saj,...

Lajme të tjera

Web TV